Home Aktualitet Shpëtimi i hebrenjve në Luftën e Dytë Botërore, faqe e shkëlqyer e...

Shpëtimi i hebrenjve në Luftën e Dytë Botërore, faqe e shkëlqyer e historisë sonë

95
0
SHARE

Pyetje dhe Përgjigje të Kryeministrit Edi Rama përpara 18 mijë anëtarëve të Konferencës Vjetore të Komitetit Izraelito-Amerikan të Çështjeve Publike në Uashington DC:

Mirë se erdhët Zoti Kryeministër! Dy vjet më parë, ju vizituat Izraelin në një vizitë zyrtare, ku u takuat me Kryeministrin Netanjahu dhe liderë të tjerë. U nënshkruan dhe marrëveshje të ndryshme, qoftë në fushën e sigurisë, apo të investimeve në sektorë privatë. A mund të na jepni një lloj përmbledhjeje të këtyre partneriteteve e të na thoni se çfarë më tepër mund të bëhet për të forcuar marrëdhëniet e vendit tuaj me Izraelin?

Loading...

Kryeministri Rama: Faleminderit! Pikë së pari do doja t’ju thoja që jam shumë i nderuar dhe ndihem i përulur që flas përballë këtij auditori si Kryeministër i Shqipërisë, një vend ku ka pasur më shumë hebrenj pas Luftës së Dytë Botërore sesa përpara fillimit të saj. Shpëtimi i hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore është një faqe e shkëlqyer e historisë sonë, por jo e vetmja që lidhet me marrëdhëniet midis hebrenjve dhe shqiptarëve. Paraardhësit tuaj erdhën të gjenin strehë në Shqipëri, edhe tre here të tjera më përpara, në shekullin e parë, në shekullin e pesëmbëdhjetë dhe në shekullin e shtatëmbëdhjetë e përherë e gjetën këtë strehë tek ne. Kështu që marrëdhënia jonë me shtetin e Izraelit është mjaft speciale dhe e shkëlqyer dhe sigurisht që duam ta shohim të zhvillohet e duam të shohim që të ndodhin më shumë gjëra midis nesh.

Meqë ra fjala, për herë të parë, këtë vit do të ketë një fluturim të drejtpërdrejtë nga Izraeli në Shqipëri përgjatë periudhës së verës. Kështu që unë dëshiroj fort, që ajo çka një herë e një kohë përkufizohej nga Leo Elton, në raportin e vet të 1935-s, si toka e dytë e hebrenjve, të bëhet shtëpia juaj e dytë për pushime. Kështu që jeni mjaft të mirëpritur në Shqipëri.

Zoti Kryeministër, vendi juaj është në një rajon mjaft të rëndësishëm për Izraelin, me vende fqinj miqësorë me Izraelin si Mali i Zi dhe Greqia në kufijtë tuaj, si mundet Shqipëria të drejtojë një përpjekje ballkanike për të thelluar marrëdhënien me Izraelin e për të mbështetur Izraelin në fusha që kanë të bëjnë me ndihmën në siguri si dhe për votimin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Kryeministri Rama: Së pari, kjo mund të ndodhë duke treguar historinë tonë dhe duke mbrojtur vlerat tona të përbashkëta. Dua të bashkëndaj me ju se jam i angazhuar personalisht që të ndërtoj një qendër kulturore për miqësinë shqiptaro-izraelite në zemër të Tiranës, kryeqytetit tonë dhe për këtë kemi angazhuar Daniel Libeskind, që është autori i madh i muzeut hebraik në Berlin, që po punon me ne për këtë projekt. Ne duam që në këtë qendër të tregojmë historinë e marrëdhënieve tona për fëmijët tanë, por edhe për fqinjët tanë. E ndërkohë do të doja shumë të shihja një binjakëzim të kësaj qendre të ndërtuar në Jerusalem, ku të gjithë njerëzit e të gjithë feve dhe besimeve të mund të mësojnë historinë e jashtëzakonshme se përtej çdo feje e besimi, shqiptarët i panë hebrenjtë si njerëz ndaj njerëzish. Shqipëria është një vend që ka një sërë besimesh fetare, myslimanë dhe të krishterë. Ne, kjo na bën tashmë që të jemi të radhitur në frontin e parë kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit. Ne gjithashtu kemi ndërtuar Qendrën Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm në Tiranë dhe Kryeministri Banjamin Netanjahu na ka premtuar që Izraeli do të jetë nga partnerët kryesorë, që ta shndërrojnë këtë qendër në një pikë referimi në të gjithë rajonin. Kështu që, unë besoj fort se Shqipëria përfaqëson një shembull të jashtëzakonshëm sesi një vend ku myslimanët e të krishterët bashkëjetojnë, është një vend që po ashtu mbron asgjë më shumë e asgjë më pak, por të njëjtat vlera që Izraeli mbron me ekzistencën e tij dhe me qëndrueshmërinë e tij.

