Kreu Aktualitet QSUT me dy spitale të reja moderne

QSUT me dy spitale të reja moderne

56
0

Qendra Spitalore “Nënë Tereza” do të rrisë kapacitetet e saj me ndërtimin e një spitali krejt të ri për sëmundjet e brendshme dhe spitalit për kirurgjinë.

Projekti transformues me vlerë 25 milion euro, i cili nisi sot zbatimin në terren, është vijim i investimeve madhore të qeverisë, në fushën e shëndetësisë. Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu ishin sot mes mjekëve të QSUT, për të vënë sëbashku gurin e parë të themelit, në transformimin rrënjësor të dy shtyllave te shërbimit mjekësor, siç janë mjekësia interne dhe kirurgjia.

Loading...

Jetësimi i këtij projekti të rëndësishëm për modernizmin e Qendrës Spitalore më të madhe në vend, është një moment i shumëpritur edhe për stafin e mjekëve profesionistë që shërbejnë prej shumë vitesh aty. Mjekja hematologe Adela Perolla, e cila çeli eventin e organizuar me këtë rast, u shpreh se ky investim, që do të përmirësojë ndjeshëm kushtet spitalore, do të jetë një lehtësim i madh për mjekët që ofrojnë shërbimin, por edhe për qytetarët të cilëve do t’u shërbehet në kushte optimale.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu tha se projekti madhor i qeverisë shqiptare po konkretizohet me kantierin e hapur të ndërtimit, aty ku deri para pak muajsh qëndronin godinat e ndërtuara që në vitin 1930, e në vazhdim. Teksa shpjegoi projektin ministrja Manastirliu u shpreh se: “Në 30 muaj nga sot, do të kemi një spital të ri të sëmundjeve të brendshme me vlerë 11 milionë euro, i cili do të ketë një kapacitet prej 345 shtretërish me 14 shërbime mjekësorë. Në këtë spital do të jetë gjithashtu edhe shërbimi i urgjencës polivalente. Risi në këtë spital do të jetë për herë të parë i konceptuar një spital ditor me 60 shtretër që do të lehtësojë shërbimin në kohë dhe me cilësi për pacientët të cilët nuk kanë pse të rrinë me ditë në spital, por trajtimet ambulatore mund t’i marrin në këtë spital ditor.”

Ndërsa për sa i përket spitalit të kirurgjisë që po ndërtohet në dy katet e spitalit aktual të urgjencës, ministrja tha se: “Vetëm në 9 muaj nga sot, do të kemi një spital të ri kirurgjie me 7 salla operacioni dhe një kapacitet prej 120 shtretërish.”

Por, jo vetëm kryeqyteti është përfitues i projekteve madhore në fushën e shëndetësisë. Kabineti i kemioterapisë dhe ai i hemodinamikës, të çelura për herë të parë në Spitalin e Fierit, janë dy investime tepër të rëndësishme për pacientët e këtij qarku, në nevojë për këto shërbime jetike.

Shërbimi i sterilizimit dhe instrumenteve të rinj është zgjeruar në të gjithë vendin. 50 mijë ndërhyrje kirurgjikale në vit (gjysma e së cilave në QSUT) kryhen me siguri të lartë për pacientët, nëpërmjet instrumenteve të rinj kirurgjikalë, duke reduktuar infeksionet spitalore.

Ndër të tjera, gjatë këtij viti, u zgjerua lista e barnave të rimbursueshëm me 36 barna të rinj të domosdoshëm për trajtimin e sëmundjeve kronike, mes tyre patologji kardiake, sëmundje të brendshme, sëmundje tumorale apo psikologjike. Por më e rëndësishmja, për herë të parë, në listën e barnave të rimbursueshëm u përfshi herceptina, një medikament shumë i kushtueshëm, por i domosdoshëm për trajtimin e kancerit të gjirit. Tanimë, ky medikament ofrohet falas për të gjitha gratë që kanë nevojë për këtë trajtim. Gjithashtu, buxheti i ri 2019 mbështet një zgjerim të mëtejshëm të listës së barnave të rimbursueshëm.

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në nisjen e kantierit për ndërtimin e Spitalit të ri të Sëmundjeve të Brendshme dhe Spitalit të Kirurgjisë:

Ka një shprehje që thotë, “spitali nuk është asnjëherë vendi i përshtatshëm për të qenë i sëmurë!”

E vërteta është që, siç më mirë se kushdo ju e dini, sado i përsosur të jetë një spital, përsëri nuk është vendi ideal për të qenë i sëmurë, sepse gjithmonë ka nevojë për më shumë.

