Kreu Aktualitet Kryeministri Rama në Kukës për anëtarësimet e reja në Partinë Socialiste

Kryeministri Rama në Kukës për anëtarësimet e reja në Partinë Socialiste

34
0

Fjala e Kryeministrit dhe kryetarit të Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama, në takimin e zhvilluar në Kukës për anëtarësimet e reja në Partinë Socialiste:

Përshëndetje të gjithëve!

Loading...

Shumë faleminderit që jeni këtu të pranishëm dhe më vjen keq që një pjesë e atyre që kishin ardhur për të marrë pjesë në këtë takim, për shkak të sallës ishin të detyruar të rrinin jashtë dhe të shikonin atë grupin zoologjik që ishte mbledhur në hyrje. Megjithatë nuk ka problem, kjo është pjesë e momentit që jetojmë, ku për fat të keq kemi një kundërshtar tejet të dëshpëruar dhe ju e dini mirë që njerëzit e dëshpëruar bëjnë gjëra të dëshpëruara.

Ne kemi çelur një proces të anëtarësimeve të reja në Partinë Socialiste që shkon paralelisht me një riorganizim tërësor të partisë, në funksion të çuarjes përpara të axhendës sonë bashkëqeverisëse me njerëzit dhe më vjen shumë mirë ta them që në fillim se, këtu në Kukës është bërë një progres i rëndësishëm për ta shkundur Partinë Socialiste nga një situatë e ngarkuar për shkak të një periudhe të gjatë mbylljeje dhe si të thuash përpjekjeje për të izoluar faktorët e tjerë të komunitetit apo të komuniteteve, në funksion të marrjes së disa indulgjencave dhe privilegjeve që burojnë nga pushteti.

Më vjen shumë mirë të them që në këtë progres të bërë, ka në radhë të parë një numër të konsiderueshëm grash dhe vajzash që janë përfshirë në Partinë Socialiste apo janë rikthyer në Partinë Socialiste, pas periudhash zhgënjimi për shkak të asaj që thashë, të një mbylljeje të paarsyeshme të partisë dhe po ashtu, patjetër edhe të rinj dhe kur them të rinj nuk kam parasysh vetëm të rinj në moshë, por kam parasysh edhe anëtarë të rinj që vijnë nga rrugë të ndryshme të jetës dhe i janë bashkuar Partisë Socialiste në këtë proces riorganizimi.

Nuk diskutohet që Kukësi është një qark dhe një bashki me disa specifika që lidhen me vështirësi jo të vogla, të trashëguara edhe për shkak të një prapambetjeje të kahershme, por nga ana tjetër, unë kam shumë besim që me disa ndërhyrje të reja ne do t’ia dalim që ti japim një frymëmarrje të re Kukësit. E mbi të gjitha me aeroportin e ri që do të çelet, jam i bindur, do të sjellë një transformim të madh edhe psikologjik në radhë të parë, sepse do ta bëjë Kukësin, jo vetëm një portë hyrëse dhe dalëse me Kosovën, por një portë hyrëse dhe nëpërmjet ajrit, duke garantuar që shumë nga ata, të cilët kanë banuar në gjithë këto zona dhe që janë në emigracion, të mund të vijnë drejtpërdrejtë, pa shpenzuar aq shumë sa janë të detyruar të shpenzojnë deri më sot dhe që për fat të keq kaq shtrenjtë sa nganjëherë është një arsye për ta shtyrë ardhjen. E patjetër që duke u çelur aeroporti, do të ketë një impakt shumë të rëndësishëm në ekonominë e zonës, do të ketë një impakt të rëndësishëm në punësim, se nuk është vetëm aeroporti vetë që do të krijojë një numër të konsiderueshëm vendesh pune, por është dhe efekti zinxhir i njohur që një aeroport sjell në ekonominë e një zone të caktuar.

Nga ana tjetër, ne jemi duke punuar dhe duam të çojmë përpara një projekt goxha ambicioz të zhvillimit të turizmit në zonën e Shishtavecit, aty ku ju e dini shumë mirë që ka një potencial të madh për turizmin e dëborës, për turizmin e lidhur me skitë sepse aty historikisht është bërë ski, por tani ne kemi një projekt konkret me të cilin po merremi të gjithë shumë seriozisht. Natyrisht, është një projekt që është një investim privat i disa djemve nga Kukësi sëbashku me investitorë të tjerë të huaj, por ne do bëjmë çmos që ta nxisim dhe ta mbështesim projektin që të mund të hapet kjo perspektivë pasi unë kam bindjen që mjafton që të krijohen kushtet që turistë të huaj ta shikojnë për herë të parë këtë zonë dhe pastaj është e sigurtë që do duan të rikthehen përsëri, pasi këtu ka bukuri të mahnitshme dhe ka një potencial shumë të madh.

Patjetër që kjo do të kërkojë dhe do të nxisë dhe një zhvillim më të arsyeshëm dhe më fitimprurës për njerëzit e zonës rurale, përmes bujqësisë, blegtorisë dhe jep një efekt të tërë zinxhir në ekonomi. Këto janë gjëra konkrete, nuk janë fantazira, nuk janë ëndrra në beze kur i thonë, por janë gjëra konkrete që lidhen në mënyrë direkte ose indirekte me aeroportin e ri.

