Kreu Aktualitet Punësimi, mundësi të reja për të rinjtë me arsim profesional

Punësimi, mundësi të reja për të rinjtë me arsim profesional

102
0

Plot 700 vende të lira pune ofrohen në Panairin e Punës në qytetin e Lezhës. Kryeministri Edi Rama, i cili vizitoi stendat e këtij Panairi, u shpreh se edhe ky Panair dëshmon mbi mundësitë e reja që u ofrohen veçanërisht të rinjve që kanë përfunduar arsimin profesional.

“Problemi ynë serioz janë zanatet, ndërkohë që shkollat profesionale po avancojnë goxha pozitivisht. Edhe këtu në Lezhë po bëhet një punë jashtëzakonisht pozitive në këtë drejtim. Fakti është që edhe ky Panair e provon që mundësitë për punë janë dhe akoma më shumë, dua të them që sidomos këtu në Lezhë ka disa shembuj fantastikë të rinjsh, të cilët nuk rrinë të presin as në kafe, as në Facebook, as te dera e deputetit, as te dera e partive, as te dera e komshiut, as te dera e kushëririt, por ndërmarrin vetë nisma, krijojnë punë për vete dhe krijojnë punë edhe për të tjerët,” deklaroi Kryeministri, duke shtuar se “me stimulimin që do t’i bëhet programit të ri të agroturizmit do ketë edhe më shumë zhvillime pozitive, sidomos për më të rinjtë që jetojnë në zona rurale dhe që duan, jo thjesht të kenë një punë, por dhe të fitojnë përmes iniciativës sipërmarrëse”.

Loading...

Ndërsa zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, Danja Sorensen, theksoi se përveç vendeve të lira të punës, bizneset kanë hapur dyert për mjaft të rinj që duan të kryejnë praktikat profesionale në ambientet e tyre dhe kjo edhe kundrejt pagesës.

“Aktualisht sot te Shërbimi Kombëtar i Punësimit u pasqyruan 700 vende të lira pune dhe mbi 1 mijë të rinj të cilët janë regjistruar aktualisht për të plotësuar këto vende të lira pune. Një eksperiencë që është shumë pozitive është që ne kemi të rinj të moshave 16 vjeç, 17 vjeç, nxënës të shkollave tona profesionale, të cilët janë duke bërë praktikat pranë këtyre bizneseve. Bizneset sot kanë pasqyruar jo vetëm vendet e lira, por kanë hapur dyert për të rinjtë të cilët janë të gatshëm të kenë eksperiencat e para të punës, madje në shumë raste dhe eksperienca pune të paguara. Kishim rastin e Mrizit të Zanave, ku kishim të rinj nga shkolla “Kolin Gjoka” këtu në Lezhë që janë duke bërë pikërisht këto praktika profesionale të paguara,” deklaroi zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, Danja Sorensen.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here