Kreu Aktualitet Planet e Zhvillimit për Beratin

Planet e Zhvillimit për Beratin

177
0

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në prezantimin e projekteve për Qarkun e Beratit:

Mirëmbrëma të gjithëve!

Loading...

Është një moment i rëndësishëm i këtij aktiviteti dyditor të qeverisë këtu në këtë Qark, pasi po flasim për të sotmen dhe të nesërmen e të gjithë zonës, duke pasur parasysh atë çka është bërë dhe atë çka do të bëjmë në funksion të sfidave të mëdha që kemi jo vetëm në këtë zonë, por në të gjithë Shqipërinë, për të zhvilluar ekonominë, për të rritur punësimin dhe mirëqenien në tërësi.

Një fakt është shumë kokëfortë,  që në vitin 2017 u shënua një shifër rekord turistësh për Beratin, një shifër që vetëm do të shkojë në rritje, si një provë kuptimplotë e të vërtetës së thjeshtë, se Programi ynë i Rilindjes Urbane, që këtu në Berat ka pasur një gravitet shumë të rëndësishëm, nuk është një program zbukurimesh, nuk është një program fasadash, por është një program zhvillimi ekonomik, një program që i hap rrugë zhvillimit të industrisë më të rëndësishme për të nesërmen e vendit tonë, që është turizmi, një program që stimulon adresimin e potencialit më të madh që ka Qarku i Beratit, që është turizmi.

Sot jemi në kushtet kur shohim një rritje të konsiderueshme, e cila dua që ta dinë të gjithë banorët e kësaj zone, jo vetëm ata që jetojnë këtu, por dhe ata që janë në emigracion, do të vijë në një rritje të vazhdueshme për më shumë e më shumë infrastrukturë mikpritjeje dhe shtretër për turistët, që do të thotë se po shohim shenja shumë inkurajuese të transformimit të shtëpive trashëgimi kulturore në bujtina, por duhet ende shumë më tepër e do të kërkohet shumë më  tepër. E padiskutim që edhe niveli i kërkesës do të vijë duke u rritur, jo vetëm si volum, por edhe si cilësi, që do të thotë që edhe niveli i ofertës do të marrë rritjen e vet, pra, edhe fitimet nga kjo industri këtu në zonë dhe në gjithë Shqipërinë do të shkojnë duke u rritur për individët, apo për sipërmarrjet që do të investojnë në turizëm.

Patjetër që programi është një program në zhvillim. Këtu ju dëgjuat një sërë projektesh, jo vetëm që janë bërë, por edhe që do bëhen ose do të bëhen realitet në vitin në vijim dhe në vitet e tjera të mandatit tonë. Sepse ne jemi shumë të vetëdijshëm që çka kemi bërë, është shumë në raport me të shkuarën. Fadili që ka drejtuar bashkinë në një periudhë relativisht të gjatë, por dhe shumë të vështirë e di, se çka ne investuam në infrastrukturën e qytetit dhe për të rilindur shpresën e për të risjellë dritën e optimizmit në Berat, është e pakrahasueshme me çfarë është investuar për 20 e kusur vite e me radhë, – pra  është shumë në raport me të shkuarën, por  është shumë pak, në raport me çfarë duhet të bëjmë akoma në bashkinë e re të Beratit e në të gjithë bashkitë e tjera. Sepse potenciali turistik këtu, nuk është vetëm në zemrën e qarkut që është bashkia e Beratit, por është faktikisht deri në pjesët më të thella në kanionet e Skraparit dhe deri në pikat më të larta në majën e Tomorit. 

Prandaj edhe përfitoj nga rasti që ta bëj shumë të qartë që nga njëra anë, ne do të jemi jashtëzakonisht të prerë dhe refuzues ndaj çdo kërkese për të ndërtuar hidrocentrale në pika kaq të rëndësishme me potencial kaq të madh zhvillimi turistik. Ashtu sikundër, do të jemi të prerë në vendosjen e masave drastike për shfrytëzuesit e guroreve sepse nuk ka asnjë justifikim në botë që të mund të kapërcejë domosdoshmërinë e ruajtjes së një pasurie aq të madhe krijuar në shekuj dhe nuk ka asnjë shans që justifikimet dhe arsyet nga më të ndryshmet që mund të shfaqen, të mund të na bëjnë të ndryshojmë mendim në këtë aspekt. 

