Kreu Aktualitet Qeveria mblidhet në Berat

Qeveria mblidhet në Berat

214
0

Komunikimi i Kryeministrit Edi Rama me median, pas mbledhjes së qeverisë në Berat:

Mirëmbrëma!

Shikoj që paskeni ardhur edhe nga Tirana. Keni bërë shumë mirë, se Berati është bërë shumë më i bukur seç ka qenë kur kemi qenë herën e fundit.

Ne jemi këtu, në kuadër të angazhimit që çdo muaj qeveria mblidhet në një qark. Mblidhet në një qark për një arsye shumë të thjeshtë, por në këndvështrimin tim dhe të rëndësishme, për të adresuar problematikat e qarkut përkatës, për të diskutuar dhe ndarë me publikun në qark programet e zhvillimit të qarkut përkatës. Në vijim të ditës së sotme, ne kemi një prezantim publik për portofolin e qarkut të Beratit, kështu që nuk po zgjatem më tutje në këtë aspekt, pasi do t’i dedikohet një hapësirë dhe një kohë e veçantë dhe patjetër ju mund të bëni edhe pyetjet tuaja që lidhen po me qarkun ku ndodhemi sot.

Nga ana tjetër, qeveria ka pasur në fokus disa vendime që synojnë të rrisin cilësinë e ndërveprimit midis agjencive të qeverisë, pushtetit vendor dhe qytetarëve në funksion të këshillimit profesional, shërbimeve sociale dhe punësimit. Për këtë arsye është miratuar dhe krijimi i fondit social që shkon në drejtim të decentralizimit të shërbimeve sociale. Por jo vetëm kaq, bën të mundur krijimin e një fondi të përbashkët mes bashkive dhe qeverisë dhe të gjitha ato financime që deri më sot janë bërë në mënyrë të drejtpërdrejtë nga qendra pra, nga lart, nga qeveria në komunitet, tani janë në dispozicion të atyre që aplikojnë për të marrë pjesë në këtë proces për të dhënë shërbime sociale, për të ngritur qendra të shërbimit social, gjë që nuk është një shpikje e jona, është një eksperiencë dhe një praktikë e mirë në shumë vende, edhe në rajon dhe që ne besojmë se do të na japë një përmirësim të ndjeshëm në këtë aspekt. Qeveria pra autorizon bashkitë për të ngritur shërbimet sociale sa më pranë nevojave dhe sa më pranë kërkesave specifike të komuniteteve dhe të qytetarëve e në çdo bashki.

Së fundi, kemi diskutuar edhe për statusin e Shërbimit Kombëtar të Punësimit, si dhe për programin kombëtar të punësimit, që është një sfidë e madhe e qeverisë dhe që ka nisur të hartohet bazuar në programin tonë qeverisës, por jo si strategji, as si një projekt qëllimmirë me objektiva të caktuara, por jo të detajuar në çdo aspekt, por si një program i mirëfilltë dhe i detajuar sektor për sektor i punësimit, që ne kemi objektivin ta lançojmë publikisht në pranverë. Për këtë Program Kombëtar të Punësimit 2018-2021, ne kemi ndërtuar një rreth të konsiderueshëm të mirëbesueshëm me ekspertizë të huaj me Bankën Botërore, me donatorë të tjerë dhe sigurisht me ekspertizën më të mirë vendase si dhe me të gjitha ministritë e përfshira në procesin e punësimit.

Këto ishin ato që mund të them nga mbledhja që sapo përfunduam, ndërkohë që pyetjet tuaja jam i bindur do të plotësojnë edhe interesimin për këtë pjesë të parë të aktivitetit tonë.

-Unë doja të trajtoja një shqetësim të hasur këtë javë në Qarkun e Beratit në lidhje me firmat e nxjerrjet të gurit dekorativ në malin e Tomorit. Në janar të këtij viti këto firma pas një inspektimi të bërë nga ministri Klosi u pezulluan. Brenda kësaj jave sipërmarrësit së bashku me punëtorët kanë dalë dy herë në protestë dhe dje bllokuan edhe rrugën nacionale Berat – Skrapar përreth një orë. Çfarë masash do të ndërmarrë më tej qeveria në lidhje me këto firma që pretendojnë se në nëntor të 2017-ës janë pajisur me lejet e licencat përkatëse nga çdo ministri?

Kryeministri Edi Rama: Ato mund të pretendojnë atë që shohin të arsyeshme. Ajo që ne nuk pretendojmë, por që kemi vlerësuar duke konstatuar në terren përputhshmërinë e aktivitetit për të cilin këto kompani kanë marrë lejen, me klithmën e malit të Tomorit nga kafshimet barbare të këtyre kompanive, mjafton për t’iu thënë atyre që bllokojnë rrugën se, nuk ka shans që ne t’i hapim më rrugë kësaj barbarie.

