Kreu Aktualitet Rritje deri 24-fish e çekut të bebes

Rritje deri 24-fish e çekut të bebes

118
0

Komunikimi i Kryeministrit Edi Rama në platformat sociale për politikat e reja për fëmijët e porsalindur:

Jemi këtu, sëbashku me ministren e Shëndetësisë dhe të Mirëqenies Sociale, për të anonçuar një politikë të re që e konsiderojmë një fryt të rëndësishëm dhe të konsiderueshëm në rrugën e vështirë, por të domosdoshme, të reformave.

Reformat shtetbërëse patjetër që kanë dhimbjet dhe sakrificat e tyre. E vërteta është që njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, në shumicë dërrmuese, kanë qenë që në krye të herës të vetëdijshëm për domosdoshmërinë e këtyre reformave dhe për pamundësinë për të vijuar në rrugën e vjetër të kaosit, të rrumpallës, të anarkisë, të mungesës së rregullave. Nga ana tjetër është po kaq e vërtetë që tanimë, pas një faze aspak të lehtë të vendosjes së disa bazave të domosdoshme për ecurinë e mëtejshme të vendit, njerëzit kanë absolutisht nevojën të shikojnë disa fryte, të shikojnë disa arritje.

Është e rëndësishme të mos e harrojmë asnjëherë nga u nisëm. Është e rëndësishme që në çdo moment të shikojmë kontekstin në të cilin veprojmë, në të cilin punojmë dhe përpiqemi të bëjmë më shumë, por është e sigurt që, në fund të ditës, njerëzit me të drejtë kërkojnë shumë më tepër dhe populli nuk thotë “si ke qenë”, por thotë “si je”.

Më vjen shumë mirë që kemi qenë në gjendje sidoqoftë të bëjmë një ekuilibër midis shtrëngimeve të domosdoshme dhe lehtësimeve të nevojshme, në shumë aspekte. Vetëm me heqjen e taksës së sheshtë dhe me vendosjen e taksimit të ndershëm, ne kemi mundësuar që 57.3 miliardë, që do të thotë 570 milionë e 300 mijë dollarë të mos shkojnë në arkën e shtetit, por të mbeten në xhepin e qytetarëve, në xhepin e punonjësve në shtet apo në privat. 97.34% e punonjësve në shtet apo në privat kanë përfituar nga taksimi i ndershëm.

Sidoqoftë, sot jemi për të folur lidhur me një politikë të re që duam të lançojmë e për të cilën jemi gati e ky është lajmi i mirë. Jemi gati sepse kemi bërë reforma. Jemi gati sepse kemi vendosur rregull në financat e shtetit. Jemi gati sepse sot na e lejojnë llogaritë diçka që do të ishte e pamendueshme vetëm pak vite më parë, si rezultat i një diskutimi të brendshëm mbi buxhetin e vitit 2019, ku do të kemi disa të reja pozitive falë reformave. Disa fryte të dobishme të reformave do të shkojnë në interes e në favor të njerëzve të kategorive të ndryshme.

Do të kemi rritje pagash në arsim, rritje pagash në shëndetësi, rritje pagash në ushtri, pas shumë e shumë vitesh pa asnjë rritje pagash në ushtri.

Do të kemi lehtësime të rëndësishme taksash, kryesore, lehtësimi i taksave për një pjesë të konsiderueshme dhe shumë aktive të biznesit që do të hyjë në kategorinë e biznesit të vogël e nuk do të konsiderohet më biznes i madh deri në 140 mijë dollarë xhiro në vit.

Më e bukura, në këndvështrimin tim, është ajo çka do të bëjmë për fëmijët e sapolindur në Republikën e Shqipërisë.

Në vitet 2000, unë pata lançuar si kryetar i Bashkisë së Tiranës Çekun e Bebes, 50 mijë lekë të vjetra, i cili u prit shumë mirë asokohe. Por mbeti aq sa ishte për shumë e shumë vite dhe jo vetëm kaq, por u kthye në një problem. Mjafton të them që në malin e borxheve, të trashëguara nga qeveria e mëparshme, ne kishim edhe një borxh prej 5 milionë dollarësh për bebet që nuk kishin marrë çekun që u takonte. Borxh që e shlyem, siç shlyem mbi 700 milionë dollarë borxhe, pa të cilat mund të kishim bërë prej kohësh punë që kemi nisur t’i bëjmë më vonë dhe si përfundim, asgjë më nuk ka ndryshuar në këtë politikë, e cila sot rikthehet në rendin e ditës, me një shumëfishim për fëmijët e porsalindur që nga 1 janari i vitit të ardhshëm.

