Kreu Ditar Bir i lavdishëm i Mirditës – “Hero i Popullit”

Bir i lavdishëm i Mirditës – “Hero i Popullit”

153
0

-Bardhok Biba ishte për diçka ndryshe, të re, zhvilluese… Ai nuk duhej të sulmohej-
Në çdo vatër mirditore janë “arkivuar” e ruhen të pashlyeshme shumë e shumë kujtime të njerëzve mirditas për Bardhok Biben. Ishte dashuria e zjarrtë që e lidhte atë me njerëzit. Bardhoku kalonte pa përtuar, fshat më fshat, nga Fani në Kthellë, nga Shën Pali në Gomsiqe, nga Baz-Bushkashi, nga Vela në Kazhnjet, Gjegjan-Kaqinar, kullë më kullë, kasolle më kasolle, kuvendonte me njerëzit, përherë i çiltërt, i sinqertë, buzagaz, gjithë humor e optimizëm. E fjala i ngjiste te çdo njeri. Ai zotëronte “çelësin” e të komunikuarit thekshëm, besueshëm me to. Që ishin kohë të vështira, kjo dihej. Kishte dhe presione nga reaksioni. Ulej njeriu e s’dinte a do të gdhihej. E, siç tregon e motra, Martja, i thuhej: mos shko se rrezikon, por Bardhoku “nuk ia dinte leximin” frikës, tërheqjes. Ishte koha kur s’kishte bukë. Atij i gjykonte truri, i punonte zemra dhe shpirti. Ishte dhe i ndjeshëm, u dilte për zot njerëzve të pafajshëm, ndaj dhe u çonte fjalë, në takime, ku u thoshte copë: po nuk keni bërë krim, gjak…kthehuni në shtëpi, s’të thotë kush gjë. E me një trend të tillë njerëzor, ka shpëtuar e kthyer në familje jo pak veta. Njeri me zemër të madhe,që nxiste dëshirën për diçka ndryshe, të re, zhvilluese. Kujtimet, bisedat, episodet, vijojnë…
Zef Cara ishte një kuadër drejtues i lartë, në Mirditë (sot 98 vjeçar në Tiranë). Në një bisedë të lire i pata drejtuar pyetjen:
-Shoku Zef, a mund të na flisni pak mbi ndonjë cilësi personale të Bardhokut në marrëdhëniet shoqërore?
–Po. Ishte i shkathtë, konkludonte shpejt dhe kishte një veçori të tillë që kur i vinin ose i kalonin nga afër njerëz, ai u fliste i pari atyre. Në çdo rast e merrte iniciativen.
Interesante është se edhe e bija, Marija, me sa e njoh unë, shpreh po ato dukuri. Madje kjo shquhet fort dhe si vetvetja, si i thonë fjalës, e lirë, e pavarur. Çfarë mendon, e thotë qartë, ka mendimin e saj, ajo nuk ec me të diktuar, me të ndërhyrë, nga dikush tjetër, qoftë edhe ndonjë “i madh”.
Për Bardhok Bibën, zor të gjesh njeri që nuk ka njohje rreth tij. Edhe une vete do të tregoja nje episod pikërisht kur m’u dha rasti ta njihja. E ky moment i përket një dite të Qershorit ‘49. Sapo pata zbritur nga Tarazhi në Rrëshen, u ndala te cepi i sotëm i pallatit të kulturës, ku po prisja një shokun tim. Ndërkohë që rreth 20 metra më tutje, dy nëpunës ishin duke biseduar në këmbë përballë njëri-tjetrit. E vjen një burrë plak, i veshur me rroba të vjetra, gjithë arna e me një kësule të bardhë, pak si konike. Ky nuk shkoi te ata të dy, por u ndal dhe thirri: Or Bardhok, pja, pja (eja, eja). E ky që u thirr prej plakut paska qenë pikërisht vetë Bardhok Biba ,i veshur me pantallona dhe një këmishë të bardhë, me mëngë të përvjelura deri në bërryl. Menjëherë ai, iu drejtua shokut bashkëbisedues: më fal pak… dhe u kthye nga plaku. I dha dorën dhe u falën me dashamirësi faqe më faqe sipas traditës. Pastaj bisedonin. Kjo më ngjalli kureshtje, veçanërisht njeriu Bardhok Biba. Ndaj edhe shikimin s’ja u ndava. Bisedonin si të ishin në familje. E çfarë më ka mbetur në kujtesë?
Plaku – Pash besën, O Bardhok, ma thuj nji gja: a do të jetë ma e mer kjo qeveri për popullin?
– Po. Do të bëhen me shkollë njerëzit, e do të kenë punë, për të mbajtur fëmijët me bukë e veshëmbathje.
– Më kanë thanë se ti Bardhok je ma i amel me ne pleqtë?
– Po, se na ndihmoni, jeni me burrni e merremi vesh.
– Ta jap besën O Bardhok, se me gjithë familjen teme do të hecim me fjalën tane.
Një herë, kur kisha nis të shkruaja në shtyp, në një bisedë, nëpunësi Preng Ndue Prenga, nga Simoni, i cili njekohesisht jepte dhe informacione ATSH-së, më pati biseduar se Bardhoku, kur shkonte nëpër fshatra, bënte jetën e popullit, në të gjithë kuptimin e fjalës, që nga ngrënia me çfarë t’i ndodhesh fshatarit dhe nuk lejonte privilegje. Ai ishte aktiv,i mirëpranuar, i vështruar plot interes nga njerëzit prezentë. Deri edhe në lojëra popullore si filxhanas, etj.
Edhe pse është folur, shkruar në vijimësi nga koha në kohë për Bardhok Bibën eshtë interesante se përsëri e përsëri çdo episod vazhdon të përcillet si të ketë ndodhur ngjarja vetëm para pak vitesh. Pse kështu? Pikërisht se ai ishte i dashur, njeri popullor, i ndershëm, i pastër, korrekt e dashamirës që luftoi e punoi për çështjen e popullit, atdheut. Njeri zemërbardhë që bëhesh copë për njerëzit dhe populli gjente tek ai modelin e mirë, shëmbëlltyrën e së resë, të së drejtës, të besës, të burrnisë. Ndaj koha jo vetëm nuk i harron, por i ngre edhe më lart njerëz të tillë, për të mos u harruar.
…Ne rrjedhën e viteve, djaloshi i lindur në Bulshar, më 1920, që me zor e pranuan të regjistrohej në konviktin e Oroshit, do të bëhej nxënës i shkëlqyer dhe shumë shpejt revolucionar, i paepur “komunist i rrezikshëm”. Sa të përjashtohej (1940) nga gjimnazi i Shkodrës e të dërgohej i shoqëruar me xhandar, në Mirditë, për t’u mbajtur nën mbikëqyrje!
I bindur në idetë e majta të kohës, me vullnet të zjarrtë, me pjekuri e guxim të rrallë, kapërcen çdo vështirësi e pengesë. E ku nuk depërtoi fjala e mençur dhe e besueshme e komisarit të çetës Pukë-Mirditë? S’linte shteg pa çelur, zemër pa pushtuar, duke i ngritur njerëzit në këmbë për çështjen e lirisë e të çlirimit. Ai u bë një faktor i rëndësishëm në shkëputjen e njerëzve nga krimi, gënjeshtrat dhe abuzimet, për t’i kthyer më fort nga puna, nga jeta.

