Kreu Aktualitet Mbi arsyet e llogaridhënies publike

Mbi arsyet e llogaridhënies publike

101
0

Kryeministri Edi Rama në Kuvend:

 

Loading...

Profesor [deputeti Edmond Spaho], njerëzit ikin, fjala mbetet. Ne vazhdojmë me fjalën që mbeti pas. Ndërsa prania juaj, kuptohet, nuk i shton asgjë seancës.

Profesori më dha mundësinë të flas për llogaridhënien publike dhe besoj se fjalët e profesorit duhet t’i kemi parasysh si një hapje e çdo seance të llogaridhënies publike në të gjithë territorin, sepse, në fund të fundit, profesori përfaqëson të gjithë mendimin më të kualifikuar të një opozite të pakualifikuar.

Pse ne, sot e kemi domosdoshmëri fushatën e llogaridhënies publike?

Sepse aty ku zakonisht në një vend ku demokracia funksionon, me një shumicë që qeveris dhe me një opozitë që i kërkon llogari, pra, në Kuvend, ne nuk na kërkohet llogari. Ne thjesht na hidhen gurë, topa balte dhe gjithfarëlloj llozhurash, të mbledhura në të gjithë hapësirën e dëshpërimit të kësaj opozite.

Nga ana tjetër, për ne, fushata e llogaridhënies do të jetë një konstante e fundit të çdo viti të këtij mandati, sepse ne kemi marrë përsipër të qeverisim me njerëzit dhe për njerëzit. Kemi kërkuar një mandat për të punuar në drejtimin e vendit, pa qenë të shoqëruar nga askush prej këtyre që na lanë shëndenë, por për të qeverisur në një koalicion me njerëzit.

Fushata e llogaridhënies është e rëndësishme edhe për faktin se ne duhet të jemi sa më shumë drejtpërdrejtë, sy më sy, në komunikimin me njerëzit, pa lejuar që këtë komunikim ta zotërojnë agjentët e mjerimit, të gjithë ata me mandat politik, apo me kanale mediatike në dispozicion të bëjnë deformimin, shtrembërimin dhe manipulimin e të vërtetave tona të thjeshta, që janë të lidhura me çka kemi bërë mirë dhe me çka duhet të bëjmë më mirë.

Profesori iu referua rekomandimit dhe iu referua po ashtu, edhe një raporti të Departamentit Amerikan të Shtetit. Është bërë e modës që raportet e Departamentit Amerikan të Shtetit t’i dëgjojmë të interpretuara për së pari nga simotra jonë e humbur në drejtim të paditur, Lëvizja Socialiste për Integrim. Kemi dhe shokun tonë këtu, Luanin e LSI-së, i cili mezi pret të dalë dhe të informojë për çka thotë Departamenti i Shtetit për ne. Por nuk ka qenë e largët dita kur raportet e Bashkimit Europian kishin në faqet e tyre emra dhe mbiemra, jo fenomene. Kryetari vulëhumbur i kësaj opozite ka qenë me emër dhe me mbiemër në Raportin e Progresit, jo si hero i progresit, por si pengesë për progresin. Një tjetër kryetar i një simotre të simotrës së simotrës ka qenë me emër dhe mbiemër në raportin e progresin. Edhe ai, jo si një dëshmor i progresit, por si një pengesë e progresit.

Sot, ne kemi një raport progresi të Komisionit Europian që nuk është vetëm një raport i radhës, por është një dokument që mbështet hapjen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë, pa kushte. E arritëm këtë, jo vetëm duke luftuar për progresin, por dhe duke luftuar për të kapërcyer çdo ditë kodrat dhe malet me baltë, që kjo opozitë eksporton në zyrat europiane ku flitet për Shqipërinë.

Profesori këtu, me të gjithë kompetencën që e karakterizon dhe si të ishte një njeri që nuk gdhihej e ngrysej nën qiellin pa çati të SHQUP-it, por gdhihej e ngrysej në kancelarinë gjermane tha se pa u futur në burg Saimir Tahiri, na paska thënë Gjermania, këtu s’ka të ardhme për Shqipërinë. Ndërkohë që pjesa e vetme e diskutimit në Komisionin e Bundestag-ut për të shpjeguar lidhur me Shqipërinë, ishte pjesa ku gjermanisht, unë dëgjova ato që kemi dëgjuar këtu, shqip, 4 vjet. Sepse është normale, për një parlamentar, për një grup parlamentarësh në Gjermani apo në Europë është shumë e vështirë të arrijnë në atë nivel kuptimi që duhet të ketë një i huaj, kur ndeshet me baltën e eksportuar nga Tirana. Është shumë e vështirë të arrijnë në atë nivel kuptimi, duke qenë edhe një grusht miqsh të këtyre, që të besojnë se këta janë baba i rrenës dhe nona e shpifjes dhe se historitë e këtyre nuk kanë lidhje me të vërtetën.

