Home Kulture Tre dashuritë në kalanë poetike të Natasha Dhoskës

Tre dashuritë në kalanë poetike të Natasha Dhoskës

37
0

(Duke lexuar poezitë e autores në dy vëllimet e saj, “ Yje për mua” dhe “Limani i shpirtit tim”)
Njeriu në jetë, jeton tri dashuri. Të parën e merr sa lind nga nëna. Në krahët e saj rritet plot ngrohtësi. Ç’e bukur, ç’e ëmbël dashuri! Nëna në jetë e madhe Perëndi. Dashuria tjetër është veç zjarr. Është dashuria e parë. Ajo dashuri që s’harrohet deri në varr. E kush s’e provoi dashurinë e parë. Ajo ndjenjë brilante plot margaritar. Që të lë netëve pa gjumë. Që vjen si lumi plot dallgë e shkumë. Që të lë pa gjumë. Pa pirë e pa ngrënë. Më e bukur se Dielli se Hëna. Kush e provoi, atje mbeti. Kurrë më nuk fjeti. Ashtu si deti. Goditur si lisi nga ajo rrufe. Dhe pse jeta për të ikën, merr udhë, ai mbeti po atje, për dashurinë një ante. I mbeti shpirti. I mbeti atje zemra. I mbeti ëndrra. I mbeti mendimi. E buloi si jorgan trishtimi. Dashuria e tretë për vendin ku leu. Atje, tek kasollja. Tek vatra, që e ushqeu.Tek pragu që e rriti. Tek nëna. Tek baba. Tek ara. Tek arra. Tek shtëpia. Ajo është Shqipëria. Është atdheu …! Ai është i të gjithëve dhe’. Për të bën be e rrufe. Njeriu ka vetëm një atdhe. Se lind atje, në dheun mëmë. Rritet mbi të si lis i rëndë. Atje vdes, si trëndafili kur tretet nën vesë. Ku ka hedhur rrënjë. Këto janëtri dashuritë. Për njeriun si Trinia e Shenjtë. Kryqëzohen e shkëlqejnë si argjend. Janë të tria pjesë e së tërës. Njera pa tjetrën nuk jetojnë. Janë jeta e njeriut, të gjithë e shijojmë. Janë universi, brenda të cilit frymojmë.
DUKE RENDUR PAS POEZIVE
Duke lexuar poezinë e Natasha Dhoskës, në dy buqetat e saj, “ Yje për mua” dhe “Limani i shpirtit tim”, nuk e di sesi vrapova aq shumë, ndoshta për të kapur vargjet e strofat që ylberueshëm më tërhiqnin turravrap në magjinë e tyre dhe unë, humbisja sensin e kohës e të vendit. Sikur përgjumesha në ato valëzime poetike-ylberike dhe s’isha gjëkundi, por fërfëroja midis tyre. Ndoshta nga eleganca poetike! Ndoshta nga simetria metrike. Ndoshta edhe nga autorja, plot pjekuri ! Plot maturi! Poezia, miq, është femër, por ajo lind nga cdo gjini. Por, kur lind nga femrat, poezia pikon zemrat. Pikëzon jetë. Ka aromë gjaku. Vatre e pragu. Djepi e shpargu. Herë zbret nën dritë të hënës. Herë-herë vjen me ninullën e nënës. Papritur të vjen si e diellit rreze. E pasër, e kristaltë, si pikëz vese. Se del nga e shpirit vrragë ai varg. Vrragë shpirti e zemre. Bekim nëne. Aty një shkronjë sikur këndon. Një rrokje belbëzon. Një fjalë ngashëron. Dhe ecën poezia, kalëron. Varg pas vargu lumë e përrua shkon. Det e oqean gjëmon. Dallgëzon. Fërfëron. Më duket sikur një gërmë është vajzë, është zonjë. Çdo rrokje është kockë, shpirt nëne i