Kreu Aktualitet Sot fitoi Shqipëria

Sot fitoi Shqipëria

105
0

Komunikim publik i Kryeministrit Edi Rama pas publikimit të Progres-raportit të Komisionit Europian: 

Shqipëria sapo ka hapur një kapitull të ri, të historisë së saj si shtet.

Loading...

Nuk jemi më thjesht një vend që aspiron të bëhet një ditë si gjithë Europa, siç ishim për 24 vjet me radhë, qysh prej dhjetorit ‘90; as vetëm një vend me statusin e kandidatit për në BE, siç ishim prej vitit 2014 e deri sot.

Sot kemi kaluar sprovën historike të ngjitjes në një shkallë të re, si vend dhe si popull. Jemi rekomanduar, pa asnjë rezervë, nga Komisioni Europian, si një shtet që mund dhe duhet të ulet në tryezën e negociatave, për të hyrë në familjen e shteteve anëtare të Europës së Bashkuar.

Jam i emocionuar, – ata që merren me frymëmarrjen mbase e ndjejnë – dhe shumë krenar sepse ia dolëm këtij provimi të stërvështirë.

I dhamë Shqipërisë një staturë të re në arenën ndërkombëtare dhe dolëm, më në fund, nga një tjetër udhëkryq, mes të shkuarës dhe të ardhmes.

Tanimë është e qartë për të gjithë, se rruga përtej udhëkryqit ku ndodheshim deri sot, sado e përpjetë, sado e vështirë, sado e gjatë, është e gjitha e hapur përpara nesh.

Stacioni i radhës në fund të kësaj rruge të re është anëtarësimi në Bashkimin Europian dhe shpejtësia e mbërritjes në atë stacion, varet në radhë të parë nga ne, nga të gjithë ne!

Jam i emocionuar, sepse sot Shqipëria ka marrë vlerësimin më të lartë ndërkombëtar të thuajse një tridhjetëvjeçari përpjekjesh, arritjesh e dështimesh, ngritjesh, rëniesh dhe ringritjesh.

Respekt dhe mirënjohje sot, sinqerisht, për të gjithë ata që përpara nesh, kush më shumë e kush e më pak, dhanë një dorë për të ndërtuar një pjesë të të vetmes rrugë të ardhmërisë shqiptare, rrugës drejt Bashkimit Europian.

Por jam, njëkohësisht, shumë krenar sot, sepse me besim, vendosmëri dhe mundime të mëdha, përmes reformash të guximshme e rezultatesh të pamohueshme, (por edhe momentesh posaçërisht të vështira ku kemi rrezikuar jo pak e ndonjëherë dhe gabuar në emër të qëllimeve të mira) ia kemi dalë.

Ia kemi dalë që në katër vjet ta kthejmë besimin e popullit tek ne në dy arritje të mëdha, të një rëndësie të madhe historike për të ardhmen.

Në vitin e parë të mandatit tonë të parë, ne e bëmë Shqipërinë vend kandidat për në Bashkimin Europian. Në vitin e parë të këtij mandati të dytë, ne sapo bëmë realitet marrjen e rekomandimit të pastër, të qartë, të drejtpërdrejtë, për çeljen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimit Europian.

Këto nuk janë dhurata. Nuk janë as gjeste bujarie të Komisionit Europian ndaj Shqipërisë. Europa e Bashkuar nuk bën dhurata dhe Brukseli është një makineri e pamëshirshme që sheh dhe njeh vetëm meritat.

Rekomandimi për çeljen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian, është njohja e meritave tona, në fushën e betejave të vështira për të bërë shtet, me reforma reale dhe luftë të vërtetë kundër armiqve të shoqërisë e të shtetit, krimit e korrupsionit.

Rekomandimi për çeljen e negociatave për anëtarësim në BE, nuk është fundi i këtyre betejave, as fundi i hesapeve me krimin e me korrupsionin, por futja në një fazë të re, edhe më të vështirë, të reformave dhe përshkallëzimi i mëtejshëm i luftës kundër krimit e korrupsionit.

Besoj se ndër shumë shembuj që mund të merren, shembulli më kuptimplotë për të gjithë që të bëjnë dallimin mes fazës që është mbyllur dhe asaj që sapo ka nisur, me dhënien e rekomandimit, është Reforma në Drejtësi.

Nëse për të marrë rekomandimin e sotëm për të hapur negociatat, ne duhet të ligjëronim Vetting-un dhe të jepnim provat e para, të vullnetit tonë për pastrimin e sistemit të drejtësisë nga gjykatësit e prokurorët e korruptuar, vitet që kemi përpara, duhet të provojnë pa ekuivok fuqinë ndëshkuese të sistemit të pastruar të drejtësisë mbi këdo që duhet të paguajë, për zullumet në kurriz të vendit e të njerëzve të zakonshëm të këtij vendi.

Gjykatësit e prokurorët që përjashtohen nga sistemi sepse nuk kalojnë dot Vetingun, politikanët që i kanë ikur me sukses për kaq shumë vite me radhë, një drejtësie të korruptuar e të kapur prej tyre për fyti, keqbërësit e mëdhenj të botës së krimit të organizuar, që duart e përgjakura i kanë larë me sapunin e drejtësisë, apo çdo “i fortë” qytetesh e lagjesh, që është mësuar të hyjë nga dera e komisariatit e të dalë nga penxherja e gjykatës, duhet të paguajnë njësoj siç kanë paguar e paguajnë fajtorët e të gjitha niveleve, në çdo vend anëtar të Bashkimit Europian.

