Home Aktualitet Paketë e re investimesh 2018-2020 për Korçën

Paketë e re investimesh 2018-2020 për Korçën

19
0

Konferencë për shtyp e Kryeministrit, pas mbledhjes së qeverisë në Korçë:

Ne jemi këtu, në Korçë, për stacionin e radhës së muajit. Ju e dini që çdo muaj qeveria ka një stacion jashtë Tirane për të zhvilluar mbledhje dhe aktivitete me komunitetin, apo me strukturat shtetërore. Si zakonisht vijon edhe me konferencën e shtypit që i dedikohet në radhë të parë gazetarëve lokalë.

Loading...

Besoj se është në sytë e të gjithëve çfarë kemi bërë për Korçën, por edhe për Qarkun. Janë investuar dhe zbatuar 406 projekte në këtë Qark në mandatin tonë të parë dhe jemi gati me një paketë të re ndërhyrjesh prioritare, 2018-2020, që bazohen në 3 drejtime kryesore: Turizmin, mbështeten e bujqësisë dhe fuqizimin e diversifikimin e sektorëve të industrisë përpunuese. Natyrisht pa lënë mënjanë edhe të gjitha ndërhyrjet që parashikohen në infrastrukturë, në industri, në menaxhimin e mbetjeve, në ujësjellës-kanalizime, në ujitje dhe kullim, trashëgimi kulturore dhe arsim e shëndetësi.

Në këtë Qark, ne synojmë të realizojmë brenda vitit 2021 përfundimin e punimeve për një investim të madh strategjik që është ai i gazit, një termocentral që do të ngrihet në Zemblak dhe do të furnizohet pastaj me gaz përmes gazsjellësit TAP. Një investim që do të rrisë ndjeshëm punësimin në zonë dhe nga ana tjetër është komplementar me projektin e energjisë për nënstacionin e Zemblakut, që do të bëjë të mundur fuqizimin e mëtejshëm të Unazës Energjetike të jugut, do të reduktojë fluksin që vjen nga linjat e largëta, çka do të përkthehet në reduktim të humbjeve në rrjet dhe në rritje të eficencës për të gjithë zonën.

Përsa i përket infrastrukturës rrugore është drejt përfundimit segmenti Qafë Thanë-Lin-Pogradec. Po ecim me segmentin Qukës-Qafë Plloçë, ku, si në çdo rrugë të lënë rrugëve, të trashëguar në mes të rrugëve, kemi hasur në probleme të rënda të lidhura me gjeologjinë, të lidhura me projektin. Kemi qenë të detyruar të ribëjmë në një masë të madhe projektin dhe të rigjejmë financime për shkaqe objektive dhe gjatë 2 viteve të ardhshme, ne do të fokusohemi për ta çuar punën më tej në këtë aks.

Po ashtu kemi një tjetër projekt me rëndësi për Liqenin e Pogradecit, atë që lidhet me aksin Drilon-Tushemisht dhe një sërë ndërhyrjesh rehabilituese të infrastrukturës në rrugën Korçë-Ersekë, në Unazën e Ersekës, në rrugën Boboshticë-Dardhë, në rrugën Voskop-Voskopojë dhe me radhë, për të mos përmendur ato që janë më të vogla, por jo më pak të rëndësishme dhe që janë projekte për të lehtësuar më tutje lëvizshmërinë në brendësi të zonave të banuara të Qarkut. Gjithmonë duke pasur parasysh imaktin e tyre në rritje dhe potencialin e tyre të madh, qoftë në funksion të zhvillimit të turizmit, qoftë në funksion të zhvillimit të mëtejshëm të bujqësisë dhe të agroturizmit.

Nuk po vijoj me detajimin e projekteve që lidhen me trashëgiminë kulturore dhe që i përkasin infrastrukturës turistike, që nga Kisha e Ristozit tek Ura e Voskopojës e një dyzinë projektesh. Sikundër, Korça është një prej qarqeve që përfiton ndjeshëm nga Programi i 100 Fshatrave, ku ne besojmë se do të shikojmë zhvillime të rëndësishme të një modeli të ri për të jetuar dhe për të fituar në fshat përmes agroturizmit.

Po punohet edhe për disa projekte të tjera që kanë një rëndësi strategjike, ku zgjatja e linjës hekurudhore që bën të mundur integrimin e stacionit të fundit Lin-Pogradec me rrjetin hekurudhor të Maqedonisë është njëri prej tyre. Apo edhe një sërë zhvillimesh të tjera në infrastrukturë, deri tek rivlerësimi i termocentralit të Korçës dhe të Maliqit, jo vetëm për përdorimin energjetik shtëpiak, por edhe për plotësimin e nevojave energjetike industriale.

