Home Politike Juncker: Shqipëria vazhdon të akumulojë progres

Juncker: Shqipëria vazhdon të akumulojë progres

96
0
SHARE

Konferencë për shtyp e Kryeministrit Edi Rama dhe Presidentit të Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, pas takimit të zhvilluar mes tyre, në Tiranë:

 

Loading...

Kryeministri Edi Rama: Mirëmbrëma!

Më lejoni të falënderoj përzemërsisht Presidentin e Komisionit Europian dhe një mik të kahershëm të Shqipërisë dhe shqiptarëve, Jean Claude Juncker,  për këtë vizitë, që është përmbushja e një zotimi të vjetër për t’u mbajtur në momentin më të mirë të mundshëm. Sepse vjen pak kohë përpara momentit të vendimmarrjes për rekomandimin e Komisionit Europian për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe pak kohë pas publikimit të strategjisë së re të zgjerimit, e cila përbën një bazë inkurajuese për të gjitha vendet e rajonit tonë.

Siç e dini, ne u takuam në dhjetor në Bruksel dhe sot, unë pata mundësinë dhe privilegjin që ta informoj nga afër Presidentin për zhvillimet e reja, ecurinë e reformave dhe sigurisht, vendosmërinë e Shqipërisë për të vijuar të jetë nga njëra anë, në një proces intensiv përafrimi me BE-në, përmes punës së përditshme këtu në vendin tonë. E nga ana tjetër, një aktor konstruktiv për nxitjen e bashkëpunimit rajonal dhe garantimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë në të gjithë rajonin.

Siç e dini, Komisioni ka rekomanduar qysh në nëntor të 2016-s çeljen e negociatave të anëtarësimit mes BE dhe Shqipërisë, duke nënvizuar domosdoshmërinë e çuarjes përpara të reformës në drejtësi dhe zbatimin konkretisht të procesit të vetting-ut. Në momentin e daljes së atij rekomandimi, ne ende nuk kishim kaluar ligjin për vetting-un, gjë që ka ndodhur dhe nuk kishim nisur punën konkrete për vetting-un, gjë që po ndodh.

E informova Presidentin se sot që flasim, ne numërojmë plot 17 prokurorë dhe gjykatës të niveleve më të larta të gjyqësorit shqiptar, që janë tërhequr nga procesi i vetting-ut, pra, që faktikisht nuk do të jenë më pjesë e sistemit gjyqësor, një tregues i qartë që vetting-u ka filluar të funksionojë, si një shtysë e fuqishme drejt realizimit të objektivit të një sistemi drejtësie të ri dhe të pavarur.

Nga ana tjetër e informova po ashtu Presidentin se presim në javët në vazhdim edhe çeljen e çështjeve konkrete, me rezultate konkrete, nga ana e vetë komisioneve të vetting-ut.

Ndërkohë, qysh prej takimit tonë të fundit kanë ndodhur edhe disa gjëra të tjera shumë të rëndësishme. Ka hyrë në proces operacioni kombëtar kundër krimit të organizuar “Forca e ligjit”.

Ka hyrë në proces reforma e derregullimit, që synon lehtësimin e konsiderueshëm të barrës së burokracisë mbi qytetarët, me efekt të drejtpërdrejtë luftën kundër korrupsionit në marrëdhëniet e qytetarit me shtetin në të gjithë linjën e shërbimeve të shtetit.

Ka hyrë po ashtu në proces një transformim rrënjësor në marrëdhëniet e drejtësisë me qytetarët, në radhë të parë, përmes ndryshimit të Prokurorit të Përgjithshëm dhe çeljes së një sërë dosjeve që prej kohësh flinin në prokurori.

Vendosmëria jonë mbetet e palëkundur, sepse vetëdija jonë është që reformat e integrimit nuk janë të domosdoshme se na i kërkon Brukseli, nuk janë të detyrueshme sepse na i kërkon Brukseli, por janë të domosdoshme dhe të detyrueshme, sepse i kërkon Shqipëria dhe është borxhi që i kemi gjeneratës tjetër. Ky është një proces unikal, i pazëvendësueshëm për shtetbërjen dhe për funksionimin e institucioneve demokratike, këtu në vendin tonë.