Patjetër që në Shqipëri mund të ketë e duhet të ketë dhe gurore, por nuk mund të ketë dhe nuk do ketë gurore si ato që e kthyen malin e Tomorit në një skenë barbarie primitive apo si ato që qëndrojnë mbi kokat e fëmijëve të Urës Vajgurore, sot e gjithë ditën. Për të dhënë dy shembuj që janë këtu, se po të shkoj më larg janë dhe guroret e tmerrshme të Krujës dhe gurore të tjera për të cilat masat do të janë drastike, ashtu sikundër do të jetë e domosdoshme që për çdo gurore të përputhet nevoja për fitim me domosdoshmërinë për rehabilitim. Sepse i marrin lejet për të bërë gurore, kanë në kontrata detyrime specifike për të mbjellë pemë e për të rehabilituar mjedisin, por këtë pjesë të kontratës e harrojnë gjithmonë dhe shikojnë vetëm pjesën e parë dhe tek ajo pjesa e parë bëjnë shkelje nga më flagrantet. 

Ne do të fillojmë me projektin e rehabilitimit të guroreve të Krujës. AKBN-ja, që është Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore ka një plan të qartë në këtë drejtim dhe fakti që sot kemi mundësinë të qeverisim vetëm, është edhe një përgjegjësi e plotë mbi vetë ne për t’i dhënë drejtim të gjithë atyre gjërave që për një arsye apo për një tjetër në të shkuarën nuk arritëm dot t’i japim drejtimin e duhur.

Berati ka përfituar 235 projekte në këtë periudhë që ne qeverisim dhe peshën  më të madhe të financimit të brendshëm nga qeveria, e zë infrastruktura rrugore, ku janë financuar 104 projekte. Nga projektet e mëdha, – tw mos harrojmë që këtu deri para 4 vitesh e gjysmë nuk vije dot dhe kur ikje që këtu për të shkuar në Tiranë duhet të mendoheshe 7 herë dhe duhet të merrje përsipër edhe koston për gjithë organet e brendshme nga tundjet e makinës, – tek rruga e re që është në ndërtim e sipër dhe në disa pjesë të saj ka përfunduar, që lidh Cërrikun me Belshin, Urën Vajgurore dhe Kuçovën që janë 35 kilometra rrugë që do të shkurtojnë ndjeshëm lidhjen e Beratit me Tiranën, duke e bërë shumë më të shpejtë nëpërmjet Elbasanit, – dhe tek një sërë rrugësh të tjera më pak të dukshme për nga madhësia, por shumë të rëndësishme për sa thashë më lart dhe për shumë komunitete.

Ajo që vlen të theksohet është se paralelisht kemi financuar edhe jo pak projekte për kulturën, duke pasur parasysh se restaurimi dhe konservimi janë po kaq të rëndësishme sa dhe rrugët në një zonë si kjo sepse në fund të fundit janë të lidhura me një nga arsyet themelore pse turistët do të vijnë gjithmonë e më të shumtë në këtë zonë.

Në Berat ka histori të rëndësishme transformimesh për sa i përket infrastrukturës së mikpritjes. Transformime që çelin perspektiva ekonomike për familjet që angazhohen në këto transformime, por që në të njëjtën kohë kanë dhe një rol shumë të rëndësishëm në mbrojtjen dhe mirëmbajtjen e godinave që transformohen. Kjo është pjesë edhe e projektit të ri, e programit të ri që ne kemi marrë tanimë, rrugën, për të zhvilluar në bashkëpunim me Bankën Botërore. Ju e dëgjuat nga drejtori i FSHZH në detaje se çfarë është ky program e unë nuk dua të zgjatem më tutje. Ashtu sikundër, dua të theksoj që paralelisht për ne është shumë e rëndësishme të forcojmë kontrollin mbi territorin në gjithë këtë zonë, duke filluar nga mjedisi i pastër. 