Kjo është pak a shumë pasqyra e paketës së 2018-2020-ës për Korçën, ndërkohë që, me shumë kënaqësi, sot pashë kantierin që është drejt mbylljes të Parkut Olimpik, një vepër që flet vetë dhe që jam i bindur do të rrisë më tutje fuqinë tërheqëse të Korçës turistike.

Një pyetje lidhur me rastin e Xhisiola Malokut. Cili është qëndrimi juaj, duke qenë se nën akuzë janë dy nga deputetët e Partisë Socialiste? Ju faleminderit!

Kryeministri Edi Rama: Qëndrimi im është ai që ka qenë gjithmonë. Për mua, askush nuk është dhe s’mund të jetë mbi ligjin. Për Partinë Socialiste, askush nuk është dhe s’mund të jetë mbi ligjin. Ne këtë qëndrim e kemi jo vetëm me fjalë, por e kemi materializuar sa herë që jemi ballafaquar me faktet, ndryshe nga të tjerët. Nuk dua t’i kthehem fakteve historike.

Do të qëndroj te pyetja juaj, për t’ju thënë shumë thjeshtë dhe shumë qartë, së pari, jetojmë në një kohë dhe fatkeqësisht, në një mjedis ku kjo kohë e mbrapshtë e gënjeshtrës dhe e shpifjes, së kthyer në terror informativ për qytetarin, mishërohet te partia kryesore e opozitës si zëdhënësja kryesore e kësaj kohe, që do të thotë se unë nuk jam këtu për t’iu përgjigjur akuzave halucinante, të pabazuara në asnjë fakt, që bëhen qoftë për mua, qoftë për kolegë të mitë, sepse, nëse do të bëja këtë, do të merresha gjithë ditën me këtë punë.

Nga ana tjetër, përsa i përket vajzës, mund të them se, së pari, Policia e Shtetit ka bërë detyrën në përputhje me ligjin dhe djali i deputetit nuk ka pasur asnjë trajtim preferencial. Për një shkelje të procedurës, një oficer policie është pezulluar menjëherë nga puna dhe policia ka kryer të gjithë detyrimin e vet dhe i ka përcjellë çështjen Prokurorisë.

Së dyti, vajza e dhunuar meriton vetëm një gjë, drejtësi. Unë inkurajoj dhe mbështes fuqishëm organet e drejtësisë që ta çojnë çështjen deri në fund.

Së treti, abuzimi publik me vajzën e dhunuar dhe transformimi i dramës së saj, në një motiv lufte politike është ridhunim publik i vajzës nga Partia Demokratike, nga mediat dhe nga analistët, që, pa dashur t’ia dinë fare për vajzën, e kanë kthyer në mish për topat e luftës së tyre politike dhe mediatike.

Së fundi, unë dua t’i siguroj të gjithë se çka ka të bëjë me të drejtën dhe me drejtësinë, është e panegociueshme për asnjë interes politik dhe partiak timin, apo të forcës politike që unë drejtoj. Të tjerat jua kam lënë juve dhe atyre që kanë marrë përsipër të ridhunojnë vajzën për qëllime politike.

Juve shpresoj që të bëni detyrën tuaj deri në fund dhe të zbardhni deri në fund nga ana juaj, në mënyrë të pavarur, gjithçka lidhur me një horr të kthyer në një “hero”, në vend se të dënohej publikisht nga të gjithë, si një person që ka braktisur detyrën, ka sabotuar hetimin dhe ka përdorur rastin për të marrë azil në një vend tjetër. Nuk do t’i ndahemi këmba-këmbës atij horri.

Kur themi që nuk kemi një trajtim preferencial për djalin e deputetit, ekspertiza e vajzës ka vërtetuar që ajo është dhunuar deri në plagosje. Pse nuk kemi një arrestim, siç ndodh me meshkujt e tjerë, burrat, të cilat dhunojnë gratë apo të dashurat e tyre? Një deputet, i cili mbron dhunuesin, pavarësisht faktit që është i biri, a duhet të vazhdojë të jetë deputet i Partisë Socialistë?

Kryeministri Edi Rama: Së pari, arrestimet nuk i bën qeveria, nuk i bën kryeministri, se po t’i bëja unë, ju do kishit parë shumë deri tani, por fatmirësisht nuk kam as këtë detyrë e as këtë përgjegjësi dhe është prokuroria ajo që duhet të kryejë deri në fund hetimet e duhet të marri të gjitha vendimet për ta çuar hetimin drejt gjykimit.

Prandaj, jo vetëm unë, por as ju fatmirësisht nuk bëni arrestime. E në ndërkohë që diskutojmë për këtë çështje dhe bëjmë shumë mirë që diskutojmë, po ridhunohet publikisht vajza. Jo vetëm nga Partia Demokratike, por dhe nga mediat, në këndvështrimin tim. Jo të gjitha, përsëri, për fat të mirë.