Sidoqoftë, e vërteta në fund është që në asnjë rast dhe për asnjë arsye, një vend anëtar i peshës së Gjermanisë nuk mund të jetë kurrë një burim budallallëqesh, siç është kjo opozitë e përfaqësuar sot, me dinjitetin e vet më të lartë të mundshëm nga profesori.

Ne morëm rekomandimin pozitiv për të çelur negociatat, pa kushte. Kemi marrë një dëftesë që asnjë nga këta profesorë apo çirakë, të bashkuar në emër të popullit, nuk e konteston dot. Sepse Komisioni Europian është një makineri analizash dhe gjykimesh jo mbi llafet, jo mbi broçkullat, jo mbi tymin e ngritur përditë mbi kokat e shqiptarëve për interesa mizerabël politike, është një makineri që gjykon objektivisht çfarë u bë, çfarë nuk u bë, sa u bë, si u bë dhe çfarë duhet bërë më tutje.

Me këtë dëftesë në dorë, Shqipëria, sot është në një pozicion që nuk ishte deri përpara marrjes së kësaj dëftese. Me këtë dëftesë në dorë, Shqipëria, sot provon se nuk ka lidhje me çfarë thonë këta. E për më tepër, shqiptarët, të cilët i njohin mirë këta, nuk rrëmbehen, siç mund të rrëmbehet normalisht një deputet i huaj, kur gjendet përpara gjithë asaj balte dhe është i detyruar të thotë  “çfarë bëhet? Çfarë ndodh?” Sepse shqiptarët i kanë provuar këta. I kanë provuar që të gjithë, me radhë. Njërën palë e kanë provuar për vite të tëra. Palën tjetër e kanë provuar në dy martesa, edhe me njërin, edhe me tjetrin dhe kanë parë që janë ata që janë. I kemi, do t’i mbajmë, por do t’i mbajmë këtu ku janë, gjithmonë e më pak, gjithmonë e më pak të besueshëm e të dëgjueshëm. Le të vazhdojnë!

Problemi ynë nuk janë këta. Për këta, Partia Socialiste rron 1000 vjet në pushtet. Këta, Partisë Socialiste nuk i afrohen dot në asnjë formë, në asnjë rrugë. E dinë, por janë si ai personazhi i filmit që kur kalonte pyllin, këndonte këngë partizane, që të trembte hijet e frikës që i dukeshin si gjermanë. E dinë këta.

Problemi ynë është si të bëjmë më shumë, në kushte kur nuk kemi opozitë. Si të bëjmë më mirë, në kushtet kur nuk na sfidon opozita. Një opozitë me vizion, me program dhe me ide, një opozitë që vjen këtu e përgatitur për të goditur aty ku të dhemb dhe duke të goditur aty ku të dhemb, të prekë interesin e njerëzve për atë çfarë njerëzve u dhëmb, është shumë më e vështirë, por është edhe shumë më motivuese. Ndërsa kemi një opozitë që vizion ka baltën, program ka dyqanin e çizmeve dhe të miellit, ide ka kush gjuan më fort dhe kush shan me zë të lartë.

Për ne janë njerëzit, arsyeja që jemi këtu. Në 6 muaj kemi marrë rekomandimin pozitiv, kemi vënë përfundimisht në lëvizje vetting-un e shumëpritur dhe të shumëpenguar nga të gjithë këta, disa mbi dhe e disa nën dhe, disa në çadër e disa mbi çadër. Nuk e kthejnë dot më mbrapa. Janë dy momente madhore të të ardhmes së vendit, jo të të sotmes dhe janë dy arritje, të cilat nuk na i heq dot kush.

Ashtu sikundër ne duhet të flasim me njerëzit për t’iu thënë në sy dhe për t’i pyetur në sy, cilat taksa u janë rritur?

Po të dëgjosh këta, flasin këtu sikur nuk bëjnë asgjë gjithë ditën, vetëm paguajnë taksa nga mëngjesi deri në mëngjesin tjetër dhe vijnë të enjten që të shfryjnë sikur po paguajnë shumë taksa.

Po cilat taksa janë rritur për njerëzit?

Duhet me durim t’ua komunikojmë.

Kush ankohet për rritjen e taksave?

Ankohen ata, të cilët nuk kanë paguar kurrë taksa dhe ngatërrojnë pagesën e dritave me taksat, pagesën e ujit me taksat, apo ngatërrojnë faktin që sot e paguajnë një taksë që deri dje nuk e paguanin. Ankohen dhe ata të tjerë, të cilët nuk e bëjnë dallimin mes taksave kombëtare dhe tarifave vendore dhe ne duhet t’ua shpjegojmë.