Duke u kthyer në realitetin e kësaj Qendre Spitalore, besoj, se cilido që e ka jetuar historinë e krijimit, formimit, pastaj rrënimit dhe më pas, rilindjes së Qendrës, është i vetëdijshëm për sa shumë është bërë në këto vite. Ashtu sikundër dua t’ju siguroj të gjithëve që unë jam shumë i vetëdijshëm sesa shumë akoma duhet bërë, në mënyrë që të kemi një spital qendror të standardeve të mira europiane në të gjithë metrat katrorë të territorit.

Situata është ende komplekse dhe nëse ndërmerr një rrugëtim brenda për brenda Qendrës Spitalore, ka kulme pozitive, ka dhe kulme ende negative. Fjala vjen, besoj është e vetmja qendër spitalore në Europë, ku ende ka trafik të brendshëm makinash, ku ende nuk merret vesh kush është kush në rrugët e brendshme dhe ku ende kemi nevojën për të ndarë përfundimisht të gjithë shërbimin, sëbashku me pacientët, nga pjesa e jashtme që interferon vazhdimisht përmes makinave.

Së shpejti, pasi të kemi ecur me këtë kantier të ri, do të mund të nisim edhe ndërtimin e një parkimi modern, që përfundimisht do ta ndajë Qendrën dhe shërbimin nga makinat. Ashtu sikundër jemi duke bashkëpunuar me drejtorin, për të ndërtuar një rrugë të brendshme ndarëse dhe përfundimisht të mos kemi më interferenca të atyre që banojnë brenda territorit dhe që faktikisht e kanë të domosdoshme sot për sot të kalojnë nëpër rrugët që janë rrugët e shërbimit spitalor.

Por thënë kjo, nga pikëpamja e gjërave që janë ende larg së qeni ashtu siç duhet, besoj se mund ta themi me plot gojën që me këtë investim të ri dhe me çka ky investim i konsiderueshëm do të sjellë për Qendrën garantojmë një hop të madh cilësor dhe një shërbim shumë më efikas e shumë më të integruar. Një Spital i ri Kirurgjie me 120 shtretër, me 7 salla operacioni, sëbashku me Spitalin e ri të Sëmundjeve të Brendshme janë një infrastrukturë jetike për transformimin e Qendrës, e munguar për shumë e shumë vite.
Spitali nuk mbaron te muret dhe aparaturat, por fillon aty dhe mbi të gjitha, funksionimin e spitalit e garanton trupa, e garantojnë mjekët, infermierët, i gjithë personeli, prandaj, përtej stigmës së padrejtë që i barazon në sytë e publikut mjekët e infermierët me korrupsionin, e vërteta është që shumica e atyre që shërbejnë nën përparëset e bardha janë zemra e këtij sistemidhe janë ata që shpëtojnë jetë njerëzish, apo rimëkëmbin organizmat e dhjetëra-mijëra njerëzve çdo vit dhe meritojnë një vëmendje të veçantë dhe të vazhdueshme. Për ata, – duke qenë të vetëdijshëm se nuk janë të gjithë të tillë, për fat të keq, – ne do të investojmë përsëri për rritjen e pagave.

Do të bëjmë një tjetër rritje pagash, në vitin që hyn, për të gjithë trupën, për mjekët dhe për infermierët, që është e domosdoshme për të vazhduar të japim një mesazh të qartë të respektit dhe të nevojës që kemi për ta mbajtur sa më të konsoliduar këtë trupë, e cila ka nevojë për shumëçka, por, mbi të gjitha meriton pikërisht vlerësim dhe respekt për të gjithë sakrificat e përditshme. Nuk është e lehtë të punosh në shëndetësi në kushte që jo gjithmonë janë të duhurat dhe nën presion të dyfishtë, nga një anë të një opinioni, që është i ngritur mbi një karikaturë dhe jo mbi një vlerësim objektiv të realitetit dhe pastaj edhe familjarësh të pacientëve që arrijnë deri në gjeste dhe akte të patolerueshme ndaj mjekëve, pikërisht për shkak të këtij opinioni që mbarset edhe përmes vorbullave të kazanëve me të cilët bashkëjetojmë në këtë jetën tonë demokratike, në katundin të cilit i përkasim.

Ajo që vlen sidoqoftë të theksohet është se në ndërkohë, reforma në sistemin shëndetësor është horizontale dhe praktikisht ka prekur të gjitha aspektet që ka nevojë për ndërhyrje. Mua më vjen shumë mirë që ne kemi arritur të fusim kontrollin mjekësor bazë falas për qytetarët nga 35 në 70 vjeç dhe po shikojmë se si po konsolidohet hap pas hapi kultura e të bërit të kontrollit. Jemi ende shumë larg asaj që duhet, por shenjat inkurajuese, janë të mjaftueshme për të vlerësuar rëndësinë e këtij procesi dhe faktin që falë kontrollit mjekësor bazë, një numër i konsiderueshëm individësh marrin njoftim për probleme të panjohura më parë të organizmit të tyre dhe kështu ne lehtësojmë njerëzit dhe kursejmë, patjetër kursejmë në shpenzimet për shëndetin.