fortë. Çdo fjalëështë bir, është djalë. Çdo çdo strofë, çerdhe zogjsh në mal. Çdo poezi një portret, është njëjetë. I tërë libri i Dhoskës kala poetike me bedena. Brenda saj fëmijëe bebe ndër pelena. Mbi të poetja, mbretëreshë e bletës-poezi. Dhe, nga ai qiell-kështjellë e poezisë, që ajo ka endur me pejzat e shpirtit, zbret vargu butë-butë. Zbret fjala e ledhtë,e urtë. Ca e ashpër, por me bukë. Diku poezia vjen e thellë-det, diku liqen i qetë. Ndonjëherë vjen e egër, sqimatare. Herë diell, pa re fare. Pare teje, lexues, thërrmohet e qelqtë poezia, si pasqyrë magjike. Në qindra copëza zemre! Një i shpirtit mozaik,që pikëvjen me mesazhe dhe pengime. Na sjell urime, plot mësime. Të parin mesazh, thurur me varg e gardh, e sjell për mua e ty, për gjithësi. Ndaj të parin gur-themeli në këtë kala poetike, Natasha, poetja jonë, e vendos tërë solemnitet, si për mbret, për nënën, që ajo, si nënë vet, na i përcell esklamacionshëm me vargjet, “ O, dashuria e parë njerëzore, bekimi, që na përcjellë jetën mbarë!”. A ka më të ëmbël nektar?! Më të gjetur fjalë?! Një metaforë e bardhë, e bardhë si flokë-borë. Sinjifikativisht, vjen poezia për nënën, e parë, themel i jetës-kështjellë, edhe si alarm e thagmë, për ta mbrojtur nënën, si institucionin-themel të jetës. Nga paudhësitë e mbrapështitë e ndonjëhershme që e bëjnë atëtë preket, të nëpërkëmbet, të përçmohet, deri të dhunohet. Ndaj ngrihet poetja-nënë, në këmbë, e alarmuar nga kjo gjëmë! Të mbrohet cdo nënë! A ka mesazh me njerëzor se ky?! Për të gjjithë që kanë veshë e sy. Se poezia është alarm, është vetmi në në qiellin e mbarsur me suferinë. Ecën vargu i poetes sonë, Dhoskë. Ç’fleton faqe të tjera me poezi. Por, përsëri, për nënën. Ajo pa gjumë rri. Dhe mes emocioneve pret bija datëlindjen e saj, me dëshirën e madhe dhe lutjen që “Zambakët e zemrës pranomi sot!…se janë “ Për ty dashuri e dashurive…!” Vjen e kreshentohet, shkallëzohet, madhohet deri mbi mure të kështjellë si Hënë, dashuria e bijës për të, si m’e madhja dashuri! Kryefjala e do fjalie me dashuri. Pas saj, si tek trungu i vjetër-ulli, çelet e merr jetë plot gjethe, filizi i ri. Atje, nën kurorë e shtat, rritet i freskët nipi, mos të ketë as ftohte as vapë. Ndaj marrin shtat e bëjnë vetëm lart. Midis tyre, si mbi majë-kalasë, krenohet deri në palcë kurora mëmë, kurora e vjetër-plakë. Nga gjiri i rreshtur pikon jeta-vaj, nga më i miri, që të rritet biri dhe nipi i saj. Të bëj lart nipi e mbesa, mjalti i mjaltit. Raportet bij-nënë, apo bir-nënë, në të gjithë poezinë e Natasha Dhoskës, dimensionohen hapsirshëm, me kulminacione metaforike dhe nga një arsenal mjetesh stilistikore, që imponojnë tek lexuesi, njëherazi dhe edukojnë tek ai, sensin e të madhes ndjenjë për nënën dhe detyrimet e brezave ndaj