Kreu Aktualitet KLD të ndalë vendimmarrjet e paligjshme

KLD të ndalë vendimmarrjet e paligjshme

52
0

Deklaratë për shtyp e Ministres së Drejtësisë:
Në datën 11.10.2018 është thirrur një mbledhje e jashtëzakonshme të KLD me qëllim komandimin e një gjyqtari në pozicionin e kryetarit të Gjykatës së Apelit Korçë, për shkak të shkarkimit nga detyra të Kryetares aktuale me vendim të KPK me datë 10.10.2018.
Në rendin e ditës, që u njoftua vetëm disa orë përpara mbledhjes, në të cilën për shkak të harkut të shkurtër kohor të njoftimit, e bëri të pamundur pjesëmarrjen time në mbledhje si Ministre Drejtësie, ishin përcaktuar dy çështjet për të cilat do të merrej vendim: komandimin e një kryetari të ri për Gjykatën e Apelit Korçë dhe delegimin e disa gjyqtarëve sipas kërkesave të gjykatave të ndryshme.
Pas zbardhjes së procesverbalit të mbledhjes të datës 11.102018, vihem në dijeni se gjatë mbledhjes, në rendin e ditës është shtuar dhe një çështje e pa njoftuar më parë, lidhur me një kërkesë të gjyqtarit Gjin Gjoni “për leje prindërore për një periudhë 2-vjeçare”.
Kjo kërkesë e pranuar në mënyrë haptazi të paligjshme është miratuar me votim nga anëtarët prezent të KLD-së, çka e bën shumicën e këtij institucioni edhe njëherë tjetër autore të një vendimmarrje haptazi të paligjshme.
Duke përfshirë në rendin e ditës, në fund të mbledhjes shqyrtimin e kërkesës së gjyqtarit Gjin Gjoni dhe duke vendosur miratimin e saj, me argumentin se është bërë me vajzë dhe do t’i duhet të bëjë shpesh vizita/udhëtime në shtetin gjerman, ku jeton familja e tij, KLD-ja është riafirmuar si mishërim i drejtësisë së vjetër klienteliste e të korruptuar.
Këto veprime të anëtarëve të KLD-së janë në shkelje të rëndë të rregullave procedurale të parashikuara nga legjislacioni në fuqi. Ky akt administrativ i KLD-së si një akt i ndërmarrë në procedurë të parregullt, është për rrjedhojë absolutisht i pavlefshëm.
Bazuar në legjislacionin në fuqi si dhe në praktikën e KLD, çdo kërkesë për përfshirjen e çështjeve shtesë në rendin e ditës, bëhet prezente, shqyrtohet dhe më pas votohet përpara se KLD-ja të nisë shqyrtimin e pikave të rendit të paracaktuar. Në këtë mbledhje që është një “déjà vu” e turpshme, kërkesa në fjalë është shqyrtuar në mënyrë të paligjshme në fund të mbledhjes.
Për më tepër, bazuar në parashikimet ligjore, KLD mund të marrë në shqyrtim dhe të vendosë për çështje që nuk janë përfshirë në rendin e ditës, vetëm me votat e 2/3 të të gjithë anëtarëve. Në kundërshtim të hapur me këtë dispozitë dhe parashikimet ligjore të Kodit të Procedurave administrative, në mungesë të kuorumit të nevojshëm, madje duke përfshirë dhe votën e vetë Gjin Gjonit, i cili ka votuar për veten si kurrë më parë në historinë e saj, KLD-ja i ka shkuar deri në fund një paligjshmërie të këtyre përmasave.
Edhe më keq, vendimi haptazi i paligjshëm i KLD-së konstatohet dhe gjatë mbledhjes, pasi ai nuk i është nënshtruar sipas detyrimit ligjor, asnjë diskutimi lidhur me përmbushjen e kritereve ligjore, proceduriale dhe përmbajtësore, për pranimin e kërkesës.
KLD-ja në njoftimin që ka bërë për mbledhjen, ka botuar në faqen e saj vetëm dy vendimet që lidhen me komandimin e kryetares dhe delegimin e gjyqtarëve, duke mbajtur të fshehtë vendimin e marrë për gjyqtarin Gjin Gjoni, në një kohë që procesverbali i publikuar e tregon fare qartë vendimmarrjen e miratimit të “lejes prindërore”.
Eshtë e qartë se nuk është objekti i kërkesës, po vetëm Vetingu i padëshiruar, që e ka çuar anetarin e vetë KLD deri në këtë absurd!
Nisur nga përgjegjësia ime si Ministre e Drejtësisë dhe njëkohësisht si anëtare e KLD-së, do t’i drejtohem zyrtarisht këtij institucioni që të shfuqizojë, si absolutisht të pavlefshëm këtë vendimmarrje të marrë në shkelje të rëndë e flagrante të ligjit.
Në të kundërt, kërkesa do t’i drejtohet gjykatës për të anulluar këtë akt haptazi të paligjshëm si dhe Komisionit të Vetingut me një kërkesë publike për largimin nga gjyqësori të të gjithë atyre, që kanë ngritur dorën kundër ligjit.
KLD duhet të ndalë njëherë e mirë vendimmarrjet e paligjshme e cila bie ndesh me parimet e shtetit te se drejtës, legjislacionin ne fuqi dhe interesin e qytetareve.

Loading...

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here