Siç e kemi nënvizuar qysh në krye të herës, për ne, integrimi në Bashkimin  Europian nuk është një udhëtim për të shkuar gjetkë, por është një përpjekje për të ndërtuar Shqipërinë europiane, këtu në vendin tonë.

Ne e kemi thënë, unë dua ta përsëris: Besoj fort se e meritojmë rekomandimin e plotë dhe të pastër nga ana e Komisionit Europian dhe shpresojmë se edhe vendet anëtare do t’i përgjigjen pozitivisht, në unanimitet, kërkesës së KE-së, pasi i kemi kryer me përpik mëri detyrat e shtëpisë për këtë fazë dhe çelja e negociatave përbën për ne, çeljen e një kapitulli të ri përpjekjesh në rrugën e reformave drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian.

Edhe njëherë faleminderit Zoti President!

Faleminderit i dashur Jean-Claude!

Keqardhje që, me gjithë përpjekjen që bëmë, nuk arritëm dot t’ju presim me një kohë tipikisht shqiptare dhe mesdhetare, megjithatë është një mënyrë për t’u bërë të ndiheni njësoj si në Bruksel, shi, gri, mërzi.

 

Presidenti i KE, Jean-Claude Juncker: Mirëmbrëma i dashur Kryeministër! Mirëmbrëma të nderuar zonja e zotërinj!

Kam ardhur në Tiranë për t’i shpëtuar klimës së Brukselit, po më duket se po gjej të njëjtën gjë këtu, në Tiranë. Por është një moment i vogël i një cikli shqiptar.

Jam i kënaqur së bashku me komisionerin Johanes Hahn në Tiranë. Në Tiranë filluam udhëtimin tonë përmes Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë në etapën e parë Shqipërinë, Tiranën. Shqipëria për mua nuk ka asgjë të habitshme. E njoh nga larg, por jo mjaftueshëm, por megjithatë mund të jap një gjykim paraprirës për atë që çka përbën forcën e këtij vendi. Vazhdojmë me Kryeministrin, janë bisedime që kanë filluar prej një kohe të gjatë. Kur kam ardhur për vizitën time të parë në Tiranë, Kryeministri ishte kryebashkiak i Tiranës. Dëgjova rezervat që shprehën të tjerët në lidhje me të.

Për ne, Ballkani Perëndimor dhe Shqipëria, veçanërisht, janë vende miq, aleatë dhe partnerë që kanë një perspektivë europiane, sepse Shqipëria është një vend thellësisht europian, por ne jemi ndarë nga historia, nga të papriturat e historisë për një kohë të gjatë, por tashmë nuk duhet humbur kaq shumë kohë sa na është dashur për t’u ndarë.

Në fakt bëhet fjalë për ta rishikuar historinë nëpërmjet pajtimit. Konstatoj me kënaqësi që Shqipëria nuk pushon së akumuluari progrese, sepse ka marrë shumë reforma strukturore në shumë fusha në jetën tuaj kombëtare, të cilat janë impresionante. Edhe këto progrese janë mbresëlënëse. Nëse këto vazhdojnë në këtë rrugë reformash, kjo do t’i lejojë Shqipërisë që Komisioni Europian të rekomandojë hapjen e negociatave.

Nuk kam ardhur në Tiranë për të bërë premtime bosh. Është shumë e lehtë që për të dhënë kënaqësi, t’ju them në këtë datë apo në atë datë do fillojmë negociatat, por nuk është ky qëllimi im. Por vetëm mund të inkurajoj Shqipërinë që të vazhdojë reformat e rëndësishme, që janë ndërmarrë sidomos në luftën kundër krimit, vetting-ut, organizimit të gjykatave. Ne do jemi përkrah Shqipërisë për ta ndihmuar të përgatisë anëtarësimin. Në mënyrë që vende të tjera të bashkohen me Bashkimin Europian do të na duhet që të gjitha problemet, grindjet ndërmjet vendeve kufitare të jenë të zgjidhura deri në datën e anëtarësimit. Unë vetëm mund të inkurajoj atë që Shqipëria kërkon t’i japë fund konflikteve territoriale, sepse kjo është një provë për angazhimin e Shqipërisë për t’u bërë sa më shpejt anëtare e BE. Deri atëherë, ne e mbështesim Shqipërinë në të gjitha përpjekjet, edhe në përmirësimin e marrëdhënieve me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Dal nga bisedimi me Kryeministrin, duke rikonfirmuar se vendi natyrshëm i Shqipërisë është në gjirin e Bashkimit Europian.

