Home Aktualitet Çelet ekspozita me vëllimet më të rralla të trashëgimisë shpirtërore

Çelet ekspozita me vëllimet më të rralla të trashëgimisë shpirtërore

58
0

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e çeljes së Ekspozitës “Urtësie të pashuar”, ku ekspozohen vëllimet më të rralla dhe më të moçme të trashëgimisë sonë humaniste dhe shpirtërore që deri më 20 maj do jenë të ekspozuara në zemër të Tiranës.

Mirë se kemi ardhur të gjithë në këtë aktivitet disi të pazakontë, një vend krejtësisht të pazakontë dhe besoj që mund të ketë tingëlluar ndoshta e papritur, ndoshta e çuditshme, ndoshta e pakuptueshme, pse pikërisht në këtë godinë të damkosur në kujtesën tonë të përbashkët, që qëndron prej kaq shumë vitesh si një sfinks në zemrën ku pulson gjithë gjaku i Tiranës, të ndodhë që të jemi mbledhur për një kremtim të një trashëgimie të thellë kulturore.

Loading...

Në fakt, unë e quajta shumë të arsyeshme atë që më shpjeguan organizatorët e këtij aktiviteti, kur më thanë se kjo është godina që mbledh më shumë vështrime kalimtarësh, për shkak të pozicionit që ka dhe për shkak të misterit që mban brenda. Nga ana tjetër më përkon më së miri me një ide jo të re, por ende të pazhvilluar, për ta kthyer këtë godinë në vendin ku ndodhin rregullisht të gjitha ato që i zoti i saj nuk do të donte kurrë t’i shihte të ndodhnin në vendin tonë, të çliruar prej hijes së tij.

Ma ha mendja që ky aktivitet, i cili zhvillohet në Javën e Europës, si një perde që hapet për të gjithë teatrin e solemniteteve të merituara të kësaj jave, i bën jehonë pikërisht Europës brenda nesh, një tresheje të përmbledhur në një, filozofike, laike dhe shpirtërore, tre tradita të mëdha që e kanë përshkuar dhe e kanë përshkruar e skalitur identitetin tonë gjatë pothuajse 15 shekujsh në pergamena, dorëshkrime, vëllime, Dhiata, të vjetra e të reja, Kuranë dhe shtypshkrime mbi filozofinë, astronominë dhe shkencat humane, deri te shenja ndoshta volumit më të spikatur mes tyre, Kodikut të Purpurt të Beratit.

Këto peri të paçmuara të trashëgimisë sonë, me të cilën ne numërohemi mes kombeve qytetërimdashës të Europës, kanë dalë nga fundet e korridoreve periferikë të arkivave, për t’iu ofruar pikërisht atyre syve të panumërt që mblidhen këtu, në zemrën e qytetit, për 1001 arsye, nga mëngjesi deri në agim, si një mënyrë për t’u shfaqur për shumëkënd që asnjëherë nuk e çon rruga në korridoret e arkivave, apo që mbase asnjëherë nuk i ka rënë rruga brenda vetes për të parë pikërisht këtë mishërim të identitetit tonë si komb dhe të identitetit të secilit si qytetar i këtij vendi.

U jam shumë mirënjohës punonjësve të Drejtorisë së Arkivave, që e pranuan këtë propozim ekstravagant dhe u stërmunduan që t’i nxjerrin dhe t’i mbledhin për disa kohë këto mrekulli, për të bërë të mundur që e gjithë muzika dhe e gjithë zhurma e kësaj zone të përzihet me gjithë magjinë e estetikës së këtyre copëza të çmuara.

Synimi për ta kremtuar Javën e Europës pikërisht si një javë të një drite të brendshme na çoi tek kjo ngjarje, që besoj se nga ana tjetër ka dhe shumë për t’u treguar dhe për t’u mësuar të gjithë atyre që janë pjesë e jona, por e kanë të pamundur të na shohin nga brenda dhe na shohin veç nga jashtë, miqve tanë këtu në Shqipëri, qofshin ambasadorë, qofshin dhe vizitorë.

