Kreu Sociale Përkujtohet 76-vjetori i Konferencës së Pezës

Përkujtohet 76-vjetori i Konferencës së Pezës

88
0

Përkujtohet 76-vjetori i Konferencës së Pezës
Tirana përkujtoi sot 76-vjetorin e Konferencës së Pezës, një prej ngjarjeve më të mëdha e më të rëndësishme të popullit shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore, për bashkimin e shqiptarëve kundër pushtuesve. Veteranë lufte, përfaqësues të ekzekutivit, deputetë e drejtues të pushtetit vendor, nderuan veprën dhe sakrificën e të gjithë të rinjve e të rejave që iu bashkuan kauzës së luftës për çlirimin e vendit.

Në fjalën e tij në ceremoninë përkujtimore, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj theksoi rëndësinë e kujtimit të kësaj ngjarje dhe të mesazheve që ajo përcjell edhe tek brezat e tjerë. “Ne besojmë shumë fort se një nga gjërat që duhet t’ia kalojmë gjeneratës së re është kujtesa, se jemi një komb që nuk kemi ardhur nga hiçi. Ky vend ka histori, ka memorie, ka patur organizime, idealistë, progresistë, luftëtarë. Ky vend i ka lënë mënjanë bindjet politike, kur ka ardhur puna për të shpëtuar Shqipërinë. E nëse rrisim një brez të ri me këtë koncept sot, atëherë nuk ka gjë që na ndalon. Kombet që dinë, janë kombet që ecin përpara, kombet që harrojnë janë kombet që bëjnë të njëjtat gabime”, tha Veliaj.

Loading...

Ai nënvizoi se Konferenca e Pezës është një mësim i madh për të gjithë shqiptarët për të mos penguar njëri-tjetrin, por për të punuar së bashku për progresin. “Po ndërtojmë sot shtet, po ndërtojmë qytet, që kur të shkruhet historia pas 76 viteve, të themi: Po, ne ishim në anën e duhur, siç ishim 76 vite më parë në anën e duhur të historisë. Bashkëpunuam që Shqipëria të ecë përpara. Por, pyetja është kjo: A po e bëjmë këtë të gjithë? Mendoni se do të shkruajë njeri pas 76 vitesh historinë sesi shajmë njëri-tjetrin nëpër rrjete? Sesi pengojmë çdo punë publike? Sesi nuk bashkohemi në një aksion pastrimi apo mbjellje pemësh? Si ka mundësi? Po të ishin gjallë pjesëmarrësit, nga Babë Myslymi dhe të tjerët, të majtë e të djathtë, nga Konferenca e Pezës, dhe të shikonin që ne kacafytemi për të penguar njëri-tjetrin, kjo nuk është normale. Ne nuk mund të pengojmë sot zhvillimin e Shqipërisë, të Tiranës, Pezës”, tha Veliaj, teksa shtoi se kush është patriot i vërtetë, mbi të gjitha duhet të jetë një shqiptar që do progresin e më pas partinë.

Veliaj shtoi se një nga mesazhet që na jep Konferenca e Pezës është ajo e bashkimit, për të marrë vendime të rëndësishme. “Familja jonë është Shqipëria, besa jonë është Shqipëria, feja jonë është Shqipëria. E nëse punojmë me këtë frymë nesër, pasnesër, duke i mbajtur partitë, por duke vënë mbi të gjitha Shqipërinë, vendin, qytetin, atëherë do të ecim përpara. Vitin tjetër ne presim të fillojmë negociatat për anëtarësimin në BE, nëse shkojmë të përçarë dhe duke i ngulur thikën pas shpine njëri-tjetrit, do të thotë se 76 vite s’paskemi mësuar asgjë. Historia e Pezës thotë: Kur jemi bashkë bëjmë mrekulli, kur copëtohemi, kur pengojmë, kur përçajmë, humbasim”, theksoi ai.

