Home Sociale Udhetim drejt Belshit turistik

Udhetim drejt Belshit turistik

2410
0

Nisemi nga Tirana në orën 9-të bashkë me gazetarët e medjave të ndryshme me nje udhëtim paksa të vecantë pasi ndoshta për herë të parë kaq shumë gazetarë janë të ftuar për të parë e diskutuar për pyjet. Albora thyen pak heshtjen duke informuar të pranishmit se qëllimi i kësaj vizite është që të gjithë bashkë me gazetarët të dialogojmë, të mund të mbledhin informacion, intervistojnë dhe përgatisin shkrime, kronika dokumentare, reportazhe të cilat pasqyrojnë kontributin dhe sfidat e komuniteteve dhe pushtetit vendor në administrimin e pyjeve. Albora më tej shtoj se pjesmarrës në vizitë janë partnerët tanë të CNVP (Fondacioni Ndërkombetar “Bashkojme Vlerat e Natyres me Njerezit”), Ministrisë së Brendeshme (agjensia për pushtetin vendor ) prof dr Vezir Muharremaj, Prof.i Fakultetit te Shkencave Pyjore Elvin Toromani. Mikrobuzi vazhdon në trafikun e dendur të Tiranës dhe merr rrugën në drejtim të Elbasanit. Na duhet ndoshta 1 orë rrugë për tu gjendur në një qytet e më vonë në Fshatin Deshiran të Belshit ku specialistët nga Tirana së bashku me specialist në Bashkinë Belsh dhe pronarët e pyllit kishin punuar për të krijuar modelet në pyll me të cilët do të njihemi më vonë gjatë ditës. Ata kanë qëndruar disa ditë për të na dhënë disa modele mbarështrimi nga Pyjet e Belshit, modele që do të duhet të aplikohen në të gjithë Shqiperinë për të ndryshuar mënyrën e qeverisjes së dushkut, mënyrën e planifikimit në shërbim, të punësimit e shtimit të të ardhurave për bashkinë dhe banorët vendorë.
Tek ecim gjatë rrugës, është vërtet mbresëlënëse se si banorët nga Mulleti deri në Belsh,kanë qëndisur kodrat dhe rrethinat me Ullinj dhe lloje të tjera drurësh pyjorë dhe frutorë por dhe vreshta. Avash-avash i afrohemi Belshit dhe përpara na shfaqet një qytezë e ndryshuar rrënjësisht gjatë dekadës së fundit. Belshi është një qytet i vogël buzë liqenit me të njëjtin emër, kryeqendra tradicionale e zonës së Dumresë. Ndodhet në jug-perëndim të Elbasanit, rreth 30 km larg tij. Belshi ka një popullsi prej 5.700 banorësh dhe si bashki ajo numëron 13.700 banorë me histori të lashtë të vendbanimeve të ilirëve. (në afërsi të Belshit, nga gërmimet arkeologjike në Grandishtë dëshmojnë se aty ka qenë vendbanim i lashtë Ilir, në bazë të sendeve të gjetura tregohet se kjo zonë ka qenë e banuar që në periudhën e bronzit të hershëm). Porsa zbritëm nga autobuzi, të gjithë filluan të lëvizinin drejt liqenit duke shijuar bukuritë arkitektonike të qëndrës së Belshit, ndesa Xhelali me aparatin e tij po vazhdonte të fotografonte pejsazhin por dhe grupet e vizitoreve tek panorama e bukur e liqenit rrethuar me peme stola e decoracionin, e ndërtuar me kujdes në qendres të Belshit. Te pedonalja mjaft terheqëse i bashkohen grupit Gazetarët e ardhur nga Elbasani, drejtues të bashkisë, Shoqatave biznesmen nga Belshi, dhe së bashku dialogu i pa planifikuar filloj teksa shijonim një kafe në ambjentet e lokaleve ku ishin të mbushur po thuaj plot me pushues.
E për faktin se vizita jonë nuk kishte qëllim në vetvehte turizmin, dialogu u fokusua tek Pylli.
