Kreu Aktualitet Lehtësitë fiskale rrisin biznesin

Lehtësitë fiskale rrisin biznesin

133
0

Fabrika e vajit të ullirit “Subashi” është një ndër sipërmarrjet e mëdha në vend për përpunimin dhe prodhimin e vajit të ullirit të virgjër dhe ekstra të virgjër. Ullishtat nga të cilat merret lënda e parë ndodhen në Marikaj, Tiranë, në një territor të njohur për rritjen e ullinjve disa qindravjeçarë.

Vitet e fundit, drejtuesit e kompanisë kanë rritur investimin në teknologji, duke e barazuar atë në standarde me fabrika të ngjashme në vendet europiane. Paralelisht janë rritur kapacitetet prodhuese dhe është shtuar numri i punonjësve, kjo fale edhe masave lehtësuese të ndërmarra nga qeveria në mbështetje të biznesit. Kryeministri Edi Rama asistoi në një ditë të zakonshme pune në këtë fabrikë, e cila synon të rrisë më shumë produktet për eksport.

Drejtuesja e kwsaj sipërmarrjeje shpjegoi në detaje proceset e punës, që janë përshpejtuar falë teknologjisë së re, duke rritur sigurinë për konsumatorin dhe mbrojtur mjedisin. “Sot jemi në përpunim për të tretët. Fermerët kanë sjellë ullinjtë e tyre dhe marrin vajin e tyre me vete. Pjesa e magazinimit me pjesën e përpunimit është gjithmonë më vete, është si detyrim ligjor, si detyrim i standardeve. Tashmë, ne kemi makineri që janë teknologji e fundit fare. Janë totalisht inoks aty ku pritet ulliri dhe përdoren vetëm mjete fizike dhe mekanike për shtrydhje. Janë centrifuga, apo impastime të ndryshme. Që nga pjesa e larjes dhe deri ku del vaji është totalisht e mbyllur, nuk kemi kontakt me masën. Është teknologjia që mbron ambientin. Ndërkohë oksidimi nëpërmjet oksigjenit, apo ujit është totalisht zero.”

Drejtuesit pohojnë se ndihen të mbrojtur edhe nga konkurrenca e pandershme, e cila vinte si pasojë e kostos më të ulët të prodhuesve që nuk paguanin energjinë elektrike. “Kishte fabrika që normalist nuk paguanin drita, jepnin kosto më të ulët dhe gjithmonë ishin konkurrentë të pandershëm në njëfarë mënyre ndaj nesh.”

Fabrika ka zgjeruar gjithashtu edhe gamën e produkteve. Ajo prodhon edhe vaj ulliri me erëza të kombinuar me bimë medicinale dhe aromatike, si dhe produkte kozmetike me bazë vajin e ullirit. “Koncepti ynë nuk është të prodhojmë vajin e ullirit, por t’i japim pak më tepër vlerë vajit. Menduam që të kishim produkte nga ullishta. Tani ne jemi me disa lloj varietetesh produktesh që janë me erëza brenda, që i shesim për pjesën e suvenirëve. Kemi gjethet e ullirit, kemi drurin e ullirit për pjesën e kuzhinës. Këto trajtohen dhe në formën e suvenireve, por edhe të formateve të ndryshme. Aty kemi sapunë me vajin e ullirit. Janë gjithmonë po me erëzat e vendit. Këto i tregtojmë në një dyqan në Tiranë që është komplet vetëm me produkte nga ullishtet dhe funksionon.” – u shpreh drejtuesja e fabrikës.

Sipërmarrësit treguan se ullishta e asaj zone është një aset i vërtetë përsa i takon varieteve që rriten dhe lashtësisë së tyre. Varieteti kryesor është ulliri kalinjot, një ulli me vlera të mëdha ushqimore e anti-kancerogjene. “Meqë tek ullishtja ne nuk shkonim dot, unë dua të të tregoj pemën më të vjetër që ne kemi atje, është mbi 2000 vjeçare. Në pjesën e Surrelit dhe andej keni pemë që janë shumë të vjetra. Tirana ka një lloj kurore rreth 300 mijë rrënjë mbi 1 mijë vjeçare. Ne donim vërtetë të bënim diçka për këto se janë monumente natyre që japin vlerë të jashtëzakonshme.”

Sipërmarrësit i kërkuan ndër të tjera Kryeministrit, përmirësimin e infrastrukturës përreth objekteve, të cilat kanë vlera të veçanta kulturore dhe përbejnë interes për turizmin. “Zoti kryeministër unë kam një kërkesë. Ne kemi kishën më të vjetër. Tek zona këtu, shkon nga pjesa e Marikajt, ngjitet tek ullishta jonë dhe ngjitet për në Kuç sipër. Nuk bën pjesë as tek monumentet e kulturës e as nuk shkon rruga. Do ishte një kërkesë e veçantë për pjesën e turizmit. Marikaj është pjesë e programit 100 fshatrat.”

Në përgjigje të interesimit të tyre, Kryeministri u shpreh: “Prandaj kemi ardhur këtu dhe prandaj është dhe pjesë e 100 fshatrave, sepse ka disa elementë që përmbush kriteret, jo vetëm në aspektin e produkteve, por dhe në aspektin e të kaluarës dhe trashëgimisë. Ndërkohë që për këtë çështjen e ullinjve të vjetër do të bëjmë një regjistër të veçantë të dixhitalizuar me numër që mos guxojë t’i preki njeri. Janë, por të bëjmë regjistrin.”

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here