Kreu Ditar Avni Rustemi i pavdekshëm…

Avni Rustemi i pavdekshëm…

137
0

“Fara e luleve vaditur me djersën e gjakun tuaj,  mbin dhe më nuk venitet”

(Populli i Gjirokastrës)

Loading...

Jeta 29 vjeçare e Avni Rustemit është e mbushur me veprimtari atdhetare e revolucionare. Demokrat i madh; udhëheqës i shquar-kryetar i shoqërisë demokratike “Bashkimi”; pjesmarrës i opozitës demokratike në Asamblenë Kombëtare, në prag të Revolucionit të Qershorit 1924.

Mësimet e fillores i mori në vendlindje, në Libohovë. Vazhdoi Normalen e Elbasanit, ndërsa studimet e larta për Pedagogji në Universitetin e Romës. Ndërkohë punoi mësues në Libohovë, Tragjas, Tepelenë e Vlorë. Nxënës dhe mësues; bir i popullit. Që në moshën 13 vjeçare braktisi bankat e shkollës dhe u bashkua me çetën e Çerçiz Topullit. Trim me pushkë në dorë. Kur ishte 15 vjeç, bëri një përpjekje për të vrarë në Shkodër komandantin e ekspeditës ushtarake osmane, general Shefqet Turg Pashën. Pas pushtimit të Shqipërisë së Jugut nga forcat greke, djaloshi 19 vjeçar, Avni Rustemi u radhit në forcat shqiptare për çlirimin e kësaj zone. Më 13 Qershor 1920 vrau në Paris, Esat pashë Toptanin, tradhëtar, vegël e fuqive të huaja. Çfarë jehone bëri për këtë hero shtypi demokratik i Gjirokastrës!

Gjirokastra protestoi në mbrojtje të Avni Rustemit. Më 29 nëntor 1920 në qytet u zhvillua një miting i madh, pas të cilit iu dërgua një mocion gjykatës së Parisit: ”I lutemi zhurisë së lartë të kombit francez, fisnik e liberal, të nxjerrë të pafajshëm Avni Rustemin, ekzekutorin e fajtorit me tradhti të lartë Esat Toptanin dhe të marrë në konsideratë se Avniu veproi kështu për të shpëtuar Atdheun”.

Protestat ishin nga mbarë vendi, madje edhe nga vende e miq nga gjithë bota, nën presionin e të cilëve Avniu u lirua. Pa kaluar asnjë muaj, pikërisht më 25 Dhjetor 1920, në orën 7 të mëngjesit ai del në limanin e Vlorës. U prit nga një shumicë e madhe njerëzish. Në Bashkinë e Vlorës, Avniu mbajti një fjalim dhe priti urime nga populli. Gazeta “Drita” e Gjirokastrës I uron mirëseardhjen në Atdhe, duke shkruar: “Merrni pra urimet e popullit, bekimet e të vdekurve, uratat e prindërve dhe përhirimet e miqve. Mirse na erdhe Avni Rustemi!”. Gjirokastra përgatitej të priste në gjirin e saj,bashkë me libohovitët,birin e vet Avni Rustemin.

Më 3 Janar, ditën e Hënë, në orën 14.00, një automobile special i Bashkisë së Gjirokastrës, i zbukuruar me flamurë e me dafina, niset drejt Tepelenës, per të pritur Avniun që do të vinte nga Vlora. Arriti në Gjirokastër në orën 22.30 për arsye të një aksidenti të rrezikshëm në Dukat-Tepelenë, Avniu paraqitej ashtu siç kishte qenë; burgu nuk i kishte bërë ndonjë përshtypje. Ai tregoi se numri 13, ishte i mbarë për të, se më 13 Qershor, në orëb 13, vret Esat Pashën, 13 ditë kishte që ish në Paris dhe juria ishte e formuar nga 13 veta! Avni Rustemi falenderon me anën e gazetës “Drita” të gjitha bashkitë, shoqëritë dhe shqiptarët brenda dhe jashtë atdheut, të cilët u përpoqën për shpëtimin e tij dhe që i uruan lirimin nga burgu. Vizitoi burgun politik e ordiner të Gjirokastrës.

