Home Aktualitet Për dhënien me qira të tokës bujqësore

Për dhënien me qira të tokës bujqësore

40
0

Nga Taulant Balla

Fjala në seancën e sotme plenare:

Loading...

Faleminderit zonja drejtuese e seancës,

Së pari, për sa i përket ligjit “Për dhënien me qira të tokës bujqësore”, ky është një vijim i angazhimit tone, për ta kthyer investimin në agro-turizëm në një prej prioriteteve tona të zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm në zonat rurale.

Ky është një hap i madh për të cilin gjej rastin të falenderoj ministrin e Bujqësisë, që solli këtë propozim për të lehtësuar të gjitha mundësitë për të investuar në njësi agro-turizmi, jo vetëm në zonat që janë përzgjedhur si pjesë e projektit “100 fshatrat”, por në të gjithë territorin e vendit.

Nuk mund të hesht pa risjellë në vëmendje disa problematika që lidhen me abuzimet 27- vjeçare të dhënies së tokave me qira në Shqipëri, për të cilat z.ministër unë mendoj se ne duhet të sjellim një ligj tjetër të ri, për ti riparë të gjitha kontratat e dhënies me qira të tokave.

Jo të gjitha tokat e dhëna me qira sot janë në shfrytëzim. Përkundrazi, kemi dhe raste të cilat ku unë e përshëndes angazhimin tuaj personal në një kontratë të firmosur nga paraardhësi juaj, z. Panariti me familjen Balili, që ende nuk ka marrë zgjidhjen e duhur për shkak se kontrata është qepur aq mirë. Por unë mendoj se ligji duhet të jetë i fortë edhe në këtë rast.

Nuk mund që nga njëra anë Balilëve t’u sekuestrojmë hotelin dhe nga ana tjetër 90 ha tokë të marra me qira nga shteti të mos kemi mundësi t’ja sekuestrojmë.

Edmond Panariti, ish-ministri i Bujqësisë i Lëvizjes Socialiste për Integrim, ka firmosur atë kontratë. Por kjo nuk mund të jetë sot e vlefshme në rast se ne nuk gjejmë hapësirat ligjore që atë kontratë ta bëjmë të pavlefshme.

Kjo e bën qesharake opozitën turistike, e cila edhe sot nuk gjeti mundësinë që të ishte në sallën e Kuvendit të Shqipërisë për të diskutuar për një çështje reale, sikurse janë problemet e tokave bujqësore, por vijoi turin e radhës në hotelin turistik të radhës.

Z.ministër edhe diçka tjetër, për shkak se Ministria e Bujqësisë është qeverisur katër vitet e shkuara nga ish-aleati ynë Lëvizja Socialiste për Integrim, por edhe për shkak se në tetë vitet përpara 2013-ës është bërë një abuzim jo vetëm me tokat bujqësore, por edhe me liqenet, duhen parë të gjitha kontratat.

Në Belsh liqenet janë dhënë me qira për gjoja kultivim peshku, por në qendër të Belshit ende ushqehen peshqit me glasat e pulave, sipas kontratave që ka firmosur ish-aleati ynë në qeveri.

Këto kontrata duhen prishur z.ministër, sepse realisht dëmtojnë zhvillimin e turizmit në zemër të Belshit, por nuk mund të vazhdohet më me kontrata të këtij lloji. Auditet, Prokuroria, duhen nxitur për ti parë të gjitha këto kontrata njëra pas tjetrës.

Sot shqiptarët do të dëgjojnë historinë tjetër qesharake të pseudo-opozitës sonë me gjoja propozime anti-mafia, luftë oligarkëve.

A mund ta besojë kush në Shqipëri që mund të bëjë luftë kundër oligarkëve gjobaxhiu i oligarkëve, Lulzim Basha?

Emisioni investigativ “STOP” në TV Klan, javën e kaluar bëri publik se si të gjitha kompanitë e mëdha në vend, ato me mbi 100 mln euro lëvizje kapitali në vit, të gjitha kanë kontaktuar për konsulencë kompaninë e kunatit dhe të bashkëshortes së Lulzim Bashës.

Konsulencë në fushën e reklamës, mediatike, etj.

Një kompani e cila faturonte rreth 2 miliard lekë nga këto kompanitë e oligarkëve.

A është kjo Lulzim Basha gjobë që ti u vendos kompanive për të mos i përmendur këtu në Parlament?

Unë mendoj që Po.

Lulëzimi përpara se të marrë përsipër që të drejtojë gishtin tek vëllezërit e secilit prej nesh, te kunetërit e secilit prej nesh, duhet të sqarojë i pari ai marrëdhënien e kunatit të tij me të gjithë kompanitë e oligarkëve, pastaj hajde këtu në Kuvend e të bëjmë çdo lloj ligji.

Nuk mund të bësh ligj ti Lulzim nëpër hotele, sallat e të cilëve nuk di kush ti paguan.

Një tur turistik gjithë shtatorin pa e ditur ende se kush paguan dhe si paguhet.

Sa për luftën kundër oligarkëve, kundër përfshirjes së kriminalitetit, nuk ka përgjigje më të mirë sesa Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Prokuroria Speciale Anti Korrupsion.

Janë këto dy instrumente, të cilat Reforma në Drejtësi prej ditës së parë i ka planifikuar si instrumentet më të forta për të vendosur ligjin, për të bërë transparente të gjitha llojet e kontratave, të gjitha llojet e tenderave dhe të gjitha abuzimet në gjithë këto vite.

Kolegë deputetë unë dua edhe një herë ti nënvizoj kërkesën tonë ministrit të Bujqësisë, por edhe ministrive të tjera të përfshira, se lidhur me tokat e dhëna me qira gjithë këto vite ne duhet të bëjmë një audit të plotë.

Të gjithë ato toka që nuk janë shfrytëzuar, nuk janë vënë në përdorim, nuk kanë krijuar vende pune, nuk kanë prodhim, ne duhet t’ja rikthejmë shtetit me qëllim që shteti më pas në mënyrë transparente ti rivendosë në funksion të ekonomisë së vendit.

Faleminderit!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here