Kreu Aktualitet Kontributi i përdoruesve i domosdoshëm për sigurinë e Rrugës së Kombit

Kontributi i përdoruesve i domosdoshëm për sigurinë e Rrugës së Kombit

125
0

Kryeministri Edi Rama në Kuvend:

Debati mbi këtë temë nuk ia vlen. Është një debat që nuk ka dy anë që diskutojnë në rrugën e arsyes, por ka një anë që ecën në rrugën e arsyes dhe një anë tjetër që si gjithmonë nuk mban përgjegjësi për atë që thotë.

Loading...

Ndërkohë që  ia vlen patjetër shpjegimi, pasi kjo është një eksperiencë e parë për vendin tonë, që është i vetmi vend në Europë e rajon që deri më sot nuk ka pasur asnjëherë një eksperiencë të tillë. Për këtë arsye ia vlen shpjegimi.

Vendimmarrja për të vendosur tarifën për përdoruesit e Rrugës së Kombit, – jo taksë, se nuk është taksë, është tarifë për përdoruesit, pra, është diçka krejt tjetër, – e ka zanafillën në vitin 2010.

Pikërisht në vitin 2010, Kryeministri i kohës ka marrë iniciativën për të hapur këtë proces dhe ka thënë publikisht, si rrallë në karrierën e tij, atë që sot, si gjithmonë në karrierën e tij, mohon, ne e ndërtuam, për ta mirëmbajtur, nuk e mirëmbajmë dot.

Mirëpo, kjo nuk është një fjalë goje, sepse pamundësia e mirëmbajtjes ka sjellë degradime të rëndësishme në atë aks, gjatë të gjithë këtyre viteve. Jemi dëshmitarë sëbashku se si herë pas here, në mënyrë sistematike, ekranet janë mbushur me shfaqe të degradimit të atij aksi, “rrëshqiti këtu”, “ra atje”, “u përmbys më tutje”.

Historiku është fare i qartë. Pasi qeveria e mëparshme e kuptoi që një rrugë, e cila deri më sot, se nuk ka mbaruar, iu ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë 1.4 miliardë, procesi dështoi, sepse nuk u ndërtua si duhet, si të gjitha punët e qeverisë së mëparshme dhe në fund nuk u paraqit asnjeri. Më pas, ne rimorëm procesin dhe e kemi rimarrë menjëherë, qysh në vitin 2014, me urdhrin e nxjerrë nga ministri i Transporteve, zoti Haxhinasto dhe me fillimin e një pune që ka marrë 2 vjet kohë dhe që është bërë me ekspertë vendas dhe me ekspertizë ndërkombëtare, për t’u finalizuar në dhjetor të 2016-ës.

Në dhjetor të vitit 2016, ky proces është përmbyllur dhe nuk ka pasur debat. Këtu, unë nuk llogaris LSI-në, se LSI-ja dihet, kur është në pushtet, ka tjetër mendje, kur është jashtë pushtetit, ka tjetër mendje për të njëjtën gjë, por po flas për të gjithë. Më pas, ne thjesht kemi ecur sipas procesit të nisur nga ministri i Transporteve, zoti Haxhinasto dhe të përmbyllur nga ministri i Transporteve, zoti Dervishaj. Për punën e tyre në këtë proces kam të gjithë respektin e merituar, sepse është bërë një punë shumë profesionale. Nëse dimri nuk solli asnjë sekondë bllokim të rrugës, e cila deri dje bllokohej sa binte bora e parë, kjo lidhet me këtë proces, lidhet me kompaninë që ka nisur mirëmbajtjen.

Nuk ka 1000 rrugë për rrugën, vetëm 2 rrugë ka: ose për mirëmbajtjen e rrugëve paguajnë të gjithë taksapaguesit, ose për mirëmbajtjen e rrugëve paguajnë të gjithë përdoruesit e rrugëve në fjalë. Koncepti që për mirëmbajtjen e rrugëve paguajnë të gjithë taksapaguesit, sot është rivënë në diskutim edhe në të vetmin vend europian ku ende nuk ka pagesë dhe ky vend nuk është as më shumë e as më pak, por vendi më i zhvilluar europian, Gjermania.  Edhe në Gjermani, sot ka nisur debati për vendosjen e një ngarkese të caktuar tarifore për përdoruesit.

