Home Aktualitet Një hap më shumë drejt përfundimit të Bulevardit të Ri të Tiranës

Një hap më shumë drejt përfundimit të Bulevardit të Ri të Tiranës

39
0

Fjala e kryeministrit Edi Rama në çeljen e segmentit te dytë të Bulevardit të Ri të Tiranës:

Më vjen shumë mirë që jemi rikthyer këtu, në këtë kantier për të dëshmuar vijimin e një pune të madhe dhe një pune të vështirë dhe një pune që deri shumë pak kohë më parë, dukej e pamundur.

Loading...

Faktikisht sot, ne jemi një hap tjetër më pranë përfundimit të këtij projekti strategjik për kryeqytetin. Ashtu sikundër e theksuan dhe parafolësit, jemi në kushtet kur jo vetëm një plagë të madhe të kryeqytetit tanimë e kemi kuruar, por në vend të asaj plage, gjithë zona e lumit dhe pranë lumit, kemi një park, kemi një segment i cili është në dispozicion të fëmijëve, në dispozicion të të rinjve, në dispozicion të të moshuarve dhe i shtohet përmasës së gjelbër të kryeqytetit.

Sikur ky bulevard të ndërtohej me ritmet që përcaktuan ecurinë e tij në katër vitet përpara zgjedhjes së Erjonit në krye të bashkisë, do të duheshin 60 vjet për të arritur këtu ku kemi arritur sot dhe mbase edhe 30 vjet të tjera për të shkuar aty ku faktikisht do të shkojmë deri në fund të vitit të ardhshëm. E gjitha kjo sepse kemi organizuar një punë të përbashkët. Jemi koordinuar më së miri dhe është bërë e mundur sinergjia e të gjithë aktorëve dhe faktorëve, ku padyshim mbetet e paçmuar prania dhe mbështetja e Fondit për Zhvillim të Abu Dhabi-t, që gjej rastin ta falënderoj me gjithë zemër sepse financimi i tyre ka qenë përcaktues në realizimin e këtij projekti kaq strategjik për Tiranën.

Nga ana tjetër, më vjen shumë mirë që jo vetëm po ndërtohet një bulevard i ri, jo vetëm kemi një aks të ri ekologjik në vijën e lumit të Tiranës, jo vetëm me kryerjen e këtyre punimeve krijohet një mundësi e re qarkullimi për gjithë banorët e njësive 9, 8 dhe 4 në këtë anë të Tiranës, por së shpejti do të marrë jetë edhe një park i ri qendror dhe faktikisht, gjithë volumi i hapësirës së gjelbëruar dhe i atraksioneve të një parku, do të jetë një volum plotësisht i krahasueshëm me atë që sot është parku ekzistues i liqenit të Tiranës dhe faktikisht kjo është një vepër që është e dyta në historinë e kryeqytetit për sa i përket përmasës së gjelbër, pas parkut të liqenit të Tiranës.

Nuk dua të zgjatem më tutje, por dua të nënvizoj dhe një aspekt tjetër. Aspektin e zhvillimit ekonomik dhe social që do të sjellë çuarja përpara e kësaj pune, me fillimin që e lajmëroi dhe kryetari i bashkisë, të dhënies së lejeve të ndërtimit për gjithë bllokun e ri që parashikon projekti dhe ku uroj të shohim sa më shpejt kulla të reja.

Në Tiranë, zhvillohet një debat idiot lidhur me pikërisht ato që janë edhe shprehjet më kuptimplota dhe më cilësore të zhvillimit të kryeqytetit të së ardhmes. E kam fjalën për ndërtimet ikonike të Tiranës që janë kullat e parashikuara në planin francez dhe që do të pasohen besoj e shpresoj sa më shpejt edhe me kullat e parashikuara në këtë anë të Tiranës.

Bëhet fjalë për zhvillime të domosdoshme në të gjitha aspektet. Në aspektin ekonomik, në aspektin social, në aspektin mjedisor dhe gjithçka thuhet lidhur me to për t’i kundërshtuar është thjesht dhe vetëm një absurditet i plotë.