Gazetarët vendorë duke ju uruar mirëseardhjen gazetareve dhe grupit nga Tirana, kërkuan të njihen midis tyre prandaj dhe prezantimi vijoj pa shumë ceremoni. Albora vazhdoi përsëri të informonte grupin e gjerë pse jemi në Belsh, me tej ajo foli dhe për dialogun e përbashket që jo vetem sot por dhe në vazhdimësi duhet ta thellojmë duke bashkëpunuar në të mirë të Pyjeve dhe zhvillimit. Pyetjet ishin të shumta për arsyet e dëmtimeve të pyjeve në Shqipëri, roli që kanë bashkitë dhe “A ishte e drejtë transferimi i pyjeve në pronësi të Bashkive ?” , “Sa pyje janë në Bashki dhe sa në pronësi të shtetit ?” . Zoti Xhelil Cibaku si përfaqësues i Agjensisë se Pushtetit Vendor thekson se janë bërë përparime të ndjeshme në drejtim të pyjeve në Bashki. Ligji i pyjeve i detyron bashkitë të marrin specialist pyjesh. Ka shumë bashki si Hasi, Belshi, Elbasani, Librazhdi,Maliqi, Korca, Mati, Malsi e Madhe por dhe të tjera që punësojnë specialist pyjesh sipas normave të përcaktuara në Ligj. Duhet theksuar se ka akoma bashki që kanë punësuar militant, madje dhe vetë strukturat e AMMPU, në mvartësi të Ministrisë Turizmit dhe Mjedisit kanë specialist jashtë profilit. Ai, ndër të tjera përmendi dhe punën e shkëlqyer që federata së bashku me të gjithë aktorët vendor e qëndror po bën në tre vitet e fundit për të rritur mbështetjen për Bashkite dhe pjesmarrjen e njerëzve në mbrojtjen dhe menaxhimin më të mire për pyjet. Në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve prof dr. Vezir Muharremaj theksoj – Në vitin 2016, rreth 900 mijë hektarë pyje e kullota (ose 79.5% e sipërfaqes gjithsej) iu transferuan 60 Bashkive. Ky ishte njē hap i rëndësishëm drejt decentralizimit. Ndërkaq, në krahasim me tokën bujqësore, pyjet dhe kullotat kanë mbetur shtetërore, me gjithē traditën e posedimit dhe pērdorimit tē njē pjese tē mirē prej tyre nga fshati dhe familjet rurale, duke u quajtur “mall pa zot” e degraduar, ku mbizotëron informaliteti. Pyjet dhe kullotat duhet të jenë pronë e fshatit dhe fisit e familjeve sic i kanë pasur historikisht, sot fshati ska prona por duhet të ketë, jo vetëm per pyjet e kullotat por edhe për ujrat, rërën zhavorin, gjuetinë, ata të kenë të drejta dhe detyrime për ti zhvilluar ata si dhe të kenë përfitime, shton profesori. Këtu përfundoj dhe dialogu në kafenë e këndeshme në mjediset e bukura të qendres së bashkisë Belsh.
Me pas u nisëm për në fshatin Deshiran me më shumë makina sepse ekipi ishte rritur dhe pas 20 minuta udhëtim, mes dushkut të rimëkëmbur të Dumres dhe rrugës së asfaltuar që gjarpëronë përgjatë pyllit, mbërrijmë tek “Modelet në Deshiran”. Atje na presin pronarët dhe rojet e pyllit të cilët ndjehen krenarë që po na shfaqin pyje të mbrojtura me kujdes për 23 vite rrjesht dhe tani po arrijnë të shijojnë “Frutet” e pyllit. Këtu të hapen mushkëritë nga ajëri i pastër, që për ne që jetojmë në Tiranë është kthyer në një luks”, shprehet me fjalë që i dalin shumë ngadalë nga goja, Eriselda Martinit gazetare top-channel.tv. Ndalesa buzë rrugës nuk do më shumë se dy minuta për të parë fillimin e punës në modelin e ndërtuar me shumë kujdes nga pronarët me mbeshtetjen e Federatës Kombëtare. Albora Kacani pasi prezantoi dhe pronarët dhe rojat e pyllit ritheksoj dhe një herë qëllimin e këtij takimi, ajo shtoj se duke qënë bashkë mund të përballojmë sfidat që kemi për të përmirësuar qeverisjen e pyjeve dhe për të maksimizuar prodhimin në interes të zhvillimit ekonomik për banorët vendorë.
