Home Ditar Qemal Stafa, figurë e shquar e ANÇL

Qemal Stafa, figurë e shquar e ANÇL

59
0

“Mbeten gjithnjë të bukur, Ata që për Atdheun bien Dëshmorë”

Më 5 Maj 1942, duke luftuar me armë në dorë kundër milicisë fashiste dhe tradhëtarëve të Atdheut, ra militanti komunist Qemal Stafa, sekretar politik i KQ të Rinisë Komuniste Shqiptare dhe anëtar i KQ të Partisë.

Loading...

Qemal Stafa ishte një figurë e shquar për rininë antifashiste shqiptare. Aktivitetin e tij revolucionar ai e nisi që kur ishte fare i ri, në bankat e shkollës, në Gjimnazin e Shkodrës dhe të Tiranës. Qemali filloi të lidhet me masën e varfër të punëtorëve, me zanatçinjtë e të rinjtë si: Vasil Shanto, Jordan Misja, Vojo Kushi. Duke kërkuar rrugët dhe mjetet për çlirimin e popullit, ai u frymëzua nga ide revolucionare. Qysh në moshë fare të re, kur ishte në gjimnaz, në vitin 1935, në moshën 15-vjeçare, ai bëri hartimin me titull: “E vjetra shëmbet, kohët po ndryshojnë, një jetë e re po lulëzon gërmadhash”, ku për herë të parë hedh në letër mendimet e tij mbi nevojën e shëmbjes së rendit shtypës. Ja, ç’shkruante në këtë hartim:

“…E vjetra asht çdo gja që kohënat e kalueme na kanë lanë. Sistemi shoqnuer, arti i dikurshëm, feja, dasia midis popujve, janë të tilla”…

Në vitin 1936, familja re Qemalit u vendos në Tiranë, por Ai ndoqi mësimet e Gjimnazit shtetëror të Tiranës. Në gjimnaz, ai vazhdoi veprimtarinë revolucionare, u lidh me të rinjtë e varfër, nxënës të gjimnazit dhe forcoi lidhjet me të rinj punëtorë si topografë, marangozë, furrtarë, etj. Në gjimnaz,  Qemalit iu desh që të propagandonte idetë përparimtare dhe njëkohësisht të luftonte kundër pikëpamjeve reaksionare dhe obskurantiste, që përhapeshin nga regjimi në fuqi dhe që mbështeteshin nga burhan jukët, princ tatët dhe nga të tjerë këlyshë të feudo-borgjezisë që mësonin në gjimnaz. Në këtë punë Qemali gjeti mbështetjen e të rinjve përparimtarë, të cilët përqafonin, mbronin dhe përvetësonin idetë përparimtare.

Ai luftoi për të demokratizuar shoqërinë “Fryma e re’ dhe organin e saj me të njëjtin emër, që grumbullonte nxënësit e gjimnazit. Në këtë kohë bashkëpunon me rrethet përparimtare të intelektualëve e punëtorëve dhe zhvillon një aktivitet të ndjeshëm në fushën letrare, duke botuar në revista e në të përkohshme të atëhershme shkrime, të cilat ishin një aktakuzë e rëndë për regjimin shtypës të Zogut. Të tilla ishin shkrimet si “Qortimet e vjeshtës”, etj. që botoheshin në revistën përparimtare “Bota e rë” të Korçës. Në këto shkrime paraqitet mjerimi dhe varfëria e shtresave të ulëta të popullit dhe dëshira e flaktë e Qemalit për çlirimin dhe shpëtimin e tyre.

Pak kohë mbas mbarimit të gjimnazit, më 1938, ai arrestohet nga qeveria e Zogut. Qëndrimi para hetuesisë dhe xhandarmërisë, vendosmëria që tregoi në gjyq në Janar 1939, mbrojtja e hapur që u bëri ideve komuniste dhe punëtorëve shqiptarë, përbuzja dhe urrejtja që tregoi ndaj regjimit shtypës të Zogut dhe të organeve të tij represive, siç ishte vetë gjykata që po e gjykonte, janë një faqe e lavdishme në jetën revolucionare të Heroit. Ky qëndrim, ky qëndrim burrëror, kjo vendosmëri e paepur u bënë burim frymëzimi për të rinjtë punëtore e student të asaj kohe. Nxënësit përparimtarë të gjimnazit, të Shkollës teknike, të Institutit Femëror, flisnin plot admirim për Qemalin.

Pushtimi fashist e gjeti në burg nga ku ai u arratis menjëherë. Pak kohë më parë, i kishte vdekur vëllai i madh Veliu. Në kujtimin e tij, Ai shkroi vjershën me titull: “Hijes së t’em vëllau”, e cila është një tjetër premtim e betim për të vazhduar “në llogore të reja” luftën për çlirimin e Atdheut dhe të popullit të shumëvuajtur. Dhe Qemali e mbajti fjalën e dhënë: flamuri valoi gjithmonë kryelart në duart e revolucionarit të rid he të shokëve të tij.

…Kur në vendin tonë po piqeshin kushtet politike për një bashkim të grupeve komuniste, Qemal Stafa punoi me një vullnet të hekurt dhe me një vendosmëri të patundur. KQ i partisë i besoi Qemal Stafës drejtimin e Rinisë Komuniste Shqi[tare. Ai, me aftësitë e tij prej organizatori dhe drejtuesi, zhvilloi një punë të madhe për organizimin e rinisë komuniste dhe antifashiste jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytete të tjera të vendit. Atë e karakterizonte guximi dhe vendosmëria, energjia dhe palodhshmëria e revolucionarit, dashuria dhe besnikëria e militantit të vendosur për çështjet e popullit.

