Kreu Aktualitet E gjithë vëmendja për njerëzit! E gjithë vëmendja për ju!

E gjithë vëmendja për njerëzit! E gjithë vëmendja për ju!

107
0

Fushata e anëtarësimeve të reja në Partinë Socialiste dhe llogaridhënies së drejtuesve vendorë, në Korçë:

Fjala e kryeministrit Edi Rama:
Mirëmbrëma të gjithëve!

Faleminderit për mikpritjen në këtë orë dhe në këtë temperaturë që s’është më optimalja për të dëgjuar fjalimet tona, që i dëgjoni rregullisht. Megjithatë besoj që është një moment i rëndësishëm, të paktën për ne, shpresoj edhe për ju, sepse sapo kemi nisur një fushatë brenda Partisë Socialiste, për të hapur edhe njëherë dyert e partisë dhe për të ftuar të tjerë që të bëhen pjesë e jona. Njëkohësisht edhe një fushatë llogaridhënieje të drejtuesve vendorë si një fazë komunikimi intensiv me të gjithë komunitetet për të dëgjuar, për t’u dëgjuar dhe për të përgatitur zgjedhjet e ardhshme që janë së shpejti.

Por të dyja bashkë i lidh motivi që ne kemi gjetur si fjalia kryesore e kësaj periudhe dhe e këtij aktiviteti të dyanshëm që është: “E gjithë vëmendja për njerëzit! E gjithë vëmendja për ju!”

Në fakt, e gjithë vëmendja për ju nuk është thjesht një motiv, apo një slogan për një aktivitet që ka nisur e do të zhvillohet në të gjithë territorin e Shqipërisë, por është një përpjekje për të spostuar fokusin e politikës sonë të përditshme plotësisht tek njerëzit dhe shumë më pak tek kundërshtarët dhe tek debati që shpesh herë na rrëmben në çështje, në tema, në shkëmbime që janë faktikisht e njëjta gjë dhe që janë shumë larg atyre që njerëzit duan, që njerëzit presin, që njerëzit meritojnë të dëgjojnë nga ne dhe të marrin prej nesh.

“E gjithë vëmendja për ju! E gjithë vëmendja për njerëzit”, do të thotë që të jemi të fokusuar plotësisht tek ekonomia, tek punësimi, tek shëndetësia, tek arsimi, tek të gjitha këto që jo vetëm janë dhe sigurisht kanë qenë gjithmonë pjesë e punës sonë jashtë ekraneve, por të kthehen në qendrën e komunikimit dhe të debatit.

Flasim shumë, ju dëgjoni shumë, ju shikoni shumë dhe ajo që flitet dhe ajo që dëgjohet dhe shikohet shumë s’ka lidhje fare me ato që janë problemet tuaja nga mëngjesi deri në darkë:

Akuza, akuza, akuza.

Kundërakuza, kundërakuza, kundërakuza.

Shpifje, përgënjeshtrime, reagime.

Dhe në fund fare, e gjitha kjo krijon një ndjenjë negative për politikën, krijon një pështirosje për atë që në fakt është, besoj, një nga aktivitetet më fisnike të njeriut, se politika nuk ka lindur për të bërë keq, nuk ka lindur as për të çoroditur dhe çmendur dynjanë, edhe pse politika mund të bëjë shumë keq, mund të çorodisë dhe mund ta çmendë dynjanë.

Politika ka lindur për të bërë mirë, ka lindur për të krijuar mundësinë që njerëzit të mblidhen sëbashku dhe sëbashku të bëjnë të mundura gjëra që të vetëm si bëjnë dot. Kaq e thjeshtë është në thelb. Sëbashku të bëjmë të mundura gjëra që të vetëm nuk i bëjmë dot dhe sëbashku, përmes politikës, njerëzit kanë bërë mrekullira. Shtetet e Bashkuara pa politikën nuk do ekzistonin. Bashkimi Europian pa politikën nuk do ekzistonte. As Shqipëria e pavarur, as Shqipëria demokratike nuk do ekzistonin. Sigurisht nuk do ekzistonte as Shqipëria diktatoriale. Pra, politika mund të bëjë shumë mirë, mund të bëjë dhe shumë keq, por është një forcë që ka lindur për mirë.

Duke ardhur në terrenin e jetës tonë të përditshme, ne, para pak ditësh lançuam një politikë të re sociale, që, deri para shumë pak kohe, as mund të mendohej se mund të ndodhte në Shqipëri. Nuk mund të mendohej se mund të ndodhte për shkak se nuk ishin mundësitë dhe nuk dukej fare se mund të krijoheshin mundësitë që ne të mundemi që për çdo fëmijë që lind në Republikën e Shqipërisë të japim një mbështetje financiare, që për fëmijën e parë është tetëfishi i bonusit që jepet sot.