Që nga 1 janari i vitit të ardhshëm, çdo fëmijë i parë i një çifti do të marri 8-fishin e bonusit, 400 mijë lekë. Fëmija i dytë do të marri 16-fish të bonusit, 800 mijë lekë dhe fëmija i tretë do të marrë 24-fish të bonusit, 1 milionë e 200 mijë lekë.

Këto do të shkojnë për të gjithë fëmijët e porsalindur në Republikën e Shqipërisë dhe jo vetëm kaq. Në ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë po përgatitet për një ndryshim të rëndësishëm që, përmes inovacionit, çdo bebe që lind në maternitetet e Republikës së Shqipërisë do të regjistrohet aty e nuk do të jetë më e nevojshme për të bërë gjithë atë procedurë të komplikuar me gjendjen civile e të tjera. Do të regjistrohet aty e do të marrë menjëherë çekun për mirëseardhjen në jetë në bashkësinë tonë, si një ndihmë e drejtpërdrejtë për familjet. Për familjet që sot kanë të gjitha vështirësitë e tyre dhe që me lindjen e fëmijëve duhet të ndihen të përkrahura e do të jenë të përkrahura, shumë më tepër sesa kanë qenë deri më sot. Është një masë që në kalkulimet tona do të nxisë natalitetin, por, më e rëndësishmja, është një masë për të gjithë, pa asnjë dallim. Për të gjitha familjet që do të lindin fëmijë në Republikën e Shqipërisë.

E nisëm me librat falas për fëmijët nga klasa e parë në klasën e katërt dhe do të vazhdojmë vitin tjetër me klasën e pestë. Brenda këtij mandati do të shkojmë deri në klasën e nëntë, – këtë kthim të investimit të prindërve për reformat.

Reformat nuk mund të sjellin dot për gjeneratën tonë, për gjeneratën e prindërve, gjithçka që nuk na dhanë vitet që ikën pa reforma, por reformat duhet të sjellin për gjeneratën e fëmijëve tanë gjithçka që ne dëshirojmë për ta. Reformat janë si kura të vështira, me efekt më afatgjatë sesa afati i durimit tonë pas vitesh e vitesh të tëra pritjeje, që të kemi një transformim të merituar në vendin tonë, por në ndërkohë do të kemi mundësi të bëjmë edhe shumëçka tjetër në funksion të familjeve, në funksion të prindërve, në funksion të të gjitha moshave.

Ne jemi në diskutime për mënyrën se si do të ndërtohet mekanizmi i dhënies së këtij bonusi të ri të bebes, që është 8-fish nga sot për fëmijë e parë, 16-fish për fëmijën e dytë dhe 24-fish për fëmijën e tretë dhe pastaj për të katërtin e për të pestin vlen e njëjta gjë, 1 milionë e 200 mijë lekë, që do të jenë të shkallëzuara përgjatë vitit si një financim shtesë për familjet. Si do të jenë të shkallëzuara, kjo është diçka që ne po e diskutojmë për të parë formulën më të mirë.

Ministrja e Shëndetësisë ka një rol të posaçëm në këtë proces dhe është ajo që e ka nxitur drejtpërdrejtë realizimin e këtij objektivi, sigurisht, duke përfituar nga mundësitë e reja që po na krijohen. Reformat po na krijojnë mundësi të reja që nuk i kemi pasur deri dje, jo se nuk kemi dashur. Faktikisht jemi në kushtet kur shikojmë në çdo hap mundësi të reja në shumë drejtime, në të gjithë sektorët, por më e rëndësishme është në drejtim të njerëzve, drejtpërdrejtë të familjeve. Ashtu sikundër në drejtim të pensionistëve dhe të familjeve në nevojë, kemi lënë mënjane një shumë të konsiderueshme për fundvitin, për të përfshirë edhe ata që janë e më të pambrojturit dhe në radhë të parë, pensionistët që kanë kaluar një jetë të tërë të mundimshme, në shpërndarjen e fryteve të para të reformave tona.

* * *

Po ndiqja edhe reagimet tuaja në rrjetet sociale. Jemi në Facebook, në Instagram dhe Twitter, përveçse dhe në ekrane, besoj.