saj, si ndaj burimit të jetës. Ndaj së vërtetës. Poetja i gjëmon alarmit të trumpetës. Në emër të traditës. Të vazhdimësisë. Të breznisë. Të farefisnisë. Të Shqipërisë. E shohim këtë realitet poetik-patetik tek poezia “ Hënës”, kur vajza shqiptare pohon se është rritur si manare, “ Në krahët e ngrohtë të nënës”. Ai emër, që i ra për hise, iu duk se ia dhuroi Hëna, dritë e së cilës, kur i ra në dritare, e entuziazmoi së tepërmi se, ”M’u duk se ishte nëna ime, që di të puthë me aq zjarr!”. Ja sesi fosforishentohet e bukura dhe e paparsëritshmja nënë. Në ecurinë poetike, nga poezia në poezi, nga libri në libër, figura e nënës tek Dhoska, jo vetem që më shumë qiellësohet, hyjnizohet, por edhe hiperdimensionohet. Ëmbëltohet. Mjaltohet. Nënës i përkushtohet një cikël i tërë vjershëror me titullin intimitues, “Kokën të mbështes në gjirin tënd”. Është një tufëz-buqetë me dhjetë këngë, ku shenjtërohet me nota diellore, nëna. E bukur si Hëna. Si e vërteta. Si vetë jeta. Nëna si krenari. Nëna si bukuri. Nëna deri si gjithësi. “ Je madhështia e gjithësisë”, në poezinë e parë, “ Kudo janë duart e nënës”, në të dytën. “ Vajzës këndoi ninulla shqip”, amanet për vajzën-nënë, diku në mërgim, nënvizohet në të tretën poezi. Ndërsa në të katërtën, mesazh i nënës se vetminë e vret, e mposht me punë për nipërit dhe mbesat e saj. Ç’mesazh i madh! Mësim për këdo. Dhe në të pestën, krenaria e nënës, se e bija u bë nënë. Kalim fisnik ndër breza i ndjesisë mëmësore. Që lulëzon fushë e bregore. Ndërsa në të gjashtën, i këndohet nënës në çdo Tetë Mars. I ndjesisë sociale, bijë e nënë. Në të shtatën, një e bukur traditë, motra e madhe nënën zëvendëson. Sa fisnikërisht tingullon! Si melodi-kroi kur mërmëron. Ç’e madhe traditë! Ç’e bukur prikë! Sa e ëmbël marrëdhënia motër-motër, edhe kur nëna prehet në kodër. Ndërsa në të tetën poezi, nëna, edhe kur s’është, për bijat dhe bijtë, e pafjetur, vetëm hesht. Ku është?! Nën dhe! Ç’sublimitet! Sa e vërtetë! Për këdo e bukur stafet. Kurse tek e nënta vjershë, metaforizohet lidhja hyjnore bijë-nënë, që aromë e nënës kurrë mos të mungojë. Se përherë atë, ajo do e kërkojë. Do t’i mungojë. Fill jete që s’këputet kurrë! Që lidh çdo grua. Që mban çdo burrë. Kurse, në të dhjetën, nipërve u mëkohet bashkë me qumështin, portreti i nënë-gjyshes. “ Më dhe buzëqeshjen e parë. Më fale botën, rritu pa u vrarë! E njohe nënën, bota jote farë shpreh?”. Portret, që u ravijëzohet në shpirt nipërve e mbesave. Nënë pas nëne.Hënë pas hëne.I ëmbël. I bukur. I duhur. I paharruar… ! Në çdo kraharor. Një cikël-testament, ky kryecikli për nënën. Më e shkëlqyera trashëgimi. E përjetshme dashuri. Më e shtrenjta se çdo flori. Shkruar në shpirt tek çdo njeri. Që ka prag. Që ka shtëpi. Se, kur dhe ku ka dashuri, ka Perëndi.
