Kreu Aktualitet 5 autoambulanca të reja i shtohen urgjencës mjekësore

5 autoambulanca të reja i shtohen urgjencës mjekësore

193
0

“Koha e mbërritjes së urgjencës është reduktuar me 2 minuta e 57 sekonda, me investimin e qeverisë për përforcimin e flotës së autoambulancave në territor”. Deklarata u bë nga Ministrja Manastirliu gjatë ceremonisë së dorëzimit të pesë autoambulancave moderne, të pajisura me të gjitha mjetet jetëshpëtuese, me mbështetjen e qeverisë turke, nëpërmjet Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), ku merrnin pjesë edhe zv/drejtori i përgjithshëm i TIKA, z. Birol Çetin dhe ambasadori i Turqisë në Shqipëri, z.Ahmet Yoruk.

“Me qendrën unike të koordinimit të urgjencës mjekësore dhe shtrirjen e numrit 127 në të gjithë territorin, me investimet për 32 autoambulancat e reja nga qeveria shqiptare si dhe pesë të tjera që i shtohen sot flotës së autoambulancave kryesisht në zonat rurale dhe malore, përmirësojmë kohën e pritjes së urgjencës dhe cilësinë e shërbimit”, tha Manastirliu.

Duke theksuar se nuk është e largët dita kur telefonatat për urgjencën shpesh mbeteshin pa përgjigje dhe autoambulancat ishin vetëm transportuese të pacientëve, Ministrja e
Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale tha se sot urgjencave mjekësore ju përgjigjemi më shpejt, por edhe më me cilësi.

“Vetëm për tremujorin e parë të vitit 2019 urgjenca mjekësore i është përgjigjur 96 mijë thirrjeve për ndihmë mjekësore në rang vendi. Numri i misioneve të kryera është rreth 25 mijë, nga të cilat 13 mijë e 400 misione pacientë janë trajtuar në banesë dhe 10 mijë janë transportuar për ndihmë të specializuar në spital. Trajtimi në banesë i më shumë se gjymës së pacientëve, shënon një arritje cilësore të shërbimit mjekësor të ofruar nga ekipet e urgjencës mjekësore,”, tha Manastirliu.

Zv/drejtori i përgjithshëm i TIKA, z. Birol Çetin konfirmoi vijimin e mbështetjes për Shqipërinë në fushën e Shëndetësisë.

“Shqipëria është i vetmi vend me të cilin ne kemi një marrëveshje të përhershme për investime, trajnim stafi të urgjencës mjekësore, trajtimin e pacientëve shqiptarë që nuk mund të trajtohen këtu”, theksoi zv/drejtori i Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim.

Ndërsa ambasadori i Turqisë në Shqipëri, z.Ahmet Yoruk vuri theksin te marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe mbështetja e pakursyer për Shqipërinë. “Jemi gjithmonë në krah të popullit mik shqiptar, me investime në një gamë të gjerë shërbimesh, por me fokus te shëndetësia. Do të vijojmë të jemi afër nevojave tuaja”, tha ambasadori i Turqisë.

Modernizimi i Urgjencës Kombëtare ka nisur me ngritjen e Njësisë së Koordinimit, investimet në autoambulancat e reja dhe me shtrirjen, prej pak muajsh, të numrit unik 127 në të gjithë territorin e vendit.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.