Aeroporti i ri nuk është thjesht çështja për ta hapur dhe për të shfrytëzuar atë që është trashëguar dhe është në gjendje goxha të rënduar, për shkak se për shumë vite nuk është se marrë njeri me të, por është realisht një aeroport i ri, pasi do duhet që të zgjatet pista për të mundur që të akomodojë të gjitha ato kategori fluturimesh, që, sipas studimit të bërë, janë në potencialin e këtij aeroporti. Aeroport i ri do të thotë ndërtimi i një terminali të ri, se s’mund të jetë në atë kioskën që ka aty, por do ndërtohet një terminal i ri, modern për pasagjerët dhe për të gjitha shërbimet dhe sigurisht, do të kthehet në një pikë nevralgjike për të gjithë zhvillimin e mëtejshëm të transportit tonë ajror.

Thënë të gjitha këto, unë dua që t’i falënderoj ata që janë këtu të pranishëm dhe që kanë hedhur hapin për t’u bërë pjesë e Partisë Socialiste.

Dua të bëj një falënderim të veçantë për Safet Gjicin. Më vjen shumë mirë që ai është angazhuar seriozisht për ta bërë edhe Partinë Socialiste të Kukësit si ekipin e Kukësit. Shpresoj që t’ia dalë me sukses! Për ekipin e Kukësit ne e kemi marrë një angazhim dhe unë dua që t’ju them paraprakisht juve që jeni këtu, që, nesër në qeveri ne do të vendosim edhe financimin për stadiumin e ri. Do të bëjmë një bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Futbollit, – kemi rënë dakord, ashtu sikundër kemi bërë për stadiumin e Shkodrës dhe për stadiumin e Elbasanit, – do të vendosim nga ana jonë kontributin financiar, Federata do të bëjë të vetën dhe shpresa është që, në bashkëpunim me klubin, ne të fillojmë sa më shpejt punën dhe sezonin e ardhshëm nëse gjendjen punëtorët e duhur dhe nëse do ketë aq shumë pasion nga tifozët që të punojnë me tre turne, sezonin e ardhshëm Kukësi ta fillojë në stadiumin e vet. Një stadium modern me të gjitha standardet e nevojshme për të luajtur edhe ndeshjet ndërkombëtare që të mos shkoni në Elbasan, se nuk ka lezet për ju kuksianët të shkoni në Elbasan për të parë skuadrën tuaj, se ju nuk jeni as shumë të ballokumeve, kështu që është më mirë që të vijnë këtu të shikojnë.

Edhe kjo, pavarësisht se duket sikur nuk ka shumë lidhje me zhvillimin ekonomik dhe social, në fakt, është një tjetër arsye pse do të krijohet një tjetër frymë për zonën dhe qytetin. Një qytet me aeroport, një qytet me stadium modern nuk është një qytet që braktiset, por është një qytet ku, vërtet mund të largohesh për një periudhë kohe, për të punuar diku tjetër, por gjithmonë dëshiron të kthehesh edhe jam i bindur që, kur të lozë Kukësi ndeshje ndërkombëtare me aeroportin do shkojnë shumë lart biletat, se të gjithë nga Anglia do duan të vijnë të shohin Kukësin këtu, edhe pastaj do jetë tjetër proces kur të vijë Safeti dhe të kërkojë shtesë fondesh për të shtuar tribunën, por deri atëherë do duhet të kalojë shumë ujë nën urat që do t’i ndërtojmë ndërkohë. Se, ju e dini shumë mirë që, edhe Rruga e Kombit ka ura të pandërtuara, edhe të ndërtojmë njëherë urat, pastaj do kalojë dhe uji nën ura.

Projekti i rrugës është një projekt që duhet çuar deri në fund. Rruga, ju e dini shumë mirë, është e papërfunduar. Ka një sërë pikash që janë problematike. Kjo është arsyeja e gjithë asaj historie që ne kaluam. Unë, është hera e parë që vij në Kukës pas asaj historie, kështu që, edhe njëherë, nuk është e tepërt që t’ju kërkoj ndjesë juve dhe të gjithë banorëve dhe familjeve të zonës për shqetësimin që krijuam, përveç atyre të grupit zoologjik aty, të cilëve nuk kam asnjë arsye t’iu kërkoj ndjesë, sepse, besoj që ishte një situatë që duhet të ishte evituar, por, tani, koka e falur nuk besoj se pritet, kështu që, më mirë mos me e pre se kjo kokë do bëjë shumë më tepër për Kukësin.

Unë dua që të bëj dhe një falënderim për një nga njerëzit më kokëfortë që unë kam njohur në jetën time, flas për shqiptarë, që është zotëria aty, i cili, më vjen shumë mirë që është këtu sot. Kemi pasur një debat me të kur ndodhi historia e rrugës, e tarifave. I jam shumë mirënjohës, sepse, me kokëfortësinë e vet më ka ndihmuar që të kuptoj më mirë se si ishte situata dhe se si mund të dilnim nga ajo situatë. Duke qenë se dhe unë kokën nuk e kam dhe aq të butë, jam shumë i kënaqur që jemi këtu së bashku. Shumë faleminderit! E kam fjalën për drejtorin e TV Kukësit, ndërkohë që, patjetër, ju falënderoj të gjithëve!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here