Ashtu sikundër, – faleminderit për pyetjen, – sepse, ndërkohë, ministri i Turizmit dhe Mjedisit i cili udhëheq programin tonë ambicioz të rigjelbërimit të të gjitha territoreve të kafshuara dhe të masakruara në vite me shumë prioritet po ndjek gurore për gurore, jo vetëm në Qarkun e Beratit, por në të gjithë Shqipërinë këtë përputhshmëri. Kemi bllokuar edhe gurore të tjera.

Do vazhdojmë të bllokojmë gurore. Çdo kompani, çdo sipërmarrje që kërkon të shfrytëzojë malet dhe kodrat për të nxjerrë gurë duhet në të njëjtën kohë të zbatojë rigorozisht të gjitha standardet e kontratave, sepse kontratat janë të qarta dhe standardi është i qartë:

Nuk mundet të kafshosh, të gllabërosh dhe të ikësh!

Paralelisht duhet të rehabilitosh, të ripërtërish!

E njëjta situatë me guroret në Urën Vajgurore.

Ju e dini këtë, sepse jeni këtu, një katastrofë 100 metra larg zonës së banuar.

Një shpifje për të gjithë fëmijët që nuk mundet të rriten më tutje, duke asistuar këtë shembull flagrant të shkeljes së të drejtës së tyre dhe të të drejtës së këtij vendi, jo për sot, por për shumë e shumë vite që vijnë, edhe kur ne të mos jemi më vërdallë.

Kështu që, është shumë i qartë mesazhi ynë! Zbatimi me përpikmëri i standardeve është objektivi ynë i panegociueshëm!

Mali i Tomorit është një pasuri e madhe, siç janë malet e Krujës.

E njëjta gjë do të ndodhë edhe aty. Aty së shpejti do të prezantojmë së bashku me ministrin, nesër kemi një takim të posaçëm, planin e rehabilitimit.

Krujën e Skënderbeut të kafshuar nga barbaria e tranzicionit, ne nuk mund ta tolerojmë më, sepse marrim pjesë pastaj në turpin e përbashkët kombëtar të të gjithë qeverive të tranzicionit. E gjithë ajo pllajë do të rigjelbërohet. Projekti është gati. Ne do të vazhdojmë me rigjelbërimin. Nuk do të lejojmë më shfrytëzimin e asaj faqeje të malit, duke iu propozuar të gjitha kompanive që plotësojnë kriteret të tjera zgjidhje që edhe ato të punojnë, por që Shqipëria të mos sakatohet.  

Pas anulimit të HEC-eve në Osum, a mund të na thoni nëse do të ketë licenca të tjera në koordinata të tjera? Apo nuk do të ketë HEC-e fare mbi Osum?

Kryeministri Edi Rama: Ne jemi absolutisht të vendosur që të përballemi me të gjitha minat që janë vendosur në rrugën tonë në të shkuarën. Ka shumë mina në çdo hap, në çdo sektor. Por, nga ana tjetër, jemi edhe më të vendosur, më të vëmendshëm dhe më të vetëdijshëm që ne nuk do t’i vëmë më asnjë minë Shqipërisë në asnjë sektor, që do të thotë se, me HEC-et e trashëguara, pra me të drejtat e trashëguara ka gjithmonë probleme, siç ndodhi me Valbonën, ku ne e minimizuam atë që pritej të ndodhte për shkak të një serie lejesh të dhëna, por nuk arritëm dot ta neutralizonim plotësisht sepse përndryshe do të përballeshim pastaj me një histori gjyqesh e arbitrazhesh që mund të na kushtonin shumë herë më rëndë, përveçse edhe rikthimin e të drejtës për të vazhduar këtë histori.

Kështu që, ne nuk do lejojmë asnjë lloj vepre industriale, aty ku cenohet e ardhmja e industrisë kryesore të këtij vendi që është turizmi. Patjetër që kjo nuk do të thotë që nuk do ndërtohen më Hec-e në Shqipëri, por do të jemi shumë të vëmendshëm dhe do të veprojmë me vetëdije të plotë kombëtare.

Ndërkohë, Ministri i Turizmit dhe Mjedisit po udhëheq edhe një tjetër proces, krijimin e hartës së Parkut Kombëtar të Vjosës për të ndarë përfundimisht pjesën ku nuk do të ketë asnjë ndërhyrje, nga pjesa ku është ndërhyrë apo ku mund të ketë, – nuk e di nëse në të ardhmen do të duhet se nuk është se kemi ndonjë zhvillim të kësaj natyre në horizont, – zhvillime të tjera të natyrës që lidhet me industrinë elektroenergjitike.