Sot, kur po vija rrugës, më dërgoi dikush një shpërthim të kazanit dixhital me pamjen e fushës ku hidhen plehrat. Është shumë interesant fakti që ata që i lanë plehrat rrugëve për shumë e shumë vite, ata që i lanë guroret pa kontroll për shumë e shumë vite, ata që i lanë shumë plagë të hapen për shumë e shumë vite, për të shkuar deri tek plaga e madhe e familjeve që jetojnë me ndihmë ekonomike, sot janë ata që fluturojnë mbi gjithë këto plagë tamam si zogjtë e korbit për të tronditur miletin me “krra-krra”-të e tyre Ndërkohë që njerëzit nuk janë aspak budallenj dhe kush i merr për budallenj sigurisht paguan në fund. Njerëzit e dinë që të gjitha këto janë situata të rënda të trashëguara që ne po i adresojmë. E sot këtu me shumë respekt mirëpritëm dhe një përfaqësues të njërit prej donatorëve më të rëndësishëm në këtë vend, që është Zvicra, sepse në bashkëpunim me qeverinë zvicerane, ne do të adresojmë dhe problemin e plehrave. Ai mal me plehra që është 20 e kusur vjeçar do të rrafshohet dhe në vend të tij do të krijohet një zonë ku mbetjet do të trajtohen me standarde e nuk do të jenë më burim ndotje, por do të eliminohen sipas standardeve.

Nga ana tjetër, sot në Berat, ne kemi një situatë shumë herë më të mirë edhe të rendit publik sesa në të shkuarën dhe nuk flas vetëm për të shkuarën e lagët, por edhe për të shkuarën e para 4-5 viteve, që do të thotë se kemi një forcë policore, e cila ka sot edhe një përgjegjësi më të madhe në kontrollin e territorit, por edhe një kapacitet më të madh për të qene prezente kudo ku cenohet ky territor, që është shumë i rëndësishëm në çdo aspekt për zhvillimin ekonomik, pasi, e përsërit, turizmi është një industri që sapo ka nisur të zhvillohet realisht në vendin tonë dhe që sapo ka nisur të marrë frymë realisht, këtu në Berat.

Nuk po zgjatem me projektet e mëdha të infrastrukturës për të cilat foli edhe ministri, qoftë të infrastrukturës energjetike, qoftë të infrastrukturës rrugore, projekte që kanë nisur, apo që do të nisin në vitet në vijim, por dua të ndalem tek një tjetër fushë e rëndësishme e veprimtarisë ekonomike në zonë, që është bujqësia.

Ne kemi ndryshuar rrënjësisht qasjen. Kemi një politikë të re të mbështetjes së fermerëve. Sot, me ne, këtu në Berat janë edhe 250 studentë të Universitetit Bujqësor, të cilët prej 10 ditësh janë kthyer në aleatët tanë, për të përçuar mesazhin në të gjithë territoret ku punohet në bujqësi dhe për të zbërthyer në detaje këtë mesazh të ri për të gjithë ata që duan të marrin mbështetje nga shteti për të investuar dhe për të punuar në fshat.

Është një mesash i ri në kuptimin e ndershmërisë dhe transparencës në shpërndarjen e subvencioneve. Është një mesazh i ri në kuptimin e vizionit të zhvillimit të bujqësisë dhe të instrumenteve të zhvillimit, që do të thotë se ka një sërë elementësh që duhen ditur paraprakisht dhe këtu ka nevojë për informim. Për këtë arsye, ne kemi kërkuar ndihmën e këtyre agronomëve të së nesërmes, që janë sot studentë në Universitet, me shpresën që, duke u shkëputur nga auditori dhe duke ardhur tek toka dhe shtrënguar duart e fermerëve, të fillojnë të marrin atë erën e domosdoshme të tokës dhe do të jenë nesër, kontribuues aktivë në këtë proces.