Qysh kur unë isha në Bashkinë e Tiranës futa Çekun e Bebes, 50 mijë lekë të vjetra dhe që atëherë mbeti 50 mijë lekë të vjetra. E jo vetëm mbeti 50 mijë lekë të vjetra, por pastaj qeveria e mori në dorë për ta bërë për të gjithë fëmijët në të gjithë republikën nëpërmjet bashkive. Kur ne erdhëm në qeveri, gjetëm mbi 5 milionë dollarë borxh në malin e borxheve për rrugët e për spitalet e për shkollat, etj., sepse nuk iu ishte dhënë prindërve për bebet e porsalindura Çeku i Bebes 50 mijë lekë.

Sot, ne jemi në gjendje që për fëmijën e parë ta bëjmë 400 mijë lekë të vjetra. Pra, nga 5 mijë, 40 mijë. 8-fish. Për fëmijën e dytë ta bëjmë 800 mijë lekë, që është 16-fish dhe për fëmijën e tretë 1.2 milionë, që është 24-fish.

Kjo, jo se hapëm një thes që e mbanim të mbyllur, por, sepse të gjithë reformat dhe të gjitha përpjekjet e sakrificat kanë krijuar disa mundësi të reja, se në fund të ditës, sfida është të krijojmë më shumë mundësi të reja, siç është sfida në çdo familje, të krijojmë mundësi të reja për të pasur mundësi të kemi më shumë.

Flitet për rroga, flitet për pensione, flitet për këtë, apo flitet për atë, por në fund harrohet që edhe shtëpia e përbashkët e shtetit është njësoj si shtëpia e secilit. Nuk ka prind, nuk ka baba, nuk ka nënë që nuk do që, kur e nxjerr fëmijën nga shtëpia në një moshë të caktuar, t’i japë më shumë sesa i jep, ose të shpenzojë shumë më tepër sesa shpenzon për fëmijën.

Por pse nuk e bën?

Sepse aq janë mundësitë.

Cila është përpjekja e përditshme?

Që të krijohen më shumë mundësi për të pasur më shumë për fëmijën.

E pra, e njëjta gjë është ajo që bëjmë.

Thoshte dikush, pse nuk e bën ti 18 vjet si në Gjermani.

Gjermania për çdo fëmijë të porsalindur nuk paguan vetëm vitin e parë, ne do paguajmë vitin e parë, paguan shumë vite më tepër. Por, sepse nuk jemi Gjermania. Është shumë e thjeshtë, prandaj nuk e bëjmë si Gjermania, sepse nuk jemi Gjermania. Ose më saktë, nuk e bëjmë sa Gjermania, sepse nuk jemi Gjermania, por e bëjmë si Gjermania dhe si vendet e tjera që e japin këtë shpërblim. Ka vende në BE që nuk e japin për të gjithë fëmijët. Ne do ta japim për të gjithë fëmijët. Ka vende që e japin vetëm për fëmijët e shtresave në nevojë. Ne do ta japim për të gjithë. Kaq është mundësia e re që është krijuar sot. Unë jam i bindur që pas disa vitesh do të hapet debati ta shtrijmë në më shumë vite, pra, një fëmijë që lind sot të marrë shpërblimin për këtë vit, edhe për vitin tjetër, edhe për tjetrin. Por që të arrijmë aty, duhet të krijojmë mundësi të reja.

Mundësitë e reja i bëjmë duke krijuar reformat, duke shkuar më tutje.

Bëmë një reformë për energjinë që ishte shumë e dhimbshme. Sot ka plot njerëz që thonë po sikur të mos i paguajmë dritat, do kishim më shumë në xhep. Por, ama, falë faktit që nuk kemi më shumë borxhe, por kemi shumë më pak borxhe, kemi më shumë mundësi.

E solla këtë shembull dhe ka plot shembuj të tjerë.

Ne po e rrisim punësimin. Ky është fakt. Punësimi në Shqipëri po rritet. Por nuk po rriten aq sa ne do donim dhe aq sa të gjithë duan normalisht. Rrogat e ulëta, pse? Sepse rritja ekonomike, e cila sot, – para 2 ditsh doli 3-mujori tjetër, – është përsëri mbi 4%, nga zero presje diçka për qind që ishte në 2013-ën, reflektohet më ngadalë mbi rrogat në sektorin privat, por reflektohet ama, boll që ne të vazhdojmë reformat dhe të vazhdojmë punën.

Për sa i përket ndihmës ekonomike, asistencës, është e ulët, por është 3-fishi i asaj që ka qenë. Përpara 4 vitesh jepej ndihmë ekonomike 10 mijë lekë të vjetra, deri në 35 mijë lekë t vjetra. Sot është 45 mijë-80 mijë.

