Home Politike Kryetari i Kuvendit pret ambasadorin e ri të Katarit

Kryetari i Kuvendit pret ambasadorin e ri të Katarit

24
0

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, u takua me ambasadorin e ri të Shtetit të Katarit në Shqipëri, z. Ali bin Hamad al Marri.
Kryetari i Kuvendit i uroi ambasadorit suksese në misionin e tij në Shqipëri dhe i garantoi mbështetjen e Kuvendit dhe institucioneve shqiptare në kryerjen me sukses të detyrës.
Z. Ruçi ritheksoi vullnetin e Shqipërisë për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, të cilat aktualisht janë shumë të mira.
Shqipëria është shumë e interesuar në zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik, shtimin e investimeve nga Katari në sektorët strategjike për vendin si edhe nxitjen e Katarit për financimin e projekteve të rëndësishme për zhvillimin e Shqipërisë, sidomos në energjetikë, miniera, turizëm, infrastrukturë, transport ajror etj. “Bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Katarit, vuri në dukje z. Ruçi, duhet të përqendrohet në disa fusha, si Investimet e Huaja Direkte, nxitja e eksporteve dhe turizmi. Është shumë e rëndësishme bërja aktive e marrëveshjeve të nënshkruara dhe të përshpejtohet puna për konkludimin e atyre që janë në proçes”.
Kryetari i Kuvendit vuri në dukje edhe rëndësinë e bashkëpunimit ndër-parlamentar, si një instrument për nxitjen e marrëdhënieve midis të dy vendeve. Në këtë kuadër, Kryetari i Kuvendit i përcolli ambasadorit al Marri ftesën për kryetarin e Asamblesë Konsultative të Katarit, z. Ahmed bin Abdullah al-Mahmud, që të vizitojë Shqipërinë.
Ambasadori Ali bin Hamad al Marri falenderoi Kryetarin e Kuvendit Gramoz Ruçi për fjalët e ngrohta dhe vullnetin e Shqipërisë për të zgjeruar bashkëpunimin me Shtetin e Katarit. Ai vuri në dukje se marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Katarit bazohen në ndjenjat e miqësisë reciproke. Menjëherë pas marrjes së detyrës, ambasadori i ka kërkuar qeverisë së Katarit bërjen efektive të marrëveshjeve të propozuara dhe nxitjen e marrëveshjeve të reja me Shqipërinë.
Qeveritë e të dy vendeve po punojnë për zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh edhe në fushën e transportit ajror dhe së shpejti pritet që Qatar Airways të hapë një linjë fluturimesh direkt me Tiranën. Nxitjes së bashkëpunimit në fushën e turizmit i shërben edhe lehtësimi i lëvizjes së qytetarëve të të dy shteteve.
Kryetari i Kuvendit Ruçi dhe ambasadori al Marri u shprehën në një mendje se bashkëpunimi midis të dy vendeve po shtrihet e duhet të shtrihet edhe në kuadrin e organizatave ndërkombëtare. Katari mbështet Shqipërinë për kandidaturën si anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit për vitet 2022-2023, ndërsa Shqipëria mbështet Katarin për po këtë kandidaturë për vitet 2042-2043.
Rivendosja e bashkëpunimit rajonal dhe e besimit reciprok janë jetikë për të gjitha vendet e Gjirit, por edhe për pjesë të tjera të botës, si në kuadrin e luftës kundër terrorizmit, ashtu edhe në bashkëpunimin ekonomik. Stabiliteti dhe paqja në vendet e Gjirit dhe përreth tij është i rëndësishëm për rajonin, por edhe më gjerë.

Loading...

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here