Kreu Aktualitet Has, qytetarët dëshmojnë fuqinë e shqiperiaqeduam.al

Has, qytetarët dëshmojnë fuqinë e shqiperiaqeduam.al

87
0

Dëgjesa e Kryeministrit Edi Rama në Has, mbi dëshmitë konkrete të sesi duke iu drejtuar Platformës së Bashkëqeverisjes kanë marrë zgjedhje për probleme që hasin në zyrat ku ofrohen shërbimeve publike:

Përshëndetje të gjithëve!
Shumë faleminderit për mundësinë e kësaj dëgjese ku, faktikisht, ne po bëjmë një sesion të dëshmive të Platformës së Bashkëqeverisjes. Me këtë dëgjesë hapim edhe këtë qëndrim të qeverisë në Qarkun e Kukësit, në vijim të një tradite të krijuar për të pasur qeverinë në një qark dhe pastaj në vijim, në bashki të ndryshme, një herë në muaj, të gjithë ne sëbashku.
Platforma www.shqiperiaqeduam.al është një mekanizëm jashtëzakonisht efikas, që po fuqizohet dita-ditës, falë gjithmonë e më shumë njerëzve të zakonshëm që adresojnë ankesat e tyre. Më vjen shumë mirë të them se në tërësinë e saj, Platforma ka arritur të zgjidhë rreth 16 mijë probleme “të vogla” të njerëzve e të familjeve të zakonshme në të gjithë territorin e Shqipërisë. Probleme të bartura prej muajsh apo vitesh, probleme me hipotekën, me ALUZNI-n, me llogaritjen e pensionit, me mbifaturime të dritave, me tatimet, me diplomat të të gjitha llojeve, probleme nga ato që hera-herës kthehen në pamundësi për njerëzit për shkak se në një zyrë, ku duhet të marrin atë që iu takon, ngecin.
Ndryshe nga sa thuhet, e vërteta është që Platforma nuk është asgjë tjetër, përveçse transformimi përmes teknologjisë i të gjithë sistemit të drejtorive, apo të zyrave të marrëdhënieve me publikun, të cilat kanë ekzistuar gjithmonë. Ju e dini mirë që në çdo institucion ka një zyrë të marrëdhënieve me publikun, historikisht, por që në të shumtën e herës kanë qenë thjesht e vetëm vende ku, në rastin më të mirë, njerëzit kanë mundur të lënë një letër, apo të shprehin një pakënaqësi, por përgjithësisht nuk kanë marrë kurrë mbrapsht një përgjigje.
Ndërkohë, ajo që ndodh me Platformën është që mjafton të shkarkohet aplikacioni në celular, apo mjafton një kompjuter, ose kompjuteri në zyrën e Postës, në zyrën e njësisë Administrative, apo në zyrat që PS ka hapur për të ndihmuar ata që nuk kanë akses të drejtpërdrejte në internet, karta e identitetit dhe tre minuta për të specifikuar ankesën dhe brenda 10 ditësh merr përgjigje. Në rast se të takon merr zgjidhej, në rast se nuk të takon, merr një përgjigje të drejtpërdrejte dhe një adresim po qe se çështja është një çështje që i takon pushtetit gjyqësor, apo po qe se ajo që t’i kërkon është e pamundur.
E vërteta është që 16 mijë probleme të zgjidhura në harkun e 1 viti të funksionimit të Platformës janë shumë kuptimplota, për të inkurajuar të gjithë që ta përdorin Platformën, për të inkurajuar këdo që as të mos presë që ta zgjidhë diçka që nuk po e zgjidh dot me “x” zyrë përmes një kontakti me dikë, përmes ryshfetit, apo përmes rrugëve të vjetra që mund fare lehtë të braktisen, përderisa kjo është rruga më e lehtë dhe më e thjeshtë, tre minuta dhe praktikisht gjen pa njohur fare dhe pa pasur nevojë të të njohë, pa e takuar fare dhe pa pasur nevojë të të takojë, mikun më të madh, ministrin apo ministren përkatëse që merret me çështjen tënde. Është ministri apo ministrja e fushës së shqetësimit tënd, që kanë detyrimin të japin përgjigje, apo zgjidhje dhe që raportojnë në kohë reale për të gjitha ankesat dhe për të gjitha zgjidhjet e dhëna.
Kjo është një ndihmë e madhe për të identifikuar në të gjitha zyrat individët që nuk iu përgjigjen qytetarëve, individët që nuk respektojnë ligjin, individët që shkelin të drejtat e njerëzve dhe për t’i çuar ata përpara drejtësisë. Sepse ajo që ndodh, është që, pasi qytetari merr zgjidhjen, nis një hetim administrativ për kë e ka penguar zgjidhjen dhe për të nxjerrë përgjegjësitë. Për shkak të Platformës janë shumë zyrtarë që kanë shkuar në ndjekje penale, janë shumë të tjerë që janë larguar nga puna dhe janë shumë të tjerë akoma që kanë marrë vërejtje me paralajmërim për largim nga puna në rast përsëritjeje, sipas shkallës së përgjegjësisë në raport me qytetarët.