Unë besoj që në këtë zonë, falë edhe një mundësie që ka pasur zona për t’u ndërtuar të gjitha gjërat me radhë, pra për të pasur një infrastrukturë nëntokësore të ndërtuar paraprakisht duke parashikuar të gjithë zhvillimin e mëpastajmë, do të kemi jo thjesht blloqe të reja banimi, biznesi, argëtimi, por do të kemi blloqe të një cilësie tërësisht të re, sepse tek e mbramja, sfida jonë, sfida e nisur që në fillim të viteve 2000 dhe e cila vazhdon çdo ditë sot në Tiranë, është një sfidë komplekse, e cila është shumë më e vështirë aty ku duhet rregulluar se sa aty ku mund të niset gjithçka nga e para.

Në të gjithë Tiranën, ne sa herë që duhet të bëjmë diçka të re, duhet të përballemi me të gjitha problemet e trashëguara për shkak të ndërtimeve së prapthi në të shkuarën, pa leje e pa asnjë plan dhe rend. E për këtë, edhe kostoja e zhvillimeve në Tiranë sot është kaq e lartë për shkak se shpronësimet përbëjnë një zë jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe një peshë shumë të ndjeshme në shpenzimet tona.

Megjithatë, e shkuara është e shkuara, duam, nuk duam, duhet të përballemi me të në çdo hap të zhvillimit të Tiranës, por ajo që është e rëndësishme është që çdo hap që hedhim sot është një hap i sigurtë që e afron të ardhmen e Tiranës për ata që jetojnë sot në Tiranë.

Jemi shumë të vetëdijshëm për sa shumë akoma mbetet për t’u bërë, sa shumë akoma duhet bërë dhe projektet e bashkisë së Tiranës, sëbashku me projektet e qeverisë shqiptare për Tiranën, shtuar edhe një sërë projektesh të përbashkëta që ne shpresojmë të vazhdojnë të financohen, qoftë nga miq të mirë dhe partnerë të kryeqytetit siç është fondi i Abu Dhabit, qoftë nga të tjerë, na jep mundësinë që të themi që jo vetëm në këtë mandat të kryetarit të bashkisë së Tiranës, ne do të bëjmë shumë më tepër se ç’është bërë në shumë vite më parë të mbledhura sëbashku, por në mandatin e ri qeverisës, ne do të bëjmë me siguri, në bashkëpunim me kryetarin e bashkisë dhe me bashkinë e Tiranës, shumë më tepër se c’është bërë në këto thuajse 3 vite të mandatit të bashkisë së Tiranës.

Duke e mbyllur dua që edhe një herë, jo për formalitet, se ju e dini mirë se me sa kënaqësi i kam unë falenderimet për të huajt, por për hir të së vërtetës të shpreh mirënjohjen më të thellë për fondin e Abu Dhabi-t, me shpresën që puna e mirë dhe fjalët e mira që po dëgjojnë sot, t’i nxisin që të vazhdojnë të punojnë me ne dhe ti nxisin që të bëjnë një financim të ri për pjesë të reja që i duhen bashkëngjitur këtij projekti, në mënyrë që projekti të marrë një përmasë gjithnjë e më të plotë dhe njëkohësisht, nga ky projekt të përfitojnë gjithnjë e më shumë njerëz.

Dua të falenderoj gjithashtu me shumë kënaqësi të dy kompanitë, kompaninë që ka punuar me një cilësi të lartë për rehabilitimin e gjithë aksit të lumit dhe kompaninë që vazhdon të punojë me një cilësi të lartë këtu për Bulevardin e ri. Me kërkesën direkte tani për fondin e Abu Dhabi-t që të mund të na mbështesin për të rehabilituar edhe pjesën e Zogut të parë, ku kemi nevojë të ndërhyjmë për të krijuar lidhjen përfundimtare mes sheshit Skënderbej dhe bulevardit dhe njëkohësisht për të kuruar një situatë që nuk është fort e pëlqyeshme tani midis këtyre dy pjesëve, ju falenderoj të gjithëve për praninë dhe për durimin.

Shumë faleminderit!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here