Zgjedhja e Bardhok Bibës në funksione të rëndësishme drejtuese , që të nesërmen e çlirimit në krye të këshillit anti-fashist nacionalçlirimtar e më pas dhe sekretar organizativ i rrethit cka populli e priti me gëzim si luftëtar i bashkimit të popullit.Që ditët e para organizoi kuvendin historik e të suksesshëm për faljen e gjaqeve, në Blinisht. Dhe sot e kësaj dite thonë bashkëkohësit : si arriti Bardhok Biba, qysh atëherë t’i bindtte njerëzit për të falur gjaqet. Sa forcë fjale e mendimi që kishte! Ditët e një kohe të re, kur populli kërkonte dritë, bukë, drejtim. Së bashku me Ndrec Ndue Gjokën. Bardhok Biba i vihet me ngulm zbatimit të detyrave lidhur me ndërmarrjen e aksionit të madh të hapjes edhe të kurseve kundër analfabetizmit, të cilat në vite, patën efekte dhe njerëzit i vlerësonin per ato cka mësuan.
I pajisur me virtyte të larta, ai punoi e luftoi pa pushim për mobilizimin e popullit në rimëkëmbjen e vendit. E, kudo, do të jepte shembullin i pari. Nuk ishte e rastit që, me gjithë presionet e reaksionit, populli, në zgjedhjet plotësuese, të deputetëve të kuvendit popullor, dashurinë për Bardhokun e shprehu duke e zgjedhur deputet. Pas kongresit të parë, Bardhoku u zgjodh delegat dhe u emërua drejtues kryesor i rrethit. Ai udhëhoqi e frymëzoi për akte heroizmi, heronjtë e heroinat e njohura të Mirditës.
Bashkë me shokët e me popullin, ai punoi me të gjitha forcat për t’ia ndryshuar faqen Mirditës së dashur. Veprimtaria mjaft aktive e Bardhok Bibës, për çështjen e popullit e kundër reaksonit ishte këmbëngulëse. Ndaj dhe e përgjuan e në befasi e vranë tek kalonte nga njëra zonë në tjetrën, të çonte në vend detyrat e kohës. Bardhok Biba mbeti i gjallë në përjetësinë e brezave. Ai si hero, si djalë trim i popullit të Mirditës, luftoi deri në fund, me vendosmëri e guxim. Kriminelët na e vranë, por Bardhok Biba nuk ka vdekur, ai është pranë popullit shqiptar, rron në shpirtin e mirditorëve.
Heronj të tillë, si Bardhok Biba, mbeten burim i përhershëm frymëzues.

Loading...

PAL MЁHILLI

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here