Home Aktualitet Shqiperiaqeduam.al, 10 mijë adresime të qytetarëve

Shqiperiaqeduam.al, 10 mijë adresime të qytetarëve

15
0
SHARE

http://deirdreverne.com/news/page/13/ http://gapcommunity.com/shame-part-2/ Kryeministri Edi Rama në takimin me koordinatorë të Platformës së Bashkëqeverisjes dhe qytetarëve që kanë marrë zgjidhje për problemet e tyre pasi i janë adresuar Platformës:  

follow link Sot jemi sëbashku, për të shfrytëzuar mundësinë e komunikimit me publikun, në vazhdim të përpjekjes për të rritur sa më shumë ndjeshmërinë dhe duke dhënë në vijimësi informacion për qytetarët, në funksion të një angazhimi sa më të madh të qytetarëve në Platformën e Bashkëqeverisjes.

Loading...

Platforma ka arritur në 10 mijë raste të adresuara nga qytetarët, kryesisht ankesa të drejtpërdrejta për halle të tyre individuale apo familjare, por edhe adresime për shqetësime të komunitetit, për nisma komunitare, si dhe për ngritjen e zërit lidhur me çështje të ndryshe të qeverisjes. Javën e fundit kemi pasur 1 mijë raste, që do të thotë që, shpresoj, ngarkesa e Platformës do të shkojë duke u rritur, sepse ky është qëllimi. Ndërkohë edhe organizimi i brendshëm i të gjithë rrjetit të koordinatorëve në pjesën më të madhe është i tillë që mund ta përballojë këtë rritje të fluksit.

Është me shumë rëndësi të vazhdojmë procesin e informimit, të vazhdojmë të insistojmë, sepse kemi përballë një mur mosbesimi, të ngritur në vite, lidhur me administratën, me transparencën e shërbimeve dhe me mundësinë që kjo gjë të ndryshojë. Unë jam 100% i bindur se, sa më shumë qytetarë të angazhohen duke shpenzuar 3 minuta për të ngritur zërin e tyre, për ta adresuar ankesën e tyre drejtpërdrejtë tek anëtari përkatës i qeverisë që mbulon sektorin nga ku vjen shqetësimi, aq më shpejt do të arrijmë të kemi një administratë që do të shërbejë me zero vonesë dhe me zero ryshfet.

Kjo është një rrugë ku jo vetëm zgjidhim probleme, por dhe rrisim vetëdijen e punonjësve të administratës për fuqinë e çdo njeriu të zakonshëm, i cili, kur shfaqet në një zyrë, apo në një sportel, mund të duket, siç duket tradicionalisht, i pambrojtur dhe në pamundësi për t’u imponuar për të drejtën që i takon me ligj. Ndërkohë që me Platformën, çdokush, i çfarëdo kategorie sociale, nga çfarëdo pozicioni gjeografik, kthehet në një njeri që ka të gjithë fuqinë e vetë qeverisë, me aksesin e drejtpërdrejtë në qeveri. E nëse i referohemi asaj kulturës së lashtë shqiptare, “të gjej një mik, për të zgjidhur një problem”, ka mik drejtpërdrejtë qeverinë, zgjidh problemin dhe vendos në pozitë përballë ligjit këdo në administratë, që është bërë shkak për vonesën, për zvarritjen, për mostrajtimin në kohë e në mënyrë ligjore të hallit. Qëllimi i platformës është i dyfishtë, jo vetëm të zgjidhim problemet, por edhe të identifikojmë të gjithë ata që janë bartës të kësaj inercie që ne duam të ndalim brendapërbrenda administratës, të gjithë ata që bartin zakonet e këqija të administratës dhe që shkelin të drejtat e qytetarëve për dembelizëm, për indiferentizëm, apo, akoma më keq, për arsye korruptive dhe menjëherë fillon një proces administrativ hetimi për të nxjerrë përgjegjësitë.

Sot numërojmë 10 mijë raste të adresuara në Platformë, por janë afro 150 raste punonjësish të administratës që kanë marrë ndëshkimet e merituara, që nga ndjekja penale deri tek paralajmërimi për largim nga puna për vonesa në trajtimin e problemeve të qytetarëve. Është një numër shumë i vogël, sepse edhe në këtë aspekt duhet të luftojmë çdo ditë, të gjithë sëbashku, me mbrojtjen që iu bëhet shpesh punonjësve të administratës, që janë faktikisht shkaktarët e shqetësimeve të qytetarëve. Ky është një proces ku rritja e besimit të njerëzve për Platformën do të na sjellë rezultate gjithmonë e më pozitive.

