Kreu Aktualitet “Bleta e Artë”, vlerësimi i përvitshëm për sipërmarrjet më të suksesshme

“Bleta e Artë”, vlerësimi i përvitshëm për sipërmarrjet më të suksesshme

193
0

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në edicionin e pestë të ndarjes së çmimeve “Blerta e Artë” për sipërmarrjet më të suksesshme të vitit: 

Gjatë këtyre pesë viteve të organizimit të këtij eventi, ne jemi përpjekur që të japim një kontribut modest, por sa më të qenësishëm, për të vlerësuar sipërmarrjen shqiptare dhe për të nxjerrë në skenë figurën e sipërmarrësit dhe sipërmarrëses, si një figurë, tek e cila ne besojmë. E që po ashtu, për vite të tëra ka qëndruar në hije, e parë me dyshim, rëndom e anatemuar për shkaqe të arsyes së mos arsyes së politikës dhe e frikësuar si rezultat i suksesit.

Loading...

Ndërkohë që pavarësisht se ajo çka kemi arritur të bëjmë në këto vite për të vlerësuar, jo me fjalë por me sjellje, sipërmarrjen, mund të lërë vend për kritika të arsyeshme, ne gjithmonë kemi mësuar se figura e sipërmarrësit apo sipërmarrëses është një figurë kyçe për një shoqëri që jeton në një sistem si i yni dhe nuk ka arsye që futbollistët, këngëtarët apo personazhet e spektaklit, lëre më pastaj politikanët të zënë vendin qendror të skenës e sipërmarrësit apo sipërmarrëset të mbeten në hije.

Përkundrazi, në një vend e në një shoqëri që u mësua t’i shikojë sipërmarrësit me inercinë e të shkuarës, si persona, suksesi i të cilëve është gjithmonë një arsye për dyshim, natyrisht është e vështirë, por ne duam që të stimulojmë fantazinë, të stimulojmë ëndrrat, të stimulojmë ambicien e më të rinjve për ta parë të ardhmen e tyre si sipërmarrës, siç e shohin të ardhmen e tyre si futbollistë apo si këngëtarë apo personazhe  të spektaklit apo politikës. Ia vlen që të bëjmë çmos që djemtë e vajzat në këtë vend ta shikojnë të ardhmen e tyre si sipërmarrës dhe patjetër që figura e sipërmarrësit e vendosur në dritat e skenës ndihmon pak, por sidoqoftë më shumë se sa në errësirë për t’i thënë vajzave e djemve të këtij vendi që çdo ëndërr që shikoni me sy hapur është e arritshme.

Ashtu sikundër shumëkush këtu ka parë me sy hapur ëndrra që në kohën kur ka nisur t’i shohë i janë dukur krejtësisht të pamundura. Un njoh për fat shumëkënd prej jush, njoh historinë e tyre, njoh edhe përpjekjet, duke u nisur nga një bazë që kurrë nuk do të jepte mundësi për të imagjinuar një sukses milionësh apo miliardësh e me thënë të drejtën, tek historia e shumëkujt këtu, por edhe tek historia e gjithë sipërmarrësve që dikur ishin thjesht e vetëm fëmijë familjesh pa emër, fëmijë prindërish të varfër dhe sot janë ata që janë, – ndjej një motiv të madh frymëzimi dhe një motiv të madh inkurajimi.

