Kreu Aktualitet Reforma në Drejtësi model suksesi në vendet e rajonit dhe BE

Reforma në Drejtësi model suksesi në vendet e rajonit dhe BE

98
0

Deklarata e ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj, në Konferencën e përbashkët për shtyp me Komisioneren Vera Jourova dhe ministrin austriak Josef Moser:
E nderuar Komisonere Jourova,
I nderuar Minister Moser,
Të nderuar kolegë dhe miq,
Fillimisht, më lejoni t’ju them se ndihem e nderuar që Ministeriali i vendeve të Ballkanit Perëndimor po zhvillohet në Shqipëri. Me këtë rast, edhe në emër të Qeverisë Shqiptare, dëshiroj të falenderoj Komisioneren Jourova si përfaqësuese e Komisionit të BE dhe Ministrin Moser, jo vetëm si përfaqësues i shtetit mik të Austrisë por edhe në cilësinë e vendit që mban Presidencën e Këshillit të BE, që nderuan Shqipërinë dhe Shqiptarët, duke vendosur organizimin e këtij Ministeriali në Shqipëri.
Ndihem vërtet shumë krenare që sot përmbyllëm me sukses ditën e parë të këtij Ministeriali që kishte në fokus çështjet e drejtësisë.
Sot, në mbyllje të ditës së parë të këtij ministeriali, patëm mundësinë të diskutonim mbi forcimin e shtetit të së drejtës dhe eficencën e sistemeve të drejtësisë. Diskutime, te cilat nxisin zbatimin e standardeve në sistemin gjyqësor si dhe përcaktimin e treguesve në matjen e ecurisë se reformave në fushën e drejtësisë.
Përzgjedhja e Shqipërisë nga Presidenca Austriake e Këshillit, si vendi ku do të organizohej Ministeriali, nuk ka qenë rastësore apo e pamenduar.
Reforma në Drejtësi dhe procesi i rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve që Shqipëria ka ndërmarrë është një model suksesi që ka bërë jehonë në vendet e rajonit dhe në Bashkimin Evropian.
E duke folur për standarde në sistemin gjyqësor, si Ministre e Drejtësisë, pata kënaqësinë të ndaj me homologët e mi të vendeve të Ballkanit Perëndimor faktin se Reforma shqiptare në Drejtësi është hartuar në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare, falë edhe asistencës dhe ekspertizës më të mirë vendase dhe të huaj.
Me këtë reformë, ne kemi transformuar rrënjësisht sistemin tonë të drejtësisë dhe po ecim përditë drejt zbatimit të suksesshëm të saj. Në përfundim të këtij procesi shtetformues, Shqipëria do të ketë një sistem gjyqësor tërësisht profesional, të pavarur dhe të pandikuar politikisht dhe të krahasueshëm, për nga eficenca dhe cilësia, me sistemet më të konsoliduara evropiane.
Nëpërmjet procesit të vetingut po pastrohet pallati i drejtësisë nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar, të paaftë apo të lidhur me krimin e organizuar. Deri më sot, ky proces ka dhënë rezultate mbresëlënëse duke rikthyer besueshmërinë e munguar të qytetarëve shqiptarë në sistemin e drejtësisë, por edhe duke vendosur në rrugën e ligjshmërisë veprimtarinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Në përfundim të këtij procesi transformues, qytetarët shqiptarë do të mund të gjejnë, në dyert e gjykatave shqiptare, drejtësinë e munguar prej së paku 25 viteve.
Reformimi i sistemit gjyqësor nuk është një punë e lehtë. Sa më e thellë të jetë reforma, aq më të fortë janë edhe kundërshtarët e saj. Qytetarët shqiptarë e kanë parë rezistencën e jashtëzakonshme që kanë krijuar partitë politike dhe grupet e interesit në gjyqësor kundër reformës në drejtësi. Por, siç edhe takimi i sotëm e tregon, ne jemi në anën e duhur të historisë. Me Bashkimin Evropian dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë në krah, unë jam besimplotë që do t’ia dalim të garantojmë një sistem të drejtë e të pavarur gjyqësor për Shqiptarët.
Gjyqësori i pavarur dhe i paanshëm është rruga e vetme për Shqiptarët dhe vendet e tjera të rajonit drejt vlerave të përbashkëta evropiane. Prandaj, ne jemi zotuar përpara çdo Shqiptari për integrimin e Shqiperise ne familjen Evropiane.
Takimet si ky i sotmi, i japin mundësinë të gjithë vendeve të rajonit që të rrisin bashkëpunimin drejt reformave shtet ndërtuese, duke ndihmuar njëri-tjetrin në kapërcimin e sfidave tona të përbashkëta. Në fund të ditës, të gjitha shtetet e rajonit, duan të krijojnë një vend më të mirë, më të drejtë dhe më të barabartë për të gjithë qytetarët tanë.
Në këtë qëllim të përbashkët ne nuk jemi vetëm. Përpjekjet reformuese të çdo vendi të rajonit, kanë nga pas, forcën e madhe nxitëse të Bashkimit Evropian.
Nëpërmjet përdorimit të standardeve të njëjta për forcimin e shtetit të së drejtës dhe sigurimin e pavarësisë dhe paanësisë së sistemeve gjyqësore do të jemi në gjendje për të garantuar vijimin bashkarisht të përpjekjeve reformuese në fushën e drejtësisë.
Në këtë mënyrë, do të jemi në gjendje që të shkëmbejmë eksperiencat më të mira me njëri tjetrin, si dhe të nxisim njëri-tjetrin për ndërmarrjen e reformave që vërtet mund të jenë të vështira, por në fund të ditës të japin shpërblimin më të madh: Drejtësi dhe barazi për të gjithë qytetarët tanë.
Në fund, më lejoni që të falenderoj të gjithë Ministrat e Drejtësisë që na kanë nderuar me pjesëmarrjen e tyre në këte takim si dhe për diskutimet dhe shkëmbimet e frytshme të pikëvështrimeve dhe eksperiencave të ndryshme të vendeve tona.
Të falenderoj Komisionin Evropian dhe Komisioneren Jourova, e cila ka mbeshtetur në mënyrë të vazhdueshme zbatimin e reformës në drejtësi, si një proces i pakthyeshëm.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here