Kreu Opinion Mbyllja e basteve, merr fund makthi për 70 mijë familje

Mbyllja e basteve, merr fund makthi për 70 mijë familje

87
0

Fjala e Kryetarit të Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla në seancën e sotme parlamentare:
Zonja Kryetare e seancës, kolegë deputetë,
Këtu nuk ka nevojë për diskutime të gjata. Kjo është shumë e thjeshtë për këdo që ka veshë të dëgjojë, sepse kjo është një prej atyre çështjeve që ndan qartë: ne që jemi të angazhuar ta kemi vëmendjen te njerëzit dhe ata që nuk dihet ku janë, e që unë mendoj e besoj që nuk kishte një çështje tjetër përgjatë këtij sesioni parlamentar për të cilën opozita ti linte mënjanë hallet e veta të ditës, arsyet dhe argumentet e bojkotit të Kuvendit, por të ishte këtu bashkë me ne për të votuar shërimin përfundimtar të një mortjeje 25-vjeçare që ka dëmtuar me mijëra familje shqiptare.
Ne sot marrim një vendim edhe në luftën tonë pa kompromis kundër krimit të organizuar. Kjo është betejë Lulzim kundër krimit të organizuar, jo videot që prodhon ti në SHQUP.
Betejë kundër krimit të organizuar është ti heqësh krimit financimin. Kjo që bëjmë sot, tregon vendosmërinë tonë me forcën e ligjit për ti hequr krimit nga duart bastet, kazinotë elektronike dhe çdo lloj financimi të paligjshëm.
Është shumë e thjeshtë, tregu i basteve ka qarkulluar 700 milionë dhe me gjithë përpjekjet tona ende kemi qenë shumë larg kontrollit dhe formalizimit të këtij sektori. Pjesa tjetër janë para’ që kanë financuar krimin. Kjo është domethënia më e qartë e çfarë ne kemi marrë përsipër të bëjmë.
Shtatë mijë persona që gjoja dalin të papunë për shkak se kanë qenë në punë në këtë sektor, po ju them se janë të paktën 70 mijë familje, të cilat kanë vuajtur pasojat e kësaj mortjeje 25-vjeçare.
Ne jemi për familjet, jemi për nënat dhe vajzat që më në fund në 31 dhjetor do të kenë burrin në shtëpi, paratë e bukës për bukë e jo për bixhoz e baste.
Doja të ndaja me ju kolegë se,
Shumë vite më parë në këtë foltore akuzoja sesi qeverisja e asaj kohe toleronte lulëzimin të pikave të kazinove në çdo cep të Tiranës dhe në mes të ish- bllokut.
Kryeministri i asaj kohe, me furi mu betua se do ma bënte fytyrën të zezë si këpuca për shkak të denoncimit të lidhjeve të tij familjare me atë biznes.
Mbrëmë një media kosovare, më pas disa media shqiptare, kanë publikuar një fotografi që në fakt konfirmuan atë akuzë që unë kisha bërë dhe kam bërë disa herë në këtë foltore, të lidhjeve të ish-kryeministrit të asaj kohe me një biznes të pisët.
Më vjen keq për shumë media që vrapojnë të nxjerrin çdo lloj fotografie të çdo lloj qytetari digjital që fsheh Saliun mbrapa e që nuk gjeti një minutë kohë apo dy centimetër katrorë në portalin e vet të nxirrte këtë denoncim të mediave kosovare për një rast të konfirmimit real të lidhjes së drejtuesve më të lartë të Partisë Demokratike me biznesin e basteve dhe kazinove.
Po t’i hyjmë edhe kompanive të kunatit të “shokut Xhemal” na dalin dhe aty llogari shkëmbimesh tregtare me sektorin në fjalë.Partia Demokratike sot humbi një shans të artë për t’u ndarë nga politika kuturu e çështjeve kuturu, për të ardhur për të dhënë një votë për njerëzit.
Janë dy çështje sot. Një çështje që u bën mirë të gjithë fëmijëve, fëmijëve të deputetëve socialistë dhe fëmijëve të deputetëve demokratë, fëmijëve të socialistëve kudo nëpër Shqipëri dhe fëmijëve të demokratëve kudo në Shqipëri.
Partia Demokratike mungon!
Po ashtu është projektligji për mbylljen përfundimtare të basteve, të kazinove ngjitur me dyqanet e bukës, ngjitur me shkollat.
Po këto janë çështjet për të cilat njerëzit na kanë sjellë në fund të fundit në këtë sallë. Nuk na kanë sjellë këtu për ti thënë përditë unë Lulzimit e Lulzimi mua se do të çoj në Prokurori, do më çosh në Prokurori, e të tjera me radhë. Na kanë sjellë për të votuar ligje për njerëzit.
Më vjen keq Lulzim që je zhytur kaq keq! Je bërë si një ndërmarrje kinematografike artizanale, e cila të paktën nuk gjeti dot një skenarist apo një regjisor të zotin për të prodhuar njërën me kuptim.
Përsëri them, Partia Demokratike sot humbi një rast të mirë për t’u treguar shqiptarëve që 42 mandate dhe 19 mandate në fund të sallës krahu djathtas, të tregonin se kanë ardhur në këtë Kuvend për të përfaqësuar qytetarët, popullin shqiptar.
Unë jam shumë i gëzuar dhe shumë krenar që janë pafund nënat dhe motrat, të cilat na kanë mbështetur në këtë përpjekje tonën për të forcuar ndëshkimin e ligjit, për të forcuar forcën e ligjit kundrejt një sektori që qeveritë një pas një nuk arritën ta bënin dot zap.
Më në fund, për shkak edhe të angazhimit që nuk duhet ta fshehim, Edi Rama meriton të gjithë respektin e nënave dhe motrave shqiptare që më në fund po bëjmë atë që duhet ta kishim bërë shumë kohë më parë.
Shumë faleminderit!

Loading...

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here