Kreu Ditar Lufte e madhe mbi malet mirditore

Lufte e madhe mbi malet mirditore

82
0

– Me rastin e 74 vjetorit të Çlirimit të Mirditës-
Për çlirimin e Mirditës, luftime të ashpra u zhvilluan në Rreshen, Perlat, Selitë, Orosh, Fan, Gojan, Gjegjan, Shpal, Ndërfushëz dhe Gëziq, këto ishin betejat e fundit, 26 Tetori i stuhishëm historik i vitit 1944 kur vulosej fati i mirditorëve dhe e ardhmja e tyre. 74 vjet nuk janë pak, ato janë një jetë e tërë me plot punë e sakrifica, por me plot suksese e rezultate në tërë jetën e mirditorëver. Këtë 74 vjetor, populli i Mirditës e pret me krenari të ligjshme për fitoret e arritura, e pret me krenari për betejat fitimtare të zhvilluara kundër armikut, e prêt me plot lavdi në nderim të Dëshmorëve, të cilët tregojnë heroizmin dhe gjakun e derdhur.
Në Mirditë më 20 tetor 1944, u çlirua Shpali që ishte qendra e grumbullimit të armikut në atë kohë. Aty pati përleshje deri trup më trup, ku armiku përsoj humbje të mëdha në njerëz e materiale luftarake. Nga kjo përleshje armiku filloi luftimet për rimarrjen e Shpalit. Vendin kryesor ne historinë e çlirimit të Mirditës e zënë luftimet dhe betejat e ashpra të zhvilluara në fshatin Gëziq, fshat ky në zemër të Mirditës në mes dy lumenjve Fani i Madh dhe Fani i Vogël, një regjiment me nazistë të ardhur nga Miloti me qëllim për në Shpal, por duke filluar nga Ura e Fanit, Ndërfushaz e Gëziq i gjithë ky territor ishte i mbuluar me shumë forca partizane, të cilët kishin zënë në kohë pozicionet e përshtatshme të luftimit e megjithatë forca të shumta naziste, sulmuan pandërprerje nga Ura e Fanit me top e mortaja në drejtim të Gëziqit me qëllim për të çarë rrugën për në Shpalin e çliruar.
Por aty pati luftime të ashpra e të përgjakshme për 6 dite e net, pa marrë parasysh vështirësitë. Armiku u ndesh ballë për ballë me luftëtarët trima dhe me popullin patriot të Mirditës ku dhe u derdhën shumë breshëri plumbash mbi armikun, pavaresisht se edhe armiku me të gjitha format dhe armët në përdorim, avancuan. Por forcat partizane asnjëherë nuk u frikësuan, nuk e lëshuan istikamin. Ata me qendresën e tyre, treguan akte heroike deri në luftim trup më trup, duke e futur armikun në darën e rrethimit. Në Gëziq, atë ditë u bë kërdija, vringëllonin plumbat, shumë armiq aty janë vrarë deri sa armiku u detyrua të kthehej me turp. Por kur e pa veten në gërhamën e fundit, u egërsua dhe i vuri zjarrin tërë fshatit. Gëziqi u bë shkrumb e hi, u plaçkitën shumë shtëpi, u masakruan 13 fshatarë, burra e gra deri dy dhe katër në një familje. Por forcat partizane bashkë me popullin patriot të Mirditës e Gëziqit nuk lejuan këmbë armiku për në Shpal sepse rruga ishte e kyçur me grykët e zjarrit partizan që me vendosmëri, trimëri dhe aktin heroik të tyre, treguan se kjo qendresë me plot fitore, fshati Gëziq fiton mandatin “Fshat Martir i Luftës së Dytë Botërore”. Armiku përveç turpit e disfatës që pësoi, pati mbi shumë të vrarë, n/oficerë e oficerë dhe komandanti i rregjimentit nazist me gradën e kolonelit; pati shumë nazistë të kapur robë pati shumë të plagosur dhe u shkatërruan materiale luftarake nga me të rëndat.
Nga forcat partizane në këto luftime ranë në fushën e nderit për çlirimin e Mirditës 46 partizanë të ardhur nga rrethe të tjera të vendit si: Pano Xhamballo, Xhafer Lubonja, Feride Beqari, Rexhep Fortuzi, Eftihi Beko, Naun Thomallari e shumë të tjerë, para të cilëve përulet me nderim gjithë populli i Mirditës.
Eshtë krenari për popullin e Gëziqit e mbarë mirditorët, të cilët u bënë pjesë aktive e partizanëve fitimtarë. Ata me vendosmëri i bënë nder e lavdi vendit sepse ai që vdes dhe vepra e tij mbetet në histori, nderohet nga të gjithë dhe mbetet i pavdekshëm. Ata kurrë nuk vdesin, sepse populli i ruan në zemrën e tij për gjakun e derdhur lumë në kodrat e Gëziqit, edhe sot pas 74 vitesh, duke i patharë, sikur edhe sot dëgjohen krismat e pushkëve partizane; gjaku i të rënëve kurrë nuk lahet me ujë se është pjesë përbërëse e ngjyrës së kuqe të Flamurit Kombëtar, që ka bashkuar shqiptarët kudo që ndodhen, pse njerëzit Dëshmorët dhe figurat e ndritura në shërbim të Kombit, rrojnë edhe përtej jetës. Vepra e tyre mbetet pjesë e historisë dhe u kalon brezave ndër vite.
LANÇ, flakë e së cilës u ndez në mbarë truallin shqiptar, i solli popullit lirinë e përhershme. Një akt i tillë e lartësoi lavdinë e saj, prandaj përulemi me nderim për 28 mijë Dëshmoret që ranë në fushën e nderit dhe mbeten Yje ndriçues në qiellin e lirisë.
Sot Shqipëria ka historinë e saj të lavdishme, ka vlerat e saj të paprekshme; luftëtarët trima partizanë, veteran të LANÇ-it, dëshmitar të së vertetës historike; ka armatën e madhe të pasardhësve të veteranit që i mbrojnë me vendosmëri fitoret e arritura me gjakun dhe sakrificat e gjyshërve dhe prindërve të tyre. Vepra dhe heroizmi i partizanëve dhe trimave që ranë në fushat e betejës, janë dhe do të mbeten pjesë e historisë duke kaluar nga brezi në brez dhe duke u kujtuar për heroizmin e tyre ne fushat e betejës. Historia e popullit të Mirditës dhe e mbarë kombit shqiptar, është e mbushur me plot luftra e sakrifica, me plot gjak të derdhur në fushën e nderit për t’i dhënë Flamurin Kombit që të valvitej krenar e i lirë në mbarë vendin. Dhe, këtë ditë të shënuar e sollën burrat e mëdhenj e me peshë të rëndë si malet e shkëmbinjtë e Atdheu.
Gjokë Deda

Loading...

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here