Unë besoj se është gjithmonë e rëndësishme që të mos mjaftohemi me çka them unë, apo me çka themi ne që qeverisim si anëtarë të kabinetit, apo si deputetë, por të kërkojmë ndihmën e atyre që realisht e kanë prekur këtë eksperiencë dhe realisht kanë marrë zgjidhje, sepse tjetër është kur e them unë dhe tjetër është kur qytetarët e dëgjojnë vetë, drejtpërdrejtë, nga dikush si ata. Për këtë arsye, unë dua t’i falenderoj zonjat dhe zotërinjtë që kanë ardhur këtu, sot dhe kanë pranuar që me dëshmitë e tyre të na ndihmojnë për të përçuar te të gjithë, mesazhin që Platforma www.shqiperiaqeduam.al është mekanizmi i asaj që ne e kemi premtuar dhe që po e vëmë në jetë dita-ditës, si bashkëqeverisje me njerëzit.
Në fund të fundit, çfarë do të thotë të bashkëqeverisësh me njerëzit?
Do të thotë që njerëzve t’u japësh akses të drejtpërdrejte në qeverisjen e vendit. Në radhë të parë, që të mos kenë probleme për shkak të mungesës së vëmendjes të shtetit ndaj tyre dhe çdo problem, shteti ta marrë seriozisht dhe ta zgjidhë. Kjo është pjesa e zgjidhjes.
Nga ana tjetër do të thotë që njerëzve t’u japësh mundësi, t’u japësh akses që të bëjnë të ngrenë ankesa dhe në nivel komuniteti, – ka pasur plot të tilla dhe janë zgjidhur, – të bëjnë propozime, të bëjnë interpelanca.
Unë po ju them diçka që është fakt. Një deputet, për t’u lidhur me një anëtar të kabinetit, nuk lidhet gjithnjë aq shpejt, sa lidhet me anëtarin e kabinetit një qytetar që i drejtohet Platformës. 3 minuta duhen që të regjistrohet emri, të regjistrohet ankesa dhe të bëhet nisja e ankesës ,për të shkuar drejtpërdrejtë në ekranin e ministrit apo të ministres. Që nga ai moment çështja hyn në rrugën e zgjidhjes. Menjëherë merr një sinjal mbrapsht që u mor mesazhi dhe do të fillojë trajtimi i problemit. Brenda 10 ditësh, si rregull, jepet zgjidhja. Ky është një akses që njerëzit nuk e kanë pasur kurrë më përpara. Gjithmonë iu është dashur që të gjejnë rrugë të tjera.
Ky është një akses që, ne besojmë shumë, do të shkojë duke u bërë gjithmonë e më i përdorur nga njerëzit e gjithmonë e më i dobishëm për të gjithë njerëzit, duke ndihmuar që njerëzit të zgjidhin problemin dhe duke ndihmuar që administrata të vazhdojë të përmirësohet, me pasjen shumë mirë parasysh se çdo njeri që të vjen përballë, edhe kur duket se është komplet njeri pa njeri, mund të të bëjë hatanë, të të heqë nga puna. Nëse ankohet për faktin që dikush në një zyrë s’po i jep atë që i takon, ai do ta marrë atë që i takon dhe ndërkohë për atë zyrtar do të nisë hetimi administrativ dhe mund të përfundojë deri në prokurori, në rast se i bie në qafë padrejtësisht atij personi.
Unë jam Met Tobli, mësues matematike në gjimnazin “Skënderbeu”, Krumë. Jam ankuar në Platformën e Bashkëqeverisjes për 2 probleme që i kam vënë re gjatë periudhës që kam qenë drejtues i shkollës 9-vjecare “Sejdi Dida”. Pas verifikimit të kryer nga grupi i punës, i ngritur nga Ministria e Arsimit, problemet e ngritura nga ana ime rezultuan të sakta dhe kanë marrë zgjidhje. Ajo që dua të sugjeroj është që institucionet duhen përdorur si institucione shtetërore, jo si institucione private. Pastaj problemi zgjidhet në vijimësi. Ka filluar sot, nga Drejtoria Rajonale Kukës, në mënyrë verbale, jo shkresore. Shpresoj që të gjitha rekomandimet e ngritura na grupi i punës të marrin zgjidhje.
