Kreu Politike 51 mijë shqetësime qytetarësh tek Shqipëriaqëduam.al

51 mijë shqetësime qytetarësh tek Shqipëriaqëduam.al

134
0

Takim i Kryeministrit Edi Rama me qytetarë që kanë gjetur zgjidhje për problemet e tyre në Platformën e Bashkëqeverisjes Shqipëriaqëduam.al:

Kryeministri Edi Rama: Përshëndetje të gjithëve dhe shumë faleminderit për praninë tuaj!

Sot kemi eventin javor të bashkëqeverisjes, por përpara sesa të ftojmë qytetarët që na kanë nderuar me praninë e tyre, dëshiroj të theksoj se platforma ka kapërcyer numrin e 51 mijë adresimeve, të cilat janë të natyrave të ndryshme. Ankesa më së shumti për nivelin qendror dhe vendor, por dhe adresime të natyrave të tjera, që nga studentët e interesuar për Paktin për Universitetin, jo  vetëm pyetje, por edhe sugjerime, ide, po ashtu edhe qytetarë të tjerë, zëdhënës të shqetësimeve në komunitetet e tyre. Së fundi në platformë është përfshirë një rubrikë e veçantë për biznesin, për t’i krijuar të gjithë atyre që merren me biznes në Shqipëri, të njëjtin akses të shpejtë në qeveri për çdo problem që hasin me administratën dhe për çdo çështje që mbetet pezull në punën e tyre.

Dua t’i ftoj të gjithë ata që merren me biznes që të shkarkojnë aplikacionin Shqipëriaqëduam.al dhe të mos humbasin kohë fare, duke pritur që një zgjidhje e vonuar t’u vijë përmes rrugësh të vjetra, fatkeqësisht tradicionale, përmes ryshfetit, mikut e kështu me radhë, por të harxhojnë ato dy-tri minuta dhe menjëherë do të kenë në krah ministrin apo autoritetin përkatës dhe do të shikojnë që do të gjendet absolutisht në kohë reale zgjidhja. Nga ana tjetër do të japin një kontribut të madh, se në këtë mënyrë do të vazhdojnë të identifikojnë jo vetëm aspekte problematike të strukturës së  funksionimit të administratës, por edhe individë problematikë që bëhen shkak për vonesa të pajustifikuara dhe të pajustifikueshme.

Besoj shumë që përfshirja e rubrikës së posaçme të biznesit në Platformën e Bashkëqeverisjes është një dritare e re e rëndësishme për të fuqizuar realisht partneritetin mes qeverisë dhe çdo biznesi të ndershëm. Sidomos në këtë fazë kur jemi në një përpjekje të madhe kundër informalitetit dhe kur biznesi i ndershëm që fatmirësisht është dhe shumica e atyre që merren me biznes, kërcënohet vijimësisht edhe nga konkurrenca e pandershme e atyre që i shmangen ligjit dhe bëjnë evazion.

Po ftoj Ledianën për të prezantuar rastin e parë të ditës së sotme.

Lediana, koordinatore e Zyrës së Bashkëqeverisjes: Një qytetar me banim në Ndroq, Zoti Muhamet Trimi, i ka besuar Platformës së Bashkëqeverisjes. Zoti Trimi iu drejtua platformës, pasi në pensionin e tij nuk i janë njohur të gjitha kontributet e viteve të punës dhe për këtë arsye ka kërkuar rillogaritje të pensionit të pleqërisë dhe të pensionit suplementar. Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore Tiranë ka rishqyrtuar pensionin dhe pas rillogaritjeve, masa e pensionit ka pësuar rritje dhe vjetërsia e punës ka shkuar në 47 vite e 6 muaj, nga 41 vite e 10 muaj që ishte më parë. Masa fillestare e pensionit ka pësuar rritje, gjithashtu është rishqyrtuar edhe pensioni suplementar. Zotit Trimi i është akorduar gjithashtu një shumë kreditore e konsiderueshme në llogarinë e tij.

Zoti Shpëtim Trimi: Babai im nga mosha që ka dalë në pension 65 vjeç e deri tani po vuante për llogaritjen e pensionit. Pasi thuajse i ishte përgjysmuar nga ajo që meritonte. Falë platformës të cilës iu drejtuam, ne morëm zgjidhje dhe ju falënderojmë personalisht për mbështetjen që na dhatë, duke marrë atë që meritojmë.

Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit për mundimin që keni marrë! Të gjitha respektet dhe përshëndetje nga ana jonë dhe e imja, natyrisht, babait.

E përsëri është rasti për ta theksuar që kjo platformë ju vjen në ndihmë në mënyrë të vijueshme të gjithë atyre pensionistë që kanë probleme me rillogaritjen e pensionit e që  për fat të keq hasin vështirësi të mëdha në zyrat e sigurimeve shoqërore, ku kemi nisur një reformë që ende kërkon kohën e vet për të dhënë rezultatet e duhura.

Dua ta theksoj për të gjithë, sepse e dëgjoj shpesh që shumëkush thotë se kjo do të thotë që nuk funksionon shteti, që nuk funksionojnë institucionet, nuk funksionojnë zyrat dhe kështu i bie që e gjitha mbetet thjeshtë në dorën e një grupi  të vogël njerëzish në Kryeministri etj.. Sigurisht një pjesë e këtyre çështjeve janë të tilla që normalisht duhet të ishin zgjidhur nëpër zyra. Por jo Shqipëria, por çdo vend i zhvilluar dhe shumë i zhvilluar ka një sistem adresimi nga qytetarët, deri në majën e piramidës.

Janë të panumërta letrat që marrin senatorët dhe kongresmenët amerikanë. Janë të panumërta letrat që merr Presidenti i SHBA-ve. E sigurisht në pjesën më të madhe janë letra qytetarësh, janë letra individësh, të cilët ankohen dhe kërkojnë zgjidhje tek kongresmeni, tek senatori, tek Presidenti i SHBA-ve për çështje, të cilat janë të natyrave të tjera, por në thelb janë shumë të ngjashme me çështjet që trajtojmë ne. Sepse askund administrata, sado e zhvilluar, nuk është një kompjuter.

Sigurisht që bota po shkon drejt kompjuterizimit të plotë, digjitalizmit të plotë dhe ndërveprimit digjital brenda mekanizmave të administratës, për të mos patur më subjektivitetin e njeriut, por ende nuk jemi në atë fazë. Është një tranzicion dhe në këtë proces, nëse do t’i referohemi botës më të zhvilluar përpara daljes së internetit, gjithçka ka qenë e bazuar tek letra dhe ankimimi me letër tek një autoritet më i lartë. E njëjta gjë ndodh në Francë. E njëjta gjë ndodh në të gjithë vendet, sigurisht  në nivele të ndryshme, me probleme të natyrave të ndryshme dhe patjetër me volume të ndryshme.

Ama një gjë është e sigurt, që me platformën, ne kemi bërë një transformim epokal të sistemit, sepse edhe deri dje në Kryeministri, gjatë gjithë viteve të tranzicionit, por edhe më parë, vinin mijëra e mijëra letra në muaj nga qytetarë dhe ato letra për fat të keq mbeteshin rrugëve. Janë shumë të paktë ata qytetarë që kanë marrë përgjigje për këto letra, sepse Kryeministria i delegonte tek ministritë, ministritë i humbnin nëpër sirtarët e tyre, i harronin nëpër togjet e letrave të tjera dhe qytetari mbetej pa përgjigje.

Ndërsa sot nuk ka qytetar që të shkruajë tek Shqipëriaqëduam.al dhe të mos marrë përgjigje. Natyrisht, jo gjithmonë pozitive, sepse ka raste kur kërkesa është e padrejtë, kur ankesa është e padrejtë, por, kur bëhet fjalë për probleme që janë të krijuara nga vonesa e administratës, nga mungesa e efektivitetit të administratës, gjithmonë fiton qytetari. Një nga gjërat që ndodh edhe me zyrën time në WhatApp. Shikoj që njerëzit thonë si ka mundësi, çfarë është kjo punë, pse duhet të vijmë tek ty. Gjithkush që ka mundësi të veprojë për ta ndihmuar, do ta bëjë këtë gjë. Këtë gjë duhet ta bëjnë deputetët, duhet ta bëjnë kryetarët e bashkive, drejtorët. Shumica nuk e bëjnë. Por ajo që po ndodh edhe në rastin e deputetëve është se deputetët kanë filluar intensivisht të shfrytëzojnë platformën, duke adresuar problemin te platforma. Është platforma që lidh qytetarin me institucionet në rrugë digjitale, në rrugë transparente, në rrugë që e bën të pamundur humbjen e mesazhit apo të letrës nëpër skutat e labirintet të burokracisë.

