Kreu Aktualitet “Dita pa makina”, Tirana zgjedh transportin e së ardhmes

“Dita pa makina”, Tirana zgjedh transportin e së ardhmes

278
0

Tirana do të jetë qyteti i parë në vend, i cili nis testimin e autobusëve elektrikë në transportin publik urban, por edhe do të revolucionarizojë shërbimin taksi, duke sjellë një qasje të re miqësore ndaj mjedisit me kosto ekonomike shumë më të ulët. Në “Ditën pa makina” kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj mori pjesë në prezantimin e flotës së parë të taksive elektrike në kryeqytet, si dhe të mjeteve të transportit alternativ të lëvizjes, të cilat pritet të ulin nivelin e ndotjes në kryeqytet.

“Në Tiranë, bashkia ka licencuar rreth 800 taksi, të cilat të gjitha bashkë prodhojnë në një vit 3200 ton karbon. Imagjinoni 200 mijë makina dhe 60-70 mijë që vijnë nga rrethet çdo ditë në Tiranë, çfarë ndodh dhe sa mijë ton karbon çlirojnë. Kur Kina që ka reputacionin e vendit të mbi industrializuar ka dhënë urdhër që të gjitha makinat e reja të jenë elektrike, një vend i vogël si Shqipëria apo një qytet si Tirana, duhet medoemos ta marrë këtë vendim. Më vjen mirë që sot kemi kompani taksish, të cilat janë 100% elektrike. Nëse do udhëtoni me taksi përdorni një nga taksitë elektrike, kanë të njëjtin çmim, por ama i kemi shpëtuar natyrës dhe fëmijëve të këtij qyteti një ndotje të jashtëzakonshme”, tha Veliaj.

Loading...

Kryebashkiaku shtoi se duke filluar nga muaji i ardhshëm, Bashkia e Tiranës do të nisë testimin e  autobusëve elektrikë, ndërsa u kërkoi operatorëve privatë që të zëvendësojnë flotën aktuale të autobusëve, me mjete elektrike. “Do të fillojmë nga muaji tjetër, fillimisht me një kompani europiane, e pastaj me një kompani kineze, testet për autobusët elektrikë. U kam thënë të 25 operatorëve në Tiranë, kërcënimin s’e keni nga njëri-tjetrin, konkurrencën e keni nga Bashkia e Tiranës, e cila po përgatitet të krijojë një kompani të vetën. Operatorët kanë nënshkruar një kontratë e cila ka një klauzolë, që në çdo moment kur bashkia ka alternativë transportin elektrik ose me hidrogjen, do t’i heqë licencën dikujt që e ka me naftë për ta zëvendësuar me dikë që e ka makinë elektrike. Ndaj mesazhi për operatorët, vraponi blini autobusë elektrikë”, tha ai.

Bashkia e Tiranës është edhe qyteti i parë në vend, i cili ka nisur nga puna për ngritjen e infrastrukturës së nevojshme që do të nxisë përdorimin e automjeteve elektrike duke ngritur pika karikimi në zona të ndryshme. Por krahas automjeteve, Bashkia e Tiranës po vijon punën për ndërtimin e korsive të dedikuara për biçikletat, çka ka sjellë dhe trefishim të numrit të përdoruesve të saj.

“Do të vazhdojmë gjithmonë e më shumë që një pjesë e madhe e stafit tonë të kalojë në një transport që është shumë herë më i pranueshëm për ambicien e një qyteti të pastër si Tirana. Më vjen mirë që është trefishuar numri i atyre që përdorin biçikleta në Tiranë. Kjo do të thotë se duhet të përgjigjemi gjithashtu me investime. Siç e keni parë, Rruga e Dibrës po konturohet si një damar tjetër kryesor, me korsi të dedikuar biçikletash. Do të vazhdojmë edhe me tre rrugë të tjera brenda këtij viti për t’u siguruar që rrjeti i përgjigjet kërkesës që kanë çiklistët në Tiranë për të ecur më shumë me biçikleta”, deklaroi ai.

Ndërkohë, kreu i bashkisë bëri të ditur se pas Sheshit “Skënderbej”, edhe Sheshi “Nënë Tereza” do të shndërrohet tërësisht në pedonale për qytetarët. “Po të marrim vendime të drejta, të guximshme, pavarësisht histerisë që shpërthen ndonjëherë nga ca minoranca të zhurmshme, mund t’ia dalim që të kemi një qytet më të mirë, siç është rasti i hapësirave pedonale permanente sikurse është sheshi “Skënderbej”, Pazari i Ri edhe disa zona të tjera më të vogla. Arsyeja pse e fillojmë te sheshi “Nënë Tereza” është se brenda këtij mandati jo vetëm pasditeve gjatë verës, por në kohë të plotë, sheshi “Nënë Tereza” do të kthehet në një hapësirë tjetër pedonale për qytetin. Gjersa kemi pasur duk në ato hapësira që kemi kthyer dhe ajri është më i pastër në Tiranë, mesazhi që marrim është që të vazhdojmë në këtë mënyrë”, u shpreh ai.

Por, Tirana do të ketë edhe një sërë hapësirash të tjera pedonale të cilat do të jenë tërësisht në shërbim të qytetarëve për të kaluar orët e lira, si dhe për aktivitete të ndryshme social-kulturore. Kryebashkiaku Veliaj u shpreh se në kryeqytet do të ndërtohen disa zona pedonale. “Do të jetë pjesa pas Ministrisë së Arsimit ku është “Heminguej” me shtëpitë karakteristike aty. Ka potencial për hapësira të ngjashme si Pazari i Ri, por ndoshta me një karakter pak më artistik dhe më kulturor. Një hapësirë e tretë ka të bëjë me zonën e Bllokut, me damarët që ecin paralelisht me Lanën. Duam që në verën e ardhshme në fakt, në mënyrë permanente rrugicat e Bllokut të jenë hapësira pedonale, kurse rrugët që janë pingul me Lanën të jenë damarët ku do të vazhdojë të lëvizë trafiku”, tha Veliaj.

Në kuadër të “Ditës pa makina”, Bashkia e Tiranës ka organizuar edhe një sërë aktivitetesh, që nga “Panairi i Botimeve për Lëvizshmërinë”, apo evente të tjera që kanë për qëllim nxitjen e të rinjve në përdorimin sa më shumë të biçikletës dhe për ta bërë atë një mjet popullor në Tiranë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here