16 Korrik 1921. Në Gjirokastër zhvillohej një miting në të cilin përveç Veli Harshovës, foli edhe Avni Rustemi, i cili përshkroi gjendjen. Fjalën e tij populli e priti me duartrokitje dhe thirrje: “Rroftë Shqipëria”. Pas 12 ditësh, Avniu viziton shkolla dhe merr takim me patriotë e demokratë, kalon në klubet e qytetit dhe interesohet për një jetë të gjallë demokratike.

20 Prill 1924, ora 9.30 njoftohet nga Tirana drejtori i gazetës për plagosjen e Avni Rustemit. Të nesermen Gjirokastra u mblodh në një miting të madh ku floën Veli Harshova e Ramiz Harxhi, në mes të një pikëllimi të përgjithshëm. Populli u shpërnda duke shfryrë kundër Ahmet Zogut dhe Shefqet Vërlacit e gjakatarëve të tjerë. Dita e Hënë dhe deri gjysma e së Martës, shkoi në heshtje. “Drita” shënon se “plumbi Avniun e kishte marrë në krahun e mengjërt midis brigjeve 7 dhe 8, i goditi mushkërinë dhe ngeli përmbi stomak”. Vrasësi i Avni Rustemit ishte agjent i çifligarëve të klikës zogiste, I. Reçi, i cili me pushtimin fashist të Shqipërisë, u bë spiun i Italisë. Njesitet guerile të Tiranës e ekzekutuan në Shkurt 1944.

Gjithë qytetarët, anëtarët e shoqërisë demokratike klubi i “Opingarëve”, protestojnë me telegrame drejtuar qeverisë dhe spitalit civil të Tiranës, ku ishte shtruar Heroi Avni Rustemi. Ai kaloi 48 orë i dergjur në plagët e rënda. Veli Harshova në fjalimin që mbajti, ndër të tjera u shpreh: “Aleksandri i madh kur vizitoi varrin e Akilit tha: “Lum ti Akil që gjete nujë Homer, i cili këndoi trimëritë tuaja”. Dhe për Avniun tha: “Në vend që të gjendej një vjershëtor i tillë që t’u këndonte trimërive të tua, u ndodh një dorë atdhetari, Ramiz Harxhi që vajtoi me një poezi të goditur”. Në kronikat e shtypit, flitej me shumë urrejtje për “tiranin e ri” (Ahmet Zogun), duke e dënuar me këto fjalë: “Ftojmë gjithë popullin e Shqipëeisë të marrë pjesë në kërtë luftë të shenjtë kundër tiranit të ri, që të shpëtojmë Shqipërinë nga rreziku”.

Me dhjetra e dhjetra ishin telegramet e drejtuar Avniut, sa ishte akoma gjallë dhe pasi ai kishte mbyllur përgjithmonë sytë. Nuk ishin më ata sy të ndritur, që përbënin “gjuhën e dashurisë” për atdheun dhe shqiptarët. Midis telegraneve shquhet ai i popullit të Gjirokastrës, kundër të tjera lexohet: “Fara e luleve vaditur me djersën dhe gjakun tuaj mbin dhe më nuk venitet. Lutemi lajmëroni shpejt gjendjen. Stop”.

Me dhjetra njerëz nga Gjirokastra shkuan për varrimin e Avni Rustemit në Vlorë. Aty kërkojnë të marrin pjesë edhe të rinj 16 vjeçarë, student të Liceut të Gjirokastrës. “Kur u vra Avni Rustemi te “kafeneja e huqumetit” erdhën automobilat për të marrë barrat që të shkonin në Vlorë.Atje plasi revolucioni”.

Në ditët e Majit 1924, kur populli është i revoltuar nga vrasja e Avni Rustemit dhe është ngritur në këmbë kundër klikës në fuqi, “Drita” shkruan: “Sot populli dhe ushtria, krah për krah të bashkuar janë duke provuar armët kundër atyre, që po na shpirn në greminë, kundër Zogut dhe përkrahësve të tij”.