Dy taksa kemi rritur ne. Kam kaq kohë që pyes, nuk vijnë të ma thonë të tretën, duke përjashtuar atë të duhanit, kuptohet. Attë, unë nuk e konsideroj fare në këtë rritje taksash, sepse atë e kemi një taksë shumë të thjeshtë. Lër duhanin dhe e ke zero.

Dy tasa janë ato që kemi rritur ne. Kemi rritur taksën për më të pasurit, qofshin kompani, qofshin persona, që fitojnë më shumë. E kemi rritur pasi e kemi premtuar dhe e kemi rritur konform programit dhe konform filozofisë tonë. 10% e kishin kompanitë, e kanë 15%.  Kemi bërë rritje progresive të taksave për ata që fitojnë më shumë. Ndërsa 97% e shqiptarëve paguajnë më pak taksa.

Kemi rritur taksën e karburantit. E kam shpjeguar e do ta rishpjegoj pse e rritëm taksën e karburantit.

Në shtatorin e vitit 2013, kur kemi marrë votëbesimin në Kuvend, kemi marrë në dorë një vend që ishte në buzë të greminës, në prag të zjarrit, njësoj si në Greqi. Saliu nuk gënjente kur thoshte, “prisni se ju pret skenari i Greqisë” E dinte mirë se çfarë na kishte lënë, një humnerë përpara. Sollëm FMN-në, zjarrfikësin ndërkombëtar, për të shmangur flakët mbi financat e shtetit. FMN-ja na e tha shumë qartë, ulni rrogat, ulni pensionet, sepse ndryshe nuk do keni mundësi t’i paguani, kështu siç i keni, në fund të nëntorit e në dhjetor.

Ne nuk pranuam t’i ulnim, por duhet të nxirrnim para për buxhetin. Mes shumë taksave që u diskutuan në atë kohë, ne vendosëm të rrisim taksën e karburantit, për të mos vendosur një taksë të re për të gjithë, por për të vendosur një taksë për konsumatorët e karburantit, duke u nisur nga fakti që çmimi kishte rënë pikiatë dhe që ajo që ata do të nxirrnin, e kanë nxjerrë deri më sot nga xhepi,  ishte dhe është më pak sesa paguanin për karburantin, kur ishte me çmimin e lartë ndërkombëtar. Patjetër që është çmim më i lartë sesa në rajon. Sigurisht e dimë. Por është më i ulët seç ishte. Janë 100 milionë dollarë çdo vit, që me çmimin e vjetër do shkonin për karburant dhe sot, me gjithë taksën brenda, mbeten në xhepin e konsumatorëve të karburantit. Ky është fakt.

Këto dy taksa kemi rritur. Plus që në çmimin e karburantit është edhe taksa e qarkullimit.

Kush janë taksat e tjera?

Ah, po. Ka rritur Bashkia e Tiranës taksën për ndërtuesit e ka bërë shumë mirë. Përsëri për më të pasurit.

Kush janë taksat e tjera kombëtare që paskemi rritur ne?

Profesori thotë se para 5 viteve iu paskemi premtuar njerëzve që do rrisim rrogat dhe nuk i kemi rritur. I kemi rritur rrogat, më shumë sesa i kanë rritur këta në 8 vjet. Është fakt! Të ardhurat e punonjësve në shtet apo në privat, që kanë një rrogë deri në 600 mijë lekë, janë sot më shumë edhe për shkak të rritjes së rrogës, edhe për shkak të uljes së taksës. Mësuesja paguan më pak taksa sot, seç paguante dje. Një infermier paguan më pak taksa sot, seç paguante dje dhe i kanë rrogat më të larta, sesa i kishin dje. Duhen më shumë? Patjetër që duhen më shumë. Por po të kthejmë kokën pas, ishin këta.

A ka shqiptar, të cilit i funksionon rradakja e palidhur me sistemin e prodhimit të energjisë së SHQUP-it apo të LSI-së, që mund të mendojë se ka krahasim këtu dhe mund të kthehet pas?

A ka shqiptar që nuk e ka prizën e rradakes tek muret e SHQUP-it, apo tek kolibja e LSI-së, që mund të mendojë se këta janë për t’u dëgjuar, e jo më pastaj për t’u besuar?

Nuk ka.

Por kjo nuk na mjafton, se ne nuk e kemi garën me këta. Ne duam të shkojmë më tutje në Champions League. Ne nuk luftojmë për kategorinë e dytë dhe të tretë. Këta janë kategoria e dytë, Titi me Luanin janë e treta, kjo dihet. Dhe si të gjitha ata të kategorisë së tretë rrinë dhe kur i vjen topi në këmbë, nuk shohin topin, shohin këmbën e tjetrit. E për këtë i mbajnë, që të na gjuajnë këmbëve, jo që të bëjnë gol, se dihet që Titi dhe Luani nuk kanë lidhje fare me zonën e rreptësisë, aty është Monika me çizme në dorë për t’i gjuajtur arbitrit. Çfarë të bëjmë? Përpiqet njeriu t’i marrë seriozisht, për të respektuar ata që i kanë votuar. A merren seriozisht këta? A mund të marrësh seriozisht Titin? Unë bëj përpjekje se e kam dhe gjysmë patriot për atë zonë.