Gazmendi po shprehte një nga shqetësimet e mëdha të bonusit të derisotëm të bebeve, duke thënë që “50 mijë lekët e vjetra për beben e porsalindur nuk i mori dot deri pas dy vjetësh”.

Iu deshën dy vjet që t’i marrë. Është një sistem, i cili funksionon në mënyrë kaotike, sepse bonusi kalon nëpërmjet njësive vendore, pasi fondi jepet në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Kjo do të ndryshojë krejtësisht dhe sistemi do të jetë i shpejtë dhe i drejtpërdrejtë. Nuk do të ketë më kapërcime nga njësi të ndryshme vendore, apo nuk do të ndodhë më që paratë e dedikuara për fëmijët e porsalindur të përdoren për tjetër gjë dhe familjet të mbeten pa marrë bonusin. Është një bonus që do të jetë kombëtar dhe do t’i shkojë në kohë reale, sipas mekanizmit që do të ndërtohet, në harkun e një viti familjes. Kjo është praktika më e mirë që kemi parë dhe në vende të tjera.

Ndërkohë Gentiani kishte një qasje tjetër. Ai shkruante se “duhet t’i lëmë këto italianizma dhe duhet të kemi kujdes se po marrim shumë kredi dhe po i merret fryma vendit”.

Gentian, këto nuk janë italianizma dhe unë nuk e di në fakt se çfarë ke dashur të thuash ti, por me siguri je një bashkëqytetar që jeton në Itali dhe je bërë aq italian, sa tani mund të fillosh të përqeshësh vendin që të ka dhënë mundësinë të mësosh dhe një gjuhë tjetër. Kjo është një praktikë e mirë e shumë vendeve, që nga Suedia deri në Greqinë fqinje. Mekanizmi ynë do të jetë një mekanizëm i thjeshtë dhe ndërkohë mund të të them që nga pikëpamja e masës së shpërblimit, ne jemi larg së qeni të fundit. Kemi zgjedhur të bëjmë një shpërblim të konsiderueshëm, që është në një masë të ngjashme me vende shumë të zhvilluara europiane. Sfida e radhës do të jetë shtrirja e shpërblimit në më shumë se një vit, por kjo është një temë tjetër.

Ajo që mund të të siguroj, është se Shqipëria nuk është e mbytur me kredi. Shqipëria ka dalë para pak ditësh dhe është listuar në tregjet e kapitaleve për eurobondin. Operacioni do të jetë i suksesshëm, jam i bindur për këtë, pikërisht sepse Shqipëria, sot është në një gjendje të vlerësuar nga tregjet, të vlerësuar nga agjencitë e rating-ut, të vlerësuar nga institucionet ndërkombëtare, shumë të shëndetshme nga pikëpamja e ekuilibrave makroekonomikë dhe është në një proces kthese të rëndësishme rritjeje ekonomike, pavarësisht se, e përsëris, kur flas për rritje ekonomike, kam gjithmonë parasysh që ka shumë familje që e dëgjojnë dhe mund të acarohen për faktin se nga ana e tyre ende nuk mund të marrin dot frymë lirisht për shkak të rrogave shumë të ulëta, kur kanë një punë. Nuk po flasim pastaj për ata që nuk e kanë një punë.

Dua të shtoj se përveç një vëmendjeje të përqendruar tek të gjithë maternitetet dhe tek transformimi i të gjithë sistemit të shërbimeve të barrëlindjes në Shqipëri, që nga maternitetet rajonale, tek ato bashkiake, ne presim të finalizojmë deri në fund të këtij viti, shpresoj, edhe fuqizimin e rëndësishëm dhe të konsiderueshëm të flotës së ambulancave, me 32 autoambulanca të reja që do të transformojnë shumë më tepër se deri më sot Shërbimin e Urgjencës, i cili 4 vite më parë ishte thjesht inekzistent. Sot është një Shërbim Urgjence problematik, por me flotën e re të autoambulancave do të jemi në gjendje të bëjmë shërbime shumë më cilësore, falë edhe reformës së Urgjencës, e cila sot është një Urgjencë Kombëtare e qendërzuar në Tiranë.

Ema shkruan për ndihmën ekonomike. Ministrja do flasë lidhur me reformën e ndihmës ekonomike, por sot kemi një pamje krejt tjetër përsa i përket aksesit në ndihmën ekonomike të atyre që e meritojnë. Mbi 10 mijë familje që sot marrin ndihmë ekonomike deri dje ishin të përjashtuara për shkak të një skeme që nuk funksiononte dhe të një sistemi të korruptueshëm.