26 Maj 1924. Duke folur për nderimet që iu bënë Avniut në Vlorë, gazeta “Drita” shkruante se “autorët që morën fjalën gjetën një popull që kish nxjerrë një Avni Rustem, se vendi ynë ishte i përbërë nga Avni të vegjël e nuk mund të duronte më Esatër të rinj dhe vendosi të provonte armët me ata që shpinin Shqipërinë në greminë”. Në ceremoninë e varrimit të Avniut në Vlorë, Fan Noli tha: “Aq sa jam helmuar për vrasjen e Avniut, aq jam mallëngjyer që Vlora pati idenë e bukur dhe delicate ta shtjerë trupin e tij pranë Ismail Qemalit…”.

Avniu ishte i guximshëm, i ditur, dashamirës, i përparuar, i thjeshtë. Njeri nga libohovitet në një episode të vogël provon pikërisht këtë virtyt të tij. Kishte lindur një djalë, me nënën e të cilit Avniu ishte kushëri. Shkoi për ta uruar. Pyeti si ia kanë vënë emrin bebes të porsalindur dhe mësoi se quhej “Javer”. Avniu hodhi sytë nga prindërit e vogëlushit dhe diçka do të shprehte. E aty për aty tha dy fjalë: “Sikur ta quajmë jo me këtë emër, por me një emër tjetër më të bukur, simbolik, se njeriut një herë i vihet emir dhe këtë e mban gjithë jetën? Po të jeni dakort, e kam një propozim”. Prindërit e fëmijës dhe të tjerët qe kishin shkuar aty për ta uruar, panë njeri-tjetrin. Sytë e tyre tregonin se “nuk ia prishim Avniut tonë”. Dukej që nuk kishin ndonjë kundërshtim. Ndërkaq, Avniu vazhdoi: “për shëmbull ta quajmë me emrin “Uran”!

Atëherë Avni Rustemi ishte 22 vjeç. Kishte hyrë në histori. Dy vjet e gjysmë më parë kishte vrarë Esat Pashë Toptanin. Duke dhënë mëndimin që djali të quhet Uran, buzëqeshi ëmbël. Buzëqeshja e tij kaloi nga fytyra në fytyrën e të tjerëve të pranishëm. Ishin dakord jo vetëm prindërit e fëmijës e familjarëty që e rrethonin, por edhe të tjertët që ndodheshin aty. Dhe “Javerit”, i mbeti emri i ri: Uran!…

Fjala për emrin e ri u përhap me shpejtësi. “Djali i Nafizit nuk quhet Javer, por Uran. Është emër që ia vuri heroi Avni Rustemi. Nder i madh!”. Ndoshta atëherë në Libohovë kishte qytetarë që nuk e dinin kuptimin e fjalës “Uran”. Aq më tepër s’kishte si ta kuptonte e ta “miratonte” i vogli djalë i porsalindur, se ende buzët i kishte me qumësht! Por ky do të rritej e do ta mësonte më vonë emrin e vet.  Dhe kur filloi të dëgjonte e thirrej “Uran”, të shikonte në sy. Ndërsa kur do ta mësonte se emrin e ka nga Avni Rustemi, do të gëzonte, do krenohej e do lumturohej dhe moshatarëve të tij do t’u thoshte: “Emrin e kam kujtim nga Heroi i Popullit, Avni Rustemi, revolja e të cilit shtriu në dhe Esat pashë Toptanin”! Do të vinte dita që t’iu tregonte shokëve episodin e sipërm. Si shkollar, do hapte enciklopedinë dhe do të gjente përkufizimin se “Urani është një nga planetët që ka formën e rrumbullakët, rrethuar me unaza pluhuri”.

Në muzeun e Libohovës Avni Rustemi përmes fotografive dukej si i gjallë, buzëqesh, bisedon sikur fluturonte drejt Parisit me revolver në brez dhe, erdhi andej fitimtar. Kur sheh biografinë e Heroit: jetëshkrim i pasur, i bukur, me barut të thatë, të cilin e përshkon si një fill i kuq atdhedashuria, dashamirësia, drejtësia, fisnnikëria, trimëria e Heroit të Popullit. I tillë ishte dhe do të mbetet në kujtesën e shokëve të tij, popullit dhe mbarë brezave që do të vijnë, i pavdekshmi, Heroi i Popullit Avni Rustemi.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here