Periudha e negociatave është periudha e ndarjes përfundimtare të shapit nga sheqeri, në çdo aspekt të jetës së një vendi që synon anëtarësimin në familjen e përbashkët europiane. Eshtë periudha e thellimit të modernizimit të saponisur të shtetit dhe e konsolidimit të institucioneve demokratike të shtetit të së drejtës. Eshtë periudha e marrjes së plotë të përgjegjësive, nga të gjithë pjesëtarët e shoqërisë, për të përmbushur detyrat e tyre në çdo nivel të pjesëmarrjes në jetën e përbashkët shoqërore.

Si e tillë kjo është larg së qeni një periudhë e lehtë, përkundrazi, do të jetë një periudhë e ngarkuar me sfida e ngarkesa të mëdha për të gjithë, në radhë të parë për të zgjedhurit e popullit natyrisht. Për qeverinë e për opozitën, po sigurisht në radhë të parë për qeverinë.

Dora jonë është sot e shtrirë përsëri ndaj opozitës dhe unë e ftoj sot, përpara të gjithë shqiptarëve, socialistë e demokratë, po mbi të gjitha në emër të të gjithë fëmijëve të Shqipërisë pa asnjë dallim, opozitën e kryetarin e saj, që të mos ngatërrojmë përplasjet shqip për gjithçka na ndan së brendshmi, me këtë sfidë të përbashkët kombëtare, e cila, sot më shumë se kurrë, kërkon që kur flasim në gjuhë të huaj, të mos tregojmë me gisht njëri-tjetrin, po t’i dalim shqiptarisht zot Shqipërisë dhe të ardhmes së saj europiane.

Por do të kemi të gjithë kohën e nevojshme për të folur, kuptuar, reflektuar mbi sfidat dhe ngarkesat e rënda të kësaj periudhe të re të historisë sonë të përbashkët.

Le t’i gëzohemi të gjithë sot kësaj dite të shënuar, e cila hyn në historinë e përpjekjes sonë thuajse tridhjetëvjeçare për Shqipërinë si gjithë Europa, si një ditë me një shënim të veçantë.

Padiskutim, që si kryeministër dhe kryetar i Partisë Socialiste, ndjehem shumë i privilegjuar që jam këtu, sot, në këtë ditë të veçantë për Shqipërinë që duam.

Por unë nuk e lexoj rekomandimin e shumëpritur për çeljen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian, si fitoren e një pale politike ndaj palëve të tjera politike.

Sepse kjo nuk është fitorja e partisë që luftoi me gjithsej për këtë ditë, ndaj partive që luftuan me gjithsej për ta shtyrë këtë ditë në pafundësi. Kjo nuk është as fitorja e qeverisë që u angazhua me mish e me shpirt dhe u baltos deri në kockë, në përpjekjen drejt këtij objektivi strategjik për Shqipërinë, mbi opozitën që la kockat në angazhimin e saj për ta bërë të pamundur këtë objektiv.

Sot ka fituar atdheu ynë i paragjykuar dhe i nënçmuar prej shumë e shumë vitesh dhe i përgojuar larte e poshtë nëpër Europë, me gjysëm të vërteta që shpeshherë, janë më të hidhura se sa vetë gënjeshtrat.

Sot kanë fituar shqiptarët, që të gjithë, pa asnjë dallim e kufi, këtu në atdhe e kudo që janë në emigracion.

Sot është Shqipëria që ka fituar një status të ri në shoqërinë e vendeve europiane dhe që gjendet shumë më pranë Europës se dje.

Sot është shtiza e flamurit kuqezi të Skënderbeut dhe Ismail Qemalit, që është ngjitur një shkallë më lart, në të përjetën ende të gjatë e të mundimshme, drejt Odës së Familjes së Bashkuar Europiane.

Dhe lejomëni të guxoj sot e t’ju them, me bindjen time më të fortë se asnjëherë, se siç i’a dolëm në këto dy sprova njëra më e jashtëzakonshme se tjetra, duke kapërcyer pengesa të pazakonshme, nga ato që dihen e nga ato që as nuk thuhen, do t’ia dalim edhe në të tretën – më të vështirën ndër të treja.

Ne do ta çojmë deri në fund amanetin e Skënderbeut, rilindasve, heronjve e dëshmorëve të luftës, martirëve dhe viktimave të diktaturës, të të gjithë atyre shqiptarëve të njohur dhe të panjohur që rrojtën në këtë vend e dhanë çfarë kishin për këtë vend, pa e parë dot në vendin që i takon.

Jam i bindur dhe të jeni të bindur ne do ta bëjmë Shqipërinë pjesë përbërëse, përgjithnjë të pandashme, të botës ku dielli lind aty ku perëndon.

Në kohën e sotme, kjo do të thotë, Shqipëria shtet anëtar i Bashkimit Europian.

Shumë faleminderit!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here