Dafina thotë “jepu ndihmë ekonomike 800 mijë lekë familjeve në nevojë dhe pastaj fol”.

Pse 800 mijë? Pse jo 800 milionë për të gjithë?

Është fatkeqësi që të flasim në këto terma, sepse ajo çka ne bëjmë, është ajo çka bëhet në çdo familje. Kemi mundësitë që na diktojnë vendimet dhe punojmë që të rrisim mundësitë. Ndihma ekonomike sot është patjetër shumë e ulët, por është 3-fishi i asaj që ishte vetëm 4 vjet më parë. Ne me dëshirë do donim të ishte 30-fishi, por, që t’ia dalim ta kemi 30-fish, duhet të vazhdojmë të punojmë, reformojmë, sakrifikojmë, durojmë, sepse rrugë tjetër nuk ka.

Gjermania apo Suedia, për të cilën Alma më thotë, “ti s’di gjë fare seç është Suedia”, – më vjen mirë që Alma e ka mësuar duke qenë në Suedi, – ndërkohë që unë kalova dje, ditën, me Kryeministrin e Suedisë për 10 vjet, kjo është rastësi dhe mund të të them Alma, që, duke diskutuar pikërisht për këtë politikë të re, Kryeministri i Suedisë, njeriu që ka reformuar Suedinë në një moment kyç, pasi për shumë vite ka qenë dhe ministri i Financave të Suedisë, më tha shprehimisht se fakti që Shqipëria sot është në gjendje të bëjë këtë, flet shumë për ecurinë dhe për garancinë e të nesërmes.

Dikujt tjetër që thotë “10 mijë lekë janë qesharake, apo dhe 50 mijë qesharake” i them që mbase nuk e ka pasur mendjen. Nuk flasim për 50 mijë. 50 mijë është bonusi aktual, qysh prej viteve 2000. Flasim për 400 mijë lekë për fëmijën e parë, për 800 mijë lekë për fëmijën e dytë, për 1.2 milionë lekë për fëmijën e tretë, të katërt dhe me radhë.

Ndërkohë që dikujt që pyet “çfarë moshe duhet të arrijë fëmija për të marrë bonusin”, – i them se bonusi do të jepet qysh në vitin e parë të lindjes, i gjithi. Se si do të shtrihet, kjo është diçka që ne po e diskutojmë, pasi praktikat e mira e kanë gjithmonë të shtrirë, nuk e kanë një pagesë menjëherë, gjë që është një nga opsionet që ne po e studiojmë.

“Po për ata që bëjnë më shumë se 3 fëmijë?” – pyet Arlindi dhe përgjigja është, fëmija i tretë, i katërt, i pestë dhe me radhë janë të gjithë subjekt i bonusit 1.2 milionë lekë.

Ndërkohë që Verica thotë, “a nuk do ishte më mirë që të punësoheshin familjet me ndihmë ekonomike?”

Jo vetëm që do të ishte më mirë, por është kjo, përpjeka jonë e përditshme. Sot që flasim, qysh nga janari deri në gusht, ne kemi mbi 1100 persona që kanë dalë nga ndihma ekonomike dhe janë punësuar. Është një proces i vështirë, një proces i komplikuar. Kërkon shumë mundim, sepse jo të gjithë janë të gatshëm të punojnë, jo të gjithë janë të gatshëm të marrin punën që iu ofrohet në atë moment, jo të gjithë, madje shumica, nuk kanë as kualifikimet më fillestare dhe ajo që mund të bëjnë në momentin e parë është thjesht punëtorë krahu. Ndërkohë që ne ofrojmë kurse trajnimi profesional për ata që janë me ndihmë ekonomike dhe gjërat kanë filluar të lëvizin në drejtimin e duhur, por nuk diskutohet që jemi ende larg asaj që duam dhe me siguri do të arrijmë.

“50 shqiptarë kanë ardhur në Suedi, – thotë Alma përsëri, – si pasojë e faktit që ti (domethënë, unë) je diktator borgjez”.