Ju faleminderit!

 

Një pyetje për Presidentin Juncker; Duke qenë se një nga pikat e strategjisë së zhvillimit që ju prezantuat në shkurt në Parlamentin Europian ishte dhe shuarja e problemeve mes fqinjëve në Ballkanin Perëndimor. Si i shihni dhe si i vlerësoni negociatat e Shqipërisë me Greqinë për një sërë çështjesh të mbartura për shumë vite dhe veçanërisht për marrëveshjen e detit dhe a po i monitoroni këto negociata?

Për Kryeministrin Rama; Nisur nga ngërçi i brendshëm i Shqipërisë për të vazhduar më tej për këto negociata, pasi Presidenti nuk dha plotfuqishmërinë e tij për të ecur më tej, a mendoni se në prill, kur Komisioni do japë rekomandimin për negociatat do zgjidhet kjo çështje?

Kryeministri Rama: Së pari dua t’ju bëj një korrigjim të detyruar. Të jeni të bindur që unë nuk kam dëshirë t’ju korrigjoj, por, kur jam i detyruar, më duhet ta bëj. Presidenti nuk e ka refuzuar dhënien e autorizimit, por Presidenti ka kërkuar me të drejtën që i jep Kushtetuta dhe autoriteti i tij disa sqarime të shkruara lidhur me kërkesën e dërguar për marrjen e autorizimit. Sqarimet e shkruara janë dhënë, janë në tryezën e Presidentit dhe unë ju ftoj të gjithëve që ta shohim këtë proces me të gjithë seriozitetin që meriton dhe le të gjejmë në shumë nga çështjet e tjera, arsye për të bërë lajm, por jo në këtë proces.

Kam besim dhe nuk kam arsye pse të mos kem, që Presidenti do bëjë detyrën dhe ne do të kemi gjithë kohën e nevojshme për të përmbushur këtë objektiv strategjik të zgjidhjes së të gjithë problemeve të mbartura me fqinjin tonë jugor. janë probleme që shtrihen në 70 vite, të nënshkrimit të një marrëveshjeje të re, që për ne duhet të jetë i bazuar fund e krye tek vendimi i Gjykatës sonë Kushtetuese. Kështu që, nëse më pyesni sot, a do të zgjidhet me sukses gjithë ky proces, unë mund t’ju them po, do të zgjidhet me sukses dhe do të jetë një tjetër arsye e fortë për miqtë tanë të BE-së, që të vlerësojnë Shqipërinë si një shtet serioz dhe qeverinë e Shqipërisë, si një qeveri që ka të gjithë maturinë europiane për të trajtuar edhe çështje kaq delikate të mbartura prej 70 vjetësh.

Presidenti Juncker: Ka të bëjë me problemet që mund të ekzistojnë ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë. Jam i mendimit se ato duhen zgjidhur sa më shpejtë të jetë e mundur. Këtu kemi një dritare mundësish të hapura, pra, duhet ta përdorim hapjen nga të dyja palët, për t’i lejuar këtyre vendeve të bien dakord për zgjidhjen e këtij problemi që nuk është ende një konflikt. Jam i bindur që vendet e rajonit, që kanë konflikte territoriale, do të përpiqen t’i kapërcejnë ato dhe këto nuk mund të bëhen pas anëtarësimit. Zgjidhja e tyre duhet bërë para anëtarësimit. Pra, dua t’i inkurajoj ato, si Shqipërinë edhe Greqinë, të bien dakord e ky është një element plus për të pranuar hapjen e negociatave kur të vijë momenti.