Është si të thuash një proces rizbulimi për ne shqiptarët dhe një proces zbulimi për ta, në fund të të cilit, ne dhe ata kuptojmë më mirë që jemi një, pavarësisht se fatet na kanë ndarë, këta në “BE”, ne në “E”, këta matanë, ne këtej. Në kërkimin e “B”-së përpara “E”-së, ne jemi falë edhe bashkëpunimit me ta, në një përpjekje ku shpeshherë mundohemi dhe nganjëherë lëndohemi për faktin se këtyre “B”-ja ju mjafton që të zvogëlojnë “E”-në tonë, që në fakt është po aq e madhe sa “E”-ja e këtyre.

Sidoqoftë jam po ashtu i gëzuar edhe për faktin që edhe ky aktivitet dëshmon se për ne, Viti i Skënderbeut nuk është një vit i tamtameve dhe i zhurmave nacionaliste, siç u trembën disa nga këta të “E”-së me “B” përpara, por është një vit i Europës me “E” të madhe, në kuptimin më të mirë dhe më të thjeshtë të fjalës, të asaj Europe që e mishëron si një simbol i jashtëzakonshëm për ne, por i pazakonshëm dhe për vetë Europën, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Po ashtu, nga njëra anë, ky aktivitet dhe nga ana tjetër, Konferenca Ndërkombëtare Albanologjike, kushtuar pikërisht Gjergj Kastrioti Skënderbeut, e plotësojnë më së miri Javën e Europës.

Pa dashur që t’i humbas të gjithë magjinë pritjes dhe kuriozitetit për të hyrë në brendësinë e sfinksit që kemi mbrapa, nuk mund të lë pa thënë se më vjen shumë mirë që në këtë javë, ne kremtojmë Europën si një detyrim dhe përjetim i të gjithëve, por i japim mundësi edhe atyre që gjithë kjo periudhë i ka lënë në një hije rëndom të zymtë, njerëzve të shkencës dhe qenieve të përkushtuara ndaj albanologjisë, që të jenë pjesë e denjë e këtij viti mbarëkombëtar të Skënderbeut.

Gjatë vizitës së tij, Presidenti i Këshillit Europian, Presidenti Tusk, duke nënvizuar pikërisht virtytin e bashkëjetesës fetare ndër shqiptarët, që konfirmon si realitet autentik edhe raporti i fundit i Programit për Zhvillimin e Kombeve të Bashkuara tha se kjo i bënte shqiptarët të ishin ndoshta më europianë se kombe të tjera, anëtare të Bashkimit Europian.

Në fakt, ne nuk duam të jemi më europianë, ne duam të respektohemi për aq europianë sa jemi. E natyrisht është detyra jonë të këmbëngulim përpara çdo europiani, që asnjë europian nuk është më shumë europian sesa jemi ne.

Me këtë frazë miqësore, me shumë përulësi, unë dua që t’i shpreh të gjithë mirënjohjen krerëve të komuniteteve fetare që janë këtu të pranishëm, sepse në fund të ditës, ne jemi ata që krenohemi me bashkëjetesën fetare, por janë këta njerëz që i japin asaj bashkëjetese frymën e përditshme. Janë këta njerëz që përballen me sfidat që ka kjo bashkëjetesë, e cila është një thesar i çmuar që nuk mjafton që ne, të cilët ia dimë vlerën, të kemi dëshirën t’ua trashëgojmë fëmijëve tanë, por duhet që edhe fëmijët tanë ta pranojnë si një trashëgimi të çmuar, duke ia ditur vlerën.

E nëse e para është e sigurt, e dyta është e gjitha për t’u fituar në terrenin e përpjekjeve të vështira, për të edukuar çdo fëmijë me vlerën e jashtëzakonshme të kësaj trashëgimie. Është rasti, besoj, që në këtë Javë të Europës dhe në këtë vit jubilar mbarëkombëtar, unë t’i shpreh një mirënjohje publike këtyre personaliteteve që na bëjnë krenarisht europianë me përpjekjen e tyre më shumë të heshtur sesa të zëshme, duke iu dorëzuar përulësisht dhe me shumë modesti, Medaljen e Mirënjohjes së Kryeministrit.

Unë do doja që duke respektuar të drejtën e tyre për të zgjedhur se kush vjen i pari e kush vjen i dyti, se nuk i hyj këtij rreziku që të bëj klasifikimin sipas rëndësisë por nuk besoj se dhe do të ishte e udhës që të bëja klasifikimin sipas alfabetit, mirëpres me radhë ata që mendojnë që kanë radhën për të marrë këtë medalje.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here