Kryeministri Edi Rama: Padiskutim që është një proces i kontrolluar, sepse nuk është çështja se merret një burokrat, apo një zyrë, por me çështjet e ngritura nga cilido qoftë në Platformë merren drejtpërdrejtë anëtarët e kabinetit. Rasti konkret është një rast që ndiqet normalisht nga ministrja e Arsimit. Mjafton që të bëni një krahasim shumë të thjeshtë, nëse i njëjti problem do të ishte shfaqur, siç mund të jetë shfaqur me qindra herë brenda sistemit arsimor disa vite më parë, do të ishte e pamundur për mësuesin që ai të merrte të drejtë, në raport me përgjegjësin e Zyrës Arsimore. Do të ishte e pamundur, se nuk do kishte shans që mësuesin ta dëgjonte titullari më i lartë i fushës, domethënë, ministri i Arsimit. Çështja do të mbetej te Zyra Arsimore dhe Zyra Arsimore do ta trajtonte atë sipas interesave të veta. Pra, mësuesi apo drejtuesi i një shkolle do të ishte komplet i paralizuar dhe mbi të mund të bëhej çdo lloj padrejtësie, pa e marrë vesh njeri. Ndërkohë që përmes Platformës i duhen vetëm tre minuta dhe në atë moment nuk është më vetëm. Falë ankesës, në rastin konkret, është angazhuar një grup inspektimi direkt i ministres. Grupi i inspektimit i ka dhënë të drejtë, jo përgjegjësit të Zyrës Arsimore, por ankimuesit. Ky është thelbi i përmbajtjes që ka ndërveprimi në këtë Platformë. Prandaj unë e përsëris, mos u ankoni lart e poshtë, por ankohuni drejtpërdrejtë tek ne, tek kush është titullari më i lartë i fushës ku ty po të bëhet një padrejtësi. Do ta shkoni që brenda 10 ditësh, shteti do ngrihet në këmbë për ty. Nuk ka asnjë arsye për të futur dorën në xhep, për të dhënë lekë dhe për të marrë një të drejtë. Mjafton kjo ankesë dhe s’kushton asgjë, zero, asnjë kokërr leku.
Jam Sokol Peka. Kam marrë pjesë në Portalin Mësues për Shqipërinë në arsimin fillor dhe jam rendit i pari. Zyra Arsimore Has në Komisionin e Vlerësimit të dosjeve nuk më ka ofruar vendet e lira, të përcaktuara me ligj. Me këtë rast iu drejtova Bashkëqeverisjes, e cila në kohë rekord dërgoi grupin e inspektimit nga Ministria e Arsimit, që verifikoi të gjitha dosjet dhe problematikat dhe personat, të cilët ishin marrë në punë pa portal. Menjëherë më kanë kthyer një përgjigje, duke ngarkuar Zyrën Arsimore të Hasit të më thërrasë menjëherë dhe të më ofrojë të gjitha vendet e lira dhe të largojë të gjithë ata mësues që janë lidhur me kontratë, duke mos kaluar te portali. Faleminderit Bashkëqeverisjes!
Kryeministri Edi Rama: Ajo që ndodh konkretisht është se Drejtoria Arsimore e Kukësit ka filluar një procedim disiplinor për kryetarin e Komisionit të Vlerësimit dhe për përgjegjësin e Zyrës. Sipas të gjitha gjasave, duke qenë se portali Mësues për Shqipërinë nuk është më thjesht një mekanizëm pune, por mbrohet me ligj dhe është detyrim ligjor zbatimi i të gjithë kritereve, edhe kryetari i Komisionit të Vlerësimit edhe përgjegjësi i Zyrës Arsimore të Hasit do duhet të shkojnë në prokurori, për të shpjeguar atje, pse zotëria këtu, një mësues, të cilit i takonte të merrte vendin e punës në bazë të testit dhe të pikëve që kishte marrë, ishte lënë jashtë radhe dhe ndërkohë 4 pozicione ishin zënë me mësues që nuk kishin marrë pjesë fare në portal. Kjo është shkelje e rëndë e ligjit. Kjo do të thotë që ka pasur të tjera arsye që mund ta shtynin drejtorin e Zyrës Arsimore, apo kryetarin e Komisionit që të shkelin ligjin në mënyrë flagrante dhe në vend se të marrin listën e klasifikimit në bazë të pikëve nga portali, që është një instrument elektronik, shkojnë dhe kapin 4 veta që s’janë fare aty. Çfarë i ka shtyrë? Krushqia? Ryshfeti? Këtë gjë le ta zgjidhin me prokurorinë.
Ne jemi duke përfunduar përgatitjet, më saktë ministrja, për kalimin në një fazë tjetër të shërbimit nga ana e rrjetit të drejtorive dhe të zyrave arsimore, ku e gjithë procedura e emërimeve, zëvendësimeve, vakancave të mësuesve do të jetë elektronike. Nuk do ketë më lidhje fare drejtori i zyrës, apo përgjegjësi i zyrës me emërime, me zëvendësime, me vakanca, sepse të gjitha këto do t’i bëjë kompjuteri. Kompjuteri nuk do shohë as çfarë partie ke, as sa lekë ke në xhep, as si e ke emrin dhe kë ke mik e kë ke kushëri, por do shohë vetëm pikët e fituara në testimin kombëtar. Në bazë të pikëve, në bazë të meritës, të takon, do shkosh, s’të takon, do presësh, sepse do të shkojë ai të cilit i takon. Qofsh kush qofsh, qofsh me shëndet, nëse s’të takon, s’të takon. Kjo është ajo që do ndodhë, duke filluar nga janari, kur fillon i gjithë riorganizimi i shërbimit të arsimit në nivelin e drejtorëve dhe përgjegjësve të zyrave arsimore.