Puna është aty ku kërkohet dhe gjendet. 20763 njerëz janë futur në punë, në këtë vend nga janari, në gusht vetëm nga zyrat e punës. Nuk po them çfarë ka ndodhur me sektorin privat. E thonë të gjitha statistikat. Jo statistikat tona, as vetëm ato të Institutit të Statistikave, por dhe ato ndërkombëtare që në Shqipëri është rritur punësimi. E rritja e punësimit në Shqipëri është në një trend që është më i larti në gjithë rajonin dhe nuk jemi vetëm ne që kemi rroga të ulëta në sektorin privat, kështu i ka Maqedonia, kështu i ka Serbia, kështu i kanë dhe vende të tjera të rajonit.

Natyrisht, rrogat e ulëta në Gjermani apo në vendet e BE janë shumë më të larta se tek ne, pra se të ulëtat tonat. Pse? Sepse ne nuk jemi Gjermania. Nuk jemi as Franca, as Anglia dhe as që mos i numëroj të gjitha me radhë.

Ama, nga njëra anë duhet të shohim nga u nisëm. Nga ana tjetër, duhet të kuptojmë si të shkojmë më tutje dhe si u afrohemi atyre standardeve, hap pas hapi.

Ne jemi mësuar për fat të keq, shumica, që të quajmë punë, punën në shtet dhe të quajmë skllavëri punën në privat. Unë e di shumë mirë që ka probleme për punën në privat. Unë e di shumë mirë që ka probleme të respektit të kontratave, të marrëveshjeve etj, etj, por ne kemi nxjerr nga puna në të zezë dhe kemi detyruar kompanitë të sigurojnë, qoftë për shëndetin, qoftë për pensionin, dhjetëra, mijëra njerëz. Ka akoma, patjetër, por ama në ndërkohë ka kompani dhe jo pak, që kanë paga edhe 400, edhe 500, edhe 800 dhe nuk gjejnë punonjës. Nuk gjejnë punonjës për dy arsye. E para, sepse një pjesë nuk duan të punojnë në privat, por duan patjetër o në shtet ose në kurriz të babait dhe të mamasë dhe nga ana tjetër, nuk kanë kualifikimet e duhura. Atëherë, për kualifikimet e duhura, ne kemi ndërruar komplet qasjen ndaj arsimit profesional e kemi hapur shumë kurse profesionale. Nuk janë perfektë, kanë shumë nevojë të përmirësohen, por ama kjo është rruga e re.

Sot ne po rindërtojmë në Shqipëri 80 qendra shëndetësore. Në 3 vjet do të ndërtojmë 300 qendra shëndetësore të standardeve që meritojnë njerëzit kur shkojnë në qendra shëndetësore për të marrë shërbimin e parë. Si është e mundur kjo? Është e mundur sepse sot e kemi këtë mundësi, të financojmë për 300 qendra shëndetësore. A janë gjithçka? Jo nuk janë gjithçka. As 32 autoambulanca të reja më shumë, nuk janë gjithçka, ama janë 32 autoambulanca të reja më shumë dhe qoftë shërbimi parësor, qoftë shërbimi i urgjencës do të jetë shumë herë më i mirë se c’është sot, ndërkohë që, sot është shumë herë më i mirë se sa ishte dje që as nuk bëhej fjalë fare.

Ne diskutojmë spitalet. Nuk diskutohet që spitalet kanë shumë probleme, akoma, por as nuk diskutohet që sot spitali i Korçës është më mirë se sa ishte dje.

As nuk diskutohet që sot QSUT-ja nuk krahasohet me atë që ishte e as nuk diskutohet që në spitalet tona në tërësi sot nuk shkohet me batanije, nuk shkohet me çarçaf me vete. Nuk shkohet me gjithçka me vete. Nuk të del doktori tek dera e të të thotë “ik se nuk kam as aspirinë”. Ka probleme akoma me ilaçet për arsye të ndryshme, po ka, patjetër, por ama nuk është kjo e përgjithshmja. Ndërkohë që, kur ne kemi ardhur në qeveri ishin të mbushura spitalet me turma që ulërinin tek kangjellat e spitaleve me receta nëpër duar sepse në spitale nuk kishte më ilaçe dhe pse nuk kishte më ilaçe? Sepse kishte 42 milionë dollarë borxh shteti kompanive që sillnin ilaçet dhe kishin bllokuar sjelljen sepse nuk i jepnin lekët.

Është njësoj si me një shtëpi, nuk është ndryshe. Dhe secili kur kërkon, duhet të kuptojë e duhet të bëjë krahasimin pse nuk ia kërkon vetes së vet në shtëpinë e vet këtë gjë. Sepse e di shumë mirë që nuk mund të kërkojë diçka që është jashtë mundësive edhe çfarë bën? Përpiqet që të fuqizohet e të ketë më shumë mundësi. Pse nuk ia kërkon prindërve atë që kërkon me të madhe kot në hava nga shteti? Sepse kupton që nuk munden prindërit të kenë më shumë mundësi sot për sot në atë situatë që janë.

