Kreu Aktualitet KE nis procesin screening për Shqipërinë

KE nis procesin screening për Shqipërinë

113
0

Fjala e Ministres së Drejtësisë në konferencën për shtyp me rastin e nisjes së procesit screening për Shqipërinë në Komisionin Europian:

I nderuar Komisioneri Hahn! Fillimisht më lejoni t’Ju falenderoj ju dhe gjithë kolegët tuaj të Komisionit për fillimin e procesit të screening për Shqipërinë.
Ky proces shënon një moment të ri për perspektivën e integrimit evropian të Shqipërisë. Fillimi i këtij procesi është me rëndësi jo vetëm për përafrimin e legjislacionit vendor me atë evropian por njwkohwsish wshtw dhe një fazë e re mobilizimi politik për të vijuar me reformat në vendin tonë.
Vendimi i qershorit i Këshillit, ishte një hap i madh që njohu rezultatet e reformave të Shqipërisë, duke e vendosur datën e Qershorit 2019 si horizontin kohor për hapjen e negociatave për anëtarësim.
Në këtë mënyrë, vendimi i Këshillit nuk e la Shqipërinë në një gjendje paqartësie politike por, duke parashtruar kërkesa të qarta ndaj saj, i dha gjithashtu një shtysë të fuqishme vazhdimit të reformave të qëndrueshme të Shqipërisë.
Fillimi i këtij procesi është faza bazike e përgatitjes për hapjen e negociatave. Fillimi i takimeve shpjeguese të legjislacionit evropian nuk është veç një takim njohës teknik, por themeli i negociatave bilaterale që do të pasojnë pas hapjes të negociatave.
Takimet e këtyre dy ditëve kanë shqyrtuar hollësisht përmbajtjen legjislative të kapitullit 23 “Gjyqësori dhe të drejtat themelore”. Kjo ka një rëndësi të posaçme për Shqipërinë veçanërisht në dritën e faktit se kërkesat kryesore të Këshillit janë të lidhura drejtëpërdrejtë me reformën në drejtësi dhe funksionimin e institucioneve të pavarura gjyqësore në përgjithësi.
Si Ministre e Drejtësisë, dhe si institucion përgjegjës për kapitullin 23, ndjehem krenare që Shqipëria ka pasur përparime të jashtëzakonshme në këtë fushë.
Reforma në drejtësi, e filluar që prej nëntorit të vitit 2014, ka garantuar transformimin rrënjësor të sistemit tonë të drejtësisë dhe me zbatimin e suksesshëm të saj, Shqipëria do të jetë në krah të vendeve evropiane duke garantuar pavarësinë dhe paanësinë e këtij sistemi dhe duke rikthyer besimin e qytetarëve shqiptarë tek ky sistem.
Kapitulli 23, një nga kapitujt më të vështirë dhe që duhet më shumë kohë për t’u negociuar, në rastin e Shqipërisë, me zbatimin me sukses të reformës në drejtësi, do të synohet të mbyllet në një fazë më të hershme, duke përfituar edhe nga mbështetja e partnerëve tanë ndërkombëtarë.
Deri më sot, procesi i vetingut në drejtësi jo vetëm që ka rikthyer besueshmërinë e munguar të qytetarëve shqiptarë në sistemin e drejtësisë, por është duke transformuar rrënjësisht ngrehinën e gjyqësorit, duke larguar një numër të konsiderueshëm gjyqtarësh dhe prokurorësh të lartë nga sistemi i drejtësisë.
Ky hap pozitiv që Shqipëria ka hedhur lidhur me reformën në drejtësi, është duke u vijuar me vendosmëri, pavarësisht ccdo zëri dyshues dhe mendje cinike.
Por çdo pengese që ne hasim, na bën edhe më të bindur që rruga që po ndjekim është e duhura.
Për më tepër, Bashkimi Evropian në krahun tonë, për zbatimin e këtyre reformave na jep akoma edhe më shumë kurajo, për të vazhduar përpara për forcimin e shtetit të së drejtës.
Ne jemi të bindur që rruga e shqiptarëve dhe e gjithë rajonit është familja e përbashkët evropiane.
Për këtë qëllim, ne jemi angazhuar ndaj qytetarëve shqiptarë dhe ndaj partnerëve evropianw për të vijuar zbatimin e ҫdo reforme të nevojshme.
Procesi i sotëm është vetëm fillimi, në rrugën pakthim të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Realizimi i detyrave teknike është pjesë e një angazhimi më të lartë politik në të cilin Shqipëria do të shfaqet më e konsoliduar një vit më pas.
Në emër të Qeverisë shqiptare shpreh gjithë angazhimin, për të vijuar me seriozitet dhe përkushtim në këtë proces të pakthyeshëm dhe të dëshiruar nga shtetasit shqiptar.
Dhe në mbyllje të fjalës sime do të doja tju falenderoja për të gjithë kurajon që i keni dhënë Qeverisë Shqiptare, dhe shpresën që u kenë dhënë qytetarëve shqiptarë në rrugëtimin e perspektivës Evropiane.
Faleminderit!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here