Kreu Opinion Pavarësia e organeve të barazisë

Pavarësia e organeve të barazisë

61
0

Fjala e kryetarit të prezencës, ambasadorit të OSBE, Bernd Borchardt, në konferencën e organeve të barazisë në Europën Juglindore 2018 29 tetor 2018:

Tema e konferencës së sotme, pavarësia e organeve të barazisë, ka një rëndësi të madhe. Pa pavarësi nga kontrolli politik, pa pavarësi buxhetore, organet e barazisë e kanë të vështirë të mbrojnë të drejtat e njeriut dhe të luftojnë diskriminimin.

Loading...

Pavarësia nënkupton aftësinë e organit të barazisë që:
– të identifikojë prioritetet e veta dhe të advokojë çështjet që i gjykon të përshtatshme;
– të japë rekomandime bazuar në analizat, vlerësimet dhe vendimet e tij;
– si edhe të vendosë lirisht se si të përdorë buxhetin e vet, me qëllim që të përmbushë rolin dhe funksionin e tij me efikasitet.

Pavarësia e vërtetë iu mundëson organeve të barazisë që të jenë protagonistë të ndryshimit.

Kjo merr gjithnjë e më shumë rëndësi, teksa vërejmë miratimin e ligjeve antidiskriminim gjithnjë e më të forta nga parlamenti, por këto ligje duhet të zbatohen. Të gjithë e dimë që çelësi qëndron te zbatimi i ligjit.

Nëse këto ligje zbatohen drejt, ndihmojnë që personat të cilët diskriminohen për shkak se u përkasin grupeve të cenueshme apo ngaqë janë thjesht të dobët, të kenë mjetet ligjore dhe aksesin në burimet institucionale për ta luftuar këtë diskriminim.

Megjithatë, pavarësisht legjislacionit solid, prapë shohim, si në Shqipëri edhe në rajon problematika të vazhdueshme në lidhje me diskriminimin dhe paragjykimin shoqëror.

Grupet shoqërore të margjinalizuara, si romët, sintit dhe egjiptianët, por jo vetëm ata, vazhdojnë të përballen me paragjykime dhe diskriminim si nga aktorët shoqërorë, ashtu edhe nga institucionet publike.

Por kjo është e vërtetë edhe për njerëzit e tjerë të dobët. Vetëm disa ditë më parë, kur po dilja nga pallati ku banoj, pashë një polic teksa largonte një grua të moshuar nga trotuari, ku po shiste prodhimet e bahçes së saj. Po në atë çast, vetëm 10 metra larg tij, një makinë “Porsche” po parkonte duke bllokuar rrugën. Me shqipen time të çalë, e pyeta policin se përse e shpërfilli makinën dhe përzuri gruan e moshuar. Përgjigjja e tij e vetme, nëse e kuptova mirë, ishte se kjo gjë ishte problem. M’u kujtua libri i famshëm “Ferma e kafshëve”: të gjitha kafshët janë të barabarta, por disa kafshë janë më të barabarta se të tjerat. Në fund të fund, shoqëria nuk vlerësohet nga një incident i vetëm, por nga mënyra se si i trajton anëtarët më të dobët të saj. Kur shoqëria në mënyrë aktive thellon statusin e disavantazhuar të një grupi shoqëror përmes diskriminimit, kjo pasqyrohet negativisht në tërë shoqërinë dhe kjo vlen në të gjitha shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së.

Nëse nuk trajtohet siç duhet, diskriminimi mund të hedhë rrënjë në fushën sociale dhe kulturore dhe ka shumë analiza për romët dhe egjiptianët që e tregojnë këtë.

Prandaj, e kemi për detyrë të flasim kundër diskriminimit kur e shohim dhe t’u dalim zot në çdo moment personave të cilëve u cenohen të drejtat, për shkak se perceptohen si ndryshe apo si të dobët nga masa dhe kjo i bën më të cenueshëm.

Cilido nga ne mund të diskriminohet nesër thjesht se mendon ndryshe nga më të pushtetshmit, se ka pamje ndryshe, apo vishet ndryshe, nëse nuk veprojmë sot kundër çdo forme diskriminimi ndaj personave që rastisin të jenë ndryshe.

Jemi mbledhur të gjithë këto sot për një qëllim të përbashkët: të bashkojmë forcat për barazi.
Shpresoj që kjo konferencë rajonale t’ju japë mundësinë të diskutoni mbi çështjet më të ngutshme në lidhje me diskriminimin, përfshirë pavarësinë e organeve të barazisë.

Në këtë rrafsh, ne do të jemi në pozita më të favorshme për të realizuar ndryshimet e nevojshme që garantojnë:
– mbrojtjen më të mirë të anëtarëve më të cenueshëm të shoqërisë sonë;
– mbrojtjen nga institucione adekuate dhe funksionale të personave më të cenueshëm të cilët diskriminohen.

Ju falënderoj dhe i uroj kësaj konference rajonale përfundime të suksesshme e të frytshme!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here