Kreu Aktualitet Nis ndërtimi i katër rrugëve të Ndroqit

Nis ndërtimi i katër rrugëve të Ndroqit

308
0

Pas rikonstruksionit të rrjetit të ujësjellësit dhe urës së Mënikut, Bashkia e Tiranës po vijon punën për ndërtimin e rrugëve të brendshme të fshatit Ndroq. Investimi lehtëson jo vetëm lëvizjen e automjeteve, por do të afrojë edhe më shumë banorët që tregtojnë produktet bujqësore të zonës në tregjet e Tiranës.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi punimet për ndërtimin e katër rrugëve të reja dhe theksoi se investimet do të shtrihen në nivel kapilar në çdo zonë të kryeqytetit. “Filluam fillimisht me ndërhyrjet në rrjetin e ujësjellësit, pastaj vijuam me disa investime bazë, për të lidhur komunitetet me njëri-tjetrin në dy anët e lumit, si ura e Mënikut, të cilën shumë shpejt do e hapim për qytetarët. Tani jemi futur në nivel kapilar në katër “damarët” kryesorë të Ndroqit. Katër damarë që janë rrugë dhe përfaqësojnë katër lagje, që besoj në fund të kësaj vere do të shijojnë frytet e këtij investimi”, tha Veliaj.

Loading...

Kryebashkiaku deklaroi se krahas përmirësimit të infrastrukturës në qendër, vëmendja po i kushtohet urbanizimit të zonave rurale, duke ruajtur të njëjtën cilësi të punimeve. “Kemi bërë disa teste, si në Krrabë, në Zall-Herr, Vaqarr, Pezë, Ndroq dhe na rezulton se tani që kemi mbaruar me infrastrukturën kryesore, shkuarja e investimeve në nivel kapilar është mënyra më e mirë për të ecur përpara me urbanizimin e zonave rurale të Tiranës. Pra, siç kemi bërë sheshin “Skënderbej”, Pazarin e Ri, Parkun Olimpik, Bulevardin e Ri, po punojmë me të njëjtën cilësi nga qendra në fshat e në të gjithë komunitetet tona rurale”, u shpreh ai.

Veliaj siguroi se në dy vitet në vazhdim do të marrë zgjidhje problemi i ndërtimit dhe i asfaltimit të rrugëve në kryeqytet, duke lehtësuar në këtë mënyrë edhe shkëmbimin e mallrave të zonës. “Mezi pres që në dy vitet e tjera t’i trajtojmë si një paketë jo më me katër e nga katër rrugë, por ndoshta nga 40 e 50, për t’u siguruar që njëherë e mirë e mbyllim ankthin për asfalt në Tiranë, që të fokusohemi më pas tek gjëra më të qenësishme, siç është nevoja për akses në treg, kur vjen puna tek produktet bujqësore të zonës dhe pastaj tërheqja e atyre që duan të jetojnë jashtë zonës urbane në zonën rurale, duke reklamuar më shumë periferinë e Tiranës”, nënvizoi ai.

Duke falenderuar banorët e zonës së Ndroqit për bashkëpunimin në lirimin e hapësirave të zëna, kryebashkiaku theksoi se investimet e realizuara do të rrisin vlerën e pronës së qytetarëve. “Dua të falenderoj të gjithë banorët për mirëkuptimin, është jashtëzakonisht e rëndësishme që të tregojmë një bonsens, kur vjen puna për hapësirën e përbashkët, për trotuaret, rrugët dhe për të gjitha nevojat e tjera të infrastrukturës. Është gjithmonë kënaqësi të punosh në komunitete ku e kuptojnë vlerën e investimit, janë bashkëpunues, ku tërheqin avllitë e tyre, tregojnë respekt për pronën publike”, u shpreh kreu i Bashkisë.

Veliaj deklaroi se investimet e realizuara nga Bashkia e Tiranës i japin zgjidhje edhe rritjes së numrit të banorëve në vitet e ardhshme, duke krijuar të gjithë infrastrukturën e nevojshme për të jetuar dhe në zonat rurale. “Po bëhemi gati me infrastrukturë për të pritur jo vetëm qytetarët që jetojnë tashmë këtu, por edhe ata që mund të vijnë potencialisht një ditë, duke ia rritur vlerën pronës dhe duke u siguruar që ekziston infrastruktura bazë, për të gjithë ata që tani preferojnë të paktën në moshën e tretë, ambientet jashtë Tiranës, fshatrat rreth bashkisë së madhe, si vend për të dalë në pension dhe kaluar pjesën tjetër të jetës”, deklaroi Veliaj.

Administratori i Njësisë Administrative Ndroq, Xhavit Çeka falenderoi Bashkinë e Tiranës për kujdesin e treguar për përmirësimin e infrastrukturës së kësaj zone, e cila nuk kishte njohur investime prej më shumë se 20 vitesh.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here