Është shumë e lehtë ajo që është bërë rëndom modë në Shqipëri që sipërmarrësit të shikohen si armiku potencial i shoqërisë, si kundërshtari që duhet luftuar dhe prej të cilit duhet marrë gjithçka që është e mundur – e kjo gjë e bërë vazhdimisht nga qeveritë – dhe si largqoftë një shembull për t’u ndjekur. Por, në fakt kjo është mënyra më e gabuar, më kundër produktive dhe më e dëmshme, e ka dëmtuar jo pak, pasi sot e gjithë ditën, nëse shohim se çfarë ndodh në gjithë skenën e vëmendjes publike, do të gjejmë shumë pak, në mos aspak sipërmarrës që janë të gatshëm të shfaqen, që janë të gatshëm të tregojnë historinë e tyre, që janë të gatshëm të flasin me shembullin e forcës së tyre. Dhe “pse”-ja është dramatike. Është e fshehur në një skutë të të menduarit të shoqërisë sonë, e mishëruar me politikën tonë për vite të tëra që i bën thirrje instikteve më vulgare të populizmit, duke shfaqur me hipokrizi një aleancë me të varfrit kundër të pasurve e natyrisht, tek të pasurit janë sipërmarrësit, ata që mund të sulmohen pa gajle e kundërshtarët politikë ata që sulmohen po pa gajle, por si kulmimi i një hipokrizie kolektive.

Nuk e di sa kemi arritur të bëjmë, nuk e di sa do arrijmë të bëjmë për aq sa do na jepet mundësia të bëjmë, duke pasur mandatin që të qeverisim vendin, por për mua është themelore që sëbashku ne t’ia dalim që të vendosim figurën e sipërmarrësit në piedestalin e munguar për shumë vite. Në piedestalin ku janë ngjitur shumë heronj të rremë, në piedestalin ku janë vendosur shumë shembuj të gabuar, në piedestalin ku në fund të ditës, po të mendojmë, kanë qëndruar ata, që marrin më shumë se sa japin. “Bleta e Artë” është një përpjekje modeste në këtë drejtim për të vlerësuar njerëzit që bëjnë në fakt jo pak. Njerëzit që krijojnë punë, njerëzit që krijojnë dije, njerëzit që krijojnë të ardhura për buxhetin e shtetit, njerëzit që krijojnë pasuri me idetë e tyre, me kurajën e tyre dhe me fuqinë e tyre për të ndjekur një ëndërr që guxuan ta shikojnë me sy hapur dhe e ndoqën nga pas pavarësisht se të gjitha të dhënat objektive mund të thoshin se këta njerëz kurrë nuk do arrijnë. Këtu ka njerëz që kanë ardhur nga zona të tjera të Shqipërisë, ka njerëz që ke kanë ndërmarrë këtë rrugë në fillim të viteve ’90, kanë qenë emigrantë, kanë shkuar e kanë ardhur, kanë qenë këtu, por kanë pasur guximin që të shkojnë matanë dhe të mos i nënshtrohen idesë se duhet të ndalojnë, por përkundrazi, të vrapojnë me një kurajë të marrë për një periudhë të gjatë kohe, kur Shqipëria për 1001 arsye nuk ka qenë vendi ku kuraja mund të gjendej rrugës, por ka qenë vendi ku rrugës mund të gjendeshin të gjitha arsyet për të mos e pasur këtë kurajë.

Në këtë edicion, ne apo më saktë organizatorët, kanë vënë në fokus punësimin dhe ky është një mesazh që ky edicion synon të japë në kushtet kur vendi ka një raport të deformuar me idenë e punës dhe me idenë e vetëpunësimit. Mjafton t’ju them që në vendin tonë, por dhe në gjithë rajonin, të pyetur se çfarë konsiderojnë një punë dinjitoze, mbi 70% e të rinjve përgjigjen: një punë dinjitoze është një punë shteti. Ndërkohë që, po kjo masë e madhe vajzash e djemsh të rinj, idesë së punësimit në një sipërmarrje private i qasen duke thënë është diskriminim.

