Home Aktualitet Projektet e reja për Qarkun e Elbasanit

Projektet e reja për Qarkun e Elbasanit

15
0
SHARE

enter get link Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Belsh, gjatë prezantimit të projekteve të reja të Qarkut Elbasan:

click here Përshëndetje të gjithëve!

Loading...

Shumë faleminderit për praninë tuaj!

Më vjen shumë mirë që edhe ata që na ndjekin mund të shikojnë se pamjet e transformimit të Belshit nuk janë pamje të krijuara nga kompjuteri, por janë pamje të krijuara nga një punë reale për të zbatuar një projekt transformues, siç është projekti i Rilindjes Urbane në këtë zonë, që është edhe zemra e Bashkisë së Belshit. Një projekt që nuk ka përfunduar, pasi qëllimi dhe objektivi është që të mbyllim edhe pjesën tjetër të liqenit dhe të krijojmë unazën këmbësore të liqenit, duke hapur një perspektivë zhvillimi të turizmit dhe të agroturizmit, ku potenciali është shumë i madh.

Ne kemi ardhur sot, për të folur për projektet e të gjithë Qarkut të Elbasanit dhe do të ishte e paimagjinueshme që vetëm pak vite më parë, një aktivitet të tillë ta organizonim në Belsh për të gjithë Qarkun, sepse vetëm pak vite më parë, për të ardhur deri në Belsh ishte një sforcim i vërtetë, si rezultat i mungesës së infrastrukturës, pastaj ishte një sforcim i vërtetë si rezultat i mungesës së një hapësire ku të mund të mblidheshim normalisht. Më kujtohet se kur vinim më parë në Belsh dhe duhet të bënim një takim elektoral, e zhvillonim të mbledhur në një gjysmë rruge të ngushtë, ku pjesa e gjysmës tjetër të rrugës ishte praktikisht e gjitha e shkatërruar.

Disa aspekte të Programit të Zhvillimit të Qarkut sjellin në vëmendje projektin e rëndësishëm strategjik të interkonjeksionit energjetik me Maqedoninë, që faktikisht prek të gjithë këtë zonë, transformimin e mëtejshëm në infrastrukturën arsimore të zonës dhe transformimin e mëtejshëm në hapësirën rurale, ku nga njëra anë kemi nisur të rrisim ndjeshëm mbështetjen për prodhimin bujqësor dhe blegtoral, me një shumë që është më e madhja e vënë në dispozicion ndonjëherë nga qeveria për bujqësinë, plus edhe shumën që kemi tanimë në dispozicion nga Bashkimi Europian dhe nga ana tjetër, duke i dhënë një përparësi të konsiderueshme zhvillimit të agroturizmit.

Kjo zonë ka një potencial të jashtëzakonshëm për t’u transformuar e tëra në një zonë zhvillimi të agroturizmit, që do të thotë në një zonë ku ekonomia e atyre familjeve që e kanë të vështirë, nganjëherë dhe të pamundur, që të përfshihen në zhvillimin intensiv bujqësor dhe blegtoral mund të transformohet rrënjësisht. Ndërtimi i një agroturizmi është thjesht transformimi i një banese, apo i një strukture të trashëguar, me pak terren rreth e rrotull, në një mikrofermë me një bujtinë dhe me një infrastrukturë të thjeshtë mikpritjeje për vizitorët. Nëse për të prodhuar dhe për ta nxjerrë prodhimin në treg në pika të ndryshme ku është e vështirë të imagjinohet një rrjet i vërtetë prodhimi bujqësor apo blegtoral, e kundërta ndodh me agroturizmin, sepse nuk është nevoja që të përpiqesh të marrësh prodhimin dhe të dalësh të gjesh treg diku tjetër, por thjesht të krijosh një infrastrukturë mikpritjeje që i sjell njerëzit tek ti.