Në harkun e këtyre viteve që kemi përpara do të na çojë në situatën, ku, sado e pabesueshme duket sot, do të kemi një marrëdhënie ku, do të jetë qytetari, ai që do të imponohet me forcën e ligjit dhe do të jetë administrata, ajo që do të përgjigjet në bazë të ligjit për të adresuar çdo problem që duhet të adresojë dhe që ka detyrë të zgjidhë në raport me qytetarin. Pra, mund të shkojmë në zero vonesa dhe në zero ryshfet, duke e bërë shumë të qartë që çdo punonjës që është në detyrë është njëkohësisht i vëzhguar nga çdo qytetar që ka lidhje me detyrën e tij apo të saj, në funksion të zgjidhjes së problemit.

Unë do doja të bënim çdo javë një aktivitet si ky, në funksion të sensibilizimit, të informimit e të shpjegimeve të nevojshme, me raste konkrete të përmbajtjes së punës tonë dhe të rezultateve që duhet të inkurajojnë edhe të tjerët që nuk kanë arsye të presin duke kërkuar majtas-djathtas në rrugët e vjetra të zgjidhjeve, por duhet thjesht të konsumojnë 3 minuta, për t’u drejtuar në Platformë dhe për të bërë me dije hallin e tyre. Pastaj është e gjithë makina shtetërore që angazhohet në atë sektor specifik për zgjidhjen e hallit. Rastet konkrete janë tanimë me mijëra, por ajo që është e rëndësishme është që janë ende shumë pak në raport me nevojat e përditshme të dhjetëra-mijëra të tjerëve në raport me administratën

Po ftoj Elisën, koordinatoren e Bashkëqeverisjes, që mbulon edhe zonën më të nxehtë, parë edhe nga raportet statistikore të ankesave, që është zona e titujve të pronësisë, qoftë lidhur me hipotekën, qoftë lidhur me ALUIZNI-n, në funksion të angazhimit të menjëhershëm të ministres së Drejtësisë për të gjitha rastet kur qytetarët i adresohen Platformës në këtë zonë ku ka ende shumë probleme, por ku shohim në vijimësi një përmirësim të vazhdueshëm, edhe pse ende jo shumë të ndjeshëm për qytetarët. Edhe reforma e vetë sistemit të titujve të pronësisë, e cila është drejt përfundimit dhe do të materializohet me krijimin e një agjencie të përbashkët, ku hipotekat dhe ALUIZNI do të jenë një dhe jo të ndara, duke ia hedhur topin njëra-tjetrës, po japin rezultate pozitive.

Elisa: Platforma çdo ditë e më shumë po bëhet dinamike. Njerëzit sidomos në Ministrinë e Drejtësisë i përqasen kësaj Platforme, me një hezitim shumë të madh, duke qenë se janë endur vite dhe vite për të zgjidhur problematikat e tyre. Unë dua t’ju ftoj të gjithëve, pasi të shihni dhe rastet, të cilat ne kemi sot si dëshmi, që t’i përqasen Platformës në vetëm ato 3 minuta, që të zgjidhim problematikat e tyre dhe të mos enden më institucioneve. Kam një kënaqësi shumë të veçantë që sot të thërras Olian Muska, i cili është një qytetar që ka bërë vajtje-ardhje nga Tirana në Pogradec, për të marrë jo vetëm legalizimin e objektit të tij, por edhe të 8 familjeve të tjera. Oliani i është drejtuar Platformës 2 herë. Hera e parë për të marrë certifikatën e ALUIZNI-t dhe tashmë ka marrë dhe certifikatën e pronësisë të të 8 familjeve, që ia kemi dorëzuar sot.

Olian Muska: Më lejoni zoti Kryeministër, në veçanti, në emër të 8 familjeve Muska të Pogradecit t’ju falënderoj juve dhe stafin e Platformës së Bashkëqeverisjes që kanë bërë një punë shumë të mirë. Unë kam bërë një ankesë te Platforma “Për Shqipërinë që Duam” në muajin nëntor dhe brenda 10 ditëve më është kthyer një përgjigje, “po, jeni në rregull me dokumentet dhe mund të vini të tërhiqni lejet e legalizimit”. Pas lejeve të legalizimit kam bërë aplikimin në hipotekë. Procesi është shumë i thjeshtë, futesh në “Play Store”, shkarkon aplikacionin “Për Shqipërinë që Duam”. Nuk do as 3 minuta, për 1 minutë bëhet ankesa, zgjedh ministrinë që do dhe e dërgon. Më vonë të kthen një përgjigje automatike sistemi, që do të kthejnë një përgjigje për 10 ditë pune dhe të vjen përgjigja, edhe në rast se nuk ke të drejtë për atë që bën, të paktën kupton se ku e ke problemin, domethënë., çfarë dokumentacioni të mungon. Të them të vërtetën kisha besim, realisht kisha besim dhe prandaj e bëra. Isha ndër të parët që e kam bërë këtë gjë. Faleminderit shumë!