Konkretisht, në këtë rast që sapo u trajtua, një pensionist, jo vetëm që ka rillogaritur pensionin e tij, duke e rritur masën e 100 mijë lekëve të munguara, por ka marrë mbrapsht 3 milionë e 195 mijë lekë, të cilat duhet t’i kishte marrë muaj pas muaji në të gjitha vitet që ka pritur rillogaritjen. E drejta e tij është vënë plotësisht në vend.

Enada, koordinatore e Zyrës së Bashkëqeverisjes: Në vitin 2006, Zoti Doda ka plotësuar formularin e deklarimit për regjistrimin e pronës së tij. Pas një pritje të gjatë dhe pasi i kishte shlyer të gjitha detyrimet, përfshirë edhe tarifën e ndikimit në infrastrukturë, ai nuk po gjente zgjidhje për problemin e tij. I ndodhur në këto kushte, ai i besoi Platformës së Bashkëqeverisjes dhe brenda 10 ditëve iu emetua leja e legalizimit.

Zoti Agron Doda: Jam Agron Doda nga Dibra. Në vitin 2006 kam bërë vetëdeklarimin për legalizimin e shtëpisë. Duke pritur shumë vite, duke shlyer të gjitha detyrimet dhe kur nuk mora asnjë përgjigje, u drejtova portalit. Brenda tri ditëve më morën në telefon dhe më doli leja e legalizimit. Tani kam bërë kërkesën për certifikatë dhe shpresoj dhe kjo të mos ketë fatin e legalizimit. Faleminderit Zoti Kryeministër.

Kryeministri Edi Rama: Dhe unë shpresoj, por, nëse ka fatin e lejes së legalizimit, tani ti  e mësove rrugën, kështu që mos prit më aq sa ke pritur, por direkt platformës. Ndërkohë besoj se nuk do të ndodhë sepse tanimë legalizimet dhe certifikata e pronësisë janë të lidhura bashkë në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, pra, nuk ka dy institucione që bëjnë ping-pong me njëra tjetrën, siç ka ndodhur për shumë e shumë vite. Është një institucion brenda një institucioni dhe sigurisht që është i njëjti institucion që nuk mundet dot të japë legalizimin dhe pastaj të refuzojë certifikimin e pronës. Sidoqoftë një klik e ke dhe e zgjidhim edhe këtë.

Enada, koordinatore e Zyrës së Bashkëqeverisjes: Rasti tjetër vjen nga qyteti i Shkodrës. Zoti Rruzhdi Burdica kishte depozituar  një kërkesë pranë Drejtorisë Vendore Shtetërore të Kadastrës Shkodër, për t’u pajisur me certifikatë pronësie. Pasi priti të kalonte afati ligjor dhe nuk e mori shërbimin, ai gjithashtu adresoi edhe një ankesë administrative. I ndodhur në kushtet kur i kishte ezauruar të gjitha rrugët administrative për zgjidhjen e problemit të tij, ai iu drejtua Platformës së Bashkëqeverisjes  dhe më datë 6 shtator është pajisur me certifikatën e pronësisë.

Zoti Rruzhdi Burdica: Jam shumë i lumtur që qëndroj pranë jush në këtë çast. Falënderoj Platformën e Bashkëqeverisjes. Falënderojmë këtë institucion dhe e morëm. Doja t’ju thoja dhe diçka për të konkretizuar disa fjalë. Tek shtëpia që unë jetoj në Shkodër, në oborr kam një trung ahu ku unë ulesha aty. Kam vënë re se kalojnë shumë buburreca poshtë. Për kuriozitet vura re se këto buburreca  e kishin gërryer nga poshtë kështu që sado i fortë të jetë ky tra, në qoftë se këto buburreca nuk do të zhduken në një formë, ose në një tjetër, këto përsëri do të  mbeten njëlloj. Uroj që këto shushunja të jenë sa më të pakta dhe mund të shtypen. Falënderoj edhe një herë.

Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit! Të jesh i sigurt se unë nuk kam patur nevojë të ulem në ndonjë stol për të parë se çfarë bëjnë buburrecat nga poshtë, se rri në këmbë dhe i shikoj buburrecat ulur që gërryejnë. Megjithatë kjo kërkon durim të madh, kërkon vullnet, kërkon kohë dhe sigurisht kërkon sisteme. Platforma është një nga ato sisteme që i mpin buburrecat dhe disa prej tyre edhe i shtyp. Unë e di që ju keni parasysh buburrecat e hipotekës së Shkodrës, kushedi se çfarë keni heq me ata. Por ne po vazhdojmë të luftojmë dhe kemi preferuar atë porosinë e Nënë Terezës: “Në vend se të mallkojmë errësirën, të ndezim një qiri çdo ditë, derisa të bëhet dritë çdo ditë”.

Flavia, koordinatorë e Zyrës së Bashkëqeverisjes: Zoti Isli Balla iu drejtua Platformës së Bashkëqeverisjes në lidhje me ankesën dhe problematikën e mamasë së tij, Zonjës Zyra Balla. Ajo kishte 45 vite punë, pjesën më të madhe si mësuese e ciklit të ulët dhe vitet e fundit si edukatore në kopshtin “Isuf Meçaj” në Baldushk. Në maj të këtij viti, Zonja del në pension, por te vendimi i ndërprerjes së marrëdhënieve të punës nuk ishte parashikuar shpërblimi i lejes vjetore të vitit 2019, e cila nuk ishte kryer. Me adresimin e në Platformën e Bashkëqeverisjes dhe komunikimin institucional u arrit përllogaritja e kësaj shume, vendosja e saj në vendimin e shkëputjes së marrëdhënieve të punës dhe sigurisht kalimi në llogarinë e Zonjës Balla.

Zoti Isli Balla: Unë jam për rastin e nënës time. Pas problemit që ndodhi me pensionin vendosa të shkruaj në portal. Edhe pse diçka e vogël, pasi shkruaja aty erdhi zgjidhja shumë shpejt. Falënderoj stafin që është marrë me këtë gjë.

Kryeministri Edi Rama: Diçka e vogël për ty, se ti rreh lart, por për nënë është diçka e madhe. Iu falënderoj të gjithë juve që keni ardhur pasi jeni munduar shumë, për të arritur për të zgjidhur një çështje, keni marrë edhe mundimin për të ardhur dhe për të ndihmuar, sepse kjo është një ndihmë shumë e madhe për ne. Për qytetarët, tjetër është kur më shikojnë mua duke folur e tjetër është kur ju shikojnë juve. Shumëkush është i prirur të thotë se këto janë fjalë politikanësh, se politikanët janë të gjithë njësoj. Megjithëse as buburrecat nuk janë njësoj, as kafshët e pyllit nuk janë njësoj, as pemët nuk janë njësoj dhe as njerëzit s’ka sesi të jenë njësoj, edhe politikanët nuk janë njësoj. Sidoqoftë dëshmitë tuaja, dëshmitë e atyre që kanë ardhur para jush ndihmojnë për ta promovuar platformën dhe jo për propagandë, siç thotë ndonjë intelektual pa shkollë në Facebook, por për t’i dhënë asaj prani në sytë e njerëzve dhe për të përcjellë mesazhin se platforma është reale dhe është në dispozicion. Kemi dëgjuar jo pak raste këtu që thonë “po dëgjoja në televizor dikë që po fliste”. Nuk kanë thënë “të pashë ty që po flisje”, por panë dikë që vjen nga fshati, dikë që deri dje ishte pa mbështetje, pa përkrahje dhe që e shtynin në trotuare e jo më të futej te zyra përkatëse e që sot e ka përkrah.

Çdokush që i shkruan platformës është aq i fortë, sa një deputet që i shkruan ministrave, edhe më i fortë, se ndonjëherë ministrat nuk i përgjigjen në telefon. Kurse qytetarëve, platforma iu përgjigjet gjithmonë, pa përjashtim dhe pa diskutim.

Shumë faleminderit dhe njëherë dhe të bëjmë dhe fotografinë  e ditës bashkë me ju përpara se sa ti lëmë edhe   anëtarët e skuadrës së platformës të vazhdojnë ‘luftën’ për të tjerët.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.