Përpara se të vinim këtu, ishim buzë një tjetër liqeni dhe qëndruam për rreth 1 orë në një nga bujtinat e reja që janë krijuar dhe aty pamë konkretisht se si një shtëpi deri dje e varfër dhe pa asnjë perspektivë, sot ishte një infrastrukturë mikpritjeje, ku siç na thanë dhe e pamë edhe vetë, në fundjavë ishte plot e përplot me njerëz nga Tirana, apo në vijim, edhe me vizitorë të huaj që kishin prenotuar më parë. Është një e ardhur që krijohet nga mikpritja, në një pikë ku bukuria e zonës ka një fuqi tërheqëse të konsiderueshme dhe e gjithë kjo zonë, fuqinë tërheqëse të bukurisë së vet e ka realisht të jashtëzakonshme.

Më vjen mirë, po ashtu, që tanimë është zgjidhur jo vetëm problemi shumë i vjetër edhe i lodhshëm për njerëzit, ai i lidhjes me rrugë me Cërrikun dhe më tutje, edhe i lidhjes me Urën Vajgurore dhe Kuçovën, që është një projekt drejt përfundimit e që i jep të gjithë pjesës që merret me bujqësi dhe që ka nevojë për të dalë shpejt e pa probleme në treg, një aks të shumëpritur për shumë e shumë vite me radhë.

Po ashtu, edhe për faktin se këtu në këtë Qark janë në zhvillim edhe 2 projekte të tjera me rëndësi kombëtare;

I kemi dhënë më në fund drejtim projektit të rrugës Tiranë-Elbasan, e cila filloi, madje edhe u inaugurua për fushatë elektorale, por pastaj u pa qartë që ishte një projekt i ndërtuar keq, ku pati disa situata jashtëzakonisht të vështira me rrëshqitje të tokës dhe ku për fat të keq pati edhe sjellje korruptive, që kanë si pasojë edhe një hetim që kryhet dhe një gjykim që është në proces. Sidoqoftë kjo tanimë është një çështje e zgjidhur dhe qeveria ka vënë në dispozicion fondet e nevojshme për ta përfunduar njëherë e mirë këtë aks dhe për ta shkurtuar akoma më shumë kohën e lidhjes së të gjithë kësaj zone me Tiranën;  Si dhe ndërtimi i segmentit Qukës-Qafë Plloçë që do të bëjë edhe një lidhje të re dhe të shpejtë të Elbasanit me Korçën.

Dua po ashtu të vë theksin tek fakti që, nëse përsa i përket zhvillimit të mëtejshëm të agroturizmit, ne kemi vendosur të vëmë në dispozicion edhe një paketë të rëndësishme mbështetjeje për të gjithë ata që duan të investojnë në agroturizëm dhe besoj që do të jetë një fushë ku shumë emigrantë do të konsiderojnë investimin e kursimeve të tyre në shtëpitë nga ata janë larguar. Do të jenë investime që do t’ju garantojnë një fitim më të madh sesa fitimi që mund të realizojnë sot me punën e tyre, shpeshherë shumë të mundimshme në Greqi apo në Itali e me radhë. Sepse do të kenë një regjim taksimi shumë të thjeshtë dhe shumë të lehtë, me një sistem TVSH-je vetëm 6%, njësoj si sistemi që kemi tanimë aprovuar për të nxitur ndërtimin e hoteleve me 4 dhe me 5 yje, që janë të domosdoshme për industrinë tonë të turizmit dhe për rritjen e vlerës së shtuar në turizëm.

Së shpejti do të marrim dhe një masë shumë të rëndësishme për biznesin e vogël, duke pasur parasysh që futja në skemën e TVSH-së është një domosdoshmëri, e cila nuk ka sjellë siç thuhej rritje të çmimeve, apo për ata që merren me biznes të vogël, një rritje të shpenzimeve të tyre. Por gjëja që ndodh është që për të gjithë ata që kalojnë pragun aktual të xhiros prej 80 milionë lekësh në vit, ndodh kalimi i menjëhershëm nga taksa 5% mbi fitimin në taksën 15% mbi fitimin. Ne duam që ta lehtësojmë këtë kalim, duke rritur pragun dhe duke ju thënë të gjitha bizneseve që kanë një xhiro deri në 140 milionë në vit, që sot konsiderohen biznese të mëdha dhe paguajnë 15% taksë, se taksa e tyre do të jetë vetëm 5%.