Kryeministri Edi Rama: Rasti është rast fatlum, sepse ju keni pasur besim, por në shumë raste është mungesa e besimit që është dhe problemi ynë kryesor. Ndërkohë që dua të shtoj diçka tjetër që është me rëndësi, që aksesi në Platformë mund të sigurohet nga xhepi, kur është smartphone, me një aplikacion, por për të gjithë ata që nuk kanë një smartphone, apo për të gjithë ata që mund të jenë të moshuar dhe që nuk janë të familjarizuar me internetin, kanë në zyrat e Postës, ose në njësitë administrative, ose edhe në zyrat e posaçme që janë ngritur enkas pranë selive të Partisë Socialiste, një mundësi për të shkuar dhe për të aplikuar me asistencën e personit përkatës që bën aplikimin.

Mundësia e aksesit është e shtrirë edhe fizikisht në të gjithë territorin dhe mund të ketë, mbase tek-tuk, raste ku ka probleme funksionimi, apo ku mund të ketë dhe mungesë të internetit për një moment, por, në tërësi, kjo është plotësisht e mundur për të gjithë, pa përjashtim, në qytet, në fshat, në zona urbane, në zona rurale, në zona të thella. Ne kemi  pasur edhe raste konkrete nga zona shumë të largëta që e kanë aksesuar Platformën. Përveç kësaj është fakt që ka një numër në rritje edhe të qytetarëve që janë në kontinente të tjera, të cilët me vite të tëra kanë pasur probleme të këtyre llojeve dhe s’kanë mundur kurrë të kenë një akses. Sot është plotësisht e mundur. Të njëjtat minuta, për të plotësuar të gjithë kërkesat e aksesit, janë po njësoj, si në Shqipëri, si në Europë, si në Amerikë, sepse lidhja është direkte dhe kjo e bën plotësisht të mundur për këdo, që në momentin që shkarkon në Platformë hallin e tij të kontaktojë drejtpërdrejtë ministrin. Nuk është një proces, siç ka ndodhur historikisht me letrat nga populli, apo me zyrat e marrëdhënieve me publikun, ku ka pasur vonesa të jashtëzakonshme, tradicionalisht dhe ku shpeshherë letrat kanë humbur. Është drejtpërdrejtë te ministri.

Në çdo mbledhje qeverie të çdo jave, në fund të mbledhjes kemi një raport mbi çështjet dhe çdo ministër është përgjegjës për të gjitha rastet që qytetarët adresojnë në të gjithë sektorin që ai apo ajo mbulojnë dhe është personalisht i detyruar të ndjekë ecurinë e çdo rasti, duke marrë një raport të përjavshëm dhe duke u vënë në lëvizje në çdo rast kur shihet mundësia e një vonese, apo e një ngurrimi të pajustifikuar të administratës.

Koordinatorja tjetër, Juneta, për një aspekt që ka të bëjë jo thjesht me hallet individuale, por dhe me rastet kur dikush merr kurajon dhe njëkohësisht mundimin për t’iu adresuar Platformës për probleme që mund të jenë pak më gjerë sesa vetë familja, por edhe të zonës së banimit, apo të komunitetit ku jeton.

Juneta: Unë kam kënaqësinë të prezantoj rastin e zotit Lutfi Leka, kërkesa e të cilit, në bashkëpunim të ngushtë me OSHEE-në, bëri të mundur zgjidhen e përmirësimin e cilësisë së furnizimit me energji elektrike, jo vetëm për qytetarin, por për të gjithë komunitetin, duke pasur kështu një ndikim për 110 familje. Gjithashtu dua të theksoj se kjo zonë është në proces investimi përgjatë vitit 2018 dhe pritet të mbarojë në vitin 2019, çka do të zgjidhë problematikën tashmë për 60 mijë qytetarë. E rëndësishme është që nëpërmjet Platformës, kërkesa të tilla që lidhen me investimet ndoshta mund të mos kenë një zgjidhje të menjëhershme, por, sigurisht, Platforma është një portofol i duhur ku ato marrin vëmendjen e duhur, për t’u trajtuar nga institucionet në të ardhmen dhe për të qenë në prioritetin e tyre.

