Kreu Aktualitet Veliaj i uron 1 Tetorin gjysheve dhe gjyshërve

Veliaj i uron 1 Tetorin gjysheve dhe gjyshërve

110
0

Mëngjesin e sotëm, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj priti disa miq të veçantë. Në “Ditën Ndërkombëtare të të Moshuarve” ai zgjodhi që kafen e mëngjesit ta pijë me gjyshe e gjyshër pensionistë, të cilëve u uroi gëzuar 1 Tetorin dhe bisedoi për disa nga nismat e ndërmarra në përmirësimin e infrastrukturës së qytetit.

“Në emër të Këshillit Bashkiak dhe qytetarëve të Tiranës, dua t’i uroj të gjithë gjysheve dhe gjyshërve “Gëzuar 1 tetorin”. Kam edhe një thirrje për nipat dhe mbesat: kjo është dita kur një gjyshi ose një gjyshe që keni harruar, t’i çoni një mesazh, t’i bëni një vizitë, t’i çoni një dhuratë të vogël në shtëpi. Kjo është dita për t’i kujtuar ata. Unë besoj se një qytet është i mirë, kur kemi një harmoni mes brezave, mes atyre që ndërtuan Shqipërinë që kemi sot, dhe po ia kalojnë stafetën Shqipërisë që duam për nesër”, tha Veliaj.

Pas suksesit të tre viteve të mëparshme, Bashkia e Tiranës rikthen edhe një nga nismat më interesante që është zbatuar ndonjëherë në kryeqytet, atë të kafes me gjyshërit dhe gjyshet pensionistë, të cilët në disa lokale mund ta konsumojnë kafen me çmim të reduktuar.

“Rikthejmë traditën tonë të mirë të “Kafes me gjyshin”, ndaj dua t’i falenderoj të gjitha institucionet pjesëmarrëse të kësaj nisme të bukur. Vërtet është diçka modeste, por diçka që tregon se nuk harrojmë, se jemi këtu për të respektuar trashëgiminë e të parëve tanë. Ju falenderoj shumë për kontributin, disa si ushtarakë, disa si mësues, disa si doktorë. Pavarësisht profesionit, vendi ynë është më i mirë falë këtij kontributi të mrekullueshëm”, theksoi Veliaj.

Teksa vlerësoi rritjen e frymës së humanizmit dhe të vullnetarizmit edhe tek të rinjtë, Veliaj i bëri apel gjithë shoqërisë për më shumë përkujdesje për të moshuarit.

“Më vjen mirë që ndjenja e humanizmit tek të rinjtë sa vjen e po rritet. Po merren më shumë me sport, me aktivitete humanitare, më shumë me punë vullnetare, gjëra që kujtojnë rininë e gjyshërve tanë, kur këto gjëra nuk ishin tabu. Mezi pres që të shoh sot, por edhe gjatë gjithë vitit, më shumë të rinj që kujtojnë gjeneratën e vjetër dhe pranojnë që nuk kemi ardhur nga hiçi. Kemi ardhur nga dikush, kemi ardhur nga një traditë, kemi një histori. Fakti që e kujtojmë këtë histori, na bën nder të gjithëve”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku Veliaj u vlerësua nga të moshuarit për vëmendjen që Bashkia e Tiranës i ka kushtuar këto tre vite grupmoshës së tretë, qoftë në krijimin e infrastrukturës lehtësuese për ta, ashtu dhe në cilësinë e shërbimeve.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here