Nga ana tjetër, duke qenë se për shkak të një raporti të shtrembëruar për shumë e shumë vite, pjesa që monton dritat e skenës, pjesa që dikton axhendën e debatit të ditës, asnjëherë nuk e shikon sipërmarrjen, si në fakt, fuqinë reale që zhvillon Shqipërinë, cka ndodh është se ka një refuzim gati-gati patologjik për të parë çfarë ndodh në fakt, me sipërmarrjen në raport me punën dhe çfarë ndodh me procesin aspak të lehtë, por realisht në një dinamikë të vazhdueshme të punësimit. E për këtë arsye është më e lehtë që të tallesh kur një ministër, kam parasysh Blendi Klosin kur drejtonte ministrinë që merrej drejtpërdrejte me punën, thotë: ka punë por nuk ka profesionistë, ndërkohë që e vërteta dramatike është se në të gjitha kompanitë tuaja, sikundër secili prej jush mund ta dëshmojë, por dhe në të gjitha kompanitë e mëdha dhe të mesme të vendit, ka punë, ka vende pune sot, por mungojnë  të rejat të rinjtë apo në tërësi individët me përgatitjen e nevojshme për të mbuluar nevojën për atë vend pune specifik. Sepse ne jetojmë në një vend ku për vite e vite të tëra u zgjodh të mbyllej rruga e formimit profesional dhe krijoi një autostradë me shumë korsi për të vrapuar drejt universiteteve.

Gjithkujt iu dha mundësia të besojë se mund të përfundonte me shkollë të lartë dhe me një diplome me peshë. E askujt nuk iu tha se në ndërkohë, jeta pas shkollës mund ta bëjë atë diplomë edhe në qoftë e vlefshme, – sepse shumë prej diplomave ishin të pavlefshme, – të papërdorshme dhe çfarë duhet në atë rrugë janë zanati, janë dhuntitë profesionale.

E kështu, ndërkohë që u hapën dhjetëra e dhjetëra universitete dhe u futëm në një vorbull ku i thonim vetes “jemi vendi me sistemin më liberal në botë të universiteteve” dhe hapëm tetë herë më shumë universitete sesa Britania e madhe, – mbyllëm rrugën e arsimit profesional për vite e vite të tëra dhe cunguam, gjymtuam, kthyem në një trup me aftësi të  kufizuara një gjeneratë të tërë, e cila sot e ka tmerrësisht të vështirë t’i përgjigjet nevojës së vet për punë dhe të bëhet pjesë e tregut të punës.

Sot, në këtë edicion kishte tre çmime të reja të krijuara posaçërisht, çmimi i punëdhënësit të vitit, çmimi i biznesit gjithëpërfshirës dhe çmimi i praktikës profesionale. Janë tre elementë që janë të domosdoshëm për të krijuar një vend ku ka punë për këdo që do të punojë, për një vend ku puna nuk është vetëm një mundësi për ata që quhen në rregull, por është një mundësi edhe për ata që janë të margjinalizuar, qoftë grupet si, romët, si egjiptianët, qoftë dhe ata që janë persona me aftësi të kufizuara. Ka një ligj në Shqipëri, i cili imponon që çdo institucion dhe çdo kompani të ketë një numër personash me aftësi të kufizuar dhe ka ndodhur që ai ligj është përdorur për të regjistruar si persona me aftësi të kufizuar, persona me aftësi të pakufizuar.

Ndërkohë që këta të fundit kanë humbur në mënyrë sistematike aksesin në punë. Por edhe praktikat profesionale është themelore sepse shteti dhe shkolla profesionale nuk arrin dot të krijojnë një krah pune mjaftueshmërisht të kualifikuar për t’ju përgjigjur nevojave të ndërmarrjes, të cilësdo ndërmarrje, këtu të pranishme, por dhe ndërmarrjeve të tjera që nuk janë sot këtu të pranishme. Shumëkush prej tyre kanë fituar “Bletën e Artë”, shumëkush prej tyre mund të jetë, dhe mund të ishte normalisht një fitues i “Bletës së artë” dhe shumëkush prej tyre është i domosdoshëm për të shoqëruar përpjekjen e shtetit në formimin profesional. Reforma jonë e formimit profesional është një reformë që bazohet tek bashkëpunimi me sipërmarrjet dhe tek ideja që një pjesë e javës kalohet në shkollë dhe një pjesë e javës kalohet në sipërmarrje. Përndryshe nuk funksionon dhe në këtë aspekt besoj që ne nga ana jonë jemi ende deficitarë.

