Kreu Aktualitet Shqipëriaqëduam.al, dëshmi të reja të qytetarëve

Shqipëriaqëduam.al, dëshmi të reja të qytetarëve

113
0

Takimi javor në Sallën e Hartave në Kryeministri, ku njerëz të zakonshëm vijojnë të sjellin dëshmitë e tyre sesi përmes Platformës Shqiperiaqeduam.al kanë gjetur rrugën e zgjidhjes së problemeve të mbetura pa përgjigje në zyrat e shtetit:

Faleminderit të gjithë atyre që kanë marrë mundimin të jenë sot, këtu, me ne, për të dëshmuar rastet e tyre. Kjo është dita e javës që ne i kushtojmë Platformës së Bashkëqeverisjes, për të vazhduar të përcjellim mesazhin tek të gjithë: Platforma www.shqiperiaqeduam.al është rruga më e shkurtër, më e shpejtë dhe më e sigurt për të zgjidhur çdo hall dhe çdo problem me administratën në zyrat e shërbimeve për qytetarët. Tre minuta për të hyrë në Platformë dhe për të regjistruar ankesën apo kërkesën dhe pas 3 minutash është titullari më i lartë, ministri apo ministrja që janë në krah të qytetarit apo të qytetares për të adresuar problemin. Ftoj Dorelën që të paraqesë rastin e parë.

Dorela, Koordinatore e Platformës së Bashkëqeverisjes: Nën cilësinë e Koordinatores së Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, ju njoh sot me rastin e zonjës Semiha Qoshja, e cila mban pozicionin e mësueses në Shkollën e Mesme të Bashkuar, “Luçian Agostini”, Vau i Dejës Shkodër. Iu drejtua Platformës së Bashkëqeverisjes për shkak se verifikoi në shkollën ku ajo jep mësim keqmenaxhim të procesit të administrimit, po ashtu dhe mos zbatim të ligjit të arsimit, si dhe të akteve nënligjore të tij. Ministria e Arsimit, sapo identifikoi rastin, ngriti një grup inspektimi, i cili bëri të gjitha verifikimet përkatëse në shkollë dhe vendosi shkarkimin e drejtorit të shkollës.

Zonja Semiha Qoshja: Është një kënaqësi për mua që marr pjesë në këtë takim me Kryeministrin e vendit tonë. Unë jam mësuese matematike në Shkollën e Mesme të Bashkuar, “Luçian Agostini”, Vau i Dejës Shkodër. Pas konstatimeve të shumta që kam bërë për shkeljet e shumta që drejtori bënte shpesh në shkollën tonë, për regjistrimet e nxënësve, për pagesat që kërkonte për t’i regjistruar ata, për shkeljet e afateve ligjore për pranimin e nxënësve, për shumë shkelje të tjera, për keqadministrim të shkollës, të fondeve që vinin nga “Ashta Energy”, që ishin fonde për shkollën dhe nuk shpenzoheshin për shkollën tonë, kam denoncuar rastin te Platforma www.shqiperiaqeduam.al. Kam marrë përgjigje në kohë rekord. Jam shumë e kënaqur për përgjigjen e marrë, për masën që është dhënë për drejtuesin e shkollës. Ju falënderoj për punë e bërë.

