Kreu Aktualitet Belgjika mbështetje Shqipërisë në çeljen e negociatave

Belgjika mbështetje Shqipërisë në çeljen e negociatave

92
0

Konferenca për mediat e Kryeministrit Edi Rama dhe Kryeministrit të Belgjikës, Charles Michel, i cili zhvilloi një vizitë zyrtare në Tiranë:

Kryeministri Edi Rama: Mirdita!

Loading...

Së pari, dua t’i shpreh falënderimet dhe mirënjohjen Kryeministrit të Belgjikës, i cili e dha fjalën dhe e mbajti brenda një kohe të shkurtër, duke ardhur sot të vizitojë Tiranën dhe duke riafirmuar miqësinë që na lidh dhe vullnetin e dëshirën e vendit që ai udhëheq për të forcuar marrëdhëniet me Shqipërinë.

Jemi takuar në mënyrë të përsëritur së fundmi dhe kemi diskutuar për perspektivën europiane të Shqipërisë, por jo vetëm, edhe për përpjekjet që mund të bëjmë së bashku për të rritur nivelin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar, i cili për hir të së vërtetës nuk e pasqyron nivelin shumë të mirë dhe cilësinë e shkëlqyer të marrëdhënieve politike.

Natyrisht që sot, biseda u përqendrua edhe si herët e tjera, tek progresi i bërë në adresimin e prioriteteve kryesore që e lidhin Shqipërinë me destinacionin europian dhe diskutuam dhe për Raportin dhe rekomandimin pozitiv, pa kushte, të Komisionit Europian. Ndamë mendimin se me marrjen e këtij rekomandimi nis një faze e re për vendin, sepse i gjithë procesi i integrimit është një proces për vendin dhe për ardhmërinë e tij, të bazuar në një shtet modern dhe institucione demokrate, për të cilat ndihmon jashtëzakonisht ky proces.

Sigurisht që folëm edhe për sfidat e mëdha që lidhen me këtë proces në vijim, ashtu sikundër e kam falënderuar edhe drejtpërdrejtë gjatë bisedave, edhe sot, Kryeministrin Michel për mbështetjen e inkurajimet e tij të vazhdueshme dhe për të gjithë mbështetjen që vendi i tij i jep Shqipërisë dhe qëndrimin ndaj procesit të zgjerimit në tërësi, dua që ta falënderoj edhe publikisht.

Ne besojmë që Shqipëria meriton një vendim për të hapur negociatat.

Natyrisht jemi të vetëdijshëm që hapja e negociatave nuk është fundi i përpjekjeve tona, por është fillimi i një faze të re dhe të gjatë përpjekjesh. Kemi besim se në këtë përpjekje kemi edhe mbështetjen e Belgjikës dhe të miqve dhe partnerëve tanë europianë.

Padyshim dhe jo e fundit për nga rëndësia, diskutuam edhe për rajonin, diskutuam për ecurinë e procesit të bashkëpunimit rajonal, për intensifikimin e marrëdhënieve rajonale. E nuk është rastësi që Kryeministri Michel ndaloi në Tiranë, por do të vazhdojë vizitën e tij më pas në Beograd, duke dhënë një mesazh të qartë mbështetjeje e inkurajimi për rrugën ku ka hyrë rajoni dhe për intensifikimin e marrëdhënieve dy dhe shumëpalëshe mes vendeve të rajonit.

Duke të falënderuar dhe njëherë shumë përzemërsisht, i dashur mik dhe duke shpresuar që herën tjetër, vizita do të jetë më e gjatë, sepse Shqipëria, sot ju ka pritur në një ditë me diell në Tiranë, po është e vogël, por shumë më e madhe se Tirana dhe ka shumë gjëra për të parë dhe për të shijuar, kam kënaqësinë të të kaloj fjalën.

Kryeministri Charles Michel: Shumë faleminderit!

Sigurisht do doja të filloja duke falënderuar Kryeministrin Edi Rama për ftesën dhe pritjen e tij. Siç e tha Kryeministri, kemi pasur shumë raste të takoheshim disa herë, në të takime ndërkombëtare, ndonjëherë në mënyrë dypalëshe, siç ndodhi para disa javësh në Bruksel, ku patëm rastin të flisnim në mënyrë të thelluar për marrëdhëniet dypalëshe mes Belgjikës dhe Shqipërisë, por dhe për marrëdhëniet ndërmjet Bashkimit Europian dhe Shqipërisë.