-Zhvillimi i qytetit të Beratit, por jo vetëm, por i gjithë qarkut tashmë duket se po shkon qartë drejt turizmit. A do të kemi më tepër projekte?

Kryeministri Edi Rama: Pas pak, ne do të kemi prezantimin publik kështu që jeni e ftuar që të merrni pjesë. Ajo që është e rëndësishme të theksohet është se Rilindja Urbane në Berat, ashtu si dhe në shumë zona të tjera të vendit, ka dhënë provën ulëritëse, kundër të gjithë atyre që kanë vënë kujën për Programin e Rilindjes Urbane si një fasadë, sepse pikërisht pse ne kemi çuar përpara programin e rilindjes urbane këtu në Berat, kemi dhe një rritje si asnjëherë më parë të turizmit. Kemi dhe një rritje si asnjëherë më parë të interesit të vetë pronarëve të godinave historike për t’i kthyer ato, nga ngrehina që rrezikonin të shembeshin apo ishin në rrënim të vazhdueshëm, në bujtina për industrinë e turizmit.

Patjetër që do të vazhdojmë dhe patjetër që do të mbështesim të gjitha projektet nga kufiri, ku kapërcehet si të themi në qarkun e Beratit,  deri në kufirin më të largët të tij, matanë kanioneve.

Ndërkohë, para se të vinim këtu, unë pashë rrugën e re që lidh Cërrikun me Urën Vajgurore, e cila është në një proces shumë të mbarë dhe që së shpejti do të garantojë një shkurtim të rëndësishëm të kohës për të shkuar e për të ardhur nga Tirana. Por jo vetëm kaq, garanton dhe një lehtësim shumë të ndjeshëm për të gjithë fermerët e zonës dhe për qarkullimin e gjithë prodhimeve që ka qenë një problem shumë i madh në atë zonë, pasi rruga ishte një shteg i pakalueshëm.

Bëhet fjalë për 35 kilometra rrugë të re në këtë zonë dhe në anën tjetër, në një zonë të qarkut të Elbasanit, nga Cërriku në Belsh dhe pastaj më tutje për të ardhur deri në Urën Vajgurore në Kuçovë.

-Meqë jemi tek rrugët, qyteti i Beratit është në UNESCO që prej korrikut të 2008 dhe për të ruajtur këtë trashëgimi duhen eliminuar makinat e tonazhit të rëndë. A ka një projekt për një by-pass për qytetin?

Kryeministri Edi Rama: Është një diskutim i kahershëm. Është një domosdoshmëri, ka koston e vet, por patjetër që është një ndër objektivat për t’u realizuar dhe është një objektiv strategjik për zhvillimin e Beratit turistik. Jam shumë dakord me ju.

-Çfarë do të bëhet me familjet që kanë dalë nga skema e ndihmës ekonomike?  Siç dihet që kohët e fundit është bërë një problem.

Kryeministri Edi Rama: Është bërë një problem në kuptimin që ka një manipulim të madh politik. Ndërkohë që skema është e njëjta skemë e cila u pilotua për 2 vjet në tre qarqe, në Tiranë,  Elbasan dhe Durrës, që nxori 19.100 abuzues vetëm në tre qarqe dhe që tani shtrihet në të gjithë Shqipërinë. Nëse skema pati sukses në këto tre qarqe, nuk ka pse të mos ketë sukses në të gjithë Shqipërinë për të ndarë ata që merrnin ndihmë ekonomike dhe janë mijëra e mijëra të tillë, padrejtësisht, me ata që meritojnë ndihmën ekonomike.

Ndërkohë ka dy elementë. Skema është e ftohtë. Pra është kompjuterike. Nuk është skema e dikurshme kur kemi parë gjëra skandaloze, deri në nivelin që këshilli i tërë bashkiak i Kukësit i jepte ndihmë ekonomike vetes së vet, për çdo anëtar. Kjo, për të sjellë një rast ekstrem. Por ka, siç është pranuar dhe është ditur që në fillim, edhe nga vetë ekspertët e Bankës Botërore, se është një projekt i përbashkët me Bankën Botërore, një institucion lider në luftën kundër varfërisë, -marzhin e vet të gabimit.