Zoti Kryeministër, Shqipëria ka një trashëgimi për të qenë krenare për trajtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Edhe pse vend i pushtuar, Shqipëria jo vetëm që ruajti komunitetin e vet hebre, por gjithashtu ofroi strehë dhe për hebrenjtë që erdhën në vend. Është e mirëdokumentuar që Shqipëria refuzoi që të dorëzonte anëtarët e komuniteti izraelit. Cila ishte baza e një heroizmi dhe e një sjelljeje të tillë?

Kryeministri Rama: Do doja të thoja që Shqipëria ishte vendi i parë në Europë, në vitin 1932, ku antisemitizmi ishte ndërkohë i përhapur kudo, që njohu të drejtën e komunitetit hebre që të organizohej e që të legjitimonte Shabatin. Historia është absolutisht e jashtëzakonshme, sepse hebrenjtë u shpëtuan jo vetëm nga familjet myslimane, por dhe nga kleri katolik. Është shumë e famshme historia e njërit prej klerikëve më të lartë të krishterë në Shqipëri, që pagëzoi shumë hebrenj që të ndryshonte identitetin e tyre e t’i mbronte nga nazistët. Kemi gjithashtu një episod interesant në të njëjtën kohë, ku një prej nazistëve më të lartë, Hermann Neubacher, në vitin 1943 thirri katër përfaqësues të katër komiteteve tona fetare e ju kërkoi që të jepnin listën e hebrenjve dhe listën e floririt që kishin. Ata dhanë listën e floririt, por jo listën e hebrenjve. Është një pyetje vërtetë e jashtëzakonshme sesi ka ndodhur që asnjë hebre nuk ju dorëzua gjermanëve nga shqiptarët, qofshin ata myslimanë apo katolikë, por po ashtu është një leksion i shkëlqyer i historisë sonë dhe kjo është ajo, pse unë besoj fort se nuk duhet ta marrim të mirëqenë, por duhet të bëjmë gjithçka mundemi që për fëmijët tanë dhe fëmijët e fëmijëve tanë, ky të mbetet një thesar, i cili duhet mbrojtur fort e që duhet të shërbejë si frymëzim për të ardhmen.

Ju jeni të shtrirë edhe në detin Adriatik, por dua t’ju pyes, për cilat sfida haseni, qoftë në pjesën e sigurisë, apo të tjera, në këtë pellg të Adriatikut.

Kryeministri Rama: Deti Adriatik, me hyrjen e Malit të Zi në NATO është tashmë kufiri i NATO-s, në gjatësi, në shtrirjen e tij. Shihet natyrisht si mjaft i sigurt, por na duhet po ashtu që të luftojmë sëbashku me partnerët tanë kundër kërcënimeve të përbashkëta. E kërcënime të përbashkëta përfshijë jo vetëm terrorizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm, por po ashtu, edhe burimet që i financojnë këto lloj veprimtarish, përfshirë lloje të ndryshme të kontrabandimit, të trafikimit të drogave e kështu me radhë.

Megjithatë, edhe pse e shoh se koha po më mbaron, dua vërtetë të falenderoj shumë ata që menduan të më ftonin, sepse nuk është thjesht një nder për mua, por është një nder për vendin tim e për bashkëqytetarët e mi, që të gjendem këtu me ju dhe t’ju dëshmoj miqësinë tonë mjaft të vjetër e të thellë.

Sërish ju uroj mirëseardhjen në Shqipëri, ku ka shumë për të parë e për të mësuar dhe ku ka një hapësirë unike, ku bukuria e mikpritja jetojnë së bashku.

Ishte kryeministri i Shqipërisë, Zoti Edi Rama, faleminderit!

Kryeministri Rama: Faleminderit shumë!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here