Kreu Aktualitet Punësimi nga Zyrat e Punës, rezultate tejet inkurajuese për muajin mars

Punësimi nga Zyrat e Punës, rezultate tejet inkurajuese për muajin mars

145
0

Fjala e kryeministrit Edi Rama gjatë prezantimit të rezultateve të punësimit nga Zyrat e Punës, gjatë muajit mars:

Mirdita!

Sot, ne jemi mbledhur për të ndarë me ju edhe me publikun rezultatet e muajit mars, një proces që ka nisur me shumë energji dhe me shumë këmbëngulje pas fillimit të zbatimit të reformës së ndihmës ekonomike. Kjo është një praktikë që do ta zhvillojmë rregullisht çdo fund muaji për të informuar edhe publikun për rezultatet në betejën për punësimin që bëjnë zyrat e punës në të gjithë Republikën, pra nuk flasim për punësimin në tërësi, por flasim vetëm për punësimet që kryhen nga zyrat e punës.

Dua ta filloj nga rezultati i muajit mars: 1396 persona që kanë filluar punë!

Është një rezultat shumë inkurajues po të kemi parasysh rolin që kanë luajtur zyrat e punës, sepse bëhet fjalë për 1396 persona, të cilët kanë filluar punë falë zyrave të punës. Nuk flasim për të tjerë.

Një tjetër e dhënë shumë e rëndësishme që është nga njëra anë, një e dhënë që rrit potencialin e rezultatit për zyrat e punës, por nga ana tjetër është edhe një e dhënë që e bën sfidën edhe më të madhe, është e dhëna që në muajin mars kemi 23% më shumë vende pune të deklaruara nga bizneset për zyrat e punës. Pra është rritur volumi i mundësive, por kalimi nga mundësia tek fakti, ka në mes të gjithë punën ndërmjetësuese këmbëngulëse që duhet të bëjnë Zyrat e Shërbimit Kombëtar të Punës.

Për këtë arsye janë vendosur në mënyrë precize edhe objektivat për çdo zyrë pune në të 61 bashkitë e Republikës dhe për çdo drejtor dhe punonjës, objektiva, të cilat do të maten çdo muaj.

Kush do të përmbushë objektivin do vazhdojë punën, kush nuk përmbush objektivin do t’i hapë krahun dikujt tjetër që të vijë dhe të përmbushë objektivin. Mbi bazën e këtyre objektivave është vendosur edhe shënjestra e 25 mijë të punësuarve që janë të regjistruar si punëkërkues të papunë, në zyrat e punës, nga zyra e punës. 25 mijë njerëz që kanë dalë nga ndihma ekonomike, apo jo dhe që janë të gatshëm të punojnë, duhet të hyjnë në punë vetëm nga zyrat e punës. Është plotësisht e realizueshme. Muaji mars na e tregon këtë. Në muajin mars jemi brenda objektivit dhe natyrisht shënjestra do të shkojë duke u vështirësuar, por edhe e gjithë puna që po bëhet për një shtysë të re dhe të fortë të Shërbimit Kombëtar të Punësimit do të mundësojë që ky objektiv me patjetër të realizohet.

Është shumë e qartë që nuk është e lehtë për 1001 arsye, por një ndër arsyet është se ka vështirësi psikologjike në radhë të parë nga njerëz të mësuar për një kohë të gjatë që të marrin atë ndihmën ekonomike që është një skemë e konceptuar qysh në gjenezën e saj në botën ku ne jetojmë, si një skemë afatshkurtër dhe jo si një skemë e përjetshme, por nga ana tjetër, dihet që pasoja e parë që krijon qëndrimi për një kohë të gjatë në skemë është një lloj mpirjeje dhe një lloj humbje motivimi për punë. Kështu që, kjo e bën pak më të vështirë sesa për subjektet e tjera të gjithë procesin e ndërmjetësimeve dhe të bindjes. Megjithatë, rezultatet nuk janë aspak dekurajuese. Përkundrazi, janë shumë inkurajuese edhe në këtë aspekt.