Pikërisht se skemat kanë marzhin e vetë të gabimit, ka një proces riverifikimi dhe rivlerësimi dhe jemi në këtë proces. Pra, patjetër që ka raste që nuk përputhet rezultati që ka dhënë skema me nevojën e një familje apo një familje tjetër dhe këto familje të gjitha, do të gjendet rruga për t’i përfshirë në skemë. Ka raste të tilla patjetër, por jam i bindur që në këtë fazë do të shikoni përditë histori manipulimi, mendoj mizorisht politik, me këto raste. Ne jemi të vetëdijshëm për këto raste e për këtë arsye po bëjmë këtë proces verifikimi dhe rivlerësimi.

Nga ana tjetër, ne kemi dyfishuar fondin që i shkon bashkive. Pra, nga 3%, bashkive i kemi dhënë 6%, që mund vetë t’i përdorin pa u kushtëzuar nga kriteret e skemës kombëtarë për të përfshirë në programin e ndihmës, familje që bashkia vlerëson se meritojnë ndihmën ekonomike.

Ama 70% e atyre që kanë pretenduar të përfshihen e nuk janë përfshirë në skemë, janë persona nga 24 deri në 45 vjeç, plotësisht të aftë për punë dhe unë nuk mund ta pranoj që investime të kryera, – po marr shembuj në zonën e Delvinës, për fabrika, – të rrezikojnë të falimentojnë për shkak se nuk shkon njeri të punojë.  E nga ana tjetër, ata që janë të aftë për punë, të kërkojnë ndihmë ekonomike, ndërkohë që iu ofrohet punë. Unë nuk mund të pranoj që një investim i kësaj natyre të jetë ndoshta i falimentuar sot, në Skrapar, ku vendet e punës janë të lira dhe mbeten bosh pasi nuk pranojnë të punojnë. Unë nuk mund të pranoj që e njëjta gjë të ndodhë në Gjirokastër dhe po kështu kudo tjetër. Po flas për raste konkrete, investimesh konkrete, fabrikash konkrete që nuk arrijnë dot të vihen në punë ose që punojnë komplet jashtë çdo lloj mundësie për të mbijetuar sepse njerëzit nuk duan të punojnë. Këtë nuk mund ta pranoj.

Mund të më thonë, “pse të shkoj unë të punoj për 300 mijë lekë apo për 350 mijë lekë apo pse do shkoj unë të punoj për 400 mijë lekë”. Kemi rastin e një fabrike në Durrës, ku rrogat janë 450 mijë lekë dhe ka plot vende bosh. Sigurisht që nuk është një rrogë si e imja apo si e juaja, por është pesë, gjashtëfish dhe shtatëfish më shumë se sa mesatarja e ndihmës ekonomike.

Atëherë, nëse më thua që unë dua të marr 50 mijë lekëshin e mesatares, – se ndihma ekonomike mund të shkojë deri në 110 mijë lekë për familje që plotësojnë kriteret, por po marr mesataren, – e të rri në kafene e të mos shkoj në punë, unë them më vjen shumë keq, por kjo nuk është e mundur sepse ajo mesatare minimale është për familjet që realisht janë në nevojë. Nuk është për ty që je 25 vjeç, që je 30 vjeç, që je 35 vjeç, që je 40 vjeç dhe që nuk do të punosh. Kjo është përgjigja ime.

-Si e vlerësoni qëndrimin e Presidentit Meta në lidhje me kërkesën e Ministrisë së Jashtme për autorizim për plotfuqi në negociatat me Greqinë?

Kryeministri Edi Rama: Unë ndaj me Presidentin të gjithë dashurinë për kanionet dhe të gjithë vëmendjen që kanionet të jenë një nga pikat më intensive të zhvillimit të turizmit dhe të ekonomisë së Beratit. Për sa i përket pyetjes suaj,  besoj se unë e kam dhënë përgjigjen time dhe nuk i heq asnjë presje. Nëse ju keni ardhur deri këtu, për të nxjerrë një lajm se ka një problem mes meje dhe presidentit, është vendi më i gabuar për ta bërë këtë sepse jemi jo larg kanioneve e mbi të gjitha unë kam dhe detyrimin e mirënjohjes ndaj presidentit që më ka prezantuar me kanionet dhe falë ftesës së tij, kam bërë dhe rafting për herë të parë. Ju ftoj edhe juve që të vini, sapo të fillojë koha e rafting dhe të bëni edhe ju rafting, siç kam bërë unë. Atëherë do kuptoni se pse përgjigja ime këtu nuk është aspak ironike dhe aspak për t’i ikur pyetjes tuaj, por është e vetmja përgjigje që unë mund të jepja përderisa erdhët deri këtu për Presidentin.

Faleminderit!

 ​

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here