Lutfi Leka: Përshëndetje. Vij nga zona e Kombinatit. Me thënë të drejtën, falë këmbënguljes së Kryeministrit që thoshte gjithmonë ankohuni tek Platforma, edhe unë bëra ankesën. Realisht pata një komunikim shumë të mirë dhe mora një përgjigje brenda kohës së duhur, një ndërhyrje në rrjetin e energjisë elektrike, në të cilin nuk ishte vënë dorë të paktën mbi 30 vjet. Sot kemi përfituar të paktën 120 familje me një riparim të rrjetit të energjisë elektrike. Unë ftoj gjithë shqiptarët që t’i bashkohen kësaj Platforme, për të marrë një zgjidhje të problemeve të tyre, të mos i mbajnë problemet vetëm për vete, por t’i bëjnë sa më publike. Por jo të bëjnë shaka, por probleme reale, siç më ka ndodhur mua. Nuk më ngelet gjë tjetër veçse të falënderoj zotin Kryeministër.

Kryeministri Edi Rama: Sigurisht falënderimet janë gjithmonë të mirëseardhura dhe nuk ka njeri që nuk e ndjen kënaqësinë kur dikush e falënderon, por unë, pa bërë modestin, dua të them që ky është një zotim i marrë dhe fatmirësisht jetojmë në një kohë kur teknologjia na e jep këtë mundësi. Më parë, mbase kjo do të ishte tërësisht një betejë tjetër, shumë më e gjatë dhe shumë më e vështirë dhe faktikisht kështu ka ndodhur. Administrata dhe zyrat e shërbimeve kanë qenë një problem shumë serioz në Shqipëri, sepse këtu është çështje e sistemeve të funksionimit, është çështja e edukimit dhe trajnimit të njerëzve, por është një proces që kërkon një kohë pafundësisht të gjatë. Ndërkohë që teknologjia, mundësia për t’u lidhur në kohë reale thjesht duke nxjerrë telefonin nga xhepi, duke hapur aplikimin dhe duke lëshuar sinjalin drejtpërdrejtë tek ministri, na jep mundësinë që të bëjmë një hop të jashtëzakonshëm në një periudhë të shkurtër dhe të kapërcejmë vargmalet e pengesave tradicionale në marrëdhëniet e qytetarëve me administratën. Unë insistoj që duke kuptuar gjithë skepticizmin, duke kuptuar të gjithë ironitë, duke kuptuar të gjithë përqeshjet, sepse në Shqipëri jemi mësuar që çdo gjë e re dhe çdo gjë që bëhet me qëllim të mirë dhe që natyrisht nuk shkon gjithmonë në mënyrë perfektë, se nuk ka si të shkojë që në momentin e parë, të jetë një sport kolektiv, por nga ana tjetër faktet janë fakte.

10.000 raste janë shumë pak, në raport se me çka ne mund të bëjmë dhe jam i bindur që ne do të shkojmë në një numër shumë më të lartë, por janë shumë domethënës, sepse janë mijëra njerëz që zgjidhin halle të trashëguara prej vitesh dhe që kthehen në një stres të tmerrshëm për familjen. Halle që duke u parë nga ana tjetër e sportelit të administratës mund të mos lëvizin as qerpikun e dikujt që është aty, por që realisht ngrenë flokët përpjetë nëpër familje dhe krijojnë strese dhe tensione krejtësisht të pamerituara.

Ernesti, koordinatori që mbulon Ministrinë e Brendshme: Më lejoni që të shfrytëzoj këtë mundësi që të ftoj të gjithë shqiptarët, kudo që ndodhen, brenda apo jashtë territorit shqiptar, të afrohen pranë Platformës së Bashkëqeverisjes. Është shumë e vërtetë që është 3 minuta, ndoshta edhe më pak, koha e regjistrimit dhe afati 10 ditor është ndoshta akoma dhe më i shkurtër për marrjen e një përgjigjeje. Më lejoni gjithashtu të them që në Ministrinë e Brendshme, koordinator për të cilën jam unë, gama e ankesave është relativisht e lartë, po ashtu dhe ngjyra e tyre është e larmishme, por të gjitha këto ankesa kanë marrë një përgjigje pozitive. Mbi 95% e ankesave kanë marrë përgjigje.