Profesori thotë, tregojuni shqiptarëve për koncesionet. Patjetër, për këtë do shkojmë në llogaridhëniet publike, për t’iu treguar shqiptarëve nga afër dhe me intensitet, jo thjesht nga sa na jepet mundësi përmes televizionit, që si këta i kanë rrjepur me koncesione dhe si ne paguajmë para nga buxheti që shqiptarët të marrin shërbime më të mira, pa ju thënë paguani më shumë. Kjo është diferencë shumë e thjeshtë. Titi nuk e do check-up-in. Mendon që është i tepërt. Ka qenë dhe ministër Shëndetësie. Është çështje e Titit. Për Titin, Shqipëria që kishim, ishte më e mirë se kjo që kemi.

Për ne, Shqipëria që duam duhet të jetë shumë më e mirë se kjo që kemi. Ky është dallimi. Check-up-i është falas. Sigurisht që ne paguajmë për të, por nuk iu themi shqiptarëve, siç iu thoshte Titi kur ishte ministër i Shëndetësisë, doni të bëni check-up? 82 mijë lekë e keni. Ose mos e bëni, vrisni veten. 82 mijë lekë e kishte, meqë fjala na çoi tek Titi, se në fakt është më mirë të përqendrohemi tek profesori, se është si është, është mbi Titin.

Në kohën e profesorit dhe Titit, operacionet bëheshin akoma me instrumentet që kishte sjellë i ndjeri Enver në kohën e dashurisë shqiptaro-kineze, të pasterilizuara sipas standardeve dhe me një numër marramendës infeksionesh post-operatore. Sot shikojini shifrat e infeksioneve post-operatore. Flasin qartë. Sigurisht është një koncesion, por nuk i themi nënave që shkojnë të lindin fëmijë, ne kemi sjellë instrumente të reja dhe duhet të paguash për lindjen. As familjarëve që çojnë njerëz për të operuar nuk iu themi meqë hoqëm ato të ndryshkurat e Titit dhe kemi sjellë këto nga Gjermania, do paguani një tarifë. Në asnjë mënyrë. Shërbimin ata e merrnin siç e merrnin, pra, nuk paguajnë. Për këtë paguan shteti, se kur themi shërbime falas shëndetësore, nuk themi që vijnë si rezultat i një marrëveshjeje që ne kemi bërë me Zotin, i sjell Zoti nga hapësirat e veta të pafundme dhe këto ndodhin. Janë shërbime që janë falas për qytetarët, por që i paguan shteti, i paguan shoqëria.

Ata me dializë, profesori dhe Titi i linin rrugëve, me tre turne, tre herë në javë të vinin në Tiranë dhe e bënin dializën tek privati. E tek një privat i vetëm. Sot e bëjnë në kushte krejtësisht të tjera, e bëjnë në zonën afër qendrës së tyre të banimit dhe nuk detyrohen të paguajnë edhe për familjarin që i shoqëronte për të ardhur 3 herë në Tiranë, ditën dhe natën dhe të torturohen si të ishin qenie pa asnjë vlerë.

Këto janë koncesionet që kemi bërë ne.

Profesori thotë oligarku i Rrugës së Kukësit. Shefqet Kastrati, oligarku ynë! Profesorin nuk e kanë informuar ndoshta, për kontributet e Çetit për Partinë Demokratike. Saliu dhe Luli i dinë mirë.

Në të gjithë këtë vorbull që krijohet këtu, çdo të enjte dhe në të gjithë vorbullat që krijohen ditë për ditë, nëpër banakët e televizioneve ku shfaqen këta agjentët e mjerimit, që kanë marrë përsipër të shpëtojnë popullin, ne jemi të detyruar të jemi shumë më pranë njerëzve dhe të flasim shumë më tepër. Sigurisht do themi çfarë kemi bërë, por këtu, ne jemi të parët që e dimë që duhet të bëjmë më shumë. Ne jemi të parët që e dimë që gjërat nuk janë në rregull dhe ka shumë gjëra për të rregulluar. Ne jemi të parët që e dimë se ku pikon çatia. Këta nuk dinë gjë fare. Këta janë në autobusin e dasmës që shoqëron kamionët e miellit dhe furgonët e çizmeve. Këta janë në botën e tyre.

Kjo ishte replika ime me profesorin. Sigurisht si në çdo fjalë, apo në çdo replikë me figura serioze si profesori përdoren edhe ilustrime nga jeta dhe për këtë, këtë herë përdora Titin.

Shumë faleminderit!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here