Alma, së pari, çështja e atyre që dalin, ikin, vijnë, është çështje e kohës dhe e lirisë për të lëvizur. Nuk jemi më bunkeri i Enver i Hoxhës. Jemi një vend i lirë, fatmirësisht dhe njerëzit kanë lirinë e lëvizjes. Nëse shqiptarët kërkojnë azil politik, kjo ndodh vetëm për një arsye, sepse ende nuk jemi anëtarë të Bashkimit Europian dhe nuk kemi akses në tregun e lirë të punës. Por, sa për ikjet në numër, po të them vetëm kaq, që nga Kroacia, një vend më i zhvilluar e vend anëtar i BE-së, kanë ikur në një vit më shumë sesa nga Shqipëria. Ndërkohë shifrat e ikjeve nga Shqipëria janë propagandë. Këto 500 mijë, 600 mijë, 1 milionë, 200 milionë janë propagandë në këto vite. Kanë ikur më shumë sesa kanë ardhur, patjetër, kjo është e vërtetë. Vijnë dhe ikin. Ikin dhe vijnë. Kjo është koha në të cilën jetojmë. Nuk jemi më një vend i mbyllur. Sigurisht që, njerëzve, s’ka qeveri dhe s’ka fuqi në tokë që t’ua bëjë Shqipërinë, Gjermani sot dhe t’iu japë mundësitë që mund t’ua japë Gjermania sot. Por ama është e sigurt që, siç ka njerëz që ikin, ka njerëz që vijnë. Siç ka shqiptarë që duan të ikin, ka shqiptarë që duan të rrinë. Në fund të fundit, ajo që na takon neve, është që të shikojmë përpara, të bëjmë çmos që e nesërmja të jetë shumë më e mirë se e sotmja, ndërkohë që sotmja është shumë më e mirë se e djeshmja. Kjo nuk diskutohet. Patjetër që nuk mjafton e sotmja për të konkurruar askënd dhe askund në Europën e vendeve të zhvilluara dhe për të bërë balancën mes mundësive sot, por nesër, po. Pikërisht sepse sot po i bëjmë reformat që nuk u bënë për 20 e kusur vite. Pikërisht sepse sot po kurojmë plagë që u lanë të infektohen dhe ta degradojnë komplet organizmin e shoqërisë sonë për 20 e kusur vite.

Për ta mbyllur, unë dua të kthehem dhe njëherë tek arsyeja pse jemi këtu. Jemi këtu, sepse reformat po funksionojnë. Jemi këtu, sepse po krijohen mundësi të reja, pak nga pak, për të vazhduar të rrisim pagat, – do të rrisim pagat në arsim, do të rrisim pagat në shëndetësi, do të rrisim pagat në ushtri pas shumë vitesh, – për të dhënë librat për 4 klasat e para, vitin tjetër për të pestën dhe pastaj deri tek e nënta, sepse kështu do të rriten mundësitë tona, duke punuar, duke reformuar, duke sakrifikuar, patjetër.

Nëse këto reforma do ishin bërë 20 vjet më përpara, sot nuk do ishim duke bërë këto diskutime, por sot do ishim shumë më afër Shqipërisë që duam dhe që meritojnë njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, që jetojnë me punë dhe me sakrifica. Pikërisht sepse po rrisim mundësitë, sot është dita për t’iu kthyer mbrapsht të gjithë familjeve të reja, apo familjeve që duan të kenë më shumë fëmijë, një investim që kanë bërë me sakrificat dhe me dhimbjet që reformat kanë shkaktuar.

400 mijë lekë për fëmijën e parë.

800 mijë lekë për fëmijën e dytë.

1.2 milionë lekë për fëmijën e tretë.

Kush del dhe më thotë që këto shifra ishin të mundura të imagjinoheshin deri dje, kur mbetej bonusi 50 mijë lekë të vjetra për bebe dhe ai nuk jepej sepse qeveria ishte e zhytur në borxhe, atëherë nuk e di çfarë flet. Më vjen keq!

Faleminderit të gjithëve!

Faleminderit miqve në Facebook! Edhe Almës nga Suedia. çdo të mirë dhe çdo sukses!

Faleminderit miqve në Instagram. Këta të Instagram- it janë më të shpejtë, janë më efikasë.

Shumë faleminderit edhe miqve më të vjetër dhe më besnikë, atyre të cicërimave në Twitter, ku ne hapëm rrugën e rrjeteve sociale dhe në atë kohë, qytetari i sotëm digjital ishte thjesht dhe vetëm një plak me shkop në dorë. Sot ka Facebook dhe komunikon nëpërmjet cicërimave.

Shumë faleminderit të gjithëve!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here