Nga ana tjetër, deputeti duhet të hetohet njësoj si të gjithë të tjerët, nëse ka apo nuk ka implikim në këtë proces të drejtpërdrejtë, por fakti është që askush nuk ka mundur të bëjë asgjë, edhe nëse ka tentuar me procesin, sepse policia e ka respektuar procedurën nga A-ja tek Zh-ja dhe unë ju sfidoj të gjithëve që të provoni të kundërtën. Ky është fakti dhe jetojmë në një sistem ku çdokush që mbush moshën 18 vjeç përgjigjet vetë përpara ligjit, cilido qoftë dhe askush tjetër nuk mban përgjegjësi përpara ligjit, përveçse ai që është përgjegjës.

Kështu që për mua, çështja është shumë e qartë. Është e qartë si drita e diellit. Vajza meriton drejtësi dhe të gjithë duhet të japin kontributin e tyre në këtë çështje, duke ia kursyer ridhunimin në publik dhe përdorimin, abuzimin, dhunimin, si mish për top për qëllimet politike apo mediatike. Por drejtësinë nuk e bëj unë dhe nuk e bën media. Pa diskutim nuk e bën jo e jo, as Partia Demokratike. Drejtësinë e bën drejtësia. Kështu që është prokuroria, e cila duhet të çojë deri në fund hetimin dhe pastaj i takon gjykatës të vendosë atë që duhet.

Ne jemi në krahun e vajzës pa asnjë ekuivok dhe për ne, askush nuk është mbi ligjin, jo djalë deputeti e deputet, por gjithë ne sëbashku jemi të barabartë përpara ligjit, njësoj si gjithë të tjerët dhe këtë e kemi treguar gjithmonë, sa herë ka qenë nevoja të bashkojmë fjalët me faktet. Kështu që kush do të kuptojë, kupton. Natyrisht, në këtë kohë që jetojmë, për fat të keq është kthyer bota përmbys, sepse i takon akuzuesit të provojë akuzën, nuk i takon të akuzuarit. Pra, i takon akuzuesve të provojnë që janë të përfshirë, apo nuk janë të përfshirë deputetë të Partisë Socialiste në këtë çështje dhe nuk më takon mua të provoj të kundërtën. Unë thjesht dhe vetëm pres përfundimin e gjithë procesit të hetimit, duke e konsideruar sulmin ndaj Taulant Ballës dhe përfshirjen e mediave, qoftë dhe me indiferencë ndaj personit të tij për arsye qoftë edhe tregtare, për audiencë, në këtë sulm, si një qenëri të neveritshme. Kjo është për mua ajo që i bëhet sot Taulant Ballës. Përsa i përket të atit të djalit, nëse nga hetimi do të ketë një provë të përfshirjes së tij, apo nëse çdo lloj investigimi i pavarur do të nxjerrë një provë të përfshirjes së tij, atëherë ejani më pyesni mua çfarë qëndrimi kam.

Besoj se jam shumë i qartë.

Zoti Kryeministër, nesër maqedonasit do t’i drejtohen kutive të votimit për referendumin, a keni një mesazh për shqiptarët e Maqedonisë?

Kryeministri Edi Rama: Nesër është dita ku çdo shqiptar duhet të dalë në votim dhe të votojë për Maqedoninë europiane, për Maqedoninë e gjeneratës tjetër, të maqedonasve dhe të shqiptarëve, si dy popujt që e kanë formuar atë shtet dhe si dy anët e të njëjtës medalje. Çdo shqiptar duhet të kuptojë se kush nuk shkon nesër në votim për të mbështetur referendumin, faktikisht tradhton fëmijët e vet dhe gjeneratën tjetër të maqedonasve dhe të shqiptarëve. Është shumë e thjeshtë.

Këmbëngul sërish tek çështja e Xhisela Malokut. A i besoni variantit të deputetit Rrahja? Cili është qëndrimi juaj ndaj tij, sepse ka thënë se ka ndodhur për çështje xhelozie.

Kryeministri Edi Rama: Nuk e konsideroj fare të them të drejtën variantin e të atit të djalit. Është një variant subjektiv që nuk më intereson. Më intereson varianti i prokurorisë. Më intereson dhe çdo variant i çdokujt tjetër, përfshirë dhe ndonjë gazetar i zakonshëm që sjell prova për të kundërtën e asaj që duket deri tani nga gjithë çfarë ka publikuar Policia e Shtetit. Kjo më intereson. Versioni i të atit të djalit është i ati i djalit. Është një version komplet subjektiv dhe nuk e gjykoj dhe as e konsideroj fare.

Shumë faleminderit!

Është gjithmonë kënaqësi dhe jua them jo për kompliment që u bëhet zotërve të shtëpisë, por është gjithmonë kënaqësi të bësh konferenca shtypi me gazetarët lokalë, sepse janë shumë më gazetarë sesa gazetarët kombëtarë. Faleminderit!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here