Ndaj, në një kohë që Shqipëria përgatitet për sfidat e integrimit, kryetari i Bashkisë së Tiranës apeloi për t’i shtrirë dorën e bashkëpunimit edhe atyre që nuk mendojnë njësoj për të ecur së bashku përpara. “Teksa përgatitemi për sfida të mëdha, në Tiranë, në Pezë, në gjithë Shqipërinë, në lidhje me Bashkimin Europian dhe me sfida të tjera, lipset që t’i japim dorën edhe atyre që nuk mendojnë si ne”, u shpreh ai. Teksa afrojnë festat e nëntorit, kryebashkiaku Veliaj bëri të ditur se bashkia jo vetëm që do të vijojë me restaurimin e varrezave të dëshmorëve dhe të lapidarëve, por do të punohet për të mbajtur gjallë veprën dhe sakrificat e të rënëve në luftë për atdheun.

Nënkryetarja e Kuvendit, Vasilika Hysi tha se Konferenca e Pezës është një nga ngjarjet më të mëdha antifashiste nacionalçlirimtare, pasi krijoi bashkimin më të fuqishëm të shqiptarëve në gjithë historinë e tyre. Hysi theksoi se përparimi i Shqipërisë është i mundshëm dhe i arritshëm vetëm nëse bëhen bashkë mazhorancë dhe opozitë, për të çuar deri në fund reformat e thella që kërkojnë nevojat e zhvillimit, por dhe partnerët. “Peza na frymëzon për të bërë punë edhe më të mita për Shqipërinë, por Peza edhe na qorton kur interesat politike i vëmë përmbi interesat kombëtare. Interesi ynë i madh kombëtar në ditët e sotme është ta bëjmë Shqipërinë politikisht dhe juridikisht ashtu siç është në frymën e shpirtit të çdo shqiptari, një Shqipëri europiane, anëtare të BE, e familjes më të madhe demokratike të kësaj familje”, deklaroi Hysi.

Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko deklaroi se Konferenca e Pezës është një nga faqet më të ndritura të historisë së kombit tonë. “Kujtojmë ato ditë të veçanta 76 vjet më parë kur ekzistonin dy Shqipëri, njëra nën okupim dhe njëra këtu në Pezë, ku nisi shkëndija. Duhet t’i themi disa gjërat ashtu siç janë për historinë: Ata që thonë jo veriu, jo jugu, ta dinë se edhe në Shqipërinë e mesme ka pasur burra trima që i kanë dalë zot vatanit. Kjo është arsyeja pse mblidhemi sot të gjithë këtu, për të kujtuar dhe për t’i dhënë vendin që duhet asaj që është shkruajtur nga historia dhe nga aktet që i bëjnë nder këtij populli dhe këtij kombi”, deklaroi Majko.

Deputetja Blerina Gjylameti tha se mesazhet e Konferencës së Pezës 76-vjet më parë janë ende aktuale. “Kryesorja është mesazhi i bashkimit, në përpjekje për ta bërë Shqipërinë një vend të begatë, ku të rinjtë dhe të rejat të vazhdojnë jetën e tyre. Mendoj se të gjitha vlerat tona duhet t’i përcjellim tek të rinjtë, që t’i bëjmë qytetarë më të denjë, që ta duan vendin tonë, pavarësisht sfidave. Bashkimi është mesazhi jonë, ndaj të vazhdojmë më tutje për ta ndërtuar vendin, një Shqipëri siç e duam ne”, deklaroi Gjylameti.

Përgjatë dy ditëve, Peza u kthye në një qendër argëtimi dhe çlodhjeje. Për të katërtin vit radhazi, Bashkia e Tiranës organizoi një sërë aktivitetesh në nderim të kësaj dite që, jo vetëm evokojnë atë ngjarje të rëndësishme për historinë e luftës antifashiste, por edhe që krijuan momente të paharrueshme për të gjitha grupmoshat. Festa filloi pasditen e së shtunës me një koncert ku performuan disa prej këngëtarëve dhe DJ më të talentuar si: Jonisa Lako, Henri nad the Band, Semi Jaupaj, DJ Set, Indripendent FX etj. Më pas u vijua me aktivitete të tjera si: Nata e gjelbër, Kinema nën yje, piknik, histori rreth zjarrit dhe lojëra sportive. Ndërsa këtë të dielë Banda e Qytetit, Ansambli Tirana, Cirku Kombëtar, Teatri i Kukullave ofruan për qytetarët e shumtë që ishin në Pezë muzikë dhe shfaqje të ndryshme.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here