Nga ana tjetër është e kotë t’i hyjmë diskutimit për mundësitë e buxhetit të shtetit shqiptar, në raport me domosdoshmërinë për të garantuar sigurinë dhe qëndrueshmërinë afatgjatë të këtij aksi strategjik. Mjafton t’i hedhësh një sy pasqyrës së tarifave në rajon, për të parë se këtu nuk ka absolutisht asgjë të veçantë. Logjika është shumë e thjeshtë, rruga dhe përdoruesit. Për këtë arsye, edhe tarifat variojnë sepse varet nga numri i përdoruesve dhe nga nevojat e mirëmbajtjes.

Ajo është një rrugë, e cila është një aks strategjik me një rëndësi të posaçme, por që ka një trafik të limituar në një pjesë të madhe të kohës, ndërkohë që ka një trafik shumë më intensiv në një pjesë tjetër të kohës që është pjesa më e vogël e vitit, por mirëmbajtja bazohet mbi fluksin e përgjithshëm vjetor.

Nëse në Maqedoninë fqinje, prej shumë vitesh, jo sot, pagesat variojnë nga 0.5 në 5.5 euro, gjithmonë në varësi të akseve dhe të numrit të përdoruesve. Nëse në Malin e Zi, vetëm një tunel që shkurton rrugën nga Podgorica në Bar dhe Ulqin kushton 2.5 euro e nëse një pagesë 4.5 euro aplikohet vetëm në segmentin e Tivatit; nëse në Greqi s’ka autostradë pa pagesë dhe pagesa varion nga 3-14 euro; nëse në Serbi pagesa varion nga 1.5-6 euro, e kështu me radhë për të mos i marrë të gjitha e për të arritur deri tek rruga nga Plloca pranë Dubrovnikut deri në Zagreb që ka një pagesë prej 35 eurosh, atëherë është shumë e qartë që këtu s’jemi përpara një gjëje të pazakonshme, të çuditshme, të paarsyeshme.

Po të kthehemi te ky aks, krahasuar me të gjithë këto të tjerat që unë sapo përmenda, përveç asaj që ka kushtuar e që është një mal me para, – e dimë historinë, i dimë dhe të pandehurit, janë dhe këtu në sallë, dimë edhe shumë e shumë bëma të tjera, – kjo është një rrugë e papërfunduar, është një rrugë e bërë pa studimet e nevojshëm gjeologjike, një rrugë ku në segmentin e parë Milot-Rrëshen mbetet pa dublim në 25.6 km, në segmentin e dytë, 61 km nuk ka masa gjeoteknike mbrojtëse për skarpatet për eliminimin e rrëshqitjeve dhe në segmentin e tretë, Kalimash-Morinë nuk kanë përfunduar as viaduktet, as urat. E gjitha kjo vlerësohet se kërkon 200 milionë euro, pa llogaritur dëmet që janë shkaktuar gjatë gjithë këtyre viteve. E nëse vetëm kostoja e mirëmbajtjes rutinë dimërore e tunelit, menaxhimit dhe operimit të rrugës shkon në 5.3 milionë euro, atëherë në vend se të tundet një flamur i rreckosur i një patriotizmi pervers që nuk ka lidhje fare me patriotizmin dhe me interesat strategjike në çdo aspekt, është mirë të thuhet një formulë alternative.

Nëse formula alternative është formula e njohur e qeverisë së mëparshme, hyji rrugës dhe lëre rrugën prapa në mes të rrugës, pa llogaritur fare çfarë duhet për mirëmbajte, këtë formulë mbajeni për vete dhe ta gëzoni, por, për ne, kjo nuk është formulë zgjidhjeje, kjo është formulë rrumpalle. Formula e rrumpallës që ju bëtë sa herë iu është dhënë mundësia të merrni në dorë çelësat e këtij shteti në çdo sektor.

Pa hyrë në detaje, unë dua thjesht të theksoj atë që përbën një shqetësim konkret e real dhe që njerëzit është mirë ta dëgjojnë. Ministri solli një shqetësim që në mënyrë të përsëritur e kemi shprehur në të gjithë diskutimet me ekspertizën ndërkombëtarë, lidhur me banorët e zonës dhe përgjigja që ka qenë edhe një mësim për ne dhe që do të jetë një mësim për të gjithë ata që marrin përsipër të flasin për këtë është: nuk ekziston në asnjë vend të planetit, një teori që përjashton banorët si kategori nga detyrimet, pasi ata janë përdoruesit.