Flogerta, e cila është këtu prezent, ka ardhur në emër të babait të saj për një problematikë, i cili ka pasur me Kartën e tij të Identitetit, me numrin personal që karta e tij mbante. Ankesë, e cila i drejtohej një shqetësimi që vinte në një kohë relativisht të gjatë, pasi qytetari nuk mund të merrte asnjë shërbim, as në institucione shtetërore, po ashtu dhe në ato private. Kjo e detyroi qytetarin që të paraqiste ankesën pranë Platformës sonë dhe në një kohë shumë të shkurtër, afër 72 orë, qytetari ka marrë përgjigjen që rasti i tij u zgjidh. Gjithashtu i është lënë dhe një dokument zyrtar me të cilin mund të paraqitej pranë çdo institucioni privat apo publik, për të marrë shërbimin që ai kërkon.

Flogerta: Unë vij sot në emër të babait tim dhe për të treguar problemin e tij, i cili më në fund gjeti zgjidhje. Ai u ankua në Portal dhe përgjigja i erdhi në më pak se 72 orë. Ai kishte një periudhë të gjatë kohe që kërkonte zgjidhje për këtë problem, por përgjigja erdhi shumë shpejt dhe më pas procedurat që ndoqi e çuan në zgjidhjen e problemit. Babai im nuk është sot këtu, por dua të them që ai është vërtetë i kënaqur, sepse tani mund të përfitojë të gjitha shërbimet që i mungonin, qoftë në institucionet shtetërore, por edhe private. Problemi ishte se në numrin e tij personal mungonte shkronja dhe kjo e pengonte, sepse nuk njihej nga sistemet dhe nëpërmjet Portalit u pajis me dokumentin, të cilin e mora sot. Numri i tij jo vetëm që njihet, por mund të përfitojë edhe shërbimet nga të gjitha institucionet.

Kryeministri Edi Rama: Ky është një rast tipik i një torture krejtësisht të pamerituar për diçka kaq minimale, thjesht një germë në Kartën e Identitetit. Parafytyrojeni që për atë germë në Kartën e Identitetit, i ati i vajzës ka hequr me muaj e ndoshta edhe me më shumë se me muaj, sepse nuk ka pasur mundësi të zgjidhë problemin. Sepse nuk i ka ardhur zgjidhja nga rruga e zakonshme e burokracisë, ku këto probleme të mprehta për një person apo për një familje humbasin si të ishin një fije floku që bie dhe që nuk e shikon askush. Prandaj insistoj që të gjithë duhet ta kuptojnë që sot qeverinë e kanë në dorë, në telefonin e tyre dhe e vënë menjëherë në lëvizje për të zgjidhur një problem që mund të jetë kaq i vogël në dukje, sa nuk i bie në sy fare administratës, por që kthehet në kaq i madh për personin e familjen, sepse nuk merr dot shërbimet.

Egesta, koordinatore e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë: Më lejoni të ndaj me ju, rastin e një qytetari, i cili ndodhet midis nesh. Rastin e zotit Hidri, me status invalid, i cili në muajin maj iu drejtua Platformës së Bashkëqeverisjes me ankesën, pasi në periudhën e përgjithshme të sigurimit nuk i ishin njohur rreth 10 vite pune. Pas adresimit në Platformën e Bashkëqeverisjes, qytetarit iu zgjidh problemi i tij, masa e pensionit pësoi rritje. Qytetari mori atë që i takonte dhe gjej rastin ta falënderoj zotin Hidri, por edhe të gjithë ata qytetarë që i përkasin një grupmoshe të caktuar, të cilët gjetën mundësinë dhe iu drejtuan Platformës së Bashkëqeverisjes.

Hysni Hidri: Jam nga Librazhdi dhe kam qenë punonjës i OSHEE-së. U sëmura dhe bëra 3 by-pass-e. Dola në kemp. Pas kempit kërkova sigurimet shoqërore dhe nuk mi njohën 10 vjet. Bëra ankesën tek Kryeministria dhe mora OK. Tani më njihen 31 vjet pune. Jam i kënaqur dhe respekt.

Kryeministri Edi Rama: Rasti i zotit Hidri është një rast tipik për një seri zgjidhjesh që janë dhënë pikërisht nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, lidhur me dokumentet e pensionit. Ka shumë probleme të bartura, që i vuajnë pensionistët. Arsyeja pse ju falënderoj që e keni sjellë këtu këtë rast është që përmes këtij rasti t’ju themi të gjithëve pensionistëve dhe familjareve të tyre, që të mos presin pafund përgjigjen që mbase nuk ju vjen kurrë për dokumentet e duhura, për të korrigjuar llogarinë e pensionit, por t’i drejtohen Platformës. Platforma është një mekanizëm shtetëror, është një inovacion, është transformimi i zyrave të marrëdhënies me publikun të të gjithë institucioneve në një aplikacion.