Dua që t’i uroj të shkuara një tjetër dëshmitari të kësaj eksperience, që duhet të ishte këtu sot me ne, por për shkaqe shëndetësore lajmëroi në fund se e kishte të pamundur, zoti Qazim Nerguti, i cili kishte një rast me llogaritjen e pensionit. Ne kemi rregullisht raste të tilla dhe unë iu bëj thirrje të gjithë pensionistëve, të gjitha familjeve që kanë në shtëpi pensionistë që kanë probleme me llogaritjen e pensionit që t’i drejtohen platformës për çdo rast kur nuk marrin përgjigje nga zyrat e sigurimeve shoqërore. Ndodh shpesh që në zyra ka zvarritje, ka indiferencë ndaj këtyre të moshuarve, që me plot të drejtë shkojnë e vijnë për të marrë atë që iu takon. Nuk ka nevojë fare të lodhen. Mjafton që t’i drejtohen Platformës me ndihmën e nipërve e të mbesave, siç ka bërë edhe zoti Qazim dhe brenda 10 ditëve bëhen llogaritë dhe merret vendimi për të dhënë pensionin sipas llogaritjes së saktë. Ndërkohë, ata, të cilët e pengojnë këtë proces dhe janë shkaktarë për mos llogaritjen e saktë, marrin ndëshkimin e merituar me vërejte, ose me largim nga puna.
Qazim Mula: Unë do ju tregoj për eksperiencën time dhe zgjidhjen që kam gjetur përmes Platformës së Bashkëqeverisjes. Pas 3 vitesh në pension, më ndërpritet pensioni, më pezullohet në muajin tetor. Pas interesimit që bëj në Drejtorinë Rajonale, informohem se dosja ime ishte përzgjedh nga auditi i Sigurimeve Shoqërore për verifikim. Mu kërkua dhe një dokument bashkëshoqërues, për të konfirmuar disa të dhëna që i kisha dorëzuar më parë. Dokumentin e sigurova shumë shpejt, nëpërmjet Postës në arkivin e Qarkut dhe pasi e dërgova, isha në pritje. U zvarrit ky problem. Në këtë periudhë kam qenë i sëmurë, në regjim shtrati dhe djali bënte lëvizje disa herë në Drejtorinë Rajonale të Kukësit, të cilët, jo sot, jo nesër, si përfundim thonë se nuk e kemi në dorë këtë, është auditi i Sigurimeve Shoqërore dhe ai do japë një konkluzion për të gjithë, jo vetëm për ty. Pas 3 muajsh, unë iu drejtova Platformës. Të gjithë pjesëtarët e familjes, përjashto bashkëshorten që e kam këtu në krah, qeshnin me mua dhe nuk kishin besim fare që do gjeja zgjidhje. Në përfundim mora një falënderim nga stafi i Platformës, të cilët gjej rastin sot t’i përgëzoj edhe për komunikimin, edhe për shpejtësinë në kryerjen e veprimeve. Të nesërmen jam informuar që ankesa ka hyrë në rrugën e zgjidhjes. Kur u bënë 8 ditë, më dolën 3 pagat e pensionit, plus dhe shpërblimi i fundvitit, se ishte në prag të vitit të ri. Unë do thoja që nëpërmjet këtij mekanizmi, Kryeministri Rama dhe qeveria kanë gjetur një zgjidhje mjaft efikase, sepse vihen në lëvize edhe një sërë mekanizmash të tjerë, që është dhe si punë presioni që administrata të kryejë punën që i takon. Në këtë rast e falënderoj përzemërsisht Kryeministrin Rama në lidhje me punën e tij për këtë Platformë dhe i urojmë suksese edhe stafit të platformës.
Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit dhe është realisht kështu e vërteta, që shumë njerëz nuk kanë pikë besimi pastaj e provojnë, ju del. Nuk është si skedinat. Tek skedinat nisen me besim të madh dhe në fund nuk del asnjë gjë. Këtu nisen pa pikë besimi dhe në fund u del dysh gjithmonë, sepse luajnë në shtëpi, nuk luajnë jashtë.
Një rast tjetër dhe mua më vjen shumë keq, – nuk e di kush është Ademi, – dhe më vjen shumë zor, me thënë të drejtën, sepse më kujtohet që kam ardhur këtu atëherë me Limanin, kemi qenë bashkë kur ra ajo dermatoza nodulare e lopëve. Mbaj mend shumë mirë që kemi qenë diku aty përpara dhe kemi sjellë në kohë rekord dëmshpërblimet. Mirëpo, imagjinoni tani, në 2015-n, unë kam ardhur me të 198 centimetrat e mia, me një fjalë, 2 metra karabina dhe kam folur para gjithë fermerëve e ju thamë, e mbajtëm fjalën, ja ku e keni dëmshpërblimin. Që nga 2015-n e derisa erdhi mundësia për të shkruar në Platformë, Ademit, unë i jam dukur si Noc Rroku, për fat të keq. Kjo është e vërteta, kështu që dua t’i kërkoj shumë ndjesë personalisht dhe më vjen shumë mirë që u bë ky rast që një kushdo qoftë ai, pastë faqen e zezë – po ia them këtu se me siguri po na sheh në televizor, ose me siguri do jetë në protestë e do e shohë në darkë, – të largohet nga puna, pasi është shkaktar për këtë vonesë skandaloze. Një tjetër ka marrë vërejtje. Unë mendoj që rasti është tipik sesi një problem nuk zgjidhet, qeveria i ka dhënë lekët që në 2015-n, del një më lopë se të gjitha lopët atje dhe thotë jo, nuk ka. Sigurisht, qytetari ndihet realisht i fyer, realisht i mohuar në ekzistencën e vet si qytetar që ka të drejtën e vet. Kështu që zoti Adem, unë të kërkoj shumë ndjesë, më vjen sinqerisht keq për këtë, por më vjen dhe mirë që sot, kjo është një çështje e kapërcyer dhe problemi është i zgjidhur. Ashtu sikundër më vjen mirë që bashkërisht ia kemi dalë që edhe dëmshpërblimi të merret, edhe ai që u bë pengesë të pastrohet nga rruga. Pra, një ferrë bashkë e kemi pastruar. Të falenderoj shumë!