Ndërkohë që kam parë, kam kuptuar dhe besoj fort që sipërmarrja është e gatshme t’i përgjigjet ambicies tonë, nëse ambicia jonë është e shprehur në mënyrën e duhur dhe nëse shtrirja e dorës sonë të bashkëpunimit me sipërmarrjen është e atille që  bind në të tre    këto drejtime.

Nga ana tjetër, gjithë pjesa tjetër e çmimeve që u dhanë sot tregon se ka një  Shqipëri që është Shqipëria  e sipërmarrjes që punon, që  gdhihet me stres dhe ngryset me stres për të krijuar punë në funksion të fitimit, por përmes krijimit të punës në funksion të fitimit , krijon edhe dije, krijon edhe të ardhura, krijon në fund fare mirëqenie. Sepse tek e fundit çka ne ende se kemi arritur të çimentojmë si një parim nga të gjithë atë që merren me politikë, – s’ka rëndësi se cili krah është, – është se problemi nuk janë të pasurit. Problemi është varfëria. E  nuk luftohet varfëria nëse nuk mbështetet pasurimi i njerëzve që nuk pasurohen duke ia hedhur të tjerëve dhe hipur mbi kurrizin e qeverisë, por pasurohen falë krijimit të kushteve për të vrapuar në një fushë të lirë konkurrence që duhet të jetë sa më e ndershme. Tek konkurrenca e ndershme ne kemi ende shumë për të bërë. Kemi shpallur një betejë kundër informalitetit. Nëse në të shkuarën, problemi i kompanive nuk ishte informaliteti, por ishte mbijetesa në një xhungël ku secili përpiqej t’ia dilte pavarësisht mungesës së rregullave, sot problemi i kompanive janë rregullat e lojës. Askush sot në këtë shtresë të re që është krijuar në vite, nuk kërkon as një ministër financash që t’i ngrejë traun e doganës, as një kryeministër që t’i japi akses të privilegjuar në dëm të të tjerëve, por kërkon që të mbrohet nga dëmi që sjellin konkurrentët që vazhdojnë veprojnë si në të shkuarën dhe që në fakt janë pjesa e padobishme  e gjithë organizmit të ekonomisë sonë.

Këtu u dha një falënderim i padrejtë për Ministrin e Financave dhe të Ekonomisë. Ministri i Financave dhe i Ekonomisë  nuk meriton të falënderohet për këtë eveniment. Këtu duhet të falënderohet  zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, Albana (Albana Shkurta) e cila ka bërë përpjekjen për ta organizuar këtë eveniment. Ministri thjesht nuk e ka penguar dhe kjo është një gjë e madhe, – në fund të fundit çka Luan Bregasit i ra goja qëkur unë jam bërë kryeministër “duam një qeveri që të mos na pengojë”. Këtu ministri e ka bërë detyrën shumë mirë, por nuk është për t’u falënderuar. Këtu është për t’u falënderuar Dajna (Dajna Sorensen) që është zëvendësministrja tjetër e Financave dhe Ekonomisë që merret me punësimin.  Këtu është për t’u falënderuar Monika Stafa. Këtu është për t’u falënderuar dhe Gazi (Gazmend Paja) që ishte rezervë, sepse  normalisht Drini Zeqo duhet të ishte këtu. Por, Drini u sëmur dhe Gazi nga stoli i rezervave hyri në fushë, me dinjitet përveç asaj bejtes që linte për të dëshiruar sepse çorapet e mia janë vetëm një obsesion i yti. Unë kam shumë kohë që nuk kam grerëza në çorape.

Shumë faleminderit edhe Monikës, edhe Gazit!