Padyshim që sfida e punësimit është një sfidë që ka një kompleksitet dhe fillon nga kapacitetet e vendit për punë, jo thjesht sa njerëz duan punë, por sa njerëz e kanë kapacitetin, e kanë kualifikimin, i kanë aftësitë për punë. E në një vend ku për 20 e kusur vite nuk u bë arsim profesional, nuk u zhvilluan aftësitë për punë, por u shpërndanë diploma shumë e për lumë, përballemi me një pasojë që është në sytë e të gjithëve, por në të njëjtën kohë ama, nevoja për të adresuar këtë pasojë na ka çuar në një riformatim të skemës së nxitjes punësimit për të vënë një theks shumë më të fortë tek trajnimet. Janë 10 mijë mundësi, 10 mijë njerëz që duan të punojnë dhe që në momentin e parë refuzohen nga punëmarrësit për shkak se nuk kanë aftësinë për punë, në kuptimin, jo fizik, por në kuptimin teknik profesional i kanë të hapura dyert edhe me pagesë.

Ne do t’i paguajmë ata, të cilët duan punë dhe të cilët janë të gatshëm që për ta marrë punën, të trajnohen. Do t’i paguajmë e do t’i paguajmë me më shumë se sa mesataren e ndihmës ekonomike. Do t’i paguajmë me gjysmën e pagesës së papunësisë dhe me një shumë që është e barabartë faktikisht me atë që marrin mesatarisht të gjithë nga ndihma ekonomike. Që do të thotë që në vend që të rrinë në shtëpi, në vend që të rrinë të presin që puna t’ju vijë te shtëpia, mund të marrin pagesën e të shkojnë të trajnohen, qoftë në qendrat e trajnimit profesional, qoftë pranë kompanive me të cilat do të bëhen marrëveshje në bazë të nevojave të kompanive. Pra, një kompani që ka nevojë për punëkërkues – dhe të gjithë kompanitë e mëdha kanë nevojë për punëkërkues, nuk ka një kompani shqiptare sot dhe këtë e them me përgjegjësinë më të madhe, që nuk ka vende të lira pune, – atëherë kjo kompani X, do të marrë në bazë të marrëveshjes, paratë nga shteti, që do t’i shkojnë personit që do të trajnohet, si një kontribut dhe pastaj, menjëherë pas trajnimit, personi do të rekrutohet në punë.

Punëkërkuesit sot në Shqipëri, të regjistruar janë 83 mijë. Është një shifër e lartë, shumë e lartë, por ishin 150 mijë në vitin 2013. Ashtu sikundër, përtej të gjitha llafeve që nuk dua t’i hedh poshtë pasi papunësia është një problem serioz dhe punësimi është një domosdoshmëri klithëse, ka një tregues shumë kuptimplotë, që sot, në Shqipëri, ne kemi shifrën apo normën më të ulët të papunësisë relative, të 25 viteve të fundit.

Është fakt dhe kujtdo që hidhet përpjetë për të thënë “jo”, ajo çka i tregohet janë të ardhurat nga puna. Sepse kjo është lehtësisht e verifikueshme. Ne flasim për punonjës të regjistruar, flasim për njerëz që figurojnë në librat e llogarive të shtetit, nuk flasim për përralla dhe të njëjtën gjë, thotë edhe vetë INSTAT-i, në raport me normën e papunësisë. Ishte 18.2% kur ne bëmë atë anketimin real, jo anketimet që bëheshin me korrigjime këtu në këtë godinë, por anketim real, siç kishim premtuar që do të flasim me shifra reale dhe për shifra reale me njerëzit dhe jo me shifra që fabrikohen në zyrën e Kryeministrit. Pra, 18.2% në tremujorin e parë të 2014 dhe jemi në 13.2% sot, që është e lartë dhe brenda 13.2% ka një tjetër normë dramatike pastaj, që është papunësia e të rinjve, të cilën ne duhet ta adresojmë me shumë këmbëngulje e me shumë durim. Papunësia e të rinjve është rezultat pikërisht i mungesës së kualifikimeve, i numrit marramendës të juristëve që nuk i duhen askujt dhe mungesës marramendëse të zanatçinjve, për shkak të gjithë boshllëkut që u la në sistemin e zhvillimit profesional dhe formimit profesional.