Për pjesën tjetër dua t’ju them se BE nuk i përket vetëm anëtarëve që janë aktualisht anëtarë të BE-së. Traktatet europiane e thonë qartë dhe në mënyrë jo ekuivokë se çdo vend ka prirje të bëhet anëtar i BE-së, me kusht që të plotësojë kriteret e anëtarësimit, që janë kritere që i takojnë vendeve të ndryshme kandidate. Kur Shqipëria të ketë në një mënyrë definitive, të ketë plotësuar të gjithë progresin që presim prej asaj dhe që pret ajo nga vetvetja, anëtarësimi do të jetë diçka e kryer. Të gjitha vendet që i plotësojnë kriteret, pavarësisht se çfarë bëjnë të tjerët, kanë prirje të bëhen anëtarë të BE-së. Ky është një proces i bazuar në meritat e secilit vend, të secilit shtet.

 

Zoti Juncker, në strategjinë e zgjerimit, Brukseli flet me një datë të mundshme sa i përket anëtarësimit të Serbisë dhe Malit të Zi, por jo për Shqipërinë. Ndërkohë që këto dy vende nuk e kanë nisur reformën në drejtësi, Shqipëria e ka nisur reformën në drejtësi dhe ju prisni rezultate konkrete prej saj. Si e shpjegoni faktin që në strategjinë tuaj. Serbia duket më përpara se Shqipëria në këtë aspekt.

Zoti Rama, a keni ju një strategji të përbashkët Shqipëri – Komisioni Europian sa i përket vendeve anëtare, për t’i bindur për hapjen e negociatave në verë?

Presidenti Juncker: Lidhur me pyetjen tuaj të parë dua t’ju them se në të kundërt me saç thuhet kudo, ne vetë nuk kemi thënë se Serbia dhe Mali i Zi do të jenë detyrimisht anëtarë të BE-së në vitin 2025. Anëtarësimi i drejtohet të gjitha vendeve. Pra, mund të jetë ajo datë, ose më shpejt, ose më vonë. Kur çdo vend të ketë plotësuar kriteret e anëtarësimit, ne do veprojmë në mënyrë të tillë që përpjekjet e çdo vendi të njihen nga BE. Pra, nuk është momenti të thuhet, të shkruhet se Shqipëria do trajtohet në mënyrë të keqe, të pafavorshme. Ne duam ta mbështesim fort përpjekjet e Shqipërisë që janë të mëdha dhe nuk është çështja të mos merren parasysh meritat e Shqipërisë.

Kryeministri Rama: E falënderoj Presidentin për këtë shpjegim, se është autori kryesor i Strategjisë dhe me gjithë përpjekjet e mia për t’ua përkthyer juve Strategjinë, duke ju thënë që kjo që ju e bëtë edhe pyetje nuk ekziston, prapëseprapë, kur e thotë vetë autori, mbase bindeni e hiqni dorë një herë e mirë nga historia që Komisioni caktoi datën për Serbinë dhe për Malin e Zi dhe e la Shqipërinë dhe Maqedoninë, apo të tjerët mbrapa derës. 2025, në kuptimin strategjik është një dritare mundësie, por në të njëjtën kohë, Strategjia sqaron shprehimisht se ky është një proces i bazuar tek merita dhe kush vrapon më shpejt, arrin më shpejt. Ndërkohë që sigurisht, me fotografinë e gjendjes së sotme, Serbia dhe Mali i Zi janë në një pozicion më të përparuar, sepse kanë nisur negociatat.

Kanë nisur negociatat ndërkohë që ne presim çeljen e negociatave, por kjo nuk do të thotë që ata do hynë përpara dhe ne do hymë mbrapa, apo që 2025-a është një datë vendimmarrjeje. Kjo do të thotë vetëm që në gjendjen aktuale, situata është kjo dhe i takon çdo vendi që të vrapojë dhe të bëjë maksimumin e tij të mundshëm për të arritur tek dera e BE-së dhe unë ua kam thënë dhe e përsëris, në rastin më të mirë, ne do hymë bashkë me Serbinë, në rastin më të keq, ne do hymë përpara Serbisë, që të jemi të qartë.

