Kreu Opinion Sot halli i opozitës është halli i Lulzim Bashës!

Sot halli i opozitës është halli i Lulzim Bashës!

151
0

Fjala në seancën e sotme parlamentare në emër të Kreut të Grupit Parlamentar të PS:

Sot diskutojmë dhe miratojmë shtesat në strukturën dhe pagat e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe të Institucionit të Komisionerit Publik. Këto tre institucione të rrisin shpejtësinë, sepse qytetarët shqiptarë mezi presin që jo vetëm shtatëdhjetë e kusur gjyqtarë e prokurorë që e kanë kaluar këtë proces deri tani, por edhe ata qindra të tjerë që presin ta kalojnë këtë proces, të dalin para shqiptarëve se kush e meriton të vijojë të jetë gjyqtar e prokuror dhe kush nuk e meriton të vijojë.

Ç’kemi parë në këto pak muaj është konfirmuar qartë se sa e thellë paska qenë sëmundja, kolera e korrupsionit në gjyqësor. Kemi parë gjyqtarë të cilët nuk justifikonin me disa-fish pasurinë, sikurse kemi parë gjyqtarë apo prokurorë gjithashtu, të cilët nuk justifikonin dot të ishin në sistem, sepse kishin dhënë vendime skandaloze e për më keq, kemi parë raste gjyqtarësh e prokurorësh të lidhur me krimin.

Këtu është dallimi përsëri mes atyre që duan të gjejnë alibinë për të ikur nga Kuvendi i Shqipërisë dhe pse jo, ndoshta për të ikur nga zgjedhjet lokale, sepse nuk kanë as lidership, as ekip dhe as program për t’u përballur.

Sot halli i opozitës është halli i Lulzim Bashës!

Një njeri që nuk fiton dot zgjedhjet. Një njeri që nuk di të drejtojë një parti, sot jo vetëm që mori në qafë partinë e tij, por edhe partinë e Monikës.

Të bashkuar pa asnjë arsye (PD-LSI) dhe sot mungojnë për t’i dhënë mbështetje Vettingut të drejtësisë.

Janë këto tre vendime të cilat na ndajnë qartë të dashur kolegë, mes nesh që e kemi bindje, seriozitet, gatishmëri për ta çuar deri në fund Reformën në Drejtësi.

Këtu do doja të bëja një kronologji të gjithçka ndodhi në muajin shtator.

Kur ne filluam këtë sesion Partia Demokratike kërkoi pazar për të ndryshuar shtatë ligjet e Vettingut. Ne nuk e ofruam sepse nuk bëhemi kurrë pjesë e një pazari për të ndryshuar ligjin e Vettingut, sepse ne nuk do bëjmë kurrë pazar në kurriz të Vettingut në drejtësi.

Pasi nuk morën ‘kurrë’ përgjigje për pazarin e kërkuar hynë në një diskutim, i cili ka përfunduar që ditën e parë që kemi miratuar Reformën në Drejtësi. Sepse për të gjithë ata shqiptarë, njerëz të thjeshtë e të zakonshëm të këtij vendi, më lejoni ta them shumë qartë se Reforma në Drejtësi ka pasur dhe ka thelb të vet objektivin fundor dhe kryesor atë të Vettingut të politikës.

Ne kurrsesi nuk kemi pranuar dhe nuk do të pranojmë kurrë një Vetting të politikës pa u hetuar pasuritë e familjarëve, pa u hetuar korrupsioni 27-vjeçar i politikës.

Por këtë Partia Demokratike nuk e do! Partia Demokratike ka sjellë në Kuvend dy faqe letër me të cilat jo vetëm që i ngrihet një trung me ferra para Vettingut të drejtësisë, por që synohet të bllokohet Prokuroria Speciale Anti-Korrupsion dhe Byroja Kombëtare e Hetimit.

Në këtë kontekst më lejoni t’ju them se mjafton të marrim shembullin e një vendi si Rumania ku Byroja Kombëtare e Hetimit të tyre dhe njësia Anti-Korrupsion ka çuar përpara drejtësisë dhe ka ndëshkuar 13 ministra, 38 deputetë e senatorë të vendit përkatës.

Ja, ky është modeli më i mirë i Vettingut të politikës. Nuk bëhet Vettingu i politikës duke ndenjur nëpër hotele apo në mungesë të kryetarit të Partisë Demokratike nuk dihet ku ka shkuar opozita.

Nuk bëhet Vettingu i politikës duke mbajtur një fjalim kryetari i opozitës në hotelin e radhës.

Thirrja ime është që PD dhe LSI duhet të jenë sot këtu për të votuar këto tre vendime që çojnë përpara Reformën në Drejtësi dhe Vettingun në drejtësi.

Sa për çështjen tjetër atë të baltës dhe shpifjes ne e kemi bindje që nuk bëhet më politikë në vitin 2018 me baltë e me shpifje.

Thirrja ime sot për shpifjen më të fundit të serisë së radhës “Babale 2”, Prokurorisë i kërkoj të hetojë menjëherë.

Mjaft më me muaj për të zbardhur një çështje. Një çështje që është tërësisht e zbardhëshme brenda pak ditësh. Unë, Rrahman Rraja apo Artur Bushi kemi qenë apo jo në komisariatin e Fushë Krujës. Ka plot prova për ta vërtetuar.

Ju garantoj kolegë deputetë që kjo histori do të jetë një histori e radhës e turpit të Lulzim Bashës të përfshirë në një shantazhim të deputetëve, të kryetarit të grupit parlamentar të shumicës këtu në Kuvend, ku garantoj që nuk shantazhohem kurrë, nga Lulzimi jo e jo, se të të shantazhojë Lulzimi është turp.

Por ama po ju them sot se Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste javën e kaluar ka nxjerrë prova të qarta se si Lulzim Basha duke shfrytëzuar foltoren e Kuvendit apo atë të Partisë Demokratike ka shantazhuar bizneset në këmbim të parave për kompaninë e kunatit të tij.

Si mund ta besojnë shqiptarët një njeri që nga njëra anë zotohet se do të bëjë Vettingun e oligarkëve dhe nga ana tjetër pasdite oligarkëve u merr faturën për kompaninë e kunatit të tij.

Deputetët e Partisë Socialiste, Bushati, Spiropali, Bushka, publikuan javën e kaluar fakte konkrete. Unë do i kërkojë ministrit të Financave, Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve të bëjnë publike të gjitha këto të dhëna që ne i kemi siguruar.

Dhe sigurisht ti bëjmë me dije të gjithë shqiptarëve se si ka mundësi që një kompani që në dy vite të njëpasnjëshme deklaron xhiro mbi 2 miliardë lekë në vit, në njërin vit paguan tatim mbi fitimin 10% dhe në vitin tjetër paguan tatim mbi fitimin vetëm 2%.

A është ky evazion fiskal?

Kjo i takon institucioneve por ne do ta ndjekim këtë çështje, sepse është e rëndë që kryetari i opozitës shantazhon biznesin në këmbim të fitimeve.

Është e paimagjinueshme që opozita që duhet të jetë gardian i qeverisë, sot është shantazhuese e sipërmarrjes së lirë të vendit.

Faleminderit!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here