Në të ardhmen vihet pagesa e një rruge tjetër, po themi Tiranë-Durrës, atëherë të gjithë banorët do përjashtohen? Diku tjetër, në një aks tjetër do përjashtohen edhe atje? Domethënë do përjashtohet e gjithë Shqipëria? Nuk ndodh.

Atëherë çfarë ndodh jashtë e çfarë do bëhet këtu, se flisni në emër të të varfërve ju që me të varfrit nuk keni asnjë lidhje, por ta mbajnë parasysh ata që dëgjojnë se ju s’keni çfarë të mbani parasysh, – ju keni avazin tuaj e me atë avaz po shkoni kokëposhtë, teposhtë, ne nuk ju ndalojmë dot që të thyeni qafën për aty ku jeni nisur, – dhe ajo që duhet ta dinë njerëzit është se janë 120 mijë euro që kompania i jep pushtetit vendor për t’i përdorur për të lehtësuar barrën, duke e hequr plotësisht nga të gjithë ata që do përdorin transportin publik apo privat me autobusë, apo me furgonë, pra, ata nuk kanë asnjë tarifë për të paguar dhe nuk ka asnjë barrë mbi këdo që do përdorë këtë transport. Pagesa e kompanisë për bashkitë është pikërisht që të gjithë operatorëve që japin këtë shërbim, qofshin operatorë publikë që atje s’ka, por edhe operatorë privatë që kanë linja të dedikuara për të bërë transportin publik, kompenson dhe nuk i kërkon autobusit apo furgonit të paguajë kur kalon tollin.

Atëherë çfarë pagese shtohet këtu?

Vetëm logjikë s’ka kjo lloj historie që ju doni të ngrini. Ndërkohë që kontrata parashikon që në 6 muajt e parë do të përcaktohet në negociata mes qeverisë, Ministrisë përkatëse dhe koncensionarit, ajo që quhet tarifa për përdoruesit e shpeshtë. Pra, nëse dikush e përdor rrugën për të ardhur nga Kukësi në Tiranë, apo për të shkuar nga Tirana në Kukës shpesh, atëherë përdoruesit e shpeshtë do të kenë zgjedhje me karta ku do të paguajnë jo shumën e të gjithë udhëtimeve që bëjnë bazuar në tarifa fikse, por një tarifë më të ulët.

Këto janë format që përdor bota dhe këto janë format që janë zgjedhur edhe këtu. S’ka asnjë shpikje, s’ka asnjë rënie në qafë të askujt, s’ka asnjë kërcënim për askënd. Përkundrazi, falë kësaj do të kemi më në fund një Rrugë Kombi, e cila do të shkojë duke përfunduar, do të kemi më në fund një Rrugë Kombi, e cila nuk do rrëshqasë më çdo stinë, njëherë këtu e njëherë atje dhe ku nuk do bien më gurët nga lart dhe ne të lutemi që  guri nuk do i bjerë ndonjë përdoruesi dhe do kemi 45 milionë euro të investuara vetëm në 4 vitet e para nga kompania. Ashtu sikundër edhe 54 milionë euro të tjera që në gjithë harkun e viteve do shkojnë për rehabilitime dhe për mirëmbajtje.

Ndërkohë ka filluar dhe do investohet për mirëmbajtjen. Kostoja totale ku përfshihet edhe mirëmbajtja rutinë, mirëmbajtja dimërore, që është një gjë e re që ndodh në këtë vendin tonë – në vend që sa bie borë të turren fadromat që punojnë për bordin e kullimit, apo kamionë të ushtrisë, do të ketë mirëmbajtje si në çdo vend normal, – është 160 milionë euro.

Nëse ka ndonjë profesor këtu, se një profesor di unë, por ndoshta ju keni dhe të tjerë, që gjen ndonjë formulë tjetër që 160 milionë euro për të garantuar siguri, lëvizshmëri normale, pavarësisht temperaturave, reshjeve dhe borës, pa këtë rrugë, por në një rrugë tjetër, na e tregoni. Vetëm ju lutem mos u bëni qesharakë, sepse jeni shumë qesharakë kur të gjitha problemet e vendit sugjeroni që të zgjidhen me kontratën e Vilmës, se e dëgjova tani, mos ia jepni Vilmës. Kjo është një tjetër histori.