Pak për Bashkinë Belsh:
Klodi Gance inxhinjer pranë bashkisë Belsh na shpjegon se sipërfaqja e bashkisë së re është 196.44 km2. , ajo përbëhet nga 5 njësi administrative, të cilat janë: Belsh, Grekan, Kajan, Fierzë dhe Rrasë. Të gjitha njësitë administrative janë aktualisht pjesë e rrethit të Elbasanit dhe qarkut të Elbasanit. Bashkia e re ka nën administrimin e saj një qytet dhe 34 fshatra. Belshi shtrihet pothuajse tërësisht në pllajën kodrinore karstike të Dumresë, një zonë kodrash të buta me bazë gëlqerore mbi të cilat është krijuar një panoramë piktoreske me 85 liqene karstike me një sipërfaqe të përgjithshme prej 14.2 km2. Ata janë një burim i mirë hidrik për ujitjen e tokave, vetëm se problem mbetet shfrytëzimi, përdorimi me kriter dhe të kujdesemi për të mos hedhur mbeturinat. Bashkia ka një sipërfaqe gjithsej prej 1388 ha, nga të cilat 728 ha pyje, 136 ha kullota, sipërfaqe me bimësi pyjore 471 ha, sipërfaqe ujore 45.5 ha dhe sipërfaqe inproduktive 6.5 ha. Rreth 300 ha janë pronë private dhe në shërbim të pyjeve janë një inxhinjer pyjesh dhe 4 roje pyjesh që paguhen nga Bashkia. Kodrat e Dumresë kanë qenë në përgjithësi të mbuluara me pyje dushku, por pjesa më e madhe e pyjeve u prenë gjatë kohës së komunizmit për të krijuar hapësirë për toka buke. Qytetarët i janë gëzuar ndryshimit dhe e shohin turizmin si një mundësi për rritjen e të ardhurave. Ndërtimi i rrugës së re që lidh Cërrikun me Belshin dhe Urën Vajgurore i afron ata me tregje të mëdha si Elbasanin dhe Tiranën. Kështu edhe Dumresë i janë çelur perspektiva të reja të favorizuara nga natyra dhe historia e pasur e zonës na thotë Klodi.
Te maksimizojmë prodhimin ne pyjet e dushkut…
Elvin Toromani, Profesori i Fakultetit të Shkencave pyjore , i cili vuri në dukje dy qëllimet kryesore për të cilën ne po punojmë në pyjet e dushkut; 1). Të mendojmë si mundet ti konvertojmë në trungishte pyjet e dushkut për të maksimizuar prodhimin dhe cilësinë 2). Te rrisim prodhimtarinë e cungishteve dhe shkurreve për nevojat që kanë bashkitë për dru zjarri. Me tej ai flet në emer të grupit të punës dhe shpjegon për të pranishmit qëllimin e studimit, ai shton se ne po punojmë me dushkun në shumë rajone të Shqipërisë si në Has, Dibër, Pogradec, sepse dhe nevojat e banorëve për dru zjarri janë shumë të mëdha. Në të gjitha rajonet, ne studjojmë gjëndjen reale të pyjeve të dushkut nga pikpamja e strukturës, volumit dhe rritjeve, nevojat për ndërhyrje, të aplikojë ndërhyrje të ndryshme kryesore si ripërtëritja nëpërmjet ricungimit dhe ripërtëritja me amësorë. Kjo të shërbejë për të rritur kapacitetet profesionale të stafit të shërbimit pyjor të bashkisë dhe të ofrojë disa modele ndërhyrje për pronarët e këtyre pyjeve duke i përdorur ato edhe në të ardhmen ne nivel Bashkie dhe Kombëtare. Regjimi i pronësisë në pyje e kullota është ende i papërcaktuar dhe përdoruesit tradicionalë-fshati dhe familjet rurale nuk kanē asnjë bazë ligjore dhe dokumente për përdorimin e këtyre pasurive. Pronarët që ne kemi në studim e kanë ruajtur pyllin krahas prodhimit të druve të zjarrit sigurojnë dhe prodhime të tjera si kërpurdha e bime mjeksore, ata kanë mundesi të shtojnë dhe aktivitete për biodiversitetin si dhe të kërkojnë dhe mbështetje për sekuestrimin e karbonit nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.
Pylli i Dumresë histori suksesi:
Historia e pyllit te Dumresë vjen nga një periudhe 23 vjecare na shpjegon eksperti Haki Kola ish drejtori i parë i projektit të BB për Pyjet. Ai na shpjegon se në Dumre pyjet ishin krejtësisht të dëmtuara, madje banorët kishin filluar të shkulnin dhe rrënjët e lisit për të prodhuar dru zjarri.