Më vjen keq që mungon  Ministrja për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, e cila  një vit më parë mori “Bletën e Artë” si administratore dhe sot nuk doli këtu për të dhënë Bletën për një nga fituesit, sepse ishte në Fier për të ndjekur një rast të ardhur në portalin Platforma e Bashkëqeverisjes të një problemi të sipërmarrjes me administratën. Kështu që besoj se mungesa është mëse e justifikuar dhe domethënëse. Këtu dua të ndalem shumë shkurt. Ne e kemi krijuar këtë platformë, e cila ka ende problem me besimin e njerëzve se kjo është prej vërteti. Por, do ju jap dy shembuj që vërtetojnë se kjo është prej vërteti dhe do të ishte mirë që sipërmarrësit seriozë të këtij vendi ta ndajnë që midis zgjidhjes tradicionale të një problemi të krijuar nga administrata tatimore apo doganore dhe zgjedhjes për të mos lejuar më asnjë punonjës që përfaqëson shtetit, të nëpërkëmbë sipërmarrjen të bëjnë zgjedhjen dhe jo  të vazhdojnë me atë zgjidhjen që e dini vetë ju nuk të çon asgjekundi.

Zgjedhja është shumë e qartë dhe ne kemi nevojë për kontributin tuaj e të gjithë sipërmarrësve. Nuk duhet të lejoni, nuk duhet ta pranoni që cilido qoftë, i veshur me kostumin e përgjegjësisë shtetërore të hyjë në territorin e kompanisë suaj dhe të sillet sikur është ai apo ai grup, zot aty ku jeni ju zot, që nga veshja, tek mirësjellja dhe patjetër tek pastaj mënyra sesi trajtohet çdo çështje që lidhet me raportet tuaja me administratën fiskale. Që do të thotë, mjafton vetëm një sinjal në platformën e bashkëqeverisjes dhe ju do të shpëtoni dhe nuk do ta shikoni më atë apo ata që vijnë në territorin e kompanisë suaj dhe sillen siç nuk i takon këtij shteti, kësaj qeverie që është 100 % e dëshiruar dhe e vendosur që t’u njohë zot në shtëpinë tuaj.

Shembulli i parë lidhet me nja 11 mijë gjoba, – të gjeneruara nga sistemi apo të pagjeneruara nga sistemi, histori të tilla, – kjo nuk ka rëndësi. Rëndësi ka që një sipërmarrës shkruaji në platformë që këto gjoba janë të padrejta për shkak se si shumë të tjerë kompania e tij i kishte shitur produkte atyre që në fakt ishin me atë NIPT-in e famshëm pasiv. E në ndërkohë administrata tatimore nuk e kishte përditësuar listën e gjithë NIPT-eve aktive apo pasive. Faktikisht, kjo ishte përgjegjësi e administratës dhe mjaftoi një njeri që mori thjesht mundimin të harxhojë tre minuta, duke klikuar tek “Shqiperiaqeduam.al” dhe fati e kërkon që ky njeri të jetë votues i Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe ne të merremi menjëherë me rastin, pasi çdo ankesë apo kërkesë që bëhet në platformë shkon drejtpërdrejt tek ministri përkatës dhe ministri i Financave dhe Ekonomisë menjëherë u mor me rastin. Nga rasti doli përfundimi që këtu nuk kishim të bënim me një individ, por kishim të bënim me 11 mijë gjoba të gjeneruara nga sistemi nisur nga një mangësi e administratës në rastin konkret edhe pse po ta shikojmë me sytë e verbër të “ku ishim e ku jemi”, administrata e bën apo e bënte deri në atë fazë këtë përditësim, në një periudhë kohore të përmuajshme. Atëherë, menjëherë ne bëmë një takim me një grup sipërmarrësish të interesuar lidhur me temën, që i përkasin kompanive të distribucionit të prodhimeve. Nga takimi doli qartësisht, nga njëra anë nevoja për ta bërë këtë listë të përditshme, pra çdo ditë, jo çdo muaj. Çdo sipërmarrje, sot e di që në mëngjes kush janë NIPT-et aktive dhe nuk mundet më që të justifikohet duke i shitur NIPT-eve pasive produkte që pastaj përfundojnë në rrugët e informalitetit e nga ana tjetër doli që 11 mijë gjobat duhet të rishikohen dhe me gjasë të anulohen. Ja pra një akt.

Nëse ky individ, do kishte ndjekur atë rrugën e vjetër, që të fliste me ata, të gjenin gjuhën, siç i thoni ju në atë fjalorin tradicional, mbase do ta gjente gjuhën në rastin konkret, por gjuha brenda do t’i futej gjithë sipërmarrjes që merret me këtë aktivitet.

