Kreu Sociale 21 marsi, Dita Ndërkombëtare e Pyjeve

21 marsi, Dita Ndërkombëtare e Pyjeve

337
0

– Jeta vdes atje ku vdes pylli

Nga Kristo Kauri

Kur hap “portën” gjigante të pyllit, një ndjesi e bukur e ëmbël të pushton. Ndjen ngadhnjim, krenari dhe madhështi..
Kur je ne pyll, fillon pastrimi i trurit dhe i zemrës, lemë jashtë tij pasionet e këqia, zemërimin, stresin, ankthin , xhelozinë dhe përpiqemi të përjetojmë çdo moment.
Çdo gjë këtu ka jetë dhe kjo jetë të befason .Një jetë që është produkt i energjisë diellore, dhe e gjen në dru, në kurorë, në tokë dhe nën tokë. Këtu çdo qenie “ ha diell”, jeton nga dielli, ngrohet me diell, merr frymë nga dielli dhe i përulet magjishëm diellit.
Këtu jeta , dashuria, miqësia, bukuria, poezia, muzika, miqësia, madhështia….. marrin një kuptim dhe një përmasë tjetër .
Vazhdoj rrugëtimin nën mbretërinë e drurëve, dhe magjia e tyre me shoqëron në çdo hap.Drurët nuk nxitojnë, nuk vrapojnë siç bëjnë njërëzit, ato rritën ngadalë, shumë ngadalë dhe kjo dukuri i shoqëron gjithë jetën.
Ja le të shikojmë shumëzimin dhe shtimin e tyre. Është mistike ato i marrin masat një vit me përpara.Halorët pothuaj frutifikojnë çdo vit, ndërsa fletorët kanë një programim tjetër, ato frutifikojnë 1-3 vjet.
Kur fara bie në tokë në vjeshtë, llogjikisht duhet të rrenjëzojë, por nuk ndodh një gjë e tillë. Po të çelin menjëherë do të përballën me dy probleme. Ato nuk do të përballojnë ngricat e dimrit dhe do të vdesin, dhe një pjesë e madhe e tyre nuk do t’i shpetojnë ngrënjes nga kafshët..Këte përiudhë ka mungesë të thëksuar ushqimi.
Ky fenomen i përvitshëm dhe për shumë shekuj, ushtroi presion mbi fletorët. Duket sikur drurët për të mbijetuar, për t’ju përshtatur situatave dhe sfidave , filluan të merren vesh me njëri- tjetrin.
Drurët në përgjithësi i kanë të dya llojet e luleve, si femërore dhe ato mashkullore. Për përmirësimin e racës së tyre, përmirësimin dhe evolimin e llojit që të durojnë më mirë sfidat, nuk duan që të pllenohen me lulet e të njëjtit lloj, dhe me ato që ndodhen shumë pranë. Jo vetëm nuk duan, por janë programuar dhe këmbëngulin që ta pengojnë një gjë të tillë.Ato nuk i çelin përnjëherësh të dy llojet e luleve,por ruajnë një interval kohor midis tyre.Vetë rrugëtimi në miliona vite i ka detyruar të bëjnë një veprim të tillë. Drurët që pllenohen me lulet e të njejtit lloj, ose me drurët shumë pranë, humbasin shumëllojshmërinë, cilësitë, dhe bëhen shumë të ndjeshëm ndaj sëmundjeve dhe nuk përballojnë konkurencën.
Drurët vërtet nuk kanë tru, por të befason ruajtja e ekuilibrit, dhe përllogatitjet që bëjnë në administrimin dhe shpërndarjen e fuqisë dhe energjisë së tyre.Ato i bëjnë llogaritë mirë që të plotësojnë të gjitha nëvojat e tyre. Një pjesë të energjisë, të ushqimit, e përdorin për të zhvilluar trungun, degët, gjethet, rrënjët, që ato të rriten dhe të forcohen, të mbajnë peshën e borës, t’i rezistojnë forcës së erës, të përballojnë konkurencën…. Druri mendon për çdo gjethe të tij që t’i ushqejë dhe ato të gjitha së bashku, e ndihmojnë drurin që të ngopet me ajër, të marrë frymë lirisht, dhe proçesi i fotosintezës të bëhet në mënyrë perfekte.
Një pjesë të rezervave i mban dhe i përdor në momentet e vështira, për të përballuar sulmet e armiqve. Ato i mbajnë dhe i ushqejnë mirë ushtarët mbrojtës, insekticidet, aromat, enzimat, taninin…. Një ushtri e stërvitur dhe e ushqyer mirë, është në gjendje që të përballet me çdo situatë.
Në fund çfarë mbetet nga rezervat ushqimore, druri i përdor për riprodhimin e tij.Në momentin kur lulëzojnë plenohen dhe janë në orgji, siç çdo qenie e gjallë e humbasin vigjilencën ndaj sulmeve të armiqve.Në çdo moment ekzistojnë insekte, bakterie, kërpudha që presin për të goditur atje ku hallka e zinxhirit është më e dobët.
Në fazën e lulëzimit, pllenimit , në se druri sulmohet dhe rrezikon jetën e tij , ai nuk e ndalon këtë proçes magjik që të mirret me armiqtë , ai është i vendosur që të sigurojë vazhdimësinë.
Ja shikoni këtë lis gjigant mbi 30 metra lartësi. Gjatë gjithë jetës së tij mbi 400- vjeçarë, do të prodhojë me miliona fara (lëndë ), dhe vetëm njëra prej tyre do të këtë fatin që ta zëvendësojë. Të gjitha të tjerat tashmë e dinë fatin e tyre, do t’i hanë kafshët, shpendët ,ose do të bëhen humus dhe ushqim për të ndihmuar farën e vetme që do të sigurojë vazhdimësinë.