Pylli Belshit (Dumrea) përfaqëson një histori suksesi të komuniteteve të angazhuara në rehabilitimin e 700 hektarëve të pyjeve të dushkut. Ajo që ne bëmë ishte bashkëpunimi me komunitet, filluam organizimin në shoqata dhe mbështetëm ricungimin e gjithë pyjeve të dushkut dhe ramë dakort që të ndalohej kullotja e blektorisë sidomos e dhive per 3-4 vitet e para.
Në periudhën kohore 1998 – 2018, një zonë pyjore krejtësisht e degraduar prej 700 hektarësh, e ngjashme me një shkretëtirë në atë kohë është transformuar tashmë në një pyll Lisi plotësisht të shëndetshëm, me kapacitete për të kontribuar në fiksimin e karbonit, si dhe për punësimin në komunitet duke përmbushur nevojat për dru zjarri. Banorët u vunë përballë një pune sistematike për një periudhe të gjatë pas ricungimit duke mbrojtur drurët e brishtë të lisit të ardhur nga nje degradim shumë vjecar. Sic del dhe nga rezultatet ky ka qënë një ndër projektet më të sukseseshme të Bankes Botrore që la gjurmë dhe krijoj modele shumë të mira bazuar në traditën, prandaj si projekt mori “Medaljen e ARTE” vleresuar nga struktura ndërkombëtare por dhe drejtuesi i këtij projekti Z. Haki Kola për kontributin në Dumre u shpall QYTETAR NDERI I Grekanit nga Këshilli i Komunës dhe ish kryetari i saj Qemal Rama , për këtë me modesti Hakiu na shpjegon “Grekani na nderoi me ruajtjen e rimëkëmbjen e 700 Ha pyjeve krejt të degraduara, në vitin 2000 duke u bërë një shembull dhe mësim për Shqipërinë.
Në këtë moment pyetjet e gazetareve ishin mjaft interesante dhe shqetësimi ishte “Pse u dëmtuan pyjet ?” , “Pse nuk zbatohen ligjet ?” , “Pse u vendos moratoriumi, si janë politikat ?”. Në përgjigje eksperti Haki Kola shpjegon ndryshimin që ndodhi midis pyjeve me kujdesin e banorëve, me pyjet në largësi që skanë kujdestarin e duhur.. Në shumë fshatra të Shqipërisë banorët vendosin roje për të mbrojtur pyjet e veta nga zjarri, prandaj mendojmë se duhen përmirësuar politikat por dhe ligji.
Në vazhdimi ai shtoj shtoj se megjithë diversitetin tonë dhe qasjet e ndryshme, ne kemi zgjedhur të bashkojmë perpjekjet tona për misionin e ndërtimit të qeverisjes së tokës ku në qendër të jene njerëzit, dhe kjo është themelore për një proces të drejtë, të barabartë dhe gjithëpërfshirës. Ne jemi këtu për të diskutuar bashkë si ta bëjmë Shqipërinë më të mirë!
Sot jemi në momentin kur është ngritur një grup pune me mbështetjen e Ambasadës Suedeze për hartimin e një dokumenti politik se ku duhet të jetë e ardhmja e pyjeve kjo dhe me kerkesat e vazhdueshme te komuniteteve, strukturave, shoqatave dhe federatave ne mbrojtje të interesave të tyre. Pyetjes se gazetareve “Cili është fitimi nga keto pyje ?” “A kanë të drejtë fermerët të shesin produktet e pyllit?”, “Sa janë të ardhurat ?” , “Si eshte ligji ?”.
Në përgjie të pyetjeve nga gazetarët prof. Elvin Toromani shton; Unë mendoj se shteti nuk po luan rolin që duhet, kemi dy situata : pyjet afër fshatrave nga banorët janë ruajtur dhe pyjet e lartë që i ka Shteti nuk ruhen dhe menaxhohen si duhet, strukturat shtetërore sidomos inspektoriati nuk po ja del të mbrojë pyjet e Shtetit. Një pjesë e pyjeve të lartë po shkatërrohen, një pjesë janë dhënë me koncesion, një pjesë për minjera dhe aktivitete të tjera. Ndrse prof Veziri shpjegon se kërkesa jonë disa vjecare është të përmiresohet baza ligjore së pari për të drejtën e pronësisë sipas traditës por e drejta që fermerët të tregtojnë produkte pyjore e jo pyjore dhe kjo ndihmon në punësimin e njerëzve. Në zonat malore ka pak tokë bujqesore prandaj nëse i japim dhe tokën pyjore fermerit ne mundet të arrijmë të kompletojme fermen dhe rrisin mundësinë që shumë shpejt të heqim dhe atë të qujtur asistencë sociale.