Ademi: Në vitin 2015 jemi dëmtuar. I pata bërë letrat dhe nuk mora gjë. Shokët e morën, unë nuk mora gjë. Për këtë, unë mora vesh që qeveria ka marrë një nismë për ngritjen e portaleve dhe unë aty gjeta zgjidhje. Iu drejtova portalit. E dërgova atje dhe për këtë gjeta një mirëkuptim. Atje, problemi im gjeti zgjidhje. Faleminderit shumë dhe e falënderoj dhe atë koordinatoren e Ministrisë së Bujqësisë. Me atë komunikova vazhdimisht. Për këtë falenderoj edhe nënprefektin e Hasit dhe një falënderim të veçantë kam për Kryeministrin Edi Ramën.
Kryeministri Edi Rama: Të falënderoj unë ty, sepse, realisht, kur e pashë këtë para se të vija, më erdhi shumë zor, por nuk kemi çfarë bëjmë. Për Platformën, shpeshherë, njerëzit e dëgjojnë nga televizori, na shohin ne dhe nuk e dinë ekzaktësisht në çfarë rrugësh kjo mund të bëhet. Normal, një fermer në një moshë të re, por jo aq sa të rrijë me telefon gjithë ditën, siç rrinë kalamajtë, ose direkt duhet t’i drejtohet nipit dhe mbesës, ose tek njësia administrative, tek zyra e Postës, tek prefektura apo tek nënprefektura. Edhe tek zyrat që ne kemi hapur për të ndihmuar njerëzit në këtë aspekt, ose në qendra interneti ku mund të bëhet kjo gjë. Ky është një propozim që kam edhe për ata që do mbyllin lotot, që mund të hapin zyra bashkëqeverisjeje për t’i shërbyer qytetarëve. Natyrisht, aty do ketë një tarifë të vogël, por mendojeni njëherë se mund të jetë shumë më e vlefshme dhe mund t’ju lehtësojë shumë dhe nga mëkatet e mëdha që keni bërë me ato skedinat.
Rasti tjetër është rasti i një banori të njësisë administrative të Bushtricës. Edhe ky rast është në fakt një nga ato raste, kur nuk është një ankesë personale për një çështje dhe një hall familjar, në kuptimin e ngushtë të fjalës, por për një çështje që prek më shumë se një familje, apo një person, por prek komunitetin. Po ia kaloj Kreshnikut fjalën që të shpjegojë lidhur me një ankesë që i ka drejtuar ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Unë e nisa ankesën për segmentin rrugor Kukës – Bushtricë, pjesë e aksit nacional Kukës-Peshkopi. Mali i Korabit është një atraksion turistik, jo vetëm për shqiptarët brenda kufijve, por dhe jashtë saj. Kishte kohë që ky aks nuk mirëmbahej. Po shikoja investimin se si po degradonte, ankesat e shumta të qytetarëve dhe thashë të shkruaj njëherë në platformën shqiperiaqeduam. Ata më kthyen një përgjigje të detajuar, të hollësishme, për të gjitha problematikat. Kur u lidh kontrata, filloi puna, pastrimi është bërë në një mënyrë shumë të rregullt, shumë sistematike. Ju faleminderit të gjithëve dhe faleminderit dhe stafit.
Kryeministri Rama: Shume faleminderit! Duke qenë se unë erdha deri këtu dhe në respekt në radhë të parë të atyre që qëndruan në këmbë, nëse ka ndonjë pyetje.
Quhem Latif Koleci, punonjës i OSHEE nga 2008 – 2009. Kam pasur një avari në tensionin e lartë dhe kam marrë KEMP 8 vjet. Ka 5 muaj që ma kanë hequr. Ju kam shkruar në portalin tuaj në datën 22 korrik dhe më ka ardhur një përgjigje që ti do trajtohesh me punë të lehtë. Unë po të isha i punës së lehtë, apo i punës së rëndë, nuk do isha i lënduar.
Kryeministri Edi Rama: E kuptova, dakord. Rëndësi ka që të është dhënë një drejtim për atë gjë. Kka rregulla të caktuara për atë që ke kërkuar, nuk varet nga kush je dhe kush të njeh, varet nga disa kushte të tjera. Kështu që në bazë të asaj përgjigjeje, mbas takimit do flasësh me një nga të deleguarit tanë dhe të shohim si do ta trajtojmë çështjen.
