Home Aktualitet Rehabilitimi i linjës hekurudhore Durrës-Elbasan-Pogradec

Rehabilitimi i linjës hekurudhore Durrës-Elbasan-Pogradec

37
0

Gjatë ditës së sotme u prezantua Studimi i Realizueshmërisë për rehabilitimin e linjës hekurudhore Durrës – Rrogozhinë – Elbasan – Pogradec, financuar nga fondet e Komisionit Evropian, të mundësuara përmes Instrumentit të Investimeve për Ballkanin Perëndimor. Studimi ka filluar në Prill 2017.
Studimi është kryer në dy faza. Gjatë fazës 1 u krye vlerësimi i para-realizueshmërisë për të gjithë linjën hekurudhore 151km, 72km e parë të të cilës ndërmjet Durrësit – Rrogozhinës – Elbasanit janë në punë sot. Pjesa e mbetur prej 79 km nga Elbasani në Pogradec nuk janë në funksion për shkak të gjendjes të keqe të linjës dhe të strukturave (urave dhe tuneleve) përgjatë saj. Studimi i para-realizueshmërisë përfshiu një analizë kosto përfitim (CBA) përmes vlerësimit të tre skenarëve të zhvillimit të projektit. Për skenarin e përzgjedhur, projekti konceptual u përgatit për të gjithë linjën hekurudhore. Si rezultat i fazës 1, u krye një prioritarizim i të gjithë segmenteve të linjës hekurudhore. Segmenti Durrës – Rrogozhinë u vlerësua me prioritet më të lartë për ndërhyrjet e rehabilitimit.
Gjatë fazën 2, u përgatitën projekti paraprak dhe analiza përkatëse e kosto përfitimit për segmentin prioritar Durrës – Rrogozhinë, së bashku me vlerësimin paraprak të ndikimit në mjedis, përgatitur sipas kuadrit ligjor vendas. Segmenti i linjës Durrës – Rrogozhinë është i gjatë 33.5 km. Kostoja e rehabilitimit vlerësohet në 52 milionë euro. Rehabilitimi i këtij segmenti me prioritet të lartë do të përmbushë standartet e projektimit të Rrjetit Ndër Evropian me shpejtësi 100km/h dhe ngarkesë aksi 22.5 ton. Koha e udhëtimit do të reduktohet nga 60 minuta në 32 minuta. Lëvizja përgjatë këtij segmenti pritet të arrijë 330,000 pasagjerë dhe 1,100,000 ton mallra deri në vitin 2047. Vlera e përllogaritur në kursimin e kohës për përdoruesit e sistemit të transportit shqiptar do të jetë EUR 0.65 milion për udhëtarët dhe EUR 15.3 milion për transportin e mallrave. Kursime shtesë nga zvogëlimi i kostos të operimit të automjeteve në transportin rrugor përllogariten në EUR 0.5 milion për udhëtarët dhe EUR 8.7 milion për transportin e mallrave.
Rehabilitimi i të gjithë linjës hekurudhore do të ndikojë në zhvillimin e transportit strategjik multimodal për Ballkanin Perëndimor. Linja hekurudhore Durrës – Elbasan – Pogradec me linjën e re nga Lini në kufi me ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë është pjesë e Korridorit VIII Pan-Evropian dhe është pjesë e Rrjetit Gjithëpërfshirës Hekurudhor SEETO. Ajo lidh kryeqytetet Tiranë, Shkup dhe Sofje si dhe portin e Durrësit në detin Adriatik me portet e Burgasit dhe Varnës në Detin e Zi. Vazhdimi dhe lidhja e linjës hekurudhore nga Pogradeci në rrjetin Hekurudhor të Greqisë parashikohet gjithashtu të zhvillohet.
Përgatitja e këtij studimi është mundësuar nga Komisioni Evropian me një grant prej 720,000 euro dhënë Shqipërisë nga fondet rajonale të Instrumentit të Paraaderimit (IPA) financuar nëpërmjet Instrumentit të Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF). Qeveria Shqiptare ka vendosur të vijojë me zhvillimin e projektit të rehabilitimit të të gjithë linjës hekurudhore dhe për këtë arsye ka bërë kërkesë së fundmi pranë WBIF për dy grante të tjera asistence teknike. I pari, për përgatitjen e projektit të zbatimit për segmentin prioritar nga Durrësi në Rrogozhinë dhe i dyti, për përgatitjen e projektit paraprak, analizës kosto përfitim dhe vlerësimit të ndikimit në mjedis dhe social të pjesës së mbetur, segmenti hekurudhor nga Rrogozhina – Pogradec, përfshirë ndërtimin e linjës të re 2.8km që lidh Linin me kufirin e ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë.

Loading...

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here