Kryeministri Edi Rama: Shumë respekte për ju dhe për këdo që ka kurajën të bëjë atë që keni bërë ju. Do të ishte shumë e thjeshtë dhe do të ndodhte shumë më shpejt i gjithë ndryshimi që duam për sjelljen e administratës dhe sidomos drejtuesve të administratës, nëse gjithkush do të bënte atë që ka bërë mësuesja, duke mos heshtur, por duke ndarë me ne shqetësimin e saj dhe duke shpëtuar shkollën nga një drejtues i padenjë, që nuk është i vetmi, për fat të keq. Ne jemi shumë të vetëdijshëm, që, nëse kemi arritur ta shkëpusim mësuesin nga kthetrat e politikës përmes të gjithë kuadrit që rregullon veprimtarinë e mësuesit dhe në radhë të parë siguron meritën, si kriteri bazë i marrjes së mësuesve në punë përmes portalit “Mësues për Shqipërinë”, ende nuk e kemi shkëputur drejtimin e shkollës nga kthetrat e politikës. Kemi drejtues shkollash që janë të shkëlqyer, por kemi dhe drejtues shkollash që janë të paaftë, që janë të korruptuar, që janë të padenjë dhe që mund t’i identifikojmë dhe t’i largojmë sëbashku, pasi ato që mësuesja ka konstatuar, është shumë e vështirë ta konstatojë një grup inspektorësh që shkon nga Tirana. Ndërkohë që kemi firmosur marrëveshje për të filluar punën Shkolla e Drejtorëve të shkollave, që do të jetë një institucion i ri, i cili do të mundësojë trajnimin dhe kalimin në një nivel tjetër të drejtuesve të shkollave, që, e përsëris, janë një pjesë të shkëlqyer, një pjesë tjetër janë të denjë dhe për fat të keq, një pjesë duhen larguar një orë më e parë nga drejtimi i shkollave.

Egesta do të prezantojë një rast, në emër të Ministrisë së Financave dhe të Ekonomisë.

Egesta, Koordinatore e Platformës së Bashkëqeverisjes: Një tjetër zgjidhje e dhënë përmes Platformës së Bashkëqeverisjes është dhe rasti i zotit Abaz Kojnozi, një qytetari nga Dibra, i cili iu drejtua Platformës së Bashkëqeverisjes, pasi nga ana e Drejtorisë Rajonale në Sigurimeve Shoqërore Dibër nuk i janë njohur 11 vite sigurim gjatë punës si agronom në ish kooperativat e rrethit Dibër. Kërkesat, ankesat e tij drejtuar institucionit kanë qenë të shumta. Ai ka ezauruar të gjitha shkallët e ankimimit administrativ, madje ka dorëzuar dhe një kopje të dosjes së tij personale si ish kuadër në kooperativë, por përgjigjet kanë qenë negative dhe pa zgjidhje për qytetarin. Me ardhjen e ankesës, dosja e tij u rivlerësua, periudha e sigurimit u rillogarit, nga 24 vite e 3 muaj që ishte, në 35 vite e 4 muaj, duke bërë të mundur kështu që sot, zoti Kojnozi të përfitojë jo më një pension të pjesshëm pleqërie, por një pension të plotë.

Zoti Abaz Kojnozi: 11 vjet vjetërsi pune nuk më janë njohur nga sigurimet shoqërore. Nuk kisha të drejtë as në gjykatë të vazhdoja, sepse më erdhi përgjigja me vonesë, nuk ra në dorën time. Kështu që isha i detyruar, kisha shumë besim te qeveria, e kisha ndjekur edhe nëpërmjet ekranit Kryeministrin që i drejtohet popullit, që për këto probleme më shkruani mua dhe atëherë unë shkova t’i drejtohem Platformës së Bashkëqeverisjes. Në Kamëz është hapur një degë e Platformës së Bashkëqeverisjes. Shkova në Kamëz. Ata më pritën shumë mirë, me shumë korrektësi dhe i shkrova qeverisë. Unë kisha, të them të drejtën, besim se e kisha ndjekur Kryeministrin edhe herë të tjera në televizion dhe mu kthye përgjigja shumë shpejt. Prandaj jam shumë i kënaqur. Këtu shihet që atë që thotë qeveria, e bën realitet. Kjo është diçka që shihet me sy, preket me dorë. Ne, për fat, kemi një Kryeministër të përparuar. Ashtu siç bëri Tiranën që e nxori nga skamja, po rregullon edhe Shqipërinë. Prandaj i jemi shumë mirënjohës dhe i urojmë suksese.

Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit Abaz, Nuk e diskutoj fare, të falënderoj shumë, por përtej kënaqësisë që çdo njeriu i japin fjalët e mira, dua ta ritheksoj se Platforma e Bashkëqeverisjes nuk është një meritë personale dhe nuk është një kontribut personal, por është një sistem, në këndvështrimin tim, i shkëlqyer, që ka kapërcyer një epokë, epokën e vjetër të zyrave të ashtuquajtura të marrëdhënieve me publikun. Kemi pasur një edhe në Kryeministri, që kurrën e kurrës nuk kanë mundur jo të bëjnë sa platforma, por as sa 1/100-ta e punës që bën Platforma. Platforma të gjen “mikun” që në momentin e parë. Të gjen mikun, edhe sikur të jesh në fund të botës, të gjen mikun, edhe sikur të jesh në pikën ku ke mbetur vetëm dhe askush nuk të kthen sytë dhe nuk të gjen mik dosido, por të gjen mik direkt ministrin, titullarin më të lartë të institucionit, përmes grave, burrave, vajzave, djemve që punojnë për Platformën, që janë “sekserët” më efikasë dhe më të pakorruptueshëm. Ne, kur themi sekserë, menjëherë na kujtohet ryshfeti, por e përmenda këtë fjalë për të thënë që shqiptarët nuk kanë nevojë për sekserë, nuk kanë nevojë për miq, mjafton që të çojnë zërin e tyre përmes Platformës në veshin e ministrit apo të ministres. Menjëherë vihet në lëvizje i gjithë mekanizmi, falë këtyre që e administrojnë të gjithë marrëdhënien me qytetarët, që marrin në telefon, që lidhen menjëherë me ministrin, që çojnë çështjen dhe e ndjekin në institucione e kështu me radhë.

Egesta, për një rast tjetër, përsëri për pensionet. Ka shumë pensionistë që torturohen me vite të tëra, nuk arrijnë dot të marrin pensionin që meritojnë dhe mjafton Platforma të sinjalizohet dhe brenda 10 ditëve zgjidhen probleme që kanë mbetur zvarrë për vite të tëra.

Egesta, Koordinatore e Platformës së Bashkëqeverisjes: Një tjetër dëshmi e së njëjtës natyrë vjen sot nga një zonjë nga Selenica e Vlorës. Zonja Vojsava Islamaj iu adresua Platformës, pasi Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore Vlorë nuk i ka njohur një periudhë të konsiderueshme sigurimi, për shkak të disa shënimeve të bëra në identitetin e saj në regjistrat themeltarë të vjetërsisë në punë. Me ardhjen e ankesës, Drejtoria e Sigurimeve Shoqërore Vlorë, pas verifikimeve të kryera vendosi ta njohë periudhën e sigurimit, të shtojë vlerën e pensionit që sot do të përfitojë zonja Vojsava dhe do të marrë dhe diferencat përkatëse që asaj i takojnë sipas ligjit.

Zonja Vojsava Islamaj: Prej 6 vitesh që kam dalë në pension, me një lodhje shumë të madhe. Nuk arrita dot që ta fitoja këtë pension. Një ditë, kur isha në shtrat e sëmurë, dëgjoj zotin Kryeministër që thotë, shkoni te Platforma e Bashkëqeverisjes. Pasi u bëra mirë, bëra një kërkesë. Më thanë vajzat pas 10 ditëve, mu kthye negative. Vete dhe bëj kërkesën tjetër. Atëherë erdhi dhe për mua një ditë e bardhë. U ndez një dritë jeshile dhe e fitova këtë pension, që e kisha një siklet, një dhimbje në shpirt, vite kooperative më të lodhshmet e jetës time. Falë Kryeministrit, falë qeverisë, falë këtyre që bënë të pamundurën për mua dhe ma dhanë këtë të drejtë. I falënderoj në emër të familjes time, që janë gëzuar kaq shumë për pensionin tim. Shumë faleminderit, si një vëlla po ta them, të mira paç, mbarësi dhe zgjidhsh të gjithë halle e popullit.