Azizi: Është hera e parë që kur ka hyrë demokracia që kemi një kryeministër për dëgjesat tona. Jam një specialist minierash. Kam punuar 24 vjet në minierë. Në vitin 2015-2016 kam punuar në një firmë private, për të ulur varfërinë. Me datën 24 maj të këtij viti nxorët me vendim të Këshillit të Ministrave që të kthehen diferencat për ato që janë ndalur dhe nuk janë kthyer. Jam takuar në drejtorinë rajonale, nuk kam marrë përgjigje pozitive. Pikë e dytë, unë e kam shkrirë jetën time në minierë, mbi 24 vite punë dhe të marrësh një pension qesharak që nuk e përballon dot jetesën se unë e paguaj energjinë, ujin, jam shumë i rregullt. Por kam dhe ilaçe, sepse kam pluhur në mushkëri, si mund të më dalin 150-200 mijë lekë. Po dhe kjo e vendimit të Këshillit të Ministrave që të kthehet kjo diferencë dhe të mos e zbatojë një drejtori, unë nuk e di.
Kryeministri Edi Rama: Ajo që duhet të bësh është ekzaktësisht ajo që kanë bërë këta që janë këtu me mua. Nuk ka nevojë të presësh, 3 minuta, çoje çështjen tek platforma shqiperiaqeduam.al, brenda 10 ditësh do marrësh atë që të takon dhe nëse të takon, – që unë besoj se të takon, por tani këtë nuk e them unë, – ata që nuk ta kanë dhënë, do ikin nga puna. Ti do marrësh atë që të takon. Prandaj është Platforma. Sepse janë raste mbas rastesh kur ty të takon, nuk e merr. Duke shkruar në Platformë, menjëherë do angazhohemi ne si qeveri direkt dhe nëse të takon, do ta marrësh.
Përsa i përket statusit, së pari, mos e harroni një gjë, që ne mbajtëm angazhimet që kishim në mandatin e parë lidhur me minatorët. Mos ta harrojmë këtë gjë se duket sikur minatorët trajtohen njësoj siç trajtoheshin më përpara. Kjo nuk është e vërtetë. Përsa i përket statusit, ne po bëjmë një draftligj, – siç e ka gjithë Europa, – një status për gjithë këto profesione të vështira, që hyjnë tek kategoritë që mbajnë një status të veçantë. Po bëjmë një projektligj për këtë, do ta çojmë në Parlament, besoj brenda nëntorit dhe do t’i japim drejtim kësaj çështjeje në mënyrë definitive, brenda mundësive që kemi, por duke respektuar dhe sakrificat dhe punën që ju të gjithë në këto fusha të vështira keni bërë.
Unë kam 3 pika për të ngritur. Në radhë të parë, për statusin e minatorit, fole vetë. E dyta, edhe unë jam minator, 22 vjet nëntokë. Atëherë, kur kam dalë në pension përllogaritja është bërë me 5000 lekë. Kujt t’i ankohem që marr një pension qesharak 156 mijë lekë, që mua nuk më dalin ilaçe. Një pyetje tjetër dua të ta bëj, ndoshta të duket shumë qesharake, unë jam në ato kategoritë e varfra. Qeveria juaj ka miratuar një ligj që t’u fali bizneseve 500 milionë euro kamatëvonesa.
Kryeministri Rama: Këtë mund ta kesh parë në televizor, por nuk e ke parë nga qeveria këtë. Këtë e ke parë nga ata që kanë rënë nga qeveria, ata i thonë këto. Po dëgjove ata, është puna jote, nuk është puna ime. Në televizor ngatërrohesh, nuk merr vesh i pari të dytin. Nga një anë nuk kanë faj ata që shikojnë e merren me futboll, se më mirë me u marrë me futboll, se me u marrë me televizor e me dëgju 500 milionë këtu, 1 miliardë aty. Kjo nuk ekziston, është e pavërtetë. Shpifje.
A nuk ka mundësi që qeveria të diskutoje pak mbi shtresën e ulët. Pensionistë dhe ata që marrin ndihmë ekonomike që të na heqë atë energji të papaguar vite e vite përpara, se nuk po na lë të marrim frymë. Nuk dimë çfarë të paguajmë më përpara me 150 mijë lekë. Dhe një pyetje të vogël. Ai që lind një fëmijë do marrë 400 mijë lekë. Ai që lind dy 800. Të përgëzoj për këtë. Unë nuk jam i ri, por si ka mundësi që ministria jote e Brendshme nuk ka likuiduar që dy vjet 50 mijë lekëshin e certifikatave në bashki?