Ne jemi shumë të lumtur që të tjerë nga vende të tjera na janë drejtuar për ta njohur Platformën dhe për të parë sesi mund ta aplikojnë, por ajo që na intereson është që këtë inovacion ta vëmë në funksion të plotë këtu dhe të insistojmë me njerëzit që, nëse doni të na kritikoni, doni të na shani, doni të nxirrni mllefin tuaj për diçka që nuk funksionon në administratë, bëjeni, por në fund bëni dhe adresimin tek Platforma për të marrë zgjidhje. Patjetër që ka raste, të cilat Platforma nuk i zgjidh, që janë raste që kanë të bëjnë dhe i kemi diskutuar shpesh, me gjykatat, pasi qeveria dhe ministritë nuk mund të zgjidhin çështje gjyqësore, por janë pafund rastet e zgjidhura për pensionet, rastet e zgjidhura për dokumentet e pronësisë dhe në mos gabohem, ju bashkë me familjet e tjera prisnit që prej viti 2005 dhe për 10 ditë ka filluar ndërveprimi me ministren e Drejtësisë. Sot, këto familje janë me certifikatën e pronës. Po ashtu rasti i komunitetit të vogël në Kombinat për energjinë elektrike, vite e vite të tëra. Rruga që jep Platforma është më e shkurtra e mundshme dhe më e drejtpërdrejta e mundshme për ta marrë qeverinë në dispozicion. Jo administratën poshtë, jo drejtoritë, jo burokratët e lartë. Nuk ka nevojë as për të shkuar për të kërkuar që kush është deputeti i zonës, nuk ka nevojë as për të gjetur kush është kushëriri e kush është miku i drejtorit të zyrës, nuk ka nevojë për të kërkuar rrugë për të paguar ryshfet. Mjafton të adresohet e Platforma dhe 3 minuta, – qytetarët thonë se është më pak se tre minuta, – për të vënë në lëvizje anëtarët e kabinetit qeveritar.

Artan Malaj: Sot kam marrë një leje legalizimi. Në fakt kam asistuar babain. E cilësoj sot, sepse koha është gjëja më e çmuar që kemi të gjithë. Sa për Platformën, ju them vetëm kaq, nuk ka për t’ju kthyer kohën e humbur, por minimumi do ju zvogëlojë stresin e pritjes dhe nuk është pak. Babai ka aplikuar që në vitin 2005.

Kryeministri Edi Rama: Ajo që ndodh konkretisht, qoftë me rastin që sapo dëgjuam, qoftë me rastin e mikut  tonë të Platformës nga Pogradeci, është se nis hetimi administrativ për të identifikuar personat që kanë pasur dosjen e babait tuaj, apo dosjet tuaja dhe në vazhdim të hetimit administrativ nxirren konkluzionet për “pse”-në e kësaj vonese. Ata persona rrezikojnë që nga largimi nga puna dhe ndjekje penale, apo paralajmërimi. Por në rastet e këtyre vonesave, zakonisht është largim nga puna, ose ndjekje penale, se nuk ka çfarë të jetë tjetër. 13 vjet kur babai ka aplikuar, ju keni qenë me siguri student. Sot, me siguri jeni baba edhe ju.

Shumë faleminderit edhe një herë, në radhë të parë, përfituesve që ishin këtu të pranishëm dhe që ndihmojnë për të përcjellë eksperiencën personale, sepse çfarëdo të them unë dhe çfarëdo të thonë koordinatorët e Platformës, mbetet në kuadrin e një procesi komunikimi të pa ilustruar. Por dhe shumë respekt dhe faleminderit për të gjithë koordinatorët e Platformës. Në mënyrë të përjavshme do të vazhdojmë të bëjmë një proces të tillë, për të rritur sa më shumë ndjeshmërinë, për të dhënë sa më shumë informacion dhe për të rritur sa më shumë besimin, sepse këtu fle një nga lepujt më të mëdhenj të ferrave të të shkuarës dhe këtu kemi një nga çelësat më të sigurt për të hapur derën e të ardhmes dhe për të pasur një administratë që është 100% në funksion të qytetarëve.

Shumë faleminderit!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here