Por e rëndësishme është që ne, për këtë vit kemi fondin më të madh të mbështetjes financiare për të gjithë ata që duan realisht të zhvillojnë ekonominë e tyre në fshat, që duan ta zhvillojnë atë jo duke qëndruar si ujq të vetmuar dhe duke bërë secili çfarë i teket. Mund ta bëjë, por do të jetë i detyruar ta bëjë në vetmi, sepse ne nuk do mbështesim vetmitarët. Ne do mbështesim ata që organizohen, do mbështesim ata që bashkohen, ata që sjellin më shumë eksport, që sjellin më shumë zhvillim dhe që sigurisht, në këtë mënyrë fitojnë dhe më shumë vetë. Për këtë arsye kemi hequr edhe detyrimin e pagesës së Taksës mbi Vlerën e Shtuar për bashkimet, pra, për shoqëritë e bashkuara, që do të thotë se ata, tanimë duke u bashkuar nuk janë të detyruar të paguajnë asnjë taksë, ashtu sikundër kush është i bashkuar merr shumë më tepër financiarisht, sesa kush rri i ndarë. Tek të ndarët ka dy kategori: Të ndarët që duan të vazhdojnë të kultivojnë produkte që nuk kontribuojnë në eksport, produkte që nuk kanë treg të garantuar dhe të ndarët që kultivojnë produkte që kontribuojnë në eksport dhe që garantojnë treg.

I them këto të gjitha, sepse e di mirë që këtu ka shembuj të jashtëzakonshëm suksesi në këtë fushë, ashtu sikundër e di mirë që potenciali është shumë herë më i madh, sesa çfarë është mbërritur deri më sot. Kështu që shembujt janë. Kush do të mësojë nga ata shembuj, siç mësojmë ne prej tyre, e ka shumë të thjeshtë, sepse janë këtu, midis jush. Nuk janë në ndonjë vend tjetër të kontinentit dhe në këtë mënyrë, duke mësuar prej tyre, ai të marrë dhe më shumë mbështetje financiare prej nesh. 

Po ashtu, në Berat, ne shohim një potencial të rëndësishëm për të zhvilluar agroturizmin. Programi i lançuar nga ministri i Bujqësisë dhe i Zhvillimit Rural për “100 fshatrat”, që është në fakt, jo një kufizim në vetëm 100 fshatra i rrugës së zhvillimit, por është një vizion, një model për t’u ndjekur edhe nga të tjerët, përshin këtu, Qafë Dardhën, Roshnikun, Kozarën, Kapinovën, Blezënskën dhe Malasin, si fshatra të përzgjedhur, por në të njëjtën kohë, në javët në vijim, së bashku me ministrin e Financave dhe me ministrin e Bujqësisë, ne do të lançojmë edhe incentivat, pra, lehtësimet nga taksat për të gjithë ata që do të investojnë në agroturizëm.

Fshati nuk është vetëm vend ku duhet të prodhosh, duhet të kultivosh, duhet të grumbullosh, duhet të shesësh, apo duhet të merresh ose me bujqësi, ose me blegtori. Fshati shqiptar është vendi ku mund të bësh sukses, mund të bësh para, mund të bësh ekonomi për vete dhe për vendin me agroturizëm, duke transformuar shtëpinë tënde, pronën tënde, duke investuar bashkë me të tjerë në zhvillimin e një prone për ta kthyer në një bujtinë, në një hotel rural me një fermë rreth e rrotull, sipas standardeve që tanimë, Ministria e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural i ka përcaktuar dhe mbi bazën e këtyre standardeve, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit do të japë certifikatat dhe me këto certifikata, ata që do investojnë në agroturizëm do të marrin edhe lehtësimet e tyre nga taksat. Ne jemi duke përfunduar këtë projekt. Në pak javë do ta lançojmë dhe do ta bëjmë shumë të qarë.

Thirrja ime për të gjithë sipërmarrësit, çfarëdolloj sipërmarrjeje që kanë, që kanë para mënjanë dhe që tradicionalisht i kanë investuar në pallate, ose në blerje apartamentesh, është që të shikojnë agroturizmin. Të shikojnë këtë rrugë të re që është provuar, sprovuar e stërprovuar në vende të tjera, si Italia fqinje, apo Greqia që ka filluar të hyjë në këtë rrugë, se është një industri suksesi ekonomik dhe social, se krijon kushte për familje që deri dje janë marrë me blegtori dhe që sot e kanë shumë të vështirë të vazhdojnë të merren me blegtori në pozicionin ku janë, që duke u marrë me agroturizëm të bëjnë sukses.