Dua të theksoj disa elementë që duken shumë të rëndësishme. Pika e parë është kjo vendosmëri për të punuar sëbashku për të forcuar, ushqyer dhe konsoliduar marrëdhëniet dypalëshe në të gjitha fushat, në planin politik, diplomatik, por edhe duke u përpjekur të stimulojmë kapacitetin e përforcimit të marrëdhënieve ekonomiko-tregtare. Gjatë këtij takimi identifikuam disa iniciativa konkrete. Ekipet tona diplomatike do të punojnë për t’i thelluar dhe më shumë, në kuadrin dypalësh, përpjekjet ekonomike, investimet, mes botës akademike gjithashtu, kulturore, për të forcuar bashkëpunimin, mirëkuptimin reciprok dhe për të ushqyer këtë partneritet të fortë, këtë miqësi diplomatike që na bashkon. Kjo ishte pika e parë e rëndësishme.

Pika e dytë, kemi pasur rastin gjithashtu të përmendim një sfidë të rëndësishme në marrëdhëniet dypalëshe, e rëndësishme gjithashtu për Bashkimin Europian, çështja e emigracionit, partneriteti në fushën e emigracionit. Kjo është e rëndësishme. Dua të theksoj përpjekjet që janë realizuar dhe që vlerësohen shumë, me të drejtë, nga autoriteti nën drejtimin e Kryeministrit, për të pasur një partneritet të ndershëm, cilësor, në fushën e emigracionit. Belgjika e konsideron Shqipërinë si një vend të sigurt dhe është e rëndësishme të punojmë sëbashku për të lëshuar mesazhe inkurajuese, për të parandaluar format e migracionit ilegal. Punojmë të kapur dorë për dore. Përpjekjet e bëra janë vlerësuar.

Një pikë shumë e rëndësishëm që është në qendër, në zemër të takimeve tona, siç ndodhi edhe sot, siç ka ndodhur dhe më parë gjatë takimeve të mëparshme në Bruksel, është ambicia që kemi për të luajtur një rol kyç në të ardhmen e Bashkimit Europian, duke mbështetur reformat që duhen ndërmarrë, për të thelluar Bashkimin Europian, për të forcuar dinamizmin ekonomik, për të forcuar investimet, përmirësuar sigurinë e jashtme dhe të brendshme, për të menaxhuar çështjen e emigracionit. Por kjo e ardhme e Bashkimit Europian kalon nëpërmjet një vizioni dhe më të qartë të marrëdhënieve tona në vendet e rajonit të Ballkanit.

Këtu dua të them publikisht, se ne vlerësojmë gjithashtu, me të drejtë, përpjekjet e rëndësishme që janë ndërmarrë nga qeveria e drejtuar nga Edi Rama në fushën e shtetit të së drejtës, në fushën e reformës në drejtësi. Do vazhdojmë të inkurajojmë këto përpjekje kaq të rëndësishme, që shihen nga qeveria belge si shumë të rëndësishme. Këto nuk janë të lehta për t’u zhvilluar dhe në kapacitetet e përafrimit me Bashkimin Europian.

Para disa ditësh u dha një rekomandim i rëndësishëm i Bashkimit Europian, që hap mundësinë pa kushte, këto janë fjalët e Komisionit Europian, drejt procesit të anëtarësimit. Në javët e ardhshme do të ketë diskutime politike shumë të rëndësishme të nivelit të lartë në gjirin e Bashkimit Europian ndërmjet shefave të shtetit dhe qeverisë në një Samit që do zhvillohet në Sofje. Ky do jetë rasti për të folur në lidhje me të ardhmen e Bashkimit Europian dhe vendet e rajonit. Do të merret një vendim në muajin qershor, i cili do të jetë shumë i rëndësishëm.

Ramë dakord të ruajmë një dialog të ngushtë me Kryeministrin, për të nxitur zhvillimet në lidhje me këtë vendim që do merret në muajin qershor. Nuk mund të them tani vendimin zyrtar, por Belgjika do shprehet në muajin qershor. Megjithatë, me shumë qartësi, me shumë vendosmëri them se ne dëshirojmë në një mënyrë apo në një tjetër të vazhdojmë përpjekjet për afrimin me Bashkimin Europian, gjithashtu aftësinë, mundësinë për të thelluar reformat brenda Bashkimit Europian dhe për të nxitur thellimin e përpjekjeve brenda Shqipërisë, për të dhënë një sinjal perspektivash pozitive optimiste dhe të marrim parasysh përgjegjësitë në zbatimin e reformave në mënyrë që të integrohemi edhe më shumë. Ky është një parim i rëndësishëm për Bashkimin Europian.