Besoj kemi bërë gjënë e duhur dhe po shikojmë rezultate shumë pozitive me instrumentet mjekësorë, me sterilizimin që po shtrihet tanimë në të gjithë infrastrukturën spitalore.

Po ecim me rindërtimin e qendrave shëndetësore. Ambicia është për të pasur 300 qendra të reja shëndetësore, të pajisura të gjitha sipas një standardi të paracaktuar me vëmendje nga Ministria e Shëndetësisë dhe me staf të kualifikuar. Në fund të këtij viti mbarojnë 80 qendrat e para, vitin e ardhshëm janë financuar në buxhetin e ri 100 të tjera dhe besoj që do t’ia dalim që deri në fund të këtij mandati të kemi 300 qendra të reja shëndetësore, që do të lehtësojnë ende më shumë flukset e mëdha që përballon padrejtësisht dhe rëndon me mbingarkesë QSUT, paralelisht me shërbimet e reja që po krijohen në spitale të tjera rajonalë dhe falë edhe një kontributi shumë të rëndësishëm dhe dua t’i falenderoj sinqerisht të gjithë ata që janë përfshirë në programin e patronazhit të spitaleve të tjera nga ekipi i Qendrës Spitalore Universitare.

Ambicia është më e madhe se kaq, sepse ju e dini, e kemi shprehur dhe diskutuar me kohë domosdoshmërinë për të konsoliduar bazën e një autonomie të mirëfilltë spitalore dhe për të kaluar në një fazë tjetër, ku mjekët nuk paguhet më sipas kategorisë, por sipas ngarkesës. Kjo është një domosdoshmëri, ashtu sikundër është domosdoshmëri dhe krijimi i mundësisë për mjekët që të kenë orët e tyre të ushtrimit privat të profesionit brenda mjediseve të shërbimit publik. Janë dy elementë kyç që do ta çojnë përfundimisht sistemin tonë shëndetësor në të ardhmen, pra, ky është pragu i të ardhmes. Përtej ndërtimeve të reja, përtej rindërtimeve, përtej rritjes së pagave, përtej transformimit të logjistikës, këto dy elementë mbeten sfida jonë.

Ju e dini më mirë se unë, për t’i materializuar këto dy elementë na duhet ende të kemi mjaftueshmërisht bazë për kostimin e shërbimeve dhe për protokollet, sepse përndryshe do të hynim në një aventurë pa fund të lumtur, me siguri.

Kjo është edhe arsyeja pse do të jetë me rëndësi themelore zgjedhja e shefave të rinj të shërbimit. Do më falin zonjat se e vura vetëm në gjininë tjetër, por unë shpresoj të jenë sa më shumë gra shefe dhe sa më pak burrave, duke i kërkuar ndjesë gjithë bashkëvuajtësve të gjinisë time. Jam i bindur që shefat e shërbimeve dhe shefet e shërbimeve janë kyç në këtë fazë, për të realizuar këto procese, pasi nuk është thjesht fjala për të pasur njerëzit profesionalisht të padyshimtë, por edhe administratorë të shërbimit në të gjitha aspektet. Kjo është sfida dhe vështirësia më e madhe brenda kësaj sfide, pasi mund të gjesh me siguri mjekë shumë të mirë, por jo domosdoshmërish dhe administratorë shumë të mirë.

Kështu që kam shumë besim që mënyra se si është ndërtuar procesi, besnikëria me të cilën ish drejtorja juaj dhe ministrja aktuale e Shëndetësie i qëndron programeve dhe qëllimeve janë një garanci që do bëjnë zgjedhjet më të mira të mundshme.

E mira asnjëherë nuk ka fund. Spitali nuk është vendi ideal për ata që janë të sëmurë, por është i vetmi vend që ata mund të shkojnë dhe përpjekja për ta bëre spitalin vendin ideal për të sëmurin është një përpjekje që vazhdon sot e gjithë ditën në vendet më të zhvilluar e jo më pastaj në vendi tonë.

Duke ju falënderuar me shumë mirënjohje dhe respekt për gjithë atë që bëni çdo ditë, duke ju siguruar që unë jo vetëm nuk bëj pjesë tek ata që mendojnë keq për mjekët dhe për gjithë personelin e shërbimit spitalor, por përkundrazi bëj pjesë tek një grup i vogël njerëzish që mendojnë se ju meritoni shumë më tepër se kaq, ju uroj çdo të mirë dhe ndjesë për vonesën. Ju siguroj që nuk ishte vonesë prej udhëheqësi, por ishte thjesht vonesë objektive, për shkak të një takimi që kisha me një vizitor të huaj.

Faleminderit!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here