Shembulli i dytë. Ne kemi problem, të gjithë sëbashku me hipotekat. Unë di t’ju them këtë, që falë faktit që një numër i caktuar qytetarësh që kanë mbetur në dyert e hipotekave me vite, edhe emigrantë, apo me muaj, për të marrë titullin e pronësisë e që e kanë marrë mundimin, 3 minuta, të shkruajnë konkretisht në platformën tonë, 35 punonjës hipotekash, jo janë pushuar nga puna, por janë çuar në Prokurori, sepse për çdo rast ka 10 ditë kohë ministri apo ministrja të bëjë verifikimin. Për çdo rast, në çdo mbledhje qeverie të ditës së mërkurë kur mbarojnë gjithë çështjet e tjera, ndizet ekrani e çdo ministri dhe kalon në ekran sa individë apo kompani janë ankuar, sa e kanë marrë përgjigjen, sa janë në proces e sa janë me vonesë. Po ju them që vonesat janë minimale e faktikisht janë të palidhura me disponibilitetin e ministrave.

Kur rasti tregon që qytetari apo kompania ka të drejtë, nuk mjafton. Sigurisht që qytetari e merr të drejtën e vetë, merr titullin e pronësisë, fillon hetimi se kush janë personat që këtë të drejtë ia kanë mohuar dhe peronat që këtë të drejtë ia kanë mohuar, ikin menjëherë nga puna. Nuk janë më të denjë për t’u paguar nga taksat tuaja e nga taksat e gjithë qytetarëve e një pjesë e tyre shkon pastaj në rrugën e drejtësisë.

Mund t’ju them plot të tjera raste, por nuk dua të zgjatem me këtë, dua vetëm t’ju them që është e padrejtë në raport me gjithë rrugën e mundimeve tuaja, është e padrejtë në raport me këtë vend që e duam të gjithë dhe është e padrejtë në raport me gjeneratën tjetër që ju të gjeni gjuhën me ata që në fakt duhet të jenë shënjestra jonë e përbashkët.

Të gjithë ata që turpërojnë shtetin, të gjithë ata që me veprimet e tyre, me sjelljen e tyre, me qëndrimet e tyre ndaj kompanive, faktikisht shkelin kontratën mes nesh dhe sigurisht, cënojnë rëndë edhe dëshirën tuaj edhe gjithë kompaninë, por cenojnë rëndë ardhmërinë e këtij vendi.

Duke kaluar nga bashkëqeverisja tek një tjetër element, tek derregullimi. Ne jemi në një proces ku faktikisht po transformojmë marrëdhëniet e shtetit me qytetarin dhe me sipërmarrjen duke zhvilluar një proces pastrimi të thellë të gjithë depos së letrave e letrave që shteti kërkon nga sipërmarrja e nga qytetarët. Në datën 7, kemi një konferencë kombëtare ku do të bëhen publike të gjitha licencat, autorizimet, dokumentet që nuk do të ekzistojnë më e ndërkohë edhe shërbimet që do të hyjnë online. Sipas llogarive të bëra deri më tani, janë mijëra vjet pritje të sipërmarrësve apo të qytetarëve për të marrë një fije apo disa fije nga gjithë ky mal me letra, që do të thotë, janë mijëra e mijëra vite pritje përballë parazitëve dhe grabitqarëve të administratës që në këtë mijëra e mijëra vjeçar pritje, brenda një viti, shfrytëzojnë çdo mundësi për të futur duart në xhepin e sipërmarrësve e për të futur duart në xhepin e qytetarëve.

Një gjë është e sigurtë e besoj se do ju pëlqejë të gjithë atyre që merren me import apo eksport. Bashkë me plakat e shkurtit, do treten nga sytë tuaj dhe doganierët. Nuk do shikoni më asnjë doganier. Nuk do shikoni, realisht. Doganierët do kalojnë në prapavijë, në qendër apo në zyra, por nuk do jenë më fizikisht askund. Gjithë procesi i marrëdhënieve me doganën do zhvillohet në mënyrë elektronike, pa letra, pa doganierë.