NË PEZË

“…Në krye të tri ditëve baba dërgon një partizan nga Peza të merrte Qemalin. Fshatari ishte një nga dy pezakët me të cilët kishte shpërthyer burgun mbrëmjen e 6 Prillit. Ata, sapo u panë, e njohën menjëherë njeri-tjetrin dhe u kapën në qafë. Pezaku kishte ardhur të merrte Qemalin me një pajton të mbyllur, duke sjellë me vete edhe një palë rroba fshatari.

Mbasdite Qemali, i veshur si fshatar nga peza, me xhoke e brekushe, lidhur me brez të kuq, ngjeshur për mesi, me qeleshe të bardhë në kokë, doli me pajton nga Tirana. Pajtoni, pasi kaqoloi postbllokun, mori drejt Pezës dhe u ndal në fshatin Çaush. Këtu, për herë të parë, Qemali u takua me luftëtarët  e çetës së Babës. Ky qe një takim prekës për të dy palët, po sidomos për Qemalin. Atë e mallëngjente fakti që kjo çerdhe e lirë ishte vetëm disa kilometra larg Tiranës së pushtuar, e, në të njëjtën kohë, i bënte përshtypje guximi e optimizmi i luftëtarëve.

…Puna e parë që bëri Qemali ishte agjitacioni me luftëtarët. Nëpërmjet konferencash e bisedash të thjeshta, ai u sqaroi situatën dhe u foli për perspektivën e luftës kundër fashizmit. Aksionet e para antifashiste të udhëhequra nga komunistët, hyrja në luftë e BS, disfata e fashistëve në frontin grek e bënin agjitacionin e Qemalit konkret dhe bindës. Ai foli për këto çështje jo vetëm para luftëtarëve të çetës, por edhe para popullit të fshatrave të Pezës. Fjala e tij dëgjohej me vëmendje. Fliste me një gjuhë të kuptueshme, qartë e rrjedhshëm. Në të njejtën kohë, dinte të tregohej i afërt me njerëzit, të jepte e të merrte me ta për çdo gjë.

Qemali, sa kohë ndenji në Pezë, i dha rëndësi të madhe agjitacionit politik. “Ju duhet të jeni sa më të sqaruem politikisht, – u thoshte shpesh luftëtarëve. –Kur të jeni të qartë politikisht, atëherë do të luftonin ma mirë. Do të dini përse luftoni. Nga ana tjetër, s’keni si t’i sqaroni fshatarët, pa qenë vetë të sqaruem”. Po puna e Qemalit në Pezë nuk u kufizua vetëm në agjitacionin politik. Ai mendonte e diskutonte vazhdimisht për organizimin e luftës së armatosur, për format e kësaj lufte, për armët dhe rrugët e gjetjes së tyre. “Lufta nuk mund të fitohet, pa u ngritur në këmbë tërë populli”. Këto mendime Qemali i shfaqte në biseda me Babën dhe me luftëtarë të çetës”.

Duke punuar dhe luftuar me guxim dhe pa u lodhur për zbatimin e detyrave që shtroheshin para rinisë, Qemal Stafa, më 5 Maj 1942, u rrethua në një shtëpi të Tiranës, afër spitalit, nga forca të shumta të milicisë dhe të kuesturës fashiste. Ai u ndesh ballë përballë me fashistët. Qemali luftoi me guxim dhe gjakftohtësi kundër këtyre bishave, duke vulosur me gjakun e tij premtimin dhe betimin që kish bërë, se do të luftonte deri në pikën e fundit të gjakut për çlirimin e Atdheut dhe të popullit. Rinia u betua, se do të ndiqte rrugën plot sakrifica, pot ë lavdishme të Qemalit. Dhe këtë betim ajo e mbajti. Luftëtarët si Misto Mame, Mihal Duri e shumë të tjerë ranë në luftën heroike për çlirimin e Atdheut. Në këtë luftë ata i frymëzoi edhe vepra dhe shëmbulli i Qemal Stafës. Atë vit, në çdo skaj të Shqipërisë i këndohej Qemalit kënga:

Brenda në Tiranë, afër një spitali,

ç’u vra Qemal Stafa, një trim nga të malit…

Qemal Stafa vdiq ashtu si vdesin heronjtë. Vdiq duke luftuar, si vdiqën komunistët e tjerë zëmërluanë: Bakua, Kadia, Shijaku…” Vdiq si vdesin burrat, por shokët e tij janë gjallë dhe flamurin për të cilin ra Dëshmor, do ta ngrenë akoma më lart. Shokët e tij janë në këmbë dhe luftën do ta vazhdojnë gjer në fund, gjersa gjaku i dëshmorëve të lahet me gjakun e tradhëtarëve katilë, gjersa t’ia marrin krejt shpirtin kuçedrës fashiste dhe të sigurojnë një Shqipëri të lirë, demokratike e popullore”.

Sot, më 5 Maj e gjithë Shqipëria përulet para kujtimit të Heroit të Popullit Qemal Stafa, heronjve, dëshmoreve dhe martirëve të Shqipërisë, emrat e të cilëve janë të pavdekshëm. Historia me shkronja të arta do të shkruajë heroizmin e tyre dhe në çdo 5 Maj, mbarë popullit shqiptar gjunjëzohet para kujtimit dhe veprës së tyre.

Lavdi Dëshmoreve dhe Heronjve që vaditën tokën arbnore me gjakun e tyre të kristaltë duke dhënë jetën e tyre në lule të rinisë!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here