Kryeministri Edi Rama: The disa gjëra që janë me rëndësi. Së pari, lidhur me pensionet. Unë e di shumë mirë që pensionet janë pjesa më e dhimbshme e gjithë trashëgimisë së shumë viteve rrumpallë, por duhet ta kuptojmë të gjithë, rritja e pensioneve, rritja e rrogave, rritja e të ardhurave nuk është një çështje dëshire e Kryeministrit, apo një çështje dëshire e qeverisë, por është një çështje e rritjes ekonomike. Po të ishte çështje dëshire, edhe Gjermania që është Gjermani, pse të mos i kishte më shumë sa i ka, se edhe në Gjermani, njerëzit duan më shumë, por i ka aq sa është mundësia. Është njësoj si shtëpia jote. Ti me shpirt do të doje që fëmijën kur e nxjerr nga shtëpia, t’i japësh të gjitha ato që do, por nuk ia jep. Nuk ia jep se nuk e do? Jo, se aq e ke mundësinë. Që t’i japësh më shumë, duhet të marrësh borxh. Pse nuk shkon të marrësh borxh dhe t’i japësh më shumë? Nuk e bën, se nesër, ai që të ka dhënë borxhin, vjen të merr dhe shtëpinë. Kështu është edhe shteti, kështu është edhe Shqipëria. Tani i rrisim rrogat dhe do vazhdojmë t’i rrisim në bazë të rritjes së mundësive. Duhet të rrisim mundësitë. Duhet të kemi më shumë mundësi, që të marrim më shumë nga arka e të ardhurave të përbashkëta.
Ti thua, po borxhet pse nuk i hiqni, ndërkohë ti kemi hequr një pjesë të madhe, kemi hequr aq sa është e drejtë, sepse 20 e ca vite, sikur të kishin bërë atë që po bëjmë ne në këto 5 vjet, sot do ishim duke bërë biseda të tjera. Sot nuk do ta kishe 150 mijë lekë pensionin. Sikur të gjitha reformat dhe rregullat që ne po mundohemi të vëmë, të ishin vënë 20 e ca vjet përpara, sot do ishim ndryshe. Ka ndodhur që ata që lindën në ’90-n, ju iku huq. Sot janë 25-vjeçarë këtu në Has, në Kukës, në Tropojë e ku të doni ju, në masë të madhe që nuk dinë të bëjnë një punë. E jo për fajin e tyre, por pikërisht sepse nuk u bënë gjërat si duhet me kohë që këtyre njerëzve t’ju jepej dija e mjaftueshme që ta nxirrnin lekun nga toka dhe mos kishin mendjen si të ikim, apo si të shkojmë t’i gjëmojmë nga mbrapa Cristiano Ronaldos, për të kapur ndonjë gol.
Pyetja është shumë e thjeshtë: Çfarë do bëjmë ne? Do vazhdojmë të gënjejmë veten, duke bërë sikur nuk shohim, apo do bëjmë sakrificat sot, që nesër, atyre që janë sot të vegjël, të mos u shkojë jeta, siç i shkon atyre që u shkepën në diploma false, morën edhe gjithë kursimet e familjeve me diploma false, apo ngelën rrugëve pa asnjë lloj dijeje, zero. Kështu që është e lehtë të thuash fjalë të bukura dhe t’i bësh gjërat hajde se shihemi nesër, por pastaj nesër është përgjegjësi shumë e madhe. Unë mendoj që sot të gjithë ne kemi detyrimin në çdo hap të mendojmë që Shqipëria e atyre që sot janë fëmijë, të mos jetë si Shqipëria e atyre që sot janë 25 vjeç. Shqipëria e atyre që sot janë 25 vjeç, nuk është Shqipëria që ata duhet të kishin, pikërisht sepse nuk u mendua kurrë për ditën që ata do të bëheshin 25 vjeç. Ne, sot, në çdo hap duhet të mendojmë për ditën kur ata që sot janë 5 vjeç, apo që sot lindin, kur të jenë 25 vjeç, Shqipëria të jetë ndryshe.
Unë e di që shumëkush thotë na jep vezën sot, se nuk na duhet pula mot. Problemi është që, nëse jetojmë, vazhdojmë punojmë dhe mendojmë me idenë që “të kapim çfarë të kapim sot, nesër bëhet kiameti”, nuk shkojmë përpara.
Tjetra që the lidhur me shpërblimin për bebet. E pata vënë unë në Bashkinë e Tiranës, 50 mijë lekë. Ishte një mbështetje simbolike, për t’i thënë “Mirë se erdhe!” një bebeje. 50 mijë lekë të vjetra përpara 15 vitesh dhe mbeti aq, madje degradoi në pikën që nuk jepeshin leket. Kur ne erdhëm në pushtet,qeveria e kaluar ndër shumë borxhe të tjera kishte borxh 5.5 milionë dollarë për bebet. Ne i shlyem ato 5,5 milionë dollarë. Por ndodh që ato para, ose bashkitë i marrin dhe i çojnë për gjëra të tjera, ose gjatë rrugës, në kanalin e thesarit shkojnë për gjëra të tjera. Ndërkohë që këtë politikë të re që do bëjmë me çekun e bebes, që do të jetë 400 dollarë për fëmijën e parë, 800 për fëmijën e dytë dhe 1200 për fëmijët e tretë, do ta bëjmë direkt, pra, që në regjistrimin në maternitet, lekët do të kalojnë direkt në llogarinë e familjes. Nuk do të ketë punë as bashkia, asnjeri. Direkt do të shkojnë tek familja. Këtu dua të sqaroj diçka, se e dëgjoj herë pas herë të thonë po sikur të bëjmë dy përnjëherë, si do të ndahen leket. Do të marrin të dy nga 800 mijë, se nuk do t’i themi ti dole i pari, do marrësh 400, ti dole i dyti do marrësh 800, se pastaj do rrinë brenda dhe s’do dalin se do thonë do marr më shumë dhe do i mësojmë që të vegjël mbrapsht. Dhe lindën tre përnjëherë, do marrin të tre nga 1200.