Përsa i përket inceneratorëve, unë nuk hyj debat, sepse në raportin me plehrat kemi një qasje diametralisht të kundërt. Ju qeverisët në harkun e çerekshekulli, nuk e di sa vite dhe me plehrat patët një raport miqësor, një raport konsensual, sepse juve plehrat, ndërtimet kuturu dhe shëmtia, jo nuk ju bëjnë përshtypje, por ju japin komoditetin e normalitetit. Në një vend që s’ka plehra, që s’ka ndërtime pa leje, që s’ka shëmti, ju nuk keni komoditet, nuk jeni rehat, jeni si nëpër gjemba. Prandaj çdo investim që bëhet për të pastruar Shqipërinë, për të grumbulluar mbetjet, për të përpunuar mbetjet, për të frenuar ndërtimet pa leje, për të mirëmbajtur rrugët, për të luftuar shëmtinë në tërësi, për ju është krim.

Unë e kuptoj dhe pse unë nuk shoh asgjë kriminale, që ju të dilni nga kjo fazë e kuptimit të peizazhit të vendit ku jetoni, që është një fazë barbarie dhe të futeni në fazën e qytetërimit ku ne të gjithë bashkë jetojmë. Ju jetoni fizikisht, por jo shpirtërisht dhe jo mendësisht në këtë qytetërim, ndërsa ne jetojmë dhe shpirtërisht dhe mendësisht. Prandaj ju keni agresivitet, kur një gropë zëvendësohet me një pllakë. Prandaj ju jeni agresivë, kur një kanal i mbushur me plehra, rrugë kur vjen nga aeroporti për në Tiranë, mbillet me pemë. Prandaj ju jeni kthyer në armik të bimësisë dhe në armiq të betuar të pastërtisë.

Kjo është plotësisht e kuptueshme. Për këtë arsye jeni kthyer në një forcë e biodegradueshme dhe prandaj po biodegradoni ditë pas dite, në inceneratorin e elektoratit shqiptar. Prandaj zgjedhjet e ardhme do të kenë një tjetër fazë të biodegradimit tuaj.

* * *

Natyrisht, nëse nisemi nga premisa që 7×7 bëjnë 42, atëherë e gjithë logjika e kësaj aritmetike nuk ka lidhe me aritmetikën e shifrave për të cilat diskutojmë. Por dy gjëra më bënë jo përshtypje, se nuk më bën asgjë përshtypje nga miku im Lulzim, sepse e njoh mirë dhe veçse keqardhje provoj kur e shoh sa herë që merr fjalën, por është mirë që t’i ripërsëris për shqiptarët. Së pari, ka qenë edhe ministër i Transporteve, përveçse është kryetari i Partisë Demokratike, pavarësisht si e ka katandisur Partinë Demokratike, sot. E vërteta është që Partia Demokratike është alternativa qeverisëse e këtij vendi, është prijësi i alternativës, që edhe si ish ministër Transporti nuk di akoma se çfarë është taksa e qarkullimit. Erdhi këtu dhe tha ose taksë qarkullimi, pra, taksë kombëtare qarkullimi, ose tarifë për rrugët, se dy s’ka.

Pyetja ime është: Po në të gjitha vendet e tjera ku ka pagesë për rrugët, a ka taksë qarkullimi? Se me këtë logjikë nuk duhet të kishte taksë kombëtare qarkullimi askund. Miku im që vjen këtu e tregon këmbët e mia në gropën që paskam hapur vetë, thotë “o kjo, o kjo”. Domethënë, ose 7×7=42, ose s’ka 7 dhe s’ka as 42.

Lulzim, taksa e qarkullimit është një taksë kombëtare që e kanë të gjitha vendet ku ka qarkullim rrugor, përveç vendeve me karakter pyjor dhe baritor, ku lëvizet me veshgjatë. Aty nuk ka taksë kombëtare qarkullimi. Vendet e tjera kanë taksë qarkullimi. Pagesa e rrugëve për përdoruesit është krejt tjetër nga taksa e qarkullimit. Ky është një nga mësimet e para që profesori duhet të të kishte dhënë përpara sesa babai të të jepte postin e ministrit të Transporteve. Babai ta dha me shumë zemërgjerësi atë post dhe siç hyre dole, 7×7=42.

Përsa i përket asaj që unë rashë me këmbët e mia në gropën që kam hapur, një kujtesë dua ta bëj. Unë nuk i kam hapur ndonjë gropë buxhetit të shtetit dhe ndryshe nga çfarë parashikonte Kasandra digjitale nuk ndodhi rënia me këmbët e mia në atë gropë që e hapët ju, por përkundrazi e mbyllëm atë gropë.

