Kreu Aktualitet Gjiganti i hotelerisë “Hilton” hap dyert në Tiranë në 26 shtator

Gjiganti i hotelerisë “Hilton” hap dyert në Tiranë në 26 shtator

159
0

Tiranës i shtohet një markë e re, ndër më të njohurat në fushën e hotelerisë. Gjiganti ndërkombëtar “Hilton” do të hapë dyert zyrtarisht në 26 shtator në kryeqytet, duke premtuar një cilësi të lartë në shërbimin e hotelerisë, por edhe një alternativë më shumë për turistët. Kryebashkiaku Erion Veliaj inspektoi mjediset e këtij hoteli dhe vlerësoi punën e mirë që është bërë nga i gjithë stafi, duke shtuar se “Hilton” u vjen në ndihmë turistëve të shumtë që zgjedhin për të vizituar Tiranën.

“Zakonisht inspektoj punët publike, por kjo ka qenë një punë e bërë në partneritet publik-privat, ku jemi kujdesur sadopak aksesin e turistëve në Tiranë ta bëjmë më të lehtë me hotelin e ri “Hilton”. Është një punë e mrekullueshme e bërë nga stafi, pronarët, arkitektët dhe menaxherët. Mezi pres datën, ku marka “Hilton” më në fund do të hapet zyrtarisht në Tiranë, me mbi 140 dhoma, të cilat na zgjidhin edhe një nga krizat që kemi pasur me shtretërit për turistët”, tha Veliaj.

Sipas kryebashkiakut, punët e mira të bëra në kryeqytet kanë rritur ndjeshëm numrin e turistëve, por edhe nevojën për më shumë punë në vijim. “Ndonjëherë bëhemi viktima të suksesit tonë. Sa më i njohur bëhet qyteti, aq më shumë turistë vijnë, aq më shumë nevojë ka për mjedise ku mund të pushojnë dhe të flenë. Them se “Hilton” na është bërë krah, pasi ka siguruar një ambient fantastik në një zonë tjetër të kryeqytetit, buzë lumit të Lanës, në një zonë totalisht të rehabilituar, për të akomoduar pafund turistë”, pohoi kreu i bashkisë së Tiranës.

Veliaj shprehu bindjen se marka botërore e hotelerisë do të shërbejë edhe si një tërheqje për firma të tjera ndërkombëtare. “Vjen një brend i ri, i cili me gjasë do të tërheqë edhe brende të tjera në Tiranë. Në dijeninë time, përveç “Hilton”, janë edhe dy-tre marka të tjera ndërkombëtare, që besoj se do t’i japë qytetit një stoli për të cilën ka pasur shumë nevojë. Jam shumë i entuziazmuar nga cilësia e punimeve, e stafit, nga fakti që më e mira e eksperiencës së “Hiltonit” në mbi 5 mijë hotele ka ardhur edhe në Tiranë”, theksoi ai.

Kryebashkiaku tha se “Hilton” do të jetë një adresë cilësore, jo vetëm për turistët, por edhe për aktivitete të ndryshme, të cilat do ta gjallërojnë edhe këtë lagje të Tiranës. Sipas tij, ky hotel do të shërbejë si një mundësi punësimi, por edhe përvoje, për shumë kamarierë e punonjës në fushën e hotelerisë. “Një staf ndërkombëtar, me shumicë shqiptare, por besoj se edhe stafet tona do të mësojnë, që nesër pas një hoteli të parë, të kemi edhe një të dytë, edhe një të tretë. Mezi pres që “Hiltoni” të kthehet në një adresë cilësore në Tiranë, jo vetëm për ata që do duhet të kalojnë kohë këtu si turistë apo pushues, por edhe për organizime eventesh, aktivitetesh, festash, ceremonish, seminaresh, konferencash, për t’i dhënë kësaj lagjeje të Tiranës një pikë që gëlon nga jeta dhe pasioni i të qenit në kryeqytetin e të gjithë shqiptarëve”, tha ai.

Menaxheri i Përgjithshëm i “Hilton”, Michael Walker u shpreh se Shqipëria ka potencial të madh turistik, ndërsa theksoi se hapja e këtij hoteli do të ndihmojë që në Tiranë të vijnë gjithnjë e më shumë turistë të huaj. “Jemi shumë të lumtur që jemi këtu. Kemi hapësira të mëdha për evente, restorante, ambiente për aktivitete. Synojmë të zgjerojmë aktivitetin tonë. Besoj se këtu në Shqipëri ka një potencial të madh për turizmin. Për mua Shqipëria është një vend me burime të mëdha dhe besoj se “Hilton” do të ndihmojë zhvillimin e turizmit në Tiranë, duke sjellë gjithnjë e më shumë turistë”, u shpreh Walker.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here