Përsa i përket pyetjes që ju bëtë për vendet anëtare, ajo çka ne na intereson është rekomandimi i plotë dhe i pastër i Komisionit, sepse Komisioni është autoriteti vlerësues i progresit, të bazuar në certifikimin e punës së bërë për secilin nga 5 prioritetet. Pastaj vendimmarrja e vendeve anëtare është një vendimmarrje që niset nga rekomandimi i Komisionit, por ka edhe karakterin e vetë politik. Kështu, sigurisht, që hapi i parë është rekomandimi. Pasi të merret rekomandimi, që unë shpresoj që ta marrim menjëherë, pa humbur kohë dhe besoj që e meritojmë ta marrim menjëherë e pa humbur kohë, do të shikojmë vendet anëtare në çfarë pozicionesh janë.

Të mos harrojmë që në vendimmarrjen e vendeve anëtare nuk është vetëm raporti i Komisionit, por është dhe raporti i qeverive të tyre me opinionet e tyre publike, me elektoratet e tyre, me pozicionet e tyre politike, pra, është një proces më kompleks. Sidoqoftë, po, ne po punojmë me vendet anëtare. E dimë ku janë pikat më sensitive dhe ku janë vendet që duan më shumë informacion dhe më shumë këmbëngulje dhe jemi duke e bërë këtë punë.

 

Zoti Juncker, Kryeministri e shprehu qartë që po i presim rezultatet e vetting-ut, ndërkohë që edhe me zhvillimet e fundit në drejtësi, kryesisht në Prokurorinë e Përgjithshme, janë rihapur disa çështje. Po hetohen ish zyrtarë, ish ministra e deputetë. A do të mjaftojnë këto për t’ju bindur ju që të bëni pikërisht këtë rekomandim të qartë nga ana e Komisionit Europian për Shqipërinë dhe nga eksperienca juaj, pas një rekomandimi të qartë nga Komisioni Europian, a mund të ketë dyshime nga vendet anëtare në qershor?

Presidenti Juncker: Janë tre pyetje në një. Sa për vetting-un, konstatoj se procesi është duke u zhvilluar dhe po jep rezultate mbresëlënëse. Ajo që do të donim dhe ne jemi të siguruar nga ato që na tha Kryeministri, ky proces vetting-u do të vazhdojë dhe përtej muajit prill, kur Komisioni do të botojë materialin në lidhje me shtetet kandidate për anëtarësimin në BE. Pastaj, ka raste që i interesojnë opinionit publik shqiptar, që mund të ndikojnë në këto lloj diskursesh, por mendoj që i takon drejtësisë shqiptare të bëjë punën e saj dhe besoj që drejtësia shqiptare do ta bëjë punën e saj. Nuk më takon mua të them kush është fajtor e kush nuk është. Ka një sistem gjyqësor që funksionon gjithnjë e më mirë në Shqipëri dhe ky sistem është mjaft i fortë për të zgjidhur rastet që ju përmendni.

Përsa i përket vendeve anëtare, është shumë e vështirë të japësh një gjykim final, përfundimtar, për secilin nga vendet anëtare. Kam tashmë një përvojë të gjatë në këto çështje. Kam kryesuar Komisionin Europian në ’97-n, që hapi bashkimin e vendeve të lindjes drejt Europës Perëndimore. Kam marrë pjesë në nënshkrimin e traktateve të anëtarësimit me Rumaninë, me Bullgarinë, me Kroacinë dhe gjatë këtij rrugëtimit të gjatë kam mësuar të bëj dallimin mes proceseve nervoze dhe atyre që zhvillohen më qetë.

Kryeministri Rama: Shumë faleminderit të gjithëve për praninë tuaj! Edhe njëherë mirënjohje për Presidentin, delegacionin e tij, komisionarin Hahn padyshim, që është pjesë e delegacionit për vizitën e tyre këtu në Shqipëri dhe puna jonë do të vazhdojë përditë, deri në sekondën e fundit përpara mbledhjes, për të vendosur rekomandimin.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here