PËR MË TË ËMBLËN NDJENJË, DASHURINË E PARË
Nëse nëna dhe Atdheu, janë kolonat, janë Koloseu , dashuria e parë midis tyre, është flakë, është zjarr. Në çdo hap e ke patur pas. E kishe në gji. E kishe në gjak. E kishe në shtëpi. E kishe në prag. Në çdo çast, me të jeni bashkë. S’ju braktisi asnjëherë. Në shi e në borë. Dhe kur u bëre me kurorë, ajo tek ty tretur, pas një luleje në oborr. Me të ti fle çdo natë. Të mban ngrohtë,furrë. Nga ëndrrat s’të ikën kurrë. Se është e para ndjenjë, që të dha tjetër nur. Në çdo hap t’u bë flamur. Qofsh grua, qofsh burrë. Gdhiheshe me të çdo mëngjes. E gjeje në çdo gonxhe, tek trëndafili me vesë. Se nga ato puthje “ …shiu u avullua! Sa e bukur më duket jeta! Bjer, o shi, dhe ty të dua!’. Shprehet poetja jonë tek poezia “Udhëtoj nëpër shi”. Se, ylberi, që të përflaku, të bëri gjatë jetës vetëm shoqëri. Kudo të ka falur vetëm miqësi, se ajo,”Rrezja, që mbaj në gji”, m’u bë “Vello në dhëndërri”, tejshkon përartshëm ndjesia për dashurinë e parë. Poetja, Natasha Dhoska, për dashurinë ka zbrazur tërë artilerinë e figurave stilistikore. E pakursyer në to, si orizi kur hidhet supeve të çiftit. Dhe ata, të dy, përhumbur nëpër qindra sy. Notojnë lumturisht në liqenin-avull të dashurisë së tyre. Vetëm një zemër e dalë nga jeta, di të tjerrë aq bukur e të end aq hijshëm mantelin e dashurisë. Që do i mbajë të dy ngrohtë në udhën e gjatë të jetës në këtë botë. Le të dalldisen e davariten yjet në qiell. Si në magje brumi me miell. Si qershia kur proshur çel. Si bajamja që nga rrezja del. Ashtu e përzjarrmur dashuria e parë, mbetet e ndezur. E ndritshme margaritar. Ajo nuk harrohet, por sa më shumë që largohet, ëmbëlsohet. I ngjanë verës, që e bën copa qelqen pas derës. Por jo çdo lloj vere, vetëm më e vjetra. Se është më e pafjetura. “ Të kujtohet ajo ditë, ishte takimi i parë?! Kur na u bashkuan sytë, e dy zemrat morën zjarr!” Të gjithëve u kujtohet. Se ai zjarr i dashurisë së parë, nuk lë kështjellë pa marrë. Në poezinë “Ndjej mall”, libri i dytë, faqe 28, me krahët e një metafore fantastike, poetja shprehet: “Hëna ndrit mbi pellgje t’syve të tu”…Është brengë e hershme e një vajze…Për ty ndër vite, shkrihem n’vaje…”. Rrëfim i sinqertë. Sa sublime aq edhe gati hyjnor. Sa reagim, aq edhe respëkt për këtë ndjenjë, nëntekston autorja përmes kësaj lirike. Ky është misioni i letërsisë, edhe i poezisë; të trokasë në ndërgjegjen e njerëzisë. Dhe, pikërisht këtu, qendron merita artistike -përgjithësuese e poetes sonë, Dhoskë, që dashuria, jo vetëm konceptohet si e të gjithëve, por nuk e meritojnë të gjithë, se ajo të vjen vetëm njëherë, pastaj e ke peng e pikëllim në derë. Është aq e dlirë, sa edhe e vështrë. Është aq qiellore, sa edhe tokësore. Është aq e ylbertë, sa edhe nxehtë. Një filozofi e tërë ka përrurëzuar pas dashurisë. Por, gjithmonë, pas asaj të parë, si violinë magjike e parë.Tejembanësisht në të dy librat, kështu poetja i këndon dashurisë, dhe, pas violinës së parë, ndjenja e saj integrohet dhe shtrihet universalisht dhe katërcipërisht. Aty rroken e përloten dashuria si ndjenjë. Dashuria atërore e mëmësore. Dashuria në të gjithë raportet familjare dhe njerëzore. Ajo prerë e rreptësisht ndahet nga tradhëtia dhe nga urrejtja. Ndaj diellon i tejpërtejshëm mesazhi gjigand i dashurisë. Shkëlqen si i përyjshëm në të dy librat në fjalë. Për t’u bërë dritë gjithë njerëzve në tokë. Ca më shumë sot, o botë!
