Kreu Aktualitet Bursë 1000 dollarë në vit për nxënësit ekselentë të Mësuesisë

Bursë 1000 dollarë në vit për nxënësit ekselentë të Mësuesisë

75
0

Fjala e kryeministrit Edi Rama në takimin me nxënës ekselentë që kanë zgjedhur Mësuesinë:

Përshëndetje të gjithëve!

Loading...

Po ju them që në fillim që është një ditë shumë e bukur, sepse kemi pritur prej kohësh që të vijë dita kur nxënësit e ekselencës, nxënësit e mirë në tërësi, të kthejnë sytë nga mësuesia, e cila ishte kthyer në një strehë për nxënësit më të dobët dhe faktikisht, për shumë e shumë vite, në një fidanishte pa asnjë cilësi, që pastaj ka ndikuar jashtëzakonisht keq në ecurinë e arsimit tonë.

Para pak ditësh më bëri përshtypje një botues i rëndësishëm në vend, i cili tregonte disa të dhëna të një testi të bërë pak kohë më parë, ku ndër të tjera kishte parë që studentët që lexojnë më pak libra janë studentët e Letërsisë. Sipas analizës së bërë, rezultati në fjalë, shumë i çuditshëm në dukje, lidhej me faktin që, ndërkohë që Gjuhë-Letërsia është një degë shumë e lidhur specifikisht me dhuntitë, me talentin, me pasionin, përthithte për vite e vite të tëra më të dobëtit. Është një e vërtetë e dhimbshme në të gjithë horizontin e mësuesisë, nëse kthejmë kokën pas, pasi, për vite të tëra, Mësuesinë e kanë ndjekur nxënësit me mesatare 5 apo 6, nxënësit që nuk mundet të hynin në asnjë degë tjetër.

Sot jemi në momentin e parë të një kthese të fortë, pasi vendosëm që askush me notë mesatare nën 7 nuk mund të ndjekë Mësuesinë. Nga ana tjetër, vendosëm heqjen e tarifës për të gjithë nxënësit me notë mesatare mbi 9 që do të zgjedhin Mësuesinë. Heqja e tarifës është shumë e rëndësishme.

Ndërkohë, diçka që ju nuk e keni marrë akoma si informacion, kemi vendosur që për të gjithë nxënësit e ekselencës që janë pjesë e Mësuesisë të ketë edhe një bursë vjetore prej 1 mijë dollarësh, e cila do të jepet muaj pas muaji. Kjo është një masë që do t’ju mbështesë të gjithëve ju për nevoja të vitit shkollor, duke qenë se jeni nxënës me rezultate të veçanta dhe me pasione e vullnete të veçanta. Kështu që, së paku, për të plotësuar të gjitha nevojat për libra, apo për materiale të tjera mësimore të mos keni nevojë të kërkoni nga prindërit, por të mund t’i blini vetë dhe natyrisht është puna juaj sesi e shpenzoni pjesën tjetër të parave, nëse mbeten.

Është vërtetë për të qenë optimistë, që me vendosjen e kësaj norme të re të mesatares ka pasur një reagim tërësor shumë pozitiv. E në këtë reagim tërësor shumë pozitiv, ne shikojmë me shumë optimizëm ripërtëritjen e brezave në Mësuesi, pasi dëgjova njërën nga vajzat që folën dhe është e vërtetë ajo që tha, se niveli i dobët i atyre që dilnin nga Mësuesia, sepse hynin faktikisht më të dobëtit, bënte që për nxënësit e mirë, për nxënësit ekselentë, ata të kishin nevojë të korrigjoheshin gjatë gjithë kohës.

Kështu do të ndodhë krejt e kundërta.

– Mbështetja e posaçme financiare për ekselentët;

– Heqja e tarifës për nxënësit e mirë që hyjnë në mësuesi;

-Vijimi i konsolidimit të praktikës së portalit Mësues për Shqipërinë, që garanton konkurrencën dhe siguron meritën;

– Transformimi rrënjësor i teksteve, nga një mori tekstesh, tërësisht jashtë standardeve, në tekstet e Oxford, Pearson dhe Cambrigde;

– Rritja e mëtejshme e pagave për mësuesit;

– Stimulimi i mëtejshëm i mësuesve përmes trajnimeve të financuara nga buxheti i shtetit;

– Fillimi i aktivitetit të Shkollës së Drejtorëve të Shkollave, që është një hap shumë i domosdoshëm në funksion të krijimit të një klasë të re menaxherësh të shkollave;

– Reformimi i kurrikulave universitare të mësuesisë dhe akreditimi i deri më sot 14 institucioneve të Arsimit të Lartë për të bërë trajnimin e mësuesve;

Të gjitha këto janë një tërësi piketash themelore, për të garantuar që e nesërmja e mësuesisë të jetë pakrahasimisht më e mirë sesa e djeshmja dhe një hap shumë i konsiderueshëm përpara, në raport me të sotmen.

Dua t’i falenderoj të gjithë nxënëset dhe nxënësit këtu të pranishëm. Mjafton të shikosh sallën dhe është prova e sigurt që vetëm vajzat dhe gratë mund ta shpëtojnë këtë vend dhe nuk diskutohet që vetëm vajzat mund të jenë garanci për mësuesinë e të nesërmes. Pa diskutim, edhe çdo djalë apo burrë që i bashkohet këtij grupi të madh vajzash dhe grash që janë baza e mësuesisë, është më shumë sesa i nderuar dhe i respektuar.

Dua të falënderoj edhe dy zyshat që përcollën disa mesazhe nga një karrierë e gjatë si mësuese dhe të gjitha mësueset dhe të tjerët, të pranishëm në këtë takim që i kushtohet pikërisht nxënësve të ekselencës, si dallëndyshet e para që lajmërojnë një pranverë të mirëseardhur dhe të shumëpritur në gjithë procesin e kalimit të shkollës sonë nga dimri i thellë drejt një stine të qëndrueshme me diell.

Kemi shumë për të bërë ende. Jemi ende larg, por pa diskutim jemi në rrugën e duhur dhe dëshmi e drejtësisë së kësaj rrugë është pikërisht prania juaj këtu, si studentët e parë të ekselencës që i dedikohen mësuesisë. Kini parasysh që bursa e secilit dhe secilës prej jush do të jetë një bursë që do të vazhdojë edhe në vitet e tjera, në rast se ju do vazhdoni të jeni ekselentë dhe në vitet e tjera. Nuk është thjeshtë bursë e vitit të parë, por do të jetë bursë për të gjithë studentët e mësuesisë që vijnë nga ekselenca e që do të mbeten ekselentë deri në fund.

Shumë faleminderit!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here