Ndëresa pronari Gramoz Hazizolli si perfaqesues i pronave private thekson se kemi punuar 6 vjet për të mbrojtur e kujdesur per pyllin. Ne pyllin duam të bëjmë pyll me vlera të larta jo vetëm për dru zjarr por dhe për lëndë ndërtimi, bime kërpurdha dhe për të shtuar vlerat e turizmit dhe biodiversitetit. Ne kërkojmë që pushteti qendror të na ndihmojë me buxhet të bëjmë investime për të shtuar faunen e egër. Asnjë mbështetje skemi patur nga asnjë strukturë, përjashtuar modelet që u ndërtuan nga Federata Kombetare që ishin një mësim për ne si duhet te punojmë për të ardhmen. Pytje gazetarit Fatmir Popja nga NEWS 24 se cfarë mendoni për të ndryshuar situatën për ta kthyer destinacion turistik pyllin që keni marrë në pronësi?- Gramozi i pergjirgjet se kemi patur një plan mbarështrimi deri tani por atij po i mbaron afati, shpresoj të gjejmë disa ekspert dhe të bëjmë një plan të ri për ta kthyer pyllin në atraksion turistik, duke mbrojtur pyllin por dhe shtuar më shumë prodhimet e pyllit si bimët kërpurdhat, por dhe kafshët shpendet e dobishme. Tani që pyllin e kemi ngritur duhen ide, projekte, investime dhe konkretizim i tyre, shton Gramozi.
“Ari i gjelbert i Dumrese”
Mes hijeve të drureve, ajrit të pastër dhe të fresket, ullinjeve dhe vreshtave, gjejmë vullnetin e pamposhtur të banorëve dhe pronarëve të vendosur për të ruajtur këtë masiv pyjor, për më shumë se 23 vite dhe tani e gjithe siperfaqja jo vetëm në pronësi private por dhe ajo kolektive, mbi 700 ha ja vlen ta quash“Ari i gjelberi i Dumrese” Hakiu shton se: Menaxhimi i cungishteve si forma më e vjetër e menaxhimit të qëndrueshëm të pyjeve është ende i kudondodhur në Shqipëri. Karakteristikat e tij unike kontribuojnë në jetesën rurale, bioekonominë, mjedisin dhe trashëgiminë kulturore. Menaxhimi i cungishteve është lënë pas dore në shekullin e kaluar, duke lënë një potencial të madh natyror të pashfrytëzuar. Është koha që bazuar në përvojën e krijuar të mendojmë dhe planifikojmë për ta vënë këtë pasuri në eficencë për përfitime maksimale.
Këtu e kishte fjalën dhe prof, Veziri, Elvini, Hakiu kur përmendën të madhin Sami Frashëri.
Ndërsa Xhelali në përfundim të vizitës thekson se ky ishte një aktivitet i Federatës me pjesmarrje nga shumë aktorë i lehtësuar nga Kualicioni Ndërkombëtar i Tokës. Besoj se u arrit qëllimi dhe ju sot u njohët me disa përvoja dhe problematikat e pyjeve në Shqipëri. Vecanërisht dua të falenderoj praninë e gazetarëve nga shumë media lokale e kombetare, që arritën të jenë mjaft aktiv, ata i dhanë gjallëri debatit për problemet e shumta që kanë pyjet. Unë ju bëj thirrje por dhe besoj që dhe në të ardhmen do të jemi bashkë. Të jemi bashkë për sfidat që kemi për pyjet si në drejtim të përmirësimit të politikave dhe ligjeve që ndikojnë në ritjen e pjesmarrjes së banorëve me shumë përgjegjësi e të drejta. Por të jemi bashkë që të promovojmë modele dhe projekte por dhe përfitime nga menaxhimi më i mirë i pyjeve për pasojë të ndikojmë në përmirësimin e cilesisë së jetës banorëve në zonat Rurale të Shqipërisë.
REXHEP NDREU
Federata Kombetare e PKK

Loading...

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here