Sidoqoftë, faleminderit për këtë takim dhe këtë shkëmbim shumë të hapur, këtë partneritet dhe jam i bindur për ndershmërinë e vendit tim për të marrë parasysh përpjekjet që janë bërë dhe për të vënë në dukje gjithçka është e mundur që të kemi rezultate të prekshme nga qytetarët e vendit tuaj, që ky përafrim të mos jetë një afrim fasadë, por të shprehet me mundësinë për të konsoliduar lidhjet në fusha të ndryshme, politike, diplomatike, në fushën e sigurisë, në fushën e menaxhimit të emigracionit, në shkëmbimet tregtare etj..

Faleminderit!

Zoti Michel, ju thatë se Belgjika nuk ka një vendim zyrtar ende, përsa i përket vendimit për çeljen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë. Gjithsesi ju personalisht mendoni se Shqipëria e meriton çeljen e negociatave?

Zoti Rama, ju i keni bërë shpesh apel, kohët e fundit, kryetarit të opozitës, zotit Basha, për të bashkëpunuar për çeljen e negociatave. A do ishit ju dakord të ndërmerrnit një tur të përbashkët me zotin Basha në kancelaritë kryesore të BE-së, pikërisht për negociatat?

Kryeministri Charles Michel: Në lidhje me pikën e parë, vizita ime sot në Shqipëri nuk është një rastësi. E pranova me kënaqësi ftesën që mu bë, sigurisht për të dhënë një sinjal nga ana e Bashkimit Europian, një sinjal miqësie, një sinjal respekti, vlerësimi për përpjekjet e rëndësishme që janë kryer. Njëkohësisht, siç u tha nga zoti Rama, është e rëndësishme që fillimi i një procesi anëtarësimi nuk është pika e mbërritjes, është vetëm fillimi, mundësia për të nxitur përpjekje të tjera, reforma shtesë dhe ky afrim duhet të konkretizohet hap pas hapi dhe në procesin e vendimmarrjes në gjirin e Bashkimit Europian, duhet të respektojë kalendarin e përcaktuar. Nuk mund ta vë qerren përpara kaut. Pra, është në fillim mbledhja e shefave të qeverive të vendeve anëtare të BE-së, pastaj kjo pikë do vendoset në rendin e ditës në një mbledhje zyrtare dhe në atë moment do të komunikoj vendimin e Belgjikës. Por megjithatë duhet të jap rreth tryezës së Bashkimit Europian një mesazh vullneti, një mbështetje të përpjekjeve dhe do të kemi rastin të vazhdojmë rregullisht këtë dialog politik me kryeministrin, sepse unë bëj pjesë tek ata që mendojnë se duhen njohur përpjekjet e kryera, duhen nxitur këto përpjekje dhe të mos kërkojmë përpjekje pa ndjekur vijimin e këtyre përpjekjeve me rezultate të dukshme.

Kryeministri Edi Rama: Ju e dini që unë nuk flas asnjëherë për opozitën në gjuhë të huaj, kështu që përgjigja ime shumë shkurt është që pyetja juaj nuk ka nevojë për përgjigje, pasi patjetër do të ishte vërtetë një gjë shumë e vlefshme, nëse ajo do të ndodhte.

U fol në terma konkret, sa i takon disa zhvillimeve dhe bashkëpunimeve në tregun ekonomik, në aspektin akademik dhe kulturor. A mund të kemi një informacion më shumë sa i takon këtyre projekteve dhe me hapjen e negociatave në qershor, si e shikon qeveria jonë, si e shihni ju zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, me çfarë mundësish të shtuara?

Kryeministri Charles Michel: Ambicia që ndamë sëbashku ishte që të kishte një njohje më të mirë, një mirëkuptim reciprok mes Shqipërisë dhe Belgjikës, jo vetëm në planin ekonomik, jo vetëm në terrenin diplomatik. Ambicia është të shohim se si mund të inkurajojmë, të mobilizojmë sektorin privat, investitorët, të kemi një njohje, një kuptim më të mirë të mundësive, potencialeve të zhvillimit ekonomik, mundësive të partneritetit në fushën tregtare midis dy vendeve.