VENDLINDJA DHE ATDHEU
Në këtë të trefishtë tematikë, që zanafilluam konsideratën tonë për poezinë e Natasha Dhoskës, atdheu, vendlindja ose mëmëdheu, përbën shtyllën e tretë të trinisë problemore të librave në fjalë. Kur poetja i drejtohet vendlindjes, mëmëdheut të saj, shkalla e impenjimit shpirtëror dhe moralo-filozofik të saj, maksimumizohet. Ka një frymëmarrje më të thellë. Më të gjerë. Ka një solemnitet vargu dhe fjala. Ajo sikur flamurizohet deri në dhëmballë. Sikur në cdo shkronjë e fjalë të poezive, skuqin valvitshëm flamujt tanë kombëtare. E shohim këtë ndjesi që në vargjet e parë të librave me këtë motiv. Vihet re fryma e shenjtë ndaj atdheut dhe tokës-mëmë. “ Arbëri! Arbëri!”, titullohet ndër të parat vjershë kushtuar atdheut. Aq e mishëzuar dhe e shpirtëzuar është me mëmëdheun e saj poetja jonë, sa nga thellësia e shpirit i ritmojnë fjalët si troku i kuajve në lashtësi: “Arbëri! Nëna Arbëri! Për ty jetën do flijoja! S’gjej në botë më të shtrenjtë se ty!”. Poetja e unifikon aq intimësisht veten me atdheun, sa e quan atë shtëpinë e saj: “Kur e kam një shtëpi, kam patjetër një atdhe.”. Dhe, më tej, nostalgjisht aq edhe shpirtësisht, Dhoska fort nënvizon: “ Të dua, Toka ime, ty të kemi nënë, për ty çdo shqiptar mban kokën lart!”. Brenda së njëjtës njësi sintaksore, ndërron numri i foljes, nga njëjësi shkon e bëhet në shumës. Ja se si fjala e poetes vë gisht, individualizon, por, njëherazi, edhe përgjithëson. Dhe ky është mision. Që vjen e kulmon në poezitë e librit të dytë, me një cikël të tërë poetik, i titulluar, ”Jam krenare, që jam shqptare!”. Me sa duket, me idenë e shtrirjes gjithëvjetore të dashurisë ndaj atdheut. Një dashuri e tërjetshme. E gjithkohshme. I këndohet aty ditës së Pavarësisë, si prelud i dashurisë për atdheun e lirë, duke e uruar si bija mëmën: “E gëzofsh 100-vjetorin e Pavarësisë! Ditën e bekuar të krenarisë!”. Pak vargje më tej, sikur punuar me plugmendjen e saj, autorja hedh farën atdhetare: “Duaje këtë tokë! Sa gjak ka rrjedhur…Edhe kur plugohet e mbillet, aroma e gjakut dridhet”. Një dialogim brezash Shqipërie. Stafetë dashurie e krenarie. Dhe djepëzon më tej fryma e atdhedashurisë. Qëmtohet lashtësisht. Mbahet e brishtë. Ndizet e pishtë. Pas flamurit rend krenarisht. Dhe, vazhdon misioni poetik. Apel e mesazh për çdo shqiptar që të bëjnë si “Të tre frashërllinjtë”, si më tutje Skëndërbeu, se këtu është yni dheu. Është mëmëdheu. Përtej vijon tema e atdheut tek “ Borova martire”, “ Shqipëria, vend i begatë”,“Një gjuhë, një histori”, “ Moj e bukura Shqipëri”, “ E bukura Arbëri”, “ Luledelet e vendit tim” dhe e mbyll ciklin me poezinë: “Nënat shqiptare janë Dodona”. Duke shkuar drejt mbylljes së kësaj konsiderate-analizë, dua të them që, në këto dy libra të Natasha Dhoskës, ka edhe dhjetra poezi të tjera me temë e motive nga më të ndryshmet, që ia vlen të përqëndrohemi në to por, objekti i kësaj trajtese, ishin tri temat e mëdha, që meritonin të shiheshi si Trinia e Shenjtë për këto dy botime te autores Dhoskë. E falëndroj, që na dha mundësinë të përjetonim estetikisht, letrarisht, poetikisht dhe atdhetarisht gjithë poezinë e saj të bukur dhe simpatike, një ndihmesë dinjitoze në mbarë poezinë e sotme kombëtare shqiptare. Faleminderit, poete e nderuar!
MIHAL LILI KRIMCE

Loading...

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here