E kuptoj shumë mirë pse duartrokitet, janë kaq të lodhura sepse ju nuk e besoni dot këtë që po ju them. Që të besojë Agim Zeqo që nuk do shikojë më doganierë në jetën e tij është njësoj si t’i thuash që do ndahesh përgjithmonë nga dikush që nuk e ke dashur kurrë, por që do t’i ndjesh mungesën gjithë jetën. E kam parasysh, por këtu ka plot të tjerë importues dhe eksportues që i pashë që i ngritën duart për të duartrokitur me shumë skepticizëm. Nuk do t’i shikoni më, do ikin me plakat e këtij shkurti!

Ne, do të lançojmë një program konkret, jo një program elektoral se zgjedhjet i kemi fituar dhe në zgjedhje do shkojmë pas katër vitesh. As një strategji nga ato të shoqërisë civile në bashkëpunim me Komisionin Europian e me këto donatorët, për punësimin, por një Program Kombëtar të punësimit konkret, “Maj 2018 – Maj 2021”.

Po punojmë për këtë program që duam patjetër ta shikojmë sëbashku me ju, sëbashku me sipërmarrjen, në çdo sektor. Sa vende pune do të krijojmë në këtë periudhë kohore, si do t’i krijojmë, ku dhe kur. Në të gjithë spektrin e veprimtarisë ekonomike të vendit. Por dy gjëra:

Së pari, ju këtu, shembulli i Beharit e tregon, keni shumë para që nuk i keni në punë. Mendoni seriozisht për turizmin. Është një fushë ku në këto vite do të ndodhë një zhvillim historik. Është një fushë ku Shqipëria është çdo ditë, jo çdo vit, jo çdo muaj por çdo ditë e më tërheqëse për botën që lidhet me turizmin. Është një fushë ku Shqipëria nuk i ka sot kapacitetet për të përballuar kërkesën. Mesatarisht, refuzojmë 25% të kërkesës dhe është një fushë ku politika jonë është shumë agresive dhe në fund fare, është një fushë ku duhet të përgatisni, pleqërinë tuaj, të keni hotelet tuaja.  Kështu që dakord, fëmijët i keni rregulluar, nipërit e mbesat i keni rregulluar, stërnipërit e stërmbesat i keni rregulluar, mendoni tani për pjesën e tretë të jetës, investoni në turizëm.

Kur them turizëm, kam parasysh sigurisht bregdetin, kam parasysh sigurisht politikën e re për hotelet me katër dhe me pesë yje, të jeni të sigurt që do jenë një histori suksesi. Unë isha në Davos dhe janë sot që flasim 35 mijë zviceranë që kanë prenotuar Shqipërinë për këtë sezon. Nuk llogarisim vëllezërit tanë të Kosovës me pasaportë zvicerane, se ata hyjnë tek pjesa tjetër e turistëve. Sot që flasim janë 20 mijë turistë suedezë që kanë prenotuar. Por nuk është vetëm deti, është edhe agroturizmi. Në ditët e ardhshme, me ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural do të prezantojmë programin e ri të agroturizmit. Një program ku do të ftojmë sipërmarrjen të investojë në ato zona të fshatit që mund të jenë padiskutim një magnet shumë i fortë për turizmin dhe sigurisht, përveç se të krijojnë të ardhura, të garantojnë dhe dimërimin tuaj, kur t’ia keni lënë kompanitë komplet kalamajve, siç i la Kujtimi sot “Bletën” djalit.

Me falënderim dhe respekt për të gjithë ju, dua ta mbyll me një fjali të një dijetari francez. Ai thotë, “vetëm në fjalor fjala “arritje”, shkruhet përpara fjalës “punë””. Se është me A. Puna është me P, por gjithçka fillon nga puna dhe alfabeti i suksesit fillon nga P-ja.

Shumë faleminderit!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here