Së dyti, unë nuk i kam hapur ndonjë gropë Rrugës së Kombit. Atë gropë Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe prokuroria shqiptare thotë se ia ke hapur ti. Natyrisht, raporti mjekësor për gjendjen e rëndë shëndetësore të kohës bëjnë që, pavarësisht se të gjetën me këmbët e tua në atë gropë, këmbët e tua të fluturojnë për ndonjë gropë tjetër dhe që të mos numëroj të gjithë gropat ku këmbët e tua faktikisht kanë rënë në sytë e të gjithëve, por në fakt kanë fluturuar për më tutje, po vij edhe te gropa më e fundit. Unë nuk i kam hapur as vendit tim, as partisë time një gropë si kjo e fundit që i ke hapur zotrote partisë tënde, e cila, për hir të të vërtetës, siç mendon edhe vetë Saliu, nuk ka lidhje me atë historinë e xhepave të errët të oligarkëve rusë.

Jua kam thënë disa herë një shprehje që jua ka mësuar të gjithëve ju gjyshi apo gjyshja, siç na ka treguar Saliu, këtu, që ia ka mësuar gjyshja e tij dhe konfirmoj që edhe gjysha ime ma ka mësuar “qesh mirë, kush qesh i fundit!” Mos qeshni me këtë histori, sepse sinqerisht nuk dua që t’u vijë shumë më e hidhur, shumë shpejt, sesa çfarë duket sot.

Natyrisht, ju e keni pjesë të funksionit në këtë parti, që të qeshni për solidaritet me çdo lloj budallallëku që duhet mbrojtur, apo mbi çdo lloj grope që duhet mbuluar. Është funksionale kjo. Është pjesë e detyrave. Siç ishin ato 10 detyrat e Saliut kur ishte komunist, janë dhe detyrat e deputetit të Partisë Demokratike, të shkruara apo të pashkruara, se këtu, rrushi i pjekur sheh rrushin aguridh dhe sheh rrushi rrushin dhe piqet dhe ju të gjithë bëni këtë buzëqeshjen, që në fakt origjinalin e asaj buzëqeshjeje e ka Lulzimi, ju jeni vetëm kopje të tij.

Duke e mbyllur, mos ngatërro taksën e qarkullimit me pagesën e përdoruesve. Janë dy gjëra që nuk kanë lidhje. Këtë shprehjen “nuk kanë lidhje”, ti zakonisht e përdor për gjërat me lidhje, ndërkohë mësoje që, nëse do të ishte kështu, atëherë, në çdo vend, se çdo vend ka taksë qarkullimi, nuk do ishte pagesa për rrugët. E dyta, çështjen e gropës, kur iu thua të tjerëve se bien me këmbët e tyre, konsideroje seriozisht dhe të paktën mos e thirr më shpejt fatin tënd, që e ke shkruar vetë, pa u konsultuar as me partinë tënde e lëre më me mua, se po të ishte konsultuar me mua do të kisha thënë, zgjedhjet do t’i humbësh, mos merr para nga rusët, sepse na duhesh për rrugë të gjatë, por me sa duket ia ke shkurtuar rrugën vetes, pikërisht sepse për ty 7×7 bëjnë 42.

* * *

Churchill thoshte “budallai është ai që jo nuk ndryshon bindje, por nuk ndryshon as argumentet”. Domethënë, këmbëngul në budallallëkun e tij dhe ajo që është pjesë e problemit është se, pavarësisht se këtu ka të paktën një profesor që e njoh unë, edhe profesori qesh e tund kokën dhe nuk i thotë kryetarit të vet që taksa e regjistrimit u ndërrua nga ministri i Financave, – i vetmi në fakt që dinte çfarë fliste kur dilte këtu dhe siç duket, prandaj e pastruat – dhe u kthye në taksë qarkullimi si emërtim, qysh në atë kohë dhe iu bashkua pjesës së detyrimit direkt, qysh atëherë. Ajo që ka rëndësi të kuptohet është se taksa e qarkullimit, apo e regjistrimit, apo e infrastrukturës siç quhet ndryshe në vende të ndryshe, që është e njëjta gjë, është një taksë kombëtare dhe nuk ka lidhje me pagesat e përdoruesve të rrugëve të veçanta. Nëse do të ishte kështu, atëherë asnjë vend nuk do kishte rrugë me pagesë.