Kryeministri Edi Rama: Të gjitha do ishte ëndrra ime të zgjidheshin, por të gjitha nuk zgjidhen dot, ama besoj se ka plot që mund të zgjidhen, nëse njerëzit na ndihmojnë që t’i ndihmojmë. Është e pamundur që të presim nga institucionet që të sillen siç do sillen nesër, kur ne ta kemi modernizuar shtetin, prandaj njerëzit duhet të na vënë vazhdimisht në dijeni, në mënyrë që të bëhemi bashkë dhe të zgjidhim problemet. Reformat duan kohën e tyre. Institucionet duan kohen e tyre. Të bësh shtet, do të thotë në radhë të parë të kesh një administratë që funksionon si robot, që nuk i shikon njerëzit as nga prejardhja, as nga xhepi, as nga statusi social, as nga mosha, as nga gjinia, por iu përgjigjet sipas ligjit. E ndërkohë që kjo nuk ndodh, ne kemi shumë nevojë të jemi pranë njëri-tjetrit. Platforma na e mundëson këtë gjë dhe siç tregoi dhe rasti i zonjës, – mirënjohje që ke marrë gjithë këtë mundim për të ardhur deri këtu nga Selenica, – në një pikë të jetës ku duket sikur askush më nuk ta fërshëllen, ka arritur të zgjidhë një problem që mund të mos e kishe zgjidhur dot kurrë. Ka pasur dhe ka akoma pensionistë që vuajnë për ta zgjidhur këtë problem, prandaj vlejnë këto takime, prandaj vlejnë këto mesazhe. Prandaj është 100 mijë herë më efikase kur e thotë vetë një pensionist, apo një pensioniste, sesa kur e them unë, në mënyrë që t’i ndihmojmë të gjithë ata që na ndihmojnë, që t’i ndihmojmë.

Dua të ftoj Junetën për të prezantuar një rast tjetër.

Juneta, Koordinatore e Platformës së Bashkëqeverisjes: Zonja Eglantina Muca, banore në Tiranë në zonën e Freskut, iu adresua Platformës së Bashkëqeverisjes lidhur me një problematikë, e cila kishte të bënte me të gjithë pallatin në të cilin ajo banonte. Aktualisht, 4 muaj pasi është bërë marrja në dorëzim e apartamenteve nuk ishte kryer furnizimi me energji elektrike në ambientet e tyre dhe kjo vetëm për një nga godinat. Kjo kishte ndodhur pasi kompania e ndërtimit nuk kishte finalizuar procedurat që kishin të bënin me lidhjet e reja, si dhe nuk ishte kryer tarifa e shërbimit. Menjëherë, sapo çështja erdhi në Platformën e Bashkëqeverisjes, ajo u adresua pranë OSHEE-së, që luajti rolin e ndërmjetësit midis kompanisë dhe administratorit të pallatit, duke finalizuar procedurat e lëna pezull, duke kryer në këtë mënyrë lidhjet e reja në sistem, sipas të gjitha kushteve teknike dhe duke vendosur matës.

Zonja Eglantina Muca: Unë përfaqësoj një komunitet banorësh të zonës së Freskut. Është një pallat i ri. Kishim katër muaj pa drita. Ishim drejtuar zyrave përkatëse për t’u pajisur me kontrata individuale, por nuk ishte bërë e mundur që ne të pajiseshim me këto kontrata. Ndërkohë, administratori i firmës nuk na përgjigjej, as neve, as zyrave për të bërë pagesën. Iu drejtuam me email zyrës së bashkëqeverisjes. Morëm përgjigje shumë shpejt, një përgjigje paraprake fillimisht dhe brenda 10 ditëve u zgjidh problemi përfundimisht. U pajisëm me matës dhe u furnizuam me energji elektrike. Tani jemi shumë të kënaqur të gjithë dhe ju falenderoj në emër të të gjithë banorëve.

Kryeministri Edi Rama: Është një rast konkret që tregon jo thjesht zgjidhjen e një problemi të shtruar individualisht, por zgjidhjen e një problemi për një komunitet. Në rastin konkret, komuniteti ishte viktimë e papërgjegjshmërisë së atyre që kishin ndërtuar pallatin dhe që nuk donin t’ia dinin për hallin që të gjithë bashkë kishin, lidhur me hipotekimin përfundimtar dhe pastaj me lidhjen e kontratave individuale. Në rastin konkret, banorët kanë shkuar tek OSHEE-ja, në mënyrë të përsëritur. OSHEE-ja ka refuzuar me të drejtë, sepse nuk ka mundësi të lidhi kontratat individuale për një pronë të pahipotekuar dhe këtu, ne, ose në rastin konkret, Lindita ka bërë ndërmjetësin, në emër të pikërisht këtij koalicioni bashkëqeverisës me njerëzit dhe ka garantuar që OSHEE-ja dhe ndërtuesit të arrijnë në një marrëveshje, në funksion të banorëve. Nuk është rasti i parë, ka herë pas here raste kur komunitete të vogla zgjidhin nëpërmjet Platformës një problem që nuk e zgjidhin dot vetëm me një institucion të vetëm, sepse nuk është një institucion, por janë disa faktorë që duhet të bëhen bashkë. E për t’i bërë bashkë këta faktorë, Platforma është rruga e duhur.