Për më tepër, kur flasim për qytetin, kur flasim për kanionet, kur flasim për pikat e ndryshme me interes të madh për shkak të trashëgimisë kulturore, kini parasysh se flasim për pika tërheqëse për turistë që do të ishin mëse të lumtur që të zgjasnin qëndrimin e tyre në këtë zonë, për të shkuar edhe në një agroturizëm tjetër, për të shijuar drejtpërdrejtë edhe jetën e përditshme të fshatit, kuptohet, në kushte të një mikpritjeje që garanton standarde ushqimi, standarde fjetjeje, standarde argëtimi e kështu me radhë. Kjo është plotësisht e mundur dhe unë jam i bindur që kjo do të jetë një nga shtysat e rëndësishme të zhvillimit në fshat në vitet që vijnë.

Ne kemi bërë jo pak, por sigurisht shumë pak në raport me atë që duhet. Të jemi të qartë, kemi bërë jo pak, në raport me të shkuarën, për arsimin, për shëndetësinë. Spitali i Beratit, sot ka përfituar nga një sërë investimesh dhe është në një situatë të ndryshme rrënjësisht nga çfarë unë e kam parë 4 vite më parë, por ne kemi një borxh për të shlyer ndaj të gjithë atyre që dashurohen dhe martohen në Berat dhe që kur bëjnë fëmijë duhet t’i bëjnë në Maternitetin e Beratit, sepse ju e dini si shkoi puna e maternitetit. Nga maternitet u bë UFO dhe pastaj u katandis puna që për të lindur një fëmijë duhej marrë rruga e shkuar tutje. Është një zotim që e kemi dhënë dhe është një zotim që jam i bindur që do ta mbajmë, sepse është një kërkesë normale dhe një mungesë anormale prej shumë kohësh këtu në këtë qytet.

Në fund, me shumë emocion, ne nënshkruam një kontratë shumë të rëndësishme, në këndvështrimin tonë historike, për sektorin e naftës, një kontratë të re me kompaninë SHELL në zonën e Shpiragut, ku kompania SHELL është në një proces eksplorimi dhe falë kësaj kontrate që është e para kontratë me kompaninë SHELL në vendin tonë dhe që është një investim i huaj direkt shumë i rëndësishëm, eksplorimet do të shtrihen dhe në Bllokun 4. Presim fundin e vitit për të marrë rezultatin e eksplorimeve në blloqet 2 dhe 3, duke pasur shumë arsye të besojmë se do të jetë një rezultat kuptimplotë, jo vetëm për Beratin, por për të gjithë Shqipërinë dhe për të ardhmen e këtij vendi, pasi ka shumë arsye për të besuar se jemi përballë një zbulimi të rëndësishëm. Është zbuluar naftë e një cilësie të lartë. E gjithë çështja është për të testuar komercializimin e saj, për të testuar, nëse kostoja e eksplorimit ia vlen të gjithë ecurinë e mëtejshme për komercializimin dhe tregtimin e kësaj rezerve. Nëse kjo do të jetë e vërtetë, atëherë do të kemi një ndryshim të madh, sistemik në sektorin e naftës dhe të gazit në Shqipëri dhe Shqipëria do të pozicionohet menjëherë në një tjetër nivel ndër vendet që kanë burime naftë dhe gazmbajtëse. Unë kam shpresë, por le të presim përfundimin e këtij procesi testimi që po kryhet tani në bllokun 2 dhe 3. Ajo që bashkë me ministrin duam të besojmë është që përderisa ata pa pritur përfundimin e testimit kërkuan dhe firmosën kontratë në Bllokun 4, në ndërkohë që kanë ndërprerë pjesën dërrmuese të programit të tyre të eksplorimit nëpër botë, – të mos harrojmë që është një kompani, e cila ka një buxhet vjetor 35 herë më të madh sesa Prodhimi i Brendshëm Kombëtar i Shqipërisë, pra nga pikëpamja e vlerës financiare është si të thuash midis Christiano Ronaldos dhe lojtarëve të Tomorit të Beratit.

Shumë faleminderit për vëmendjen!

Le të vazhdojmë të punojmë së bashku për Beratin që duam, për Skraparin që duam, patjetër, për Urën Vajgurore, për Kuçovën pa as më të voglin diskutim dhe sigurisht, edhe për Poliçanin që më në fund vendosi paqen me Baba Tomorin.

Faleminderit!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here