Home Sociale Arsimi profesional, 2-fishohet numri i nxënësve

Arsimi profesional, 2-fishohet numri i nxënësve

60
0

Shkolla profesionale Industriale “Pavarësia”, në Vlorë, renditet sot një prej shkollave model të arsimit profesional në vend. Ajo numëron këtë vit shkollor 700 nxënës, ose dyfish më shumë, krahasuar me 4 vite më parë, në profilet Elektroteknikë, Mekanikë, Shërbime Mjetesh Transporti, Teknologji Informacioni dhe Komunikimi, Termohidraulikë. Gjithashtu, ajo iu ofron nxënësve të saj mundësinë për të zhvilluar praktikat profesionale në biznese të rëndësishme.

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë së qytetit Dritan Leli vizitoi sot shkollën profesionale “Pavarësia”, mjediset e së cilës funksionojnë sipas standardeve të shkollave europiane, falë mbështetjes së projektit zviceran “Aftësi për punë”.

Loading...

Kryeministri u takua me stafin e mësuesve, si dhe bisedoi me nxënës e prindër. Interesimit të kryeministrit për kapacitetet e shkollës, drejtori i saj iu përgjigj se kërkesat për regjistrimin në shkollën profesionale po rriten nga viti në vit. “Ne tani, kemi aktualisht 700 nxënës në 5 profile të ndryshme. – Mot do jemi te 800 nxënës dhe problemin e kemi te kapacitetet. Jemi në kapacitetet maksimale. Në këto 3 vjet jemi 2-fishuar.”- u shpreh ai.

Ai shpjegoi gjithashtu se një raport krejt tjetër është vendosur mes shkollave profesionale dhe bizneseve që kërkojnë profesionistë. Kërkesat për punësim nga bizneset janë rritur ndjeshëm, kjo falë edhe standardeve të reja me të cilat operon shkolla.  “Bizneset më në fund kanë ardhur, por duhet t’i ndryshonim ne shkollat. Kemi një listë me rreth 70 kompani e biznese, të cilat bashkëpunojnë çdo ditë me shkollat. Vetëm ne kemi një problem që është viti i dytë radhazi që ne nuk mundemi t’i plotësojmë me atë numër që kemi, megjithëse jemi shumë, nuk mund t’i plotësojmë kërkesat. Sot janë punësuar 3 nxënës që do mbarojnë shkollën pas një muaji, sepse nga ata që kanë mbaruar vjet, nuk kemi më.”

Risi e shkollës profesionale “Pavarësia” janë laboratorët e standardeve të industrisë CISCO, për të cilat drejtori i shkollës tregon:  “ Më në fund arritëm që në shkollën tonë të kemi 3 inspektorë të CISCO-s, të trajnuar. Janë certifikuar nga CISCO dhe i gjithë ky laborator këtu është në shërbim të kësaj. Nxënësit tanë edhe sot gjatë praktikave vetëcertifikohen. Janë krijuar të gjitha kushtet të futen në akademi të ndryshme, të vetëcertifikohen. Të gjithë, këta këtu janë me nga 2-3 certifikata.”

Infoteka e re është një tjetër mjedis modern, ku nxënësit e talentuar kanë mundësi të zhvillojnë idetë e tyre, në projekte të ndryshme.  “Kemi në plan për të ndërtuar një robot. Atje do ndërtojmë një rrjet kompjuterik, i cili do bëjë lidhje interneti nëpërmjet godinave. Roboti do kalojë në pengesa, ku do shikojë se ku ka pengesë interneti për të kaluar nga godina në godinë.”, – shpjegon një prej nxënësve.

Kryetari i Bashkisë Dritan Leli u shpreh se shumë nga nxënësit e shkollës janë vlerësuar me certifikata nga bashkia për punët e tyre, duke vendosur kështu një bashkëpunim të ri mes institucioneve. “Bashkëpunimi me shkollën ka qenë fantastik. Kjo ka rritur në një farë mënyre dhe shikueshmërinë dhe afrimin e të tjerëve, duke parë që këta nxënës i kemi vlerësuar edhe me certifikata nga bashkia për punët që kanë bërë në komunitet.”

Shkolla gjithashtu do të ofrojë mjediset e saj, si dhe stafin e mësuesve për të zhvilluar kurse, ku do të përfshihen edhe punëkërkues nga qendra e formimit profesional. “Këtu kanë filluar të ofrohen kurse dhe të përfshihen dhe punëkërkues nga qendra e formimit profesional që do të trajnohen, duke mos pasur klasa ekskluzivisht vetëm për ata që janë të papunë, por të jenë klasa të kombinuara, me nxënës, me të rinj, me të gjitha moshat që do t’u ofrohen kurse pasdite këtu në shkollë.” – shpjegon një prej mësueseve.

Kryeministri Edi Rama u shpreh se çelësi  i ndryshimit është mënyra e re e funksionimit të shkollës, e lidhur ngushtë me kërkesat e tregut. Ai shtoi se sfida e radhës mbetet shtimi i kapaciteteve.  “Sistemi i bashkëpunimit me ndërmarrjet, i futjes së ndërmarrjeve në shkolla dhe i lidhjes së nxënësve me vendin e mundshëm të punës në ndërmarrje, është çelësi i gjithë ndryshimit. Tani problemi është të rrisim kapacitetin, edhe këtu, por dhe në gjithë qytetet e tjera. Do ketë gjithmonë e më shumë kërkesa, sepse kanë filluar ta kuptojnë që kjo fushë do të ketë punësim real për shumë njerëz dhe prindërit sidomos kanë filluar të bëhen shumë të ndjeshëm. Plus që të kemi mundësi të rrisim kapacitetin për trajnime të atyre që janë në mosha jashtë shkollore dhe që faktikisht shumë herë nuk dinë të bëjnë gjë, pavarësisht se kanë dëshirë për punë dhe refuzohen nga ndërmarrjet.”

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here