E fundit që kam është, shikojeni Korçën sot. Korça sot, as nuk krahasohet, jo për nga pamja, jo për nga rrugët e për nga dritat e për nga ndryshimet e jashtme fizike, por për nga ekonomia që gjeneron punësim, gjeneron të ardhura, falë transformimit që është bërë dhe numrit të turistëve që është rritur, në mënyrë të pamendueshme. Përpara disa vitesh, në Korçe, kishte shumë pak vende që mbanin derën hapur për vizitorë. Sot, ju e shikoni që vazhdon çdo ditë, çdo ditë transformimi i shtëpive të vjetra në bujtina. Shikoni pazarin e vjetër. Pazari ishte një turp. Shikoni si është sot, është një qendër ekonomike, lokale patjetër, por është një qendër ekonomike dhe vit pas viti do të rritet dhe nuk diskutohet që kush do dojë të bëjë ekonomi, jo për të mbijetuar, por për të jetuar mirë këtu në Korçë, do të mund ta bëjë, në kushtet kur Korça është një zonë e vizitueshme, jo vetëm gjatë verës dhe tani ajo që kemi bërë këtu, ka filluar të shtrihet më tutje. Janë në programin e 100 fshatrave disa pika strategjike në Korçë, që nga Voskopoja dhe një numër të tjerash, por kjo do kohën e vet.

Erdhëm sot nga Pogradeci, se nuk kishim nga të vinim tjetër dhe ndaluam pamë punën atje. Është një rrugë nga ato rrugët që ata përpara i numëronin të bëra, kur ne na ka marrë 5 vjet shpirtin. Është kollaj të çosh kamera e të thuash, nuk po mbaron rruga aty. 5 vjet na ka marrë shpirtin ajo rrugë. Por e keni parë vetë si është bërë. E keni parë vetë se si është transformuar komplet zona dhe se si është transformuar komplet pamja e liqenit që ishte zhdukur komplet prapa ngrehinave me apo pa leje, mu mbi liqen.

Na u desh ta marrim, të ribëjmë komplet projektin nga e para. Na u desh të bëjmë gjithë atë përpjekje për të shembur gjithë ndërtesat në anë të liqenit që të çlirohej liqeni. Është një aset i jashtëzakonshëm. Na u desh të financojmë për të shpëtuar rrugën dhe nga ato rrëshqitjet për shkak se ishte bërë pa studim gjeologjik. Na u desh të shtojmë dy elementë të rinj tek projekti. Një plazh të ri në të gjithë anën e rrugës në 600-700 metrat përpara hyrjes në Pogradec. Aty ku është sot rruga e vjetër do të jetë plazh dhe gjithë tunelet panoramike dhe faktikisht, kush do hyjë në Pogradec, do hyjë në një zonë që është e trajtuar nga njeriu me po atë dashuri që e ka trajtuar Perëndia kur ka bërë Pogradecin, jo e trajtuar nga njeriu në mënyrë barbare. Por këto kërkojnë kohën e tyre, kërkojnë durim, kërkojnë dhe para, nuk është kaq kollaj.

E njëjta gjë me pjesët e tjera. Sikur këto reforma dhe kjo mënyrë të punuari që ne sollëm në qeveri të kishin filluar 25 vjet përpara, sot do ishim duke folur për gjëra të tjetra. Shqipëria do ishte një vend tjetër, por ne trashëguam të gjithë barrën e vonesave të tmerrshme në drejtim të gabuar dhe nuk është aspak e lehtë të bësh gjithë këtë kthesë që vazhdon dhe ka ende shumë e shumë akoma. Ka ende shumë e shumë akoma, duke filluar që nga administrata që është muhabet tjetër.

Nesër kemi këtu një takim të dedikuar për bashkëqeverisjen e do flasim më konkretisht për këtë aspekt. Por unë besoj shumë që pavarësisht të gjitha problemeve, pavarësisht të gjitha të metave, dobësive, boshllëqeve, ne nuk jemi jo të përsosur, por nuk jemi aspak të veçante nga të gjithë shqiptarët ndër shqiptarë, me të gjitha defektet tona, unë besoj që ne jemi një forcë që meriton besim dhe që duhet fuqizuar, duke u hapur dhe duke përfshirë të tjerët.

Nuk është ideja që po të futesh në një parti politike do bëhesh politikan. As që do lësh punën tënde e do merresh me politikë, por është pikërisht për atë që thashë në fillim, duke qenë bashkë, mund të bëjmë gjëra që të vetëm nuk i bëjmë dot.

Shumë faleminderit!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here