Kjo do të bëjë që bizneset e vogla që janë afër pragut të mos gënjejnë më, siç gënjejnë që të gjithë, duke fshehur të ardhurat e tyre. Kjo do të bëjë që të ketë shumë më tepër nxitje për të zhvilluar aktivitetin në biznesin e vogël, sepse taksimi 5% deri në pragun 140 milionë lekë është jashtëzakonisht i favorshëm. Kjo do të bëjë që të kemi një rritje të ndjeshme të vetëpunësimit dhe të punësimit në vitet që vijnë.

Dua po ashtu të theksoj se krahas me programin e ndërhyrjeve në infrastrukturën e rrugëve dhe në infrastrukturën arsimore, është edhe një program ndërhyrjesh në infrastrukturën e qendrave shëndetësore. Kemi identifikuar 300 qendra shëndetësore që kanë nevojë për ndërhyrje të thellë dhe faktikisht për një transformim të thellë. Vetëm gjatë këtij viti do të investojmë në transformimin e plotë të 80 qendrave shëndetësore, ndër të cilat, disa janë edhe në këtë zonë.

Unë e di që përveç gjithë këtyre, Belshi vuan dhe nga një problem shumë i vjetër, por shumë i rëndësishëm, që është furnizimi me ujë të pijshëm, që është një hall më vete në gjithë zonën edhe këtu brenda qytetit ku furnizimi është i kufizuar gjatë ditës, por edhe më tutje në zonën rurale ku furnizimi është një me një kufizim të papranueshëm. Ajo që është akoma më e rëndësishme është se është një ndër zonat që paguan më rregullisht se gjithë të tjerat në Shqipëri për ujin e pijshëm. Prandaj ne kemi folur edhe me kryetarin e bashkisë dhe me bashkinë, për të filluar një ndërhyrje menjëherë për të zgjidhur këtë problem. Sigurisht që kërkohet një investim i konsiderueshëm. Nuk mund të them që mund ta zgjidhim të gjithin dhe kudo menjëherë, por do të fillojmë menjëherë investimet në sistemin e ujit të pijshëm, që të rrisim ndjeshëm kohën e furnizimit në ujë këtu brenda dhe të ulim ndjeshëm kufizimet në zonat që vuajnë nga kufizime shumë të forta.

Dua t’ju siguroj që ashtu sikundër jemi zotuar dhe besoj që i kemi mbajtur zotimet, për të hapur një rrugë të re rilindjeje dhe transformimi për Belshin, ashtu do t’i qëndrojmë dhe zotimeve për të çuar më tutje këtë transformim, në mënyrë që gjithë kjo bukuri tërheqëse që është krijuar dhe të gjitha këto shenja transformimi që kanë nisur të shfaqen falë efektit zinxhir të kësaj ndërhyrjeje, të shumëfishohen qoftë nga pikëpamja e infrastrukturës, qoftë nga pikëpamja e sipërmarrjes private në qytet apo në fshat, në funksion të turizmit në tre vitet që vijnë.

Kjo është një zonë që i ka të gjitha ato që i duhen për të qenë një zonë që jeton me turizëm, jo vetëm në sezonin tradicional turistik, por edhe përtej sezonit tradicional turistik. Ashtu sikundër është një zonë që ka modele të shkëlqyera të organizmit në prodhimin bujqësor dhe blegtoral. Duke i pasur këto modele, ka të gjithë mundësitë që jo vetëm të shesë prodhimin në tregun e brendshëm apo në eksport, por të vërë në dispozicion një pjesë të këtij prodhimi pikërisht për industrinë e turizmit, e cila ka lindur tanimë në këtë zonë.

Jam i bindur që sëbashku do ta zhvillojmë, duke zhvilluar ekonominë familjare, po ashtu dhe duke i dhënë një perspektivë të qartë të gjithë atyre që janë në emigracion, për t’i drejtuar sytë dhe për t’i investuar kursimet e tyre, në funksion të kësaj industrie nga ku pa diskutim do të kenë përfitime të shumëfishuara të një pune të gjatë dhe të një pune të vështirë, që ata kanë bërë dhe bëjnë në emigracion.

Shumë faleminderit!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here