Po marr një shembull. Kemi disa ndërmarrje në Belgjikë që janë të specializuara në sektorin e infrastrukturës. Ndoshta një vend si Shqipëria ka ambicie të zhvillimit të sektorit turistik, që është një mënyrë për të forcuar zhvillimin ekonomik, për të stimuluar investimet për krijimin e vendeve të punës dhe një mbështetje në planin social dhe ndoshta mundësia që të nxitet Shqipëria për të tërhequr edhe më shumë turistë nga Belgjika dhe vendet e Bashkimit Europian. Kjo do ndihmonte një njohje më të mirë të këtij vendi dhe kjo do të ndihmojë për të favorizuar afrimin me Bashkimin Europian në mënyrë të pakthyeshme. Pra, ja një rast konkret, ku ne menduam t’i kërkojmë ekipeve diplomatike të punojnë, të organizojnë takime, mbledhje me përgjegjësit në ministri, për të parë mundësitë, për të vendosur prioritetet në fushën e investimeve, duke mbledhur Federatën e Investitorëve të Belgjikës që mund të ndërmarrin aktivitete. Kjo mbledhje mund të organizohet në Bruksel, mund të organizohet këtu, por gjithsesi të organizohet një proces që do të nxisë investimet dhe shkëmbimet ekonomike. Me të njëjtin arsyetim në fushën kulturore, në fushën universitare, në fushën e shkëmbimit të studentëve. Kjo gjithashtu është një mënyrë për të konsoliduar në mënyrë afatgjatë dhe të pakthyeshme lidhjet ndërmjet dy popujve tanë, ndërmjet vendeve tona. Janë pika shumë konkrete që janë menduar dhe i kemi dhënë udhëzime misioneve diplomatike që të punojnë për të mbledhur propozime dhe në muajt e ardhshëm dhe javët e ardhshme.

Kryeministri Edi Rama: Çelja e negociatave është një proces, i cili e fut vendin në një fazë tjetër sfidash shumë të mëdha për të çuar përpara reformat, për të treguar seriozitet në zbatimin e reformave dhe patjetër i jep vendit një status tjetër edhe në sytë e investitorëve të huaj, edhe në sytë e vizitorëve të huaj. Ne kemi folur për atë çka mund të bëjmë sëbashku, në rastin e marrëdhënieve me Belgjikën, për të sjellë shumë më tepër turistë dhe po ashtu për të tërhequr më tepër investitorë potencialë në sektorin e turizmit, duke parë dhe një trend jashtëzakonisht shumë inkurajues, por dhe sfidues rritjeje të numrit të turistëve. Edhe nga fusha të tjera e njëjta gjë. Dhe është fakt që e tregon historia e procesi të integrimit se vendet që kanë hapur negociatat kanë hyrë në një fazë të re edhe në aspektin e rritjes së interesimit, të investitorëve për këto vende.

Një pyetje për Kryeministrin Rama. Dua t’ju pyes, nëse deri në vendimin e Bashkimit Europian të qershorit, ndërkohë vendi juaj, a mund të marrë përpjekje shtesë për të bindur vendet anëtare aktuale, për të mbështetur rekomandimin dhe në planin e marrëdhënieve në rajon, a nuk është ende vendi për të saktësuar një herë e mirë se ëndrrat e disave për një Shqipëri të madhe, një afrim me Kosovën duhen mënjanuar përfundimisht?

Kryeministri Edi Rama: Para së gjithash dua të theksojmë me forcë se ka vetëm një gjë të madhe në të ardhmen e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, është Europa e madhe me shqiptarët brenda, qofshin shqiptarët e Shqipërisë, apo të Kosovës, apo shqiptarët e të gjithë rajonit në vendet e tjera ku ata jetojnë.

Së dyti, do të thosha se për ne nuk është një çështje për t’u mbyllur, nuk bëhet fjalë që të mbyllemi, apo të marrim frymë të lehtësuar, sepse jemi shumë të ndërgjegjshëm se ky është një proces që vazhdon dhe do të vazhdojë sepse është për të mirën e Shqipërisë, është ajo që duhet të bëjmë për fëmijët tanë dhe për brezat e ardhshëm. Reforma dhe procesi i integrimi nuk janë diçka që bëhet sepse  Brukseli na e kërkon, apo se janë të tjerët që na e kërkojnë. Janë çështje për jetë apo për vdekje midis Shqipërisë së të shkuarës dhe Shqipërisë së të ardhmes.

Mund t’ju siguroj se çdo ditë punojmë me këtë frymë dhe çdo javë ka gjëra që kryhen, që ndodhin në Shqipëri. I thashë Kryeministrit, se kemi hyrë në këtë proces të pastrimit të drejtësisë dhe janë 21 gjyqtarë dhe prokurorë të nivelit të lartë që nuk kanë mundur të kalojnë vetting-un. Kjo është një demonstrim i një vullneti shumë të fuqishëm për reforma, por dhe për zbatimin e tyre.

Duke thënë këtë, dua të shtoj se jemi shumë të ndërgjegjshëm se kjo rrugë është e gjatë, duhet që pas pastrimit, ky sistem të funksionojë dhe të japë shembullin e një funksionimi si në të gjitha vendet europiane.

Faleminderit!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here