Kreu Ditar Zemërdjegura për liri

Zemërdjegura për liri

72
0

-Liri Gero lindi në vitin 1926 në qytetin e Fierit. Ajo ishte partizane në brigadën XVII Sulmuese. Në varrezat e Dëshmorëve, nën emrin e Liri Geros, mos pandehni se prehen eshtrat e trupit të saj të bukur e të ri, jo. Aty ndodhen vetëm një grusht hi nga zemra e saj e djegur për lirinë e Shqipërisë-
Ajo ishte aktiviste e luftës në qytet. Atyre viteve, kur mbi Atdheun e tradhëtuar e të mbuluar nga mjerimi rëndonte robëria, kur në zemrat e shqiptarëve vlonte revolta kundër pushtuesit, shumë nga banorët e lagjes Shkozë të qytetit të Fierit e dinin se bashkë më të tjerët edhe vajza e dytë e Tili Geros, liria, punonte ditë e natë për lëvizjen, se ishin yjet e punuar prej duarve të saj ato që skuqnin në bustinat partizane, se në gjirin e saj fshiheshin letra që lajmëronin shokët për lëvizjet dhe planet e aremikut, që sinjalizonin për aksione të guximshme, apo që përmbanin fjalë të dala nga zemra, letra që mbanin mbishkrimin “V.F.-L.P” që i fuste datën armikut.
Vajza e re 15-vjeçare eci pa u trëmbur përmes rreziqeve, torturave pranë trekëmbëshave ku vareshin shokët e saj. Urrejtja për armikun dhe dashuria për Atdheun e popullin e kishin bërë të pathyer. Në moshën e saj, vajzat ëndërronin shokun e jetës, përgatisnin pajën e nusërisë. Dhe ajo përgatiti pajën: yje të kuq, fanella për shokët, çorape për këmbët e ngrira…Ishin kohë heroike kur dashuria për Shqipërinë s’shprehej në hartime, porn ë luftë për liri dhe, në këtë fushë, Liria zgjodhi detyrën më të vështirë, atë të punës ilegale nën hundën e armikut: italianit, gjermanit, ballistit e gjithë bandës së spiunëve, që nuhasnin më keq se zagarët. Luftoni kështu atëherë, kur dita plot shqetësime e ankth, dukej më e gjatë se një shekull, kur kontrolli pritej nga çasti në cast dhe,kur një fletë komunikate e zënë në xhep, ishte aktakuza e dënimit me vdekje.
Sa e vështirë ishte kjo punë në Shqipëri, në qytete të vegjël prej pak mijra vetash? Njerëz të rinj, për të cilët ishte më e shtrenjtë liria e Atdheut se jeta e tyre, punonin në këto kondita. Një nga këta njerëz ishte Liria. Një ditë Liri Geros shokët i thanë: “Shko te motra në brigadën partizane. Qëndrimi yt është i pamundur në qytet. Je diktuar. Do të të arrestojnë”.
…Iku me një pajton, ashtu siç ikin vajzat nga shtëpia prindërore, e veshur nuse me një buqete lulesh në duar. E përcollën me këngë e dajre. Kundrejt saj ishte dhe një djalosh veshur bukur: “dhëndrri”. Kështu, me “çiftin e martuar”, pajtoni kaloi postoblloqet fashiste.
-Che bella ragazza!” (Ç’vajzë e bukur!) – thonë rojet. Ku ta dinin ata se më vonë, mbi kokë të tyre do të binin plumbat e pushkës së saj. S’mund ta merrnin me mend se ishte ajo, ilegalja e rrezikshme, që kushedi sa herë e kishin kontrolluar e për të cilën ishte dhënë edhe urdhëri i arrestimit, se ajo “nuse” do të komandonte një skuadër luftëtarësh partizanë të brigades XVI Sulmuese.
Dy motrat partizane mezi prisnin ta takonin njëra-tjetrën, por aksionet luftarake s’I lejonin. Në pritje të takimit, ato s’u panë kurrë.
Në Tetor të 1944-s batalioni ku bënte pjesë Liria, ishte vendosur buzë një xhadeje. Pritej një autokolonë gjermane. S’vonoi shumë dhe u duk një varg i gjatë makinash të shoqëruara nga 5 tanke e autoblinda. Partizanët e batalionit II hapën zjarr. Lufta u ndez e rreptë. Makinat muarrën flakë. Të goditur pa pritut, nazistët hidheshin nga makinat, rendnin pas tankeve e autoblindave që të mbroheshin e të zinin pozicion, por plumbat e armëve të partizanëve i ndiqnin kudo. Qëllonte dhe Liria në krye të skuadrës së saj. Qëllonte me tërbim mbi okupatorët duke u hakmarrë për krimet që kishin bërë, qëllonte dhe për djegjen e shtëpisë së saj në Fier, për burgosjen e babait, qëllonte…
U plagos disa herë, por nuk u mposht…Luftoi gjersa mbeti pa ndjenja.
Mbi 20 automjete dhe autoblinda u dogjën, 35 ushtarë armiq u vranë dhe shumë u plagosën. 12 partizanë shkruan një epope të lavdishme me gjakun e tyre. Ndër ta ishte dhe Liria. Atë e zunë bishat naziste dhe, pasi e spërkatën me benzinë, i vunë zjarrin.
Dora gjakatare e armikut barbar dogji trupin e vajzës së re, bijës së Shkozës e të tërë Fierit, bijës së popullit, por idealet, dëshirat, ëndrrat që çelën gjatë stinës së luftës në shpirtin e saj, s’do të vyshken kurrë…
Heroina e Popullit Liri Gero, ra Dëshmore në tetor të vitit 1944.

Loading...

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here