Ndërkohë që për çështjen konkrete që kishe, do të komunikosh me vajzën që ke në krah, sepse është e Platformës dhe do të shohim konkretisht si do ta trajtojmë çështjen e pensionit, në rastin konkret, të asaj llogaritjes.
Quhem Barie Poga, jetoj në qytetin e Krumës. Në radhë të parë, ju falënderoj ju dhe qeverinë tuaj që keni bërë investime të mëdha në këtë qytet dhe ia keni kthyer për mirë pamjen këtij qyteti. Unë problemin e kam tek drejtoria e ALUIZNIT Kukës. Shtëpia ime është e rrethuar prej kioskave. Njëra prej tyre më ka zënë dritën e kuzhinës. Problemi është se atyre ju kanë dhënë një leje legalizimi. Është falsifikuar një deklaratë me pretendimin se ka firmosur burri im. Por ajo është deklaratë e firmosur nga tjetërkush. Disponoj të gjitha dokumentet dhe mund t’ua tregoj. Nuk kam rrugëzgjidhje. Ju jeni shpresa e fundit.
Kryeministri Edi Rama: Ju kuptova. Ju falënderoj për fjalët që the. Këtu në fakt nuk kemi bërë investime të mëdha, sepse këtu ka nevojë për shumë më tepër sesa kaq dhe unë jam realist për këtë.
Ne jemi të kënaqur për këto që keni bërë se ka qenë shumë keq.
Kryeministri Edi Rama: Dakord, por unë jap i pakënaqur për veten time. Nëse ju jeni e kënaqur, më mirë, por, prapë, unë s’jam i kënaqur. Mendoj që ka akoma shumë për të bërë në këtë zone. Unë kam shumë besim që ne do të nisim së shpejti ndërtimin e aeroportit. Aeroporti do të ndryshojë dhe kemi nxitur që të ketë një projekt të ri, sepse do duhet të ketë një pistë më të gjatë, do duhet të ketë një terminal modern dhe jo atë kioskën që ka aty. Do duhet të jetë një aeroport i vogël europian dhe besoj që puna do të nisë konkretisht në pak kohë. Unë uroj që kjo të ndodhe mundësisht para vitit të ri. Por diku në periudhë fund dhjetori – fillim janari besoj do të përfundojë konkretizimi i kontratës. Pastaj do të duhen disa kohë punime, edhe për shkak të dimrit dhe këtu është problem periudha e temperaturave shumë të ulëta. Por sidoqoftë, deri në fillim vjeshtën e ardhshme do të kemi fluturimet në Kukës dhe kjo do të sjellë një ndryshim të madh nga pikëpamja e lehtësisë së udhëtimit. Kjo është një zonë që ka shumë emigrantë, sidomos në Britaninë e Madhe. Çmimet janë të tmerrshme për të ardhur deri në Tiranë, për të shkuar në Prishtine dhe pastaj për të ardhur deri këtu. Aeroporti do të jetë me çmime të ulëta, pra, do të jetë një pikë shumë e rëndësishme që do të ndryshojë shumë ekonominë e zonës.
Ajo që lidhet me çështjen tuaj është se në Shqipëri janë bërë shumë legalizime aty ku s’duheshin të bëheshin dhe ne si shtet, si shoqëri kemi një faturë katastrofike. Duhet të paguajmë të gjithë ne, nga arka e shtetit, për shpronësime të godinave që nuk duhet të ishin legalizuar kurrë. Janë legalizuar në shtratin e rrugës. Nëse duhet të zgjerosh rrugën, duhet t’i japësh lekët atyre që pushtuan shtratin e rrugës dhe që i morën legalizimet. Është një histori e vjetër. Në kohën e qeverisë së mëparshme janë bërë legalizime vetëm për këto lloj poshtërsish, për shkak se për këto lloj poshtërsish paguheshin bakshishe të mëdha, ngaqë ishin legalizime në shkelje të ligjit. Çështja është se një legalizimi të finalizuar me hipotekë nuk ke çfarë i bën fare. Është pronë. Ai e ka marrë legalizimin tek dritarja juaj, ai ka marrë pronën aty. Ai është pronar dhe nuk ka qeveri që shkon dhe e shkul nga dritarja, pa i dhënë lekët për pronën që medemek e ka të ligjshme. Ky është problemi dhe ky është kufizimi ynë. Nëse mendojmë teorikisht që po çojmë policinë dhe po e heqim atë çiban nga syri juaj atje, ai shkon në gjykatë si pronar i ligjshëm dhe merr një dëmshpërblim shumë të fortë. Ndërkohë kushdo që shkon dhe ia prish, shkel ligjin, sepse prish një pronë. Ky është problemi me legalizimet absurde që janë bërë dhe për fat të keq janë shumë në të gjithë territorin e Shqipërisë.
Shumë faleminderit! Për çdo problem që keni tek shqiperiaqeduam.al. Tre minuta dhe do të merrni përgjigje.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here