Nuk diskutohet që nuk mund të mungonte këtu as ALUIZNI, as hipoteka dhe Katerina do vijë të prezantojë një rast, lidhur me zyrën e legalizimeve dhe pastaj Fatmiri, një rast lidhur me zyrën e hipotekës.

Katerina, Koordinatore e Zyrës së Bashkëqeverisjes: Platformës së Bashkëqeverisjes i është drejtuar zonja Merita Sina, e cila rezultonte vetëdeklaruese pranë zyrave të AULIZNI-t në mars 2005. Me marrjen e ankesës, u vu menjëherë në lëvizje stafi përkatës i drejtorisë së ALUIZNI-t dhe është bërë e mundur që ankesa e zonjës të procedohej për faktin që kishte relativisht një kohë të konsiderueshme që dosja e saj nuk ishte në trajtim, sepse ndodhej në arkiv. U bë e mundur të trajtohej praktika, objekti të legalizohej dhe përfundimisht, zonja sot gëzon jo vetëm legalizimin e objektit të saj informal, por dhe certifikatën e pronësisë.

Zonja Merita Sina: Falënderoj bashkëqeverisjen, falënderoj Kryeministrin për mundësinë që na dha.

Fatmiri, Koordinator i Zyrës së Bashkëqeverisjes: Rasti i sotëm lidhet me zotin Guri Nana, qytetar nga Vlora. Ai, në prill të vitit 2017 i është emetuar leja e legalizimit dhe po këtë muaj i është përcjellë për regjistrim pranë Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë. Por, edhe pasi ka kryer gjithë pagesat dhe ka bërë dhe aplikimet përkatëse, zotëria nuk ka arritur të gjejë dot zgjidhje nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë. Pas adresimit në portal, brenda afatit, zotërisë i është nxjerrë certifikata e pronës.

Zoti Guri Nana: Kam pasur një problem me marrjen e certifikatës nga hipoteka e Vlorës. I kam shkruar portalit Shqipëriaqeduam.al dhe kam marrë përgjigjen e duhur, kam marrë certifikatën. Unë në këtë mes falenderoj Kryeministrin e Shqipërisë, falënderoj portalin Shqipëriaqëduam.al dhe kryeregjistruesin e Vlorës, por këtë që është tani, jo ata më përpara.

Kryeministri Edi Rama: Shpresoj të na dalin mbarë “ky tani”. Por përtej “këtij tani” apo “atyre atëherë”, ajo që ne duhet dhe ne po bëjmë, është reforma e agjencive për titujt e pronësisë. Këto ditë, ministrja e Drejtësisë do të hapi konsultimin publik për projektin e një reforme rrënjësore, e cila do të bashkojë ALUIZNI-n dhe hipotekën në një institucion të vetëm. Nga ana tjetër do të hapë rrugën e një transformimi të madh nga pikëpamja e sistemimit dixhital të të gjithë të dhënave, do të adresojë disa probleme kyçe, ndër të cilat problemi i disa komuniteteve në veri të vendit, sidomos, por dhe në ndonjë zonë të jugut, që e kanë refuzuar 7501-n, si rezultat i paqes së vendosur mes tyre për tokat e të parëve, këto komunitete e kanë të pamundur që të kenë akses në financime të çfarëdo natyre dhe në mbështetje të çfarëdo natyre nga bankat, apo nga fondet mbështetëse vendase apo europiane, për shkak se janë faktikisht në tokën e të parëve, por nuk ekzistojnë në asnjë regjistër.