Së dyti, ka taksë kombëtare, s’ka taksë kombëtare, kjo nuk ka lidhje me pagesën, sepse, e përsëris, regjistrim, qarkullim e çfarëdo qoftë tjetër ka edhe Greqia, edhe Serbia, Maqedonia, Mali i Zi, e gjithë Europa dhe ndërkohë ka edhe rrugët me pagesë.

Ashtu sikundër shiko zërin “mirëmbajtje të rrugëve” në 4 vite buxhet. Pikërisht rritja e vlerës së mirëmbajtjes është e lidhur me ato të ardhura që ti i përmende.

Sa për komisionin parlamentar, nuk ka nevojë fare, në këtë rast, çështja nuk është thjesht në dorë të prokurorisë shqiptare e ti këtë e di shumë mirë, sepse ka kapërcyer kufijtë e brendshëm. Problemi nuk është një problem i transparencës që duhet të bëjë KQZ-ja, apo i zbardhjes që duhet të bëjë prokuroria shqiptare. Është një problem më kompleks. Prandaj u sugjerova kolegëve të tu të mos qeshin se nuk është për të qeshur dhe i vetmi që s’qesh, sepse e di shumë mirë dhe e kupton shumë mirë, është lideri digjital. Nuk e ka nga kazani digjital arsyen e mosqeshjes, e ka shumë të qartë dhe prandaj si rrallë herë jam dakord me të, që Partia Demokratike këtu nuk hyn. Këtu je vetëm përballë shqiptarëve dhe nuk i ikën dot kësaj, duke thënë të bëjmë një komision parlamentar dhe të hetojmë ABI Bank, investimin më të madh amerikan në Shqipëri, se i bie pastaj që të bësh për budalla të gjithë planetin.

Këto historitë e tua që ky investitori që do vijë të bëjë aeroportin ka bërë privatizime në Rusi, apo ky tjetri ka bërë biznes në Rusi, këto janë pastaj përtej 7×7=42. Këto janë më keq. Këto nuk i lejohen as një karrocieri të dehur dhe të zhgënjyer nga Partia Demokratike, në një klub të humbur të një fshati ku s’ka rrugë, jo më kryetarit të Partisë Demokratike, liderit të alternativës, që del këtu për të sfiduar qeverinë dhe s’di çfarë flet. E vetmja premisë në çdo diskutim është, përderisa unë po bëj për budallenj të gjithë udhëheqjen e Partisë Demokratike, përderisa unë po bëj për budallenj të gjithë Partinë Demokratike, pse të mos bëj për budallenj të gjithë shqiptarët. Të bësh për budallenj vetëm ata që duan të bëhen budallenj, se disa kanë hallin e karriges, disa kanë hallin e përsheshit me të cilin janë mësuar e nuk ndahen dot, të tjerë e kanë për herë të parë dhe thonë, gjë e madhe, kështu që më mirë të qeshim, sesa të mendojmë. Por shqiptarët për budallenj me këto lloj muhabetesh nuk i bën dot. Prandaj ju thashë, jeni në një proces biodegradimi politik. Po e biodegradoni partinë e alternativës. Sa më shumë vrapon që t’i ngjitesh LSI-së, aq më shumë tregon se në çfarë situate të biodegradimit është partia jote. [Përgjigje pas ndërhyrjes nga salla/Jo, janë dy gjëra të ndryshme, nuk krahasohen këto. Nuk kanë lidhje fare, se në këtë rast nuk është absolutisht kritikë për LSI-në, është për ju, se LSI-ja është në rregull. LSI-ja s’ka vizion, ka pozicion. Varet nga i ke sytë dhe aty përcaktohet pastaj se çfarë thua. Nuk ka rëndësi se çfarë të vjen nga truri, rëndësi ka çfarë të vjen nga peizazhi. Janë në rregull ata.]

Çdo të enjte jua kemi dedikuar juve, por, sa më shumë vazhdon kjo histori që nuk dini të sfidoni qeverinë, aq më shumë na vini edhe neve në pozitë të vështirë, aq më shumë vini në pozitë të vështirë të gjithë Parlamentin dhe të gjithë politikën me shqiptarët, sepse na detyroni të hyjmë në biseda që janë krejt pa asnjë lloj rëndësie reale për njerëzit. Nuk mundet dot ju të bllokoni asgjë dhe të pengoni asgjë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here