Nëse në shkallën e punësimit, ne kemi ende shumë për të bërë, ka një fakt tjetër që shkalla e punësimit që arrinte deri në 41% në tremujorin e parë të 2014, sot është 57.7%. Është një shifër domethënëse dhe është një shifër që qëndron si trend mbi mesataren e rajonit. Nuk diskutohet që pagat, sidomos pagat e ulëta janë ende të ulëta në Shqipëri, pa diskutim, por unë i përçmoj realisht të gjithë ata të cilët përqeshin në komentet e tyre njerëzit që shkojnë dhe punojnë me një pagë të ulët, sepse paga më e ulët është shumëfish më e lartë sesa ndihma ekonomike. Paga e ulët sot është shumë e ulët në raport me atë që duam të jetë, por është më e lartë se ç’ishte deri para 4 vitesh, kur ka filluar ky proces tërësor reformimi.

Sidoqoftë, këtu nuk është ideja për të bërë një fjalim të gjatë lidhur me të gjithë aspektet e punësimit dhe të papunësisë. Por thjesht për të thënë dhe një herë që në muajin mars, – duke u fokusuar tek pasojat imediate të reformës së ndihmës ekonomike, një reformë e domosdoshme, pasi nuk mundet dot ndihma ekonomike të jetë status i përjetshëm, nuk mundet dot varfëria të jetë status i përjetshëm, nuk mundet dot papunësia e një grupi njerëzish të jetë status i përjetshëm, përkundrazi, nxitja drejt punës është detyra jonë dhe në adresimin e shokut të parë, – ne kemi arritur të realizojmë punësimin e 1396 njerëzve, pra vetëm në muajin mars.

Kjo tregon se çfarë potenciali ka akoma më shumë, në vijim, pasi kemi regjistrime të reja vendesh pune, pasi dhe biznesi inkurajohet më shumë që të vijë dhe të regjistrojë vendet e lira kur shikon zyra pune që janë pro aktive, zyra pune që nuk rrinë të presin atje se kush po vjen dhe pastaj t’i thonë hajde nesër, por që shkojnë tek biznesi, shkojnë tek individi, bëjnë ndërmjetësimin, orientojnë individin drejt trajnimit profesional dhe kështu me radhë.

Jam shumë i bindur që duke ecur kështu, patjetër do të ketë dhe “dëshmorë”, në kuptimin e atyre që drejtojnë zyrat në rast se nuk plotësohen objektivat, por do të realizojmë objektivin madhor të 25 000 të punësuarve vetëm nga zyrat e punës, duke u fokusuar tek njerëzit më në nevojë por jo vetëm, sepse nuk është se zyrat e punës punësojnë vetëm njerëz që marrin paga të ulëta, por punësojnë dhe njerëz që marrin paga më të larta ose paga të larta. Sepse ka vende të lira pune në të gjithë sektorët dhe në të gjithë vertikalitetin e pagave. Ky është një fakt botërisht i njohur dhe nuk ka nevojë për të dhënë shumë shpjegime, por mjafton t’i referohemi një shembulli shumë të thjeshtë.

Trokit në çdo kompani vendase këtu dhe nuk e gjen dot një që të thotë: “Jo, unë nuk kam nevojë për punonjës”. Atëherë forca dhe të ecim me këtë ritëm që kemi nisur dhe të realizojmë objektivin e muajit të ardhshëm. E në fund, të japim pastaj rezultatin përkatës dhe për të informuar publikun, por informimi i publikut është dhe për të nxitur të gjithë ata që na dëgjojnë dhe që janë punëkërkues që të bashkëpunojnë me zyrën e punës, që të insistojnë tek trajnimi i tyre profesional, që të mos dorëzohen kur u thuhet që ti nuk bën dot asnjë punë se je goxha burrë, por i ke krahët e mpirë, por të shkojnë në qendrat e arsimit profesional, të shkojnë në kompanitë që do të kenë nevoja dhe do të kenë marrëveshje, të marrin pagesë për këtë punë, nga shteti, do t’i paguajmë ne që të mësojnë dhe të futen në punë.

Ankesat dhe vajtimet janë kollaj, por nuk janë zgjidhje.

Zgjidhja është puna, puna, puna!

Shumë faleminderit!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here