Është një problem me të cilin jemi marrë për vite të tëra dhe më në fund besoj që do ta japim një zgjidhje nëpërmjet kësaj reforme, siç do t’i japim zgjidhje dhe një problematikë tjetër. Problematika e disa komuniteteve të tjera, që toka djerrë në të shkuarën, kodra djerrë në të shkuarën i kanë mbjellë ilegalisht dhe prodhojnë frutikulturë sidomos, por edhe ata nuk marrin dot asnjë mbështetje për shkak se nuk kanë letrat.

Këto dy komunitete, dy kategori do të gjejnë një zgjidhje nëpërmjet kësaj reforme. Ashtu sikundër, kjo reformë do të mundësojë dhe krijimin e një strukturë brenda Agjencisë së re të Titujve të Pronësisë, që do të jetë një strukturë paragjyqësore, pra, do të jetë një lloj strukture avokatore brenda institucionit që do të trajtojë konfliktet mes qytetarëve dhe institucionit, në rastin kur qytetarët nuk janë të kënaqur nga përgjigja, apo në rastin kur qytetarët kanë midis tyre çështje që duan t’i zgjidhin me institucionin pa shkuar në gjyq.

Është një transformim që merr si shembull Platformën, por brenda për brenda institucionit dhe është një transformim që ne duam ta fusim dhe në institucione të tjera për të shmangur gjithë torturat dhe zvarritjet e njerëzve nëpër gjyqe e për t’u dhënë mundësinë që të negociojnë paraprakisht, qoftë me institucion, qoftë mes tyre, në institucion dhe me ndërmjetësimin apo ndihmën e institucionit.

Rasti tjetër dhe i fundit është rasti që do të prezantojë Juela, lidhur me një tjetër fushë ku ne duam shumë të përcjellim mesazhin që jemi këtu për ju, në fushën e sipërmarrjes.

Juela, Koordinatore e Zyrës së Bashkëqeverisjes: Sot sjellim rastin që është trajtuar në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë nga zonja Albina Gjinaj, nga qyteti i Lezhës. Ajo iu drejtua Platformës së Bashkëqeverisjes me ankesën për gjobën e vendosur në mënyrë të padrejtë nga Drejtoria Rajonale Tatimore në qytetin e Lezhës, për shkak se në momentin e kontrollit, në biznesin e saj u gjet prezent edhe bashkëshorti i saj. Në këto kushte, ankesa iu drejtua Drejtorisë Rajonale të Tatimeve, e cila pasi shqyrtoi rastin, meqenëse situata e gjobës ishte vendosur në mënyrë të padrejtë, ajo u ankimua në Drejtorinë e Apelimit Tatimor në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë dhe pas verifikimit të rastit, kjo gjobë u shfuqizua.

Bashkëshorti i zonjës Albina Gjinaj: Bashkëshortja ime ka një biznes në qytetin e Lezhës, prodhim mielli dhe blojë misri, një miniaktivitet. Në rastin konkret, në korrik inspektorët e tatimeve pasi kontrolluan, kryen gjithë procedurën e tyre dhe kërkuan kartat e identitetit. Unë isha prezent aty, pasi ne jetojmë në Tiranë dhe isha me të. Në fund, pasi konkluduan, na japin procesverbalin për të firmosur, duke thënë ke një gjobë 200 mijë lekë të reja dhe na thanë që kemi të drejtë ankimimi brenda 5 ditëve. Ne e bëmë ankimimin. Djali ndërkohë shkroi edhe në portalin Shqipëriaqëduam.al. Në fund jemi shumë të lumtur se nuk janë pak. 200 mijë lekë të reja për biznesin që ne kryejmë, janë një shumë e konsiderueshme. Ju jemi mirënjohës për zgjidhjen e problemit dhe për atë që sot biznesi kërkon. Sinqerisht, jo vetëm në emrin tim, por edhe në emër të shumë bizneseve të tjera, rruga në të cilën kemi hyrë, them se është ajo e duhura, që do të japë shumë shpejt frytet e saj.

Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit dhe je dakord me mua që rrofshin gratë që luftojnë dhe për ne, se ka qenë kurajo e bashkëshortes që ka ndërmarrë këtë hap. Unë i ftoj të gjithë, edhe njëherë, nuk ka nevojë ta besojnë, por mjafton ta provojnë këtë që ne ju themi vazhdimisht. Shqiperiaqeduam.al është shteti që secili ëndërron dhe do. Një shtet që të dëgjon dhe të përgjigjet në kohë reale dhe nëse të takon, ta jep dhe mbasi ta jep gjënë që të takon, ndjek nga mbrapa atë që ta ka mohuar.

Ministrja e Drejtësisë, çdo javë informon për masat ndëshkimore dhe masat ndëshkimore të Task Forcës Antikorrupsion të qeverisë, në masën më të madhe janë masa që burojnë nga ky ndërveprim.

Zonja nga Lezha, zonja nga Selenica, të tjerët që morën këtu fjalën, nuk kanë denoncuar për të çuar dikë përpara përgjegjësisë, janë ankuar për të zgjidhur hallin e tyre. Nga ana tjetër kanë dhënë një kontribut të madh për të mundësuar identifikimin e disa personave që nuk mund të jenë më në zyrat e shtetit, ose që, në rastin kur kanë bërë një shkelje që hetimi administrativ thotë që nuk ka qenë i qëllimshëm, duhet të marrin një vërejtje dhe nëse e përsërisin, duhet të largohen.

Është bashkëqeverisje në kuptimin më të mirë të fjalës, përtej skeptikëve. Unë jam i bindur që, pak nga pak, të gjithë do ta kuptojnë këtë gjë. Nuk është çështja për të zëvendësuar shtetin. Ky është shteti. Zyrat e marrëdhënieve me publikun që kishim deri dje, ishin kot. Sot kemi një zyrë marrëdhënieje me publikun që çdokush e ka në xhep. E nxjerr nga xhepi, shkruan dhe në atë moment nuk është një letër që nuk dihet se ku përfundon, por është një mesazh që i shkon drejtpërdrejtë ministrit në tavolinë dhe të gjitha vajzat, po i quaj se shumica janë nëna, të Platformës dhe djemtë që punojnë, merren me këtë punë pa orar, për të mundësuar gjithë ndërmjetësimin, për të marrë gjithë informacionin dhe për të dhënë zgjidhje, duke pasur titullarin e institucionit që është përgjegjës kryesor.

Çdo javë, në fund të mbledhjes së qeverisë del tabela e gjithë rasteve të Platformës dhe çdo ministër është përgjegjës për çdo qytetar që mund të mos marrë përgjigje dot në kohë për një arsye, apo për një tjetër, por nuk ka një që të dalë e të thotë, unë shkrova në Platformë e nuk më kthyen përgjigje.

Ka disa që ankohen e me siguri janë duke u ankuar edhe tani. Ngatërrojnë Facebook-un tim me Platformën. Facebook-u im nuk është platforma. Unë sigurisht hyj hera-herës aty, komunikoj, por unë nuk lexoj gjithë komentet dhe nuk jam zyra që bën këtë punë.

Platforma është shqiperiaqeduam.al. Nuk është Facebook-u im, nuk është e-maili i Kryeministrisë, nuk është… ku di unë se ku i çojnë mesazhet e pastaj ankohen që nuk më kanë kthyer përgjigje. Platforma i kthen përgjigje çdokujt dhe zgjidh çdo rast që ka zgjidhje dhe që nuk është një çështje gjyqësore. Aty nuk kemi çfarë bëjmë.

Shumë faleminderit, edhe njëherë, juve që morët mundimin!

Është një kontribut i madh dhe një ndihmë e madhe për ne. Shumë faleminderit dhe gjithë ekipit që vazhdon të jetë në lartësinë e duhur dhe që na zbardh faqen sa herë që komunikon me qytetarët, sepse nga të gjithë kam dëgjuar dhe dëgjoj fjalët më të mira për komunikimin, shpejtësinë, përkushtimin dhe vendosmërinë për të zgjidhur problemin. ​

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here