Kur nga mosha e tejpjekur rrëzohet dhe vdes druri mëmë, bijat që ndodhen poshtë saj pësojnë shok. Ato njësoj si njerëzit kur humbasin njeriun e tyre të shtrenjtë, çorjentohen, alarmohen dhe vriten shpirtërisht nga humbja..Duan kohë që të rimarrin veten dhe të përshtaten pa ndihmën e nënës, duan të paktën 3-10 vjet.
Më tërheq vëmendjen një ah që ka mbirë poshtë pishës, dhe i ka dalë asaj sipër, duke e nenshtruar atë plotësisht. Kur një zog e merr farën e ahut dhe e fsheh atë në rrënjët e pishës, kjo farë në pranverë rrënjëzon dhe rritet pa zhurmë. Rrënjët e ahut futen në zgavrat e rrënjëve të pishës dhe në mjediset e lira, dhe thithin rezervat ushqimore që i nevojiten.Kështu ai zhvillohet shpejt dhe në disa vite pushton hapësirën dhe krejt pishën.Karakteristikat biologjike të ahut, e bëjnë që ai të jetë i veçantë dhe i pakonkurueshëm nga llojet e tjera.Pisha mund të vazhdojë kështu për disa vite, duke luftuar për të mbrojtur shtëpinë e saj, por në fund do të dorëzohet. Në mjedise pyjore, në bashkësi dhe në habitatin e tij, ahu është ai që bën ligjin dhe i nënshtron të gjitha llojet, ndërsa në vendet e hapura është ai që nënshtrohet nga llojet e tjera
Ecim në brendësi të pyllit dhe ajri i pastër që thithim, ngjyrat, peizazhet shndrrohen në mendim, në meditim , në energji, poezi në ngrohtësi….Njerëzit që u vjen i ftohti nga thellësia e shpirtit, nuk e përjetojnë këtë magji… Ata janë të dënuar nga Zoti të qëndrojnë të ftohtë dhe që nuk do t’i shijojnë kurrë këto emocione në jetën e tyre.
Pylli është dashuria ime, ai është një tempull hyjnor, i gjallë plot jetë , ku dhe ateistët më kokëfortë fillojnë dhe besojnë në egzistencën e Zotit. Pa dëshirën dhe vullnetin e Tij, nuk mund të krijohen këto mrekulli. Nëse deshiron ta takosh Zotin, vetëm në këto mjedise të krijohet ky privilegj.
Në çdo moment në çdo stinë, ka diçka të re, asnjë herë njeriu nuk shikon të njëjten pamje dy herë. Nuk mjaftojnë sytë për të parë dhe kuptuar këtë botë mistike, duhen dhe sytë e shpirtit të zemrës.Truri dhe miliardat e qelizave të trupit, zemra dhe shpirti , nuk duhet të gjendën në kohën e shkuar, as në të ardhmen, ato duhet të përjetojnë momentin, të tashmen.
E admiroj pyllin , ai nuk është i zhurmshëm dhe i mërzitshëm si qyteti, nuk është i ndotur, ai është i heshtur, me një heshtje magjike , një heshtje që shpalos dhe të tregon shumë gjëra. Për ta zbuluar më mirë, edhe levizja jonë duhet t’i bashkohet kësaj heshtjeje, kësaj harmonie, këtij ritmi, kësaj muzike dhe poezie.
Ne pylltarët shumë herë në pyll, nuk ndjekim ku na shpie shtegu, rruga.. Për ta kontrolluar dhe monitoruar me mirë, krijojmë shtigje dhe monopate të reja, të pashkelura, të vështira..
Pylli i ngjan një supermarketi gjigant natyror, tejet i pasur dhe i mbushur me prodhime e rezerva. Këtu gjen gjithçka, gjen lëndën e drurit, drutë e zjarrit, qymyrin, kafshët, shpendët, farat, frutat, gjen ujin, mjaltin, bimët mjekësore, gjen ajrin e pastër, gjen lulet., kërpudhat,.peizazhin…. Është një thesar i vërtetë ku shumica e tij ndodhet i kyçur me dry… Për ta marrë duhet gjetur çelësi magjik, çelësi që nuk lëndon, që nuk vret, duhet gjetur çelësi i vërtetë dhe jo ai kopil, duhen gjetur njerëzit e duhur, pylltaret e pasionuar, të përgjegjëshëm që dinë t’i përdorin këto çelësa dhe dinë të administrojnë këto thesare.
Po largohem sot nga pylli, largohem për të qëndruar gjithë jetën pranë tij. Ka shumë mënyra për të hyrë dhe komunikuar me të , ka shumë porta, shumë drejtime për t’u futur, por vetëm një rrugë dhe një mundësi të vetme për të qëndruar gjithmonë pranë tij.. Ajo është dashuria, respekti dhe nënshtrimi ndaj ligjësive te tij , është bashkëpunimi dhe dëgjimi i zërit dhe i simfonisë së Tij.
Duke e përshendetur për t’u riparë shumë shpejt, me vjen ndërmend pylltari pasionant Adalbert Stifter që tha : “ Pylli është fati ynë ! Mbrojtja dhe përkujdesja për të do te thotë: T’i shërbesh jetës. Jeta vdes atje ku vdes pylli.”

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.