Kreu Aktualitet Transformim spektakolar në krahun lindor të Unazës së Madhe të Tiranës

Transformim spektakolar në krahun lindor të Unazës së Madhe të Tiranës

233
0

Filluan punimet në zonën lindore të unazës së madhe të Tiranës, e cila pritet të pësojë ndryshim rrënjësor urban edhe të zonës përrerh. Projekti për këtë zonë, e cila integron Shkozën me unazën e madhe të qytetit, do të plotësojë të gjitha standardet e kategorive urbane të nivelit A. Kryeministri Rama inspektoi nga afër punimet në këtë lot në Shkozë, i shoqëruar nga Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri dhe nga drejtoi i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Afrim Qendro. “Ne po investojmë dhe 40 milionë dollarë të tjera, për ta bërë me parametrat e duhur, me 3 korsi, me ndriçim, me gjelbërim, me parametrat e një unaze që vlen dhe për zonat urbane”, – u shpreh ministri Gjiknuri.

Projekti i mëparshëm për këtë zonë, tha drejtori i ARRSH-së Afrim Qendro, parashikonte një unazë me 2 korsi nga njëra anë dhe 2 nga tjetra dhe nuk kishte asnjë mbikalim, ndriçim apo gjelbërim të përfshirë në projekt. Me përfundimin e këtij investimi, kjo nyje lidhëse do të sjellë lehtësi në qarkullim dhe do të shmangë edhe përmbytjet që shkaktonte Lana gjatë periudhës së dimrit në zonat e banuara. “Ky është një projekt që fillon faktikisht nga materniteti, ka gati 1.6 kilometra sistemim Lane nga të dyja anët me të gjitha elementët dhe pastaj fillojmë unazën nga mbikalimi i Shkozës deri në fund ku lidhet me lotin tjetër tek helikopterët, ku fillon projekti i lotit të tretë” – nënvizoi Qendro.

Nga investimet në këtë zonë do të duhet të bëhen shpronësime për familjet që preken, familje të cilat Kryeministri theksoi se do të kompensohen sipas ligjit përkatës. “Shpronësimet do t’i bëjmë sipas të gjitha rregullave. Ata që janë para ’90, atyre u takon 100% pavarësisht se tek letrat kanë ato problematikat e tyre se ka pasur gjithmonë problematike kjo zonë por ata do trajtohen me maksimumin e vëmendjes. Ata që janë në hava, do tu jepet një zgjidhje sociale dhe kaq. Nuk ka tjetër, si kudo”, – tha Kryeministri Rama.

Kryeministri nuk la pa përmendur edhe dallimin mes cilësisë së punimeve në kohën e qeverisë paraardhëse dhe qeverisë së tij. “Ajo vrima aty me gjithë ato tubat qenka si partia jote me Babalen aty, ndërkohë që ne vazhdojmë rregullojmë dhe fillojmë nga e para dhe transformojmë gjithë gungat dhe bërdungllat që latë ju. Ju na turpëruat dhe në Bruksel dje por ne nuk kemi rrugë tjetër. Ne do ta shembim ato, do vazhdojmë drejt kështu që të marrin shembull nga bashkëpunimi jonë si shtet me sipërmarrjen”, – u shpreh Kryeministri.

Pajisja me sinjalistikë, gjelbërim, ndriçim, ura për makinat dhe kalimtarët dhe punimet me standarde europiane jo vetëm do të përmirësojë lëvizjen për këtë